Vlerësime të Ullmar Qvick te Forumi Shqiptar



Konvencionale nuk është ajo, Ilire Zajmi. Guximtare jo nga ana formale, por në përmbajtje. Ajo u lind në Prizren më 1971 dhe ka botuar Këmbana e mëngjezit (1991), Fashitje e ëndrrave rebele (roman), Un treno per Blace (1999) dhe Baladë e bardhë (2000).

Ankand publik

Bëjnë tregti me ëndrrat e mia
I stërvisin aftësitë
Bëjnë Pazar me gjakftohtësinë time
E ujisin durimin
Lidhen me kusht për gjoksin tim
I masin epshet
Pinë për shëndetin tim
Duhen në llogari të vet
Nuk vënë gjumë në sy
I brengosin problemet e mia
Angazhojnë detektivë privatë
Përpilojnë biografinë time të zezë
I numërojnë dashuritë e mia
Gjatë tërë kohës për ta
Jam në ankand publik
E mundohen të ma vjedhin syrin
Të ma ndalojnë hapin
Të më katrandisin në humbëtirë
E të luajnë të luajnë me mua.

Fund i ëndrrës

Ky është fundi miku im
Fundi I ëndrrës I agmisë
Ky është fundi I stories
Që ende s’ka filluar
Ky është fundi I tundimit
I mëkatit të pashijuar
Ky është fundi I dështimit
Netëve pa dëshmitarë
Ky është fundi I erotikës
Puthjeve të vonuara
Ky është fundi I dashurisë
Që ende s’ka lulëzuar
Ky është fundi miku im
Fundi I pafund I jetëvdekjes
E ti pret syhapur
Fundin e lojës

Valsi i mesnatës

Sonte aq më bën për Botën
Dritat e fikura solitereve
Për lavdinë kuartin e lavireve
Kësaj nate aq më bën për Artin
Boemët artistët darkerët
Që përjetojnë traumë artistike
Në katin e pestë të çmendisë
Sonte dua të dridhem
Si gjethet në pemë
Ti rrëshqas njalë duarve tua
Të më duash çmendurisht
Të më marrësh në shtrat
Adonis i sirtarit tim magjik
Kësaj nate dua të digjem e gjallë
Para pasqyres lakuriq të vallëzoj
Sonte aq më bën për të tjerët
Dua ta hedh valsin e pafund të lumturisë
.................................................. .....................
Dhe me këtë vals, i cili me një gjuhë pak më vullgare do të këndohej ”love me tonight and let the devil take tomorrow” përfundojmë pjesën e parë të prezantimit të poezisë së Ilire Zajmit.




Kur do të jem përfundimisht e lirë
Jetoj e s’bëhem e gjallë
Dehem e alkooli nuk më zë
Bredh e s’bëhem so po bredh
Shkruaj e s’bëhem Ginsberg Prever
Këndoj e s’bëhem Lenon Xhoplin
Kur do të jem përfundimisht e lirë
Për mua të tjerët jetojnë
Inkuizitorët modernë vlerësojnë
Më duan e unë s’e di pse më duan
I dua ata që s’më duan
Kur do të jem përfundimisht e lirë
Paragjykime luftë mendimesh
Tërmet emocionesh eufori
Ku është vetëliria çka është vetëliria
Bërtas çirrem gjer në çmendi
I urrej njerëzit pa personalitet
Falsifikatet kopjet e stërkopjuara
Kur do të jem përfundimisht e lirë
Unë nuk dua të bëhem si ti ai ajo

Zot i vetes
Betejën do ta humbësh përgjithmonë
Një Vatrlo e tmerrshme
Pësim mbi pësime
Nëse ndihmë nga të tjerët pret
Ngrihu në këmbët tua
Mendo me kokën tënde
Mos u përul para çdo barbari
Bëhu Zot i vetes
Mos u dorëzo lehtë Ti
Gjithçka bëje vetë
Betejën do ta fitosh përsëri
Lufto për të drejtat e tua
Zot i vetes Njeri

Zoti

Zoti është njëri nga ne
I maskuar me parukë syze dielli
Shëtit në të njëjtat rrugë e bulevarde
Vesh minifund e blu xhins të grisur
Zoti (a) i flet të gjitha gjuhët e botës
Pa përkthyes pa pejxher pa telefon GSM
Shkruan poezi postmoderne
Aktron Godotë teatrove të absurdit
Vallëzon dans pa muzikë
Imiton Prisllin Pavarotin
Zoti (a) është njëri nga ne
Rokerë njeri i urtë profet vagabond
Flokëgjatë mjekërrzi tullac vetulltrashë
Jezu-Krisht Muhamed Moisi
Vete herë në kishë sinagogë e xhami
E shpall veten heretik e rebel
I kundërshton kultet perënditë
Beson në frymën e shenjtë
Bibël e Kuran
Vete në shtëpi publike konsumon marihuanë
Përkëdhel xhelatët e ngushëllon viktimat
Vret dhunon dehet deri në dëlir
Zoti i burgosur lëshohet me kusht
Mbrohet në liri
Zoti është ai jam unë je ti
Zoti është njëri nga ne
A nuk është zoti njëri nga ne?!
……………………………………………..
Me këto poezi Ilire Zajmi tregon një lloj panteizmi, ajo e bën Zotin universal ose së paku identik me njerëzimin. Kush ka parë ambientet disi të mykura të Prizrenit, nuk do të habitet se si poetesha kundërshton këtë atmosferë teokratike, që mund të bëhet mbytëse për rininë. Për Prizrenin mund të thuhet si për Gjirokastrën në romanin e Kadaresë Kronikë në gur:„Ishte e vështirë të ishe fëmijë në këtë qytet..“


Ullmar Qvick

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)