2014-11-27

Brezi i dytë brenda kornizave të një doktorate


Brezi i dytë brenda kornizave të një doktorate

Përditë shënohen arritje të shqiptarëve në Zvicër, qofshin këto studime postdiplomike. Rifat Haxhijaj, një ish-ushtarak karriere, para disa kohësh, në Universitetin e Gjenevës e mbrojti doktoratën në fushën e sociologjisë.

Rexhep RIFATI

Rifat Haxhijaj është i lindur në Banjë të Pejës, ku e ka përfunduar shkollën fillore. Gjimnazin dhe akademinë ushtarake i ka kryer në Beograd, aty e ka studiuar edhe psikologjinë. Në Zvicër, Haxhijaj i filloi studimet për sociologji, të cilat në vitin 2003 i ka kurorëzuar me një baçelor, kurse më 2005 me master. Tema e doktoraturës «Brezi i dytë i kosovarëve në Zvicër» përmban shënime shumë interesante për këtë çështje. Disertacioni trajton probleme, të cilat mundësojnë për ta kuptuar perspektivën e të rinjve me origjinë nga Kosova në Gjenevë.

Në çka mbështet ky hulumtim?

Hulumtimi është bazuar në supozimin se mënyrat e integrimit shoqëror dhe sistemi i vlerave e normave i gjeneratës së dytë me origjinë kosovare është i lidhur ngushtë me strukturën e tyre familjare. «Me synimin për ta kuptuar procesin e kalimit në moshën madhore të të rinjve kosovarë që jetojnë në Gjenevë, e kam studiuar kthimin e tyre të mundshëm në Kosovë, përvojat jetësore dhe vështirësitë në kërkim të një identiteti», thotë Haxhijaj, dhe vazhdon: «Më konkretisht, dëshiroja të vë në pah cila është lidhja e tyre me standardet dhe vlerat që kultivohen në familjet e tyre. Për të ofruar një shpjegim të mëtejshëm mbi specifikat e kalimit të këtyre të rinjëve në jetën e të rriturve, u nisa nga supozimi i përhapur në studime të këtushme se familja kosovare e ka një distancë të madhe karshi vlerave aktuale në Gjenevë, por edhe një strukturë të ndryshme familjare nga ato në Evropën Perëndimore», shpjegon Haxhijaj.

Familjet kosovare ndërmjet të resë e tradicionales

Në Gjenevë, familja nga Kosova është e rrethuar me lidhje të reja shoqërore, të cilat janë më pak të bazuara në forma tradicionale. Kështu, dituria e fituar nga prindërit në Kosovë para mbërritjes së tyre në Gjenevë, në një mjedis ku strategjitë riprodhuese janë të ndryshme, ua vështirëson atyre kuptimin e realitetit në vendin e tyre të ri. Për t’u integruar në Gjenevë, ata duhet t’i sigurojnë informacionet elementare në lidhje me sistemin shëndetësor, atë juridik etj.

Kësaj i shtohen elemente të tjera që mund të kenë ndikim në procesin e integrimit të të rinjve me origjinë kosovare në Gjenevë. Së pari, Gjeneva, si qytetet tjera kozmopolite, është prodhuar nga migrimi. Së dyti, ajo është një qytet modern – metropol me një lëvizshmëri të vazhdueshme të banorëve dhe një përzierje kulturore. Së treti, globalizimi ka arritur në një pikë pa kthim dhe qytetarët janë më të varur nga njëri-tjetri. Së katërti, prindërit kosovarë, si të gjitha migrimet e tjera të mëparshme, janë të prirë ta ruajnë identitetin etnik dhe fetar.

Së pesti, familja kosovare kurrë nuk ka krijuar kontakte të plota dhe pa rezerva me institucionet në Kosovë, deri në çlirimin e saj, në vitin 1999. Tendenca është që kjo të mbetet e mbyllur për t’i ‹mbrojtur› fëmijët nga ndikimet e padëshiruara edhe në Gjenevë.

«Në fillim të punës sime, për t’i kuptuar më mirë arsyet e migrimit dhe tendencat e migrimit në Kosovë, paraqita një pasqyrë të shkurtër të historisë së saj me një theks mbi migracionin e kohëve të fundit që filloi në vitet e ‘60-ta në drejtim të Zvicrës. Në këtë kuptim, gjithashtu kam folur për politikat zvicerane të migrimit», pohon Haxhijaj.

Në analizën e intervistave me të rinj shqiptarë në Gjenevë, autori përpiqet të japë inteligjencën sociale për këto çështje: rrugët arsimore të të rinjve, punësimin e tyre, martesat ndëretnike, ndërtimin e identitetit, rëndësinë e gjuhës shqipe në përcaktimin e identitetit të tyre dhe kontaktet me Kosovën. Nga këto biseda rezulton se niveli i lartë i shkollimit u mundëson atyre një punë të mirë dhe i shërben ngritjes së tyre shoqërore, në përgjithësi. Sikurse të rinjtë e tjerë me origjine të huaj – përfundon sociologu – ata janë shumë të interesuar për shkollime më të gjata.

Në kërkim të një njohjeje të statusit social e ligjor

«Në kapitullin e fundit të punimit të doktoraturës e kam vazhduar analizën e gjeneratës së dytë të kosovarëve në Gjenevë në lidhje me çështjet e diskriminimit, shtetësisë zvicerane, praktikave të tyre fetare dhe angazhimin e tyre politik e qytetar», raporton Haxhijaj. Nga intervistat del se të rinjtë kosovarë janë shumë të interesuar për pasaportën zvicerane. Sa u përket arsyeve për shtetësi, ata kryesisht flasin për përfitime praktike, të cilat do të rezultonin me avancimin e statusit të tyre social dhe ligjor. Ata udhëtojnë të paktën një herë në vit në Kosovë dhe për këtë u duhet të kalojnë disa kufij shtetërorë. Pasaporta zvicerane i bën ata më të rehatshëm gjatë udhëtimit. «Shtetësia zvicerane i ndihmon të rinjtë shqiptarë gjithashtu në fshehjen e origjinës tyre», referon doktori i sociologjisë.

Interesim edhe për pjesëmarrje aktive në jetën politike në Kosovë

«Pjesëmarrja politike ka rëndësi të veçantë në ndërtimin e realitetit të përditshëm», pohon Haxhijaj. Për të rinjtë kosovarë, jeta politike në Gjenevë nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë. Nga intervistat me ta del gjithashtu se ata janë të interesuar të marrin pjesë në mënyrë më aktive në jetën politike në Kosovë nëse kthehen për të jetuar atje, sepse në Kosovë gjithçka është duke u ridefinuar.

Në nivel të shoqatash, vajzat me origjinë kosovare raportojnë të jenë të interesuara për të drejtat e njeriut, në përgjithësi. Më konkretisht, ato duan të bëjnë punë humanitare në Kosovë. Si përfundim, sociologu Rifat Haxhijaj thekson se, «në shoqëritë bashkëkohore identitet kolektive kanë filluar të zbehen».

Haxhijaj punon në Departamentin për Punësim, Punë Sociale dhe Shëndetësi në Gjenevë. Ai merret me shkrime letrare dhe është autor i një romani – «Jetë e ndalur», botuar në Prishtinë në vitin 2003 – në të cilin shpalos historinë e një familjeje shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...