Dr. Florim Cuculi – Madhështia e tij , pacienti shqiptar!


Dr. Florim Cuculi – Madhështia e tij , pacienti shqiptar!

«Në vitin 2008, kur isha në specializim për kardiologji në Spitalin Universitar në Bernë, duhej që te një pacient shqiptar të bëhej një angiografi e arterieve të zemrës. Kur u përshëndetëm në sallën e intervenimeve, unë u prezantova si Florimi – por pasi nuk e kisha veshur mantelin e bardhë – pacienti nuk e kuptoi që unë jam mjek», rrëfen ai hapat e parë si mantelbardhë 
Llukman HALILI
Doktori Florimi rrëfen se si në Bernë ishte normale që specializanti ta përgatisë pacientin bashkë me motrën medicinale. E, gjatë përgatitjes (d.m.th. mbulimit steril), ai thotë se pacienti e ka lëvduar disa herë, duke i marrë lakmi se punon brenda, pa shi, në vend të ngrohtë, meqë ai ishte punëtor ndërtimtarie.
cuculi dy
Dr.Florim Cuculi- Kryemjek me funksion të posaçëm, Spitali Kantonal i Lucernit-Kardiologji
Kështu, më në fund, siç rrëfen ai, koha që intervenimi të fillonte kishte ardhur, ndërsa kur ai e merr gjilpërën në dore, pacienti me mosbesim e pyet se kur do vinte mjeku. Kur doktor Florimi ia sqaron që ai është vetë mjeku, mosbesimi i tij rritet edhe më shumë, ndërsa gjatë gjithë kontrollit kishte mbetur si i shtangur.
Në ndërkohë, ai thotë se ka pasur disa qindra pacientë shqiptarë dhe për ata është bërë më se normale që ta kenë Florimin mjek. Njëkohësisht, numri i mjekëve shqiptarë në Zvicër është shtuar vazhdimisht. Në vitin 1998, kur Florimi i ka filluar studimet në Fakultetin e Mjekësisë, në tërë Universitetin e Bazelit ishin vetëm 2 studentë shqiptarë, d.m.th. ai dhe një shok në Fakultetin e Ekonomisë. Në ndërkohë, në universitetet e Zvicrës kanë diplomuar me qindra absolventë shqiptarë. Prandaj, tani nuk është asgjë e jashtëzakonshme që ta takosh një mjek shqiptar nëpër spitalet e Zvicrës.
Me pacientët shqiptarë zakonisht komunikohet në gjuhën shqipe – dhe kështu ndodh edhe gjatë intervenimeve invazive
Trajtimi i pacientëve shqiptarë
cuculi
Trajtimi i pacientëve shqiptarë për Florimin është kënaqësi e madhe – edhe pse, sipas tij, natyrisht të gjithë pacientët, pavarësisht nga nacionaliteti, e meritojnë vëmendjen dhe respektin maksimal.
Qëndrimi, karakteri, puna vetëmohuese dhe stabiliteti shpirtëror e bëjnë doktor Florimin që të jetë i dashur dhe i çmuar nga të gjitha shtresat dhe njerëzit që kanë nevojë për ndihmën e mantelbardhëve. Kjo, aq më tepër nga bashkatdhetarët tanë, të cilët çdo ditë e më tepër, sa herë kanë nevojë, ndiejnë siguri dhe besim të “dorëzohen” në duart e doktor Florimit.
Kur flet për pacientin shqiptar, dr. Cuculi i referohet çështjes më akute të mërgatës shqiptare, asaj të integrimit në shoqërinë ku punojnë dhe jetojnë.
Për integrim shumëdimenzional
Me këto probleme doktori vazhdon edhe sot të «ballafaqohet» nëpërmjet shkrimeve të ndryshme dhe pjesëmarrjes aktive në jetën e komunitetit shqiptar këtu. «Integrimi nuk është rrugë njëdrejtimëshe, është proces me aspekte shumëdimensionale, prandaj ne jemi këtu për të ndihmuar me përvojën, me sugjerimet, por edhe qëndrimet kritike. Duhet t’i mposhtim tendencat diskriminuese kudo që shfaqen, e ato shfaqen shumë shpesh që nga kërkimi i banesave deri te një vend i rezervuar për zanate të ndryshme», sugjeron dr. Cuculi.
Për dr. Cuculin, komuniteti shqiptar vazhdon të jetë tejet i paorganizuar, ndërkaq përpjekjet dhe tendencat për një bashkërenditje të mërgatës shqiptare i vlerëson pozitive, por thotë se «ato nuk janë gjithëpërfshirëse, nuk ka mërgatë të Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Shqipërisë apo të Luginës, por ka vetëm mërgatë shqiptare, e mbi këto baza duhet të riorganizohemi».
Organizim, disiplinë, edukim dhe mbi të gjitha vetëdijesim, është motoja e dr. Cuculit, është formula e integrimit për gjeneratat shqiptare këtu në Zvicër.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)