Margaritari që do të “flasë shqip” në katër gjuhë të botës



Libri “Fjala poetike - Antologjia e poezisë shqipe në Kosovë”, që është botuar së fundi në Kosovë, botim i “Balkan Free Press dhe Jalifat Publishing”, prezanton krijimtarinë poetike në poezi të brezit të vjetër dhe të ri të poetëve të gjallë në Kosovë, të cilët tashmë kanë ndërtuar identitetin e tyre artistik jo vetëm brenda Kosovës, por edhe jashtë kufijve të saj
“Fjala poetike - Antologji e poezisë shqipe në Kosovë” është strukturuar si një margaritar poetik, duke prezantuar me vargjet e tyre, por edhe me biografi me fotografi një numër të madh poetësh.
Në këtë libër prezantohen gjithsej 45 poetë nga Kosova, por edhe poetë kosovarë nga diaspora, duke nisur nga poeti Musa Ramadani, Agim Vinca, Ramadan Mehmeti, Sabri Hamiti, Agim H. Berisha, Adem Gashi, Milazim Krasniqi, Ibrahim Berisha, Bardh Franku, Arif Kutleshi, Ismet Aliu, Abdullah Konushevci, Sali Bashota, Hajdin Abazi, Ragip Syla, Basri Çapriqi, Halil Matoshi, Radije Hoxha-Dija, Izet Abdyli, Sarë Gjergji, Aziz Mustafa, Xhevat Latifi, Sali Beqiraj, Gjelbrim Hoxha, Lulëzim Tafa, Ilire Zajmi, Fahredin Shehu, Sevdije Rexhepi, Bujar Salihu, Shefqet Bylykbashi, Kujtim M. Shala, Ballsor Hoxha, Ndue Ukaj, Jeton Kelmendi, Donika Dabishevci, Blerina Rogova-Gaxha, Ag Apolloni, Astrit Veliqi, Avni Rudaku, Linditë Ramushi, Kreshnik Berisha, Ervina Halili, Alketa Gashi-Fazliu, Alban Nuredini dhe Ndriçim Ademaj.

Botuesi i kësaj antologjie, Faton Bislimi nga “Balkan Free Press”, në fjalën hyrëse të librit thekson se pikënisje e tij dhe stafit redaktorial ka qenë që fillimisht ky libër të nxirret në shtyp në gjuhën shqipe për të vazhduar tutje me përkthimin e tij edhe në gjuhë të tjera, si anglisht, suedisht, gjermanisht dhe frëngjisht. Bislimi thotë se përmes shtëpisë botuese ndërkombëtare “Balkan Free Press dhe Jalifat Publishing” me seli në Hjuston të Teksasit në SHBA, do të botohet në edicion ndërkombëtar kjo antologji në gjuhët e lartpërmendura.

Sipas tij, në ketë formë dashamirët e fjalës poetike anekënd botës do të mund të njihen nga afër me vlerat e poezisë shqipe të Kosovës, duke theksuar se pas botimit ndërkombëtar kjo antologji do të jetë në shitje nëpër botë, nga “Vancouver” në Tokio, nga “Toronto” në Hjuston në Mexico City, nga “New York” në Londër, Cyrih, Berlin dhe Paris. Kjo pra është antologjia e parë e këtij lloji dhe këtyre përmasave letrare, veçanërisht nga perspektiva e botimit ndërkombëtar. “Kjo antologji e vënë para lexuesit e prezanton krijimtarinë e përzgjedhur të disa gjeneratave poetike, të cilët frymojnë dhe numërohen ndër të gjallët deri me sot, duke u përpjekur të përfshijnë varietete vargjesh, sensibilitetesh, stilesh, llojesh e nënllojesh poetike të poezisë, si dhe duke u përpjekur t’i ofrojë një mundësi me të madhe lexuesve të kuptojnë për zhvillimin e poezisë në Kosovë, sepse autorët e vargjeve janë krejtësisht nga Kosova”, thotë në fjalën e tij hyrëse kryeredaktori i kësaj antologjie, Flamur Maloku. Sipas tij, përmes kësaj antologjie të poezisë do të njihet me mirë njeriu i Kosovës, sepse lexuesi do ta kuptojë ç‘është dashuria për të, se si ai dashuron, do ta kuptojë se ç‘është urrejtja për të , se si ai urren…etj. Në ketë antologji, këshilli redaktorial ka provuar të mbledhë me të mirën, margaritarin apo ajkën e vargjeve të këtyre poetëve të shquar në Kosovë. Lexuesi në ketë antologji mund të hasë në kode të mëdha, që prehen rehatshëm me ‘urtësinë e ligjeve universale’, sikundër mund të hasë edhe përsiatje të thella, lëkundur e puhatur mes ëndërrimeve poetike, por që pasqyrojnë sërish një fytyrë të re të ligjeve të universit, të ndërtuar me një urtësi krijuese. (A. Veliqi)

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)