2014-11-18

VRASËSI E VRET VETVETEN



Shkruan: PROF.DR. SC. KADRI BICAJ




Vrasjet në trevat tona deri vonë paraqitnin plagë të rëndë gjithëkombëtare. Por, tashmë kjo dukuri pothuajse është shkulur me rrënjë, përveç rasteve sporadike të “gjaknxehtëve” të papërmirësueshëm. Këtë plagë të rëndë shekullore po e shndërrojmë në qëndresë gjithëkombëtare, po e largojmë gjithnjë e më shumë nga vetvetja, pasi është parakusht i ardhmërisë së lumtur.

Mjerisht, prapëseprapë kohët e fundit po ndodhin vrasje. Nuk janë ato që i kryente shteti policor shekullor nëpërmjet argatëve të vet në Kosovën e varfër dhe të plagosur e të lodhur nga lufta e fundit që është zhvilluar në mileniumin e kaluar. Këto vrasje janë shumë tronditëse dhe po shkaktojnë dhembje të mëdha shpirtërore, dëshpërim, pikëllim e hidhërim te qytetarët.

 Me aktin e vrasjes si vepër penale themelore dhe formë tipike - me të cilën drejtpërsëdrejti sulmohen jeta dhe trupi i njeriut, sidomos kur ndokush e privon nga jeta personin tjetër nga hakmarrja e paskrupullt apo nga motivet e tjera të ulëta – vriten vlerat më të larta njerëzore, sikurse janë: nderi, shëndeti miqësia, dija dhe bujaria e njeriut.

Sipas Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, i cili ka hyrë në fuqi më 6 prill 2004, dispozita ligjore sipas nenit 147, parashihet mbrojta e jetës dhe e trupit të njeriut si vlera themelore shoqërore. Personi që kryen vepër penale, vrasje të rëndë, dënohet më së paku dhjetë vjet, apo me burgim afatgjatë deri në dyzet vjet.

Në të shumtën e rasteve, vrasjet paraqesin dukuri të pazgjidhshme.

Të pazgjidhshme nga aspekti i numërimit të shkaqeve, por edhe në aspektin e tipareve të personalitetit që si “tërësi” mund të shkaktojë vrasjen.

Vrasësi në të vërtetë fsheh më shumë patologji se delikuentet e tjerë. Kur njerëzit dëgjojnë për ndonjë vrasje, reagimi spontan i tyre është: “Mos është i krisur”? Kjo pyetje në vete ngërthen dy kuptime: a është shpirtërisht i sëmurë dhe a e di se në këtë mënyrë e ka shkatërruar edhe jetën e vet, e ka vrarë vetveten?!

Njeriu ka vetëm një jetë dhe në çdo mënyrë përpiqet ta mbrojë atë, por është konstatuar se disa njerëz këtë s’e bëjnë dot.

Disiplinat që merren me njeriun synim të përbashkët e kanë hulumtimin e “patologjisë” në qenien e njeriut.

Të sëmurin shpirtërisht, njerëzit deri diku mund ta kuptojnë.

Po ashtu në njëfarë dore edhe vrasësin profesionist, por kurrsesi nuk mund ta kuptojnë vrasjen për një pronë të huaj. Ngrihet toni, vlon gjaku, zbrazen armët, vritet njeriu, por në realitet vrasësi e vret vetveten.

Mirëpo, disa dukuri mund t’i kuptojnë vetëm ekspertët që merren me këto delikte.

Këto janë të ashtuquajturat “veprime ose reaksione desociative”.

Për shembull, burri e gruaja e shikojnë televizorin. Ajo njëkohësisht qëndis. Papandehur ajo i merr gërshërët dhe e vret të shoqin.

Deri në atë çast, ajo ishte në gjendje normale, mirëpo për një çast e humb kontrollin, në çastin kritik ndryshon dhe kryen vepër penale. Por, edhe pas këtij çasti mbetet normale.

Kur kryhen këso llojesh të veprave penale, shkaqet zakonisht kërkohen në rrethin më të afërt (burri, gruaja, dashnorja) dhe vetëm pas kësaj mund të shtrohet pyetja: “A thua pse ndodhi kështu”.

Këtu zakonisht kemi të bëjmë me invektivë, apo sulm të rëndë me tronditje emocionale, të drejta etj.
Ekziston parimi themelor se çdo rast është rast më vete, i cili mund të jetë me qëllim, i planifikuar, i rastësishëm; vrasësi të mund të jetë i sëmurë psikik, që vuan nga epilepsia, që është kanceror në kokë, mund të jetë person normal sipas të gjitha kritereve psikologjike – psikiatrike (ndoshta në atë çast ka qenë person “i çrregulluar”). Ky kategorizim e vërteton parimin themelor se çdo vrasje është “rast në vete”.

Disa nga konceptet themelore të fizikës, kimisë dhe ato biologjike nuk i kemi të qarta. Dihet mirëfilli se rryma (elektrike) mund ta mbysë njeriun.

Kundruall kësaj, në të shumtën e herëve nuk e dimë esencën, dinamikën, madje as motivin e vërtetë të vrasësit.

Këtë e dimë vetëm pas veprës së kryer. Lindin mbi një mijë arsyetime në kokën e vrasësit.

Pse veprova ashtu. Por, shtrohet pyetja se a mendon ai se e ka vrarë edhe vetveten.

Deri në atë çast vrasësi është sekret.

Sipas të dhënave statistikore, numri më i madh i vrasësve është nga shtresat më primitive, me arsim të ulët, gjë që e pengon zgjidhjen e enigmës.

Pasi vrasja vepron gjatë, vrasësi e vret vetveten.

Te shumica e vrasësve dështon instinkti për vetëqëndrimin.

Viktimologjia, shkencë kjo për viktimën, kohët e fundit me kujdes grumbullon të dhëna se viktimat nuk janë gjetur rastësisht në vendin e ngjarjes, por për këtë i kanë shtyrë shkaqe të brendshme, ndonëse për këto relacione nuk ka prova empirike.

Pas analizës, vrasja në esencë mund të paraqitet edhe si vetëvrasje sipas gjykimit: “Më s’jam i aftë për t’u vrarë, por do ta vras tjetrin, për të me vrarë edhe mua”.

Megjithatë, këto janë formacione që kërkojnë shqyrtime të natyrës tjetër.

Ka arritur koha për një vetëdijesim të vetë njeriut, të shoqërisë sonë. Duhet menduar shumë se ai që vret, e ka vrarë vetveten, për çka e presin gjykimi dhe dënimi shumë i lartë, madje dënimi më i lartë kapital për vrasje.

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...