2014-11-17

Nata e parë e Geraldinës në Shqipëri

Pjesë nga libri më i ri i Blendi Fevziut: “Ahmet Zogu, presidenti që u bë mbret”, botuar nga UET Press
Dasma Mbretërore /27 Prill 1938
ahmet zogu mbreteresha geraldine
Dasma Mbretërore – 27 Prill 1930/ Libri: “Ahmet Zogu, presidenti që u bë mbret”/ Mapo.al
“Herët në mëngjes, u gjenda në kuvertë, pasi s’kisha vënë gjumë në sy gjithë natën. Përpara meje shtrihej Durrësi. Hodha vështrimin mbi muret e lashta romake dhe më tutje ato veneciane, të shpuara nga plumbat turq, dhe prapa maleve, shkëmbinj të lartë graniti gri, që lartësoheshin mbi det. Peizazhi i pazbutur ishte krejt ndryshe nga gjithçka kisha parë deri atëherë.
Na kërkuan të qëndronim në bord derisa të zbarkonin të gjithë udhëtarët e tjerë dhe, kur kalata u boshatis, u shfaq një Mercedes i zi. U përshëndeta nga kolonel Sotir Martini, një ministër i Oborrit, i cili i ndenji pranë Mbretit deri në momentin që vdiq në mërgim në vitin 1950”.
Ky është rrëfimi i Geraldina De Nagy Appony për kontaktin e parë që pati me vendin që do t’i vinte mbi kokë kurorën. Ishte 21 vjeçe dhe e emocionuar. Qe nisur drejt një të panjohure duke besuar në një happy-end.
Në port e priste adjutanti i Mbretit, që e akomodoi si mysafire në familjen Toptani dhe e sqaroi “me takt” se udhëtimi i saj ishte dhe do të mbetej sekret derisa ajo dhe Mbreti të merrnin një vendim. Geraldina u ftua të merrte pjesë në ballon e Vitit të Ri 1938. Gjatë gjithë jetës së saj, në dhjetëra intervista dhe biografi, ajo ka kujtuar gjithnjë momentin e parë kur u gjend përballë me atë që do të bëhej burri i ardhshëm i saj:
“Më dridheshin këmbët dhe nuk shikoja asgjë. Isha jashtë mase e frikësuar. Dhoma ishte aq e gjatë, sa dukej e pafund dhe unë doja vetëm të zhdukesha. Befas, u gjenda ballë për ballë me një fytyrë të hijshme, një burrë i gjatë, pa të meta, i veshur me uniformën e bardhë të kolonelit të përgjithshëm të ushtrisë. Ishin pikërisht sytë që i vura re të parët, sy depërtues bojëqielli.
Kisha praktikuar një përkulje si ato që mësojmë në orët e kërcimit, por e harrova nga hutimi dhe thjesht bëra një përkulje të lehtë. Mbreti menjëherë më ngriti me një buzëqeshje tërheqëse, më falenderoi për vizitën në vendin e tij dhe më pyeti nëse udhëtimi kishte kaluar mirë”.
Geraldina nuk e dinte se pavarësisht fshehtësisë, lajmi për mbërritjen e saj kishte intriguar tej mase kryeqytetin. Pothuajse i gjithë oborri, njerëzit me ndikim dhe diplomatët e dinin që kish¬te ardhur me aprovimin e Mbretit dhe ishte kandidatura kryesore për t’u bërë Mbretëreshë e Shqipërisë. Mbreti qe aty, së bashku me princeshat që ai ia prezantoi njëra pas tjetrës. Geraldina e kujtonte gjithnjë atë moment:
“Asnjëherë nuk e largoi vështrimin nga unë, ndërsa më ofroi një gotë shampanjë. Gishtat tanë u prekën dhe në atë çast dritat u vagëlluan. Ishte pikërisht mesnatë dhe kështu e donte zakoni shqip¬tar. Ngaqë isha në angështi, e lëshova gotën, e cila u thërrmua në mijëra cifla kristalesh të vogla.
E ndjeva se u zbeha në fytyrë, por Mbreti qeshi. Ciflat sjellin fat, – tha ai në gjermanisht dhe më ra në dorë si për të më siguruar. Jehona e dymbëdhjetë tik-takeve të mesnatës ende nuk ishte fashitur, kur një valë e fortë duartrokitjesh dukej se do ta shembte dhomën. Nga të gjitha anët dhe në të gjitha gjuhët u dëgjua thirrja: Fat të bardhë!
U ndjeva si asnjëherë më parë. Kisha rënë në dashuri.”
Ishte viti 1938, viti i martesës së Mbretit Zog I me Mbretëreshën Geraldinë. Geraldina nuk iku më nga Shqipëria që atë ditë. Fejesa u mendua të shpallej në janar dhe martesa në prill. Më 25 janar 1938, ambasadori britanik në Durrës, njoftonte ministrin e Jashtëm Anthony Eden:
“Kontesha Apony ka ardhur në Tiranë në pjesën e fundit të muajit dhjetor. Më 31 dhjetor Mbreti Zog vallëzoi me atë në vigjilje të Vitit të Ri në mbrëmjen e organizuar në oborrin mbretëror. Kur u takova me ministrin e Jashtëm Shqiptar në datën 24 janar, ai pohoi fejesën e Mbretit Zog me Konteshën Apony. Mendohet se shpallja zyrtare do të jepet brenda pak ditësh.”
Fejesa u shpall më 31 janar 1938. Shpallja u bë në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare e thirrur me kërkesën e vetë Mbretit Zog. Kushtetuta e Shqipërisë, parashikonte që kërkesa për fejesën e Mbretit të kalonte për miratim në dy Dhomat e Parlamentit. Salla ishte e mbushur plot dhe në llozhën kryesore qëndronin motrat e Mbretit. Kryetari i Parlamentit njoftoi se të dyja dhomat e kishin aprovuar fejesën dhe se Geraldina mund të bëhej Mbretëreshë e Shqipërisë. Sipas biografes së Geraldinës, atë mbrëmje, Geraldina bëri prezantimin e parë të plotë me familjen e dhëndrit.

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...