Nga Prof.dr.
Eshref Ymeri
I
Para se të
ndalem në thelbin e titullit të këtij shkrimi, dëshiroj të kthehem një vit
prapa dhe t’u sjell në kujtesë lexuesve një deklaratë të kryeministrit Edi Rama
në lidhje me marrëdhëniet me fqinjët. Kur kishte pak ditë që kishte marrë
postin e kryeministrit, ai deklaroi:
“Parimi ynë, zero problem me fqinjët.
Greqia, partner strategjik”. Marrë nga faqja internetike e gazetës “Tema”. 24 shtator 2013).
Sa për kureshti, ndoqa rubrikën “Komente” të asaj faqeje internetike, në
të cilën më bëri përshtypje ndërhyrja e një qytetari, i cili shkruante:
“Greqia mik nuk bëhet kurrë,.. as armiqësi nuk duam,
por jo deklarata të tilla qyqare “zero problem me fqinjët”! Rama duhet të flasë
me gjuhën e popullit e jo të një frikacaku qyqar, t’ua thotë troç se ne duam ta
mbyllim kapitullin e urrejtjes, e padrejtësive, dialog, por jo nënshtrim. Sy më
sy e dhëmb më dhëmb. E jo me avazin e vjetër: ne nënshtrues, ata dhunues”.
Në këtë rubrikë kishin bërë komentet e veta 58 qytetarë, nga të cilët 36
shpreheshin kundër deklaratës së zotit Rama dhe 22 e përkrahnin. Pra, nga një përllogaritje
e thjeshtë, rezultonte se 62% e komentuesve nuk ndanin tënjëjtin mendim me
kryeministrin Rama, kurse ata që ishin në një mendje me të, pëbënin 38% të
tyre. Rrjedhimisht, Kryeministri Rama, me deklaratën e vet, ngrihej kundër
shumicës së popullit shqiptar dhe, në raport me fqinjët, dilte kundër mbrojtjes
së interesave tona kombëtare.
Fqinjët tanë, kur e kanë dëgjuar këtë deklaratë, sigurisht që janë kënaqur
tej mase dhe kanë thënë me njëri-tjetrin:
“Rrofsh, ore kryeministri i Shqipërisë,
që nuk paske probleme me ne. Por ama ne kemi probleme me Shqipërinë!”.
Me deklaratën e mësipërme, kryeministri Rama, në raport me Greqinë, Çështjes
Çame i ka vënë përsipër gurinë e rëndë të harresës së madhe. Veç kësaj, atë nuk
e shqetësuaka aspak Ligji i Luftës që Greqia vazhdon ta mbajë në fuqi që prej
vitit 1940. Në të njëjtën kohë, kryeministrin Rama nuk e shqetësuaka fare fati
i pavarësisë së kishës ortodokse shqiptare fanoliane, e cila është tërësisht në
duart e kishës shoviniste greke që prej kohës kur Janullatosi është ulur në
krye të saj. Kryeministri Rama paska zero problem me fqinjin grek, por është
puna se ish-presidenti Stefanopulos ka pas deklaruar se Himara është greke dhe
Korça është vllaho-greke. Presidenti i tanishëm grek Papulias, po ashtu,
deklaroi para pak kohësh se Himara është greke.
Gjatë
vizitës që presidenti Papulias bëri në Zvicër në pranverën që kaloi, foli për
problemin e Kosovës dhe deklaroi se ai na qenkej një problem serioz dhe se kërcënuakej
jo vetëm stabilitetin në Ballkan, por edhe paqen në përgjithësi në Bashkimin
Evropian! Ky qëndrim i presidentit grek ndaj Kosovës nuk përbëka problem për
kryeministrin shqiptar!
Ceremonia që Janullatosi organizoi më 01 qershor 2014 në katedralen
ortodokse në Tiranë, ku ishin të ftuar shovinistë të njohur serbogrekë, ishte
konfirmim i mohimit të pavarësisë së kishës ortodokse fanoliane, aq më tepër që
ajo u zhvillua në gjuhën greke. Një fakt i tillë nuk përbëka asnjë problem për kryeministrin
shqiptar që ishte i pranishëm në atëceremoni!
Me rastin e dënimit me
burgim të përjetshëm të gjashtë shqiptarëve në Maqedoni dhe të protestave të
popullit shqiptar që shpërthyen atje në fillim të muajit korrik 2014,
Kryeministri Rama pati deklaruar:
“…këto janë pasoja të moszbatimit të plotë të
Marrëveshjes së Ohrit dhe të një humbjeje besimi tek shqiptarët, për të cilat
garantët nuk duhet t’i kërkojnë të gjitha shkaqet jashtë sferës së
përgjegjësive të tyre. Ashtu sikundër besoj unë, edhe flamujt e radikalizmit
shqiptar nuk ngrihen mbi shkopinj, por mbi plagë sociale, gërryese, varfëri,
papunësi, keqarsimim dhe izolim, të cilat shkaktojnë reaksione nga më
agresivet…” (Citohet sipas: “Garantët të reflektojnë për Marrëveshjen e Ohrit”.
Marrë nga faqja e internetit e gazëtës “Dita”. 08 korrik 2014.
Nga kjo deklaratë
shumë e drejtë e Kryeministrit Rama, rezulton se Shqipëria nuk paska “zero
problem” me fqinjët maqedonas, madje paska probleme shumë serioze se atje po
shtypen dhe po keqtrajtohen bashkëkombasit tanë prej politikës sa shoviniste,
aq edhe raciste te Grujevskit.
Në rubrikën “Komente” të faqes së
internetit të gazetës së lartpërmendur, dikush, me pseudonimin “andromeda”, kishte
dërguar këtë reagim:
“Hë,
mo Rama, si është puna e Ballkanit me zero probleme? E di që ia fut kot ti
shpesh herë! Me këta lloj fqinjësh që ke që duan si ta shqyejnë Shqipërinë,
s’ke për të pasur qetësi në Ballkan”.
Se sa “zero
problem” ka Shqipëria me fqinjët serbë, këtë e kanë vërtetuar ngjarjet e
kohëve të fundit dhe sidomos qëndrimi i politikës zyrtare të Beogradit ndaj
bashkëkombasve tanë në Republikën e Kosovës që prej përfundimit të luftës më 12
qershor 1999 e deri tani. Kryepeshkopi Irinej ka deklaruar:
“Nuk e kemi humbur Kosovën, ne për
Kosovën luftojmë dhe shpresojmë që do t’ia dalim. Kushti i parë për ruajtjen e
Kosovës është të jemi të bashkuar” (Citohet sipas: “Irinej:
Nuk ka ndarje as njohje të Kosovës”. Marrë nga faqja e internetit “BalkanWeb”. 20 mars 2013).
E njëjta gjë mund të thuhet për “zero problem” edhe me fqinjët malazias,
të cilët bashkëkombasve tanë atje ua ndalojnë mbajtjen e simboleve kombëtare.
Çuditërisht, edhe në
Serbi, edhe në Maqedoni, edhe në Greqi, në rastet e shpërthimeve të histerisë
antishqiptare, fillojnë e dëgjohen thirrjet fashiste:“Vdekje shqiptarëve!”. Në këto kushte, shtrohet një pyetje e
thjeshtë fare: mirë që kryeministri Rama thotë se “ne paskemi zero problem me fqinjët”,po si t’ia bëjmë edhe ne,
shqiptarët, që fqinjët tanë të kenë zero problem me ne? Edhe përgjigjja është, po
ashtu, e thjeshtë fare: gjithsecili të kthehet në trojet e veta etnike,
gjithsekush në shtëpinë e vet dhe atëherë s’kemi për të pasur më probleme me njëri-tjetrin.
Por këtë s’e dëshiron Evropa, për çka do të flitet në vazhdim.
II
Që në Kongresin e Berlinit, Evropa vendosi që trojet
shqiptare t’i kthejë në një përcelë eksperimentale dhe që asokohe e deri tani
eksperimentet nuk i ka ndërprerë asnjëherë. Për të kënaqur epshet shoviniste të
shteteve fqinje të Ballkanit, Evropa, nën diktatin e shovinizmit rusomadh,
eksperimentoi se si trojet etnike të një kombi të copëtohen dhe të bëhen
çarçaf, për të parë në praktikë se çfarë të ndodhë me banorët e tij: a do të
jenë në gjendje ta durojnë copëtimin, a do të tremben, a do të emigrojnë, a do
të nënshtrohen, a do të luftojnë apo do të asimilohen, domethënë a do të shkombëtarizohen?
Madje shovinistët fqinj, me përkrahjen e
gjithanshme të Evropës, pa pritur përgjigjen e pyetjeve të lartpërmendura,
filluan shpopullimin e dhunshëm të trojeve tona etnike që arrinin deri në Nish.
Kjo tkurrje e parë e trojeve tona etnike u shoqërua jo vetëm me shpërngulje te
dhunshme, por edhe me vrasje, me djegije, me plaçkitje dhe me përdhunime. Kjo
gjendje vazhdoi për 34 vjet me radhë, deri në vitin 1912, kur u shpall pavarësia.
Atëherë Evropa u mblodh përsëri në kuvend për të bërë edhe një tjetër
eksperiment me kombin shqiptar: organizoi Konferencën kriminale të Londrës të
vitit 1913, e cila vendosi të provonte përsëri se çdo të ndodhte me kombin
shqiptar pas një tkurrjeje të dytë dhe trojet tona etnike, nga mbi njëqind e ca
mijë km², i katandisi në 28 mijë km². Në trojet e mbetura jashtë kësaj ngastre
Shqipërie, me kalimin e viteve, ashtu si edhe më parë, vazhdoi gjenocidi kundër
popullsisë shqiptare. Shumë shqiptarë të Çamërisë u dëbuan për në Turqi. Pas përfundimit
të Luftës së Dytë Botërore, me mijëra banorë shqiptarë të trojeve të mbetura nën
Jugosllavi, u detyruan të emigronin për në Turqi, popullsia çame u masakrua egërsisht
nga nazifashizmi grek, ajo që mundi të shpëtonte gjallë, u dëbua forcërisht për
në Shqipëri, kurse popullsia e Kosovës iu nënshtrua një gjenocidi të
pashembullt nga ana e shovinizmit serbomadh. Kësisoj Evropa po i vazhdonte
eksperimentet me kombin shqiptar. Mos ndoshta me të vetmin qëllim që të
provonte se cila ishte forca e mbijetesës së tij, çka nuk e kishte
eksperimentuar me asnjë tjetër komb në kontinent? Kësaj pyetjeje nuk mund t’i përgjigjesh
dot me siguri. Por që Evropa ka dashur ta zhdukë përfundimisht etninë shqiptare
nga hapësira evropiane, kjo nuk do as mend, as dëshmitarë për ta argumentuar,
se një gjë të tillë e vërteton Traktati i fshehtë i Londrës i vitit 1915 dhe
Konferenca e Paqes në Paris, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, ku
Fuqitë e Mëdha kërkonin ta zhduknin Shqipërinë përfundimisht nga harta e Evropës,
çka nuk e lejoi Presidenti Uillson.
Eksperimenti tjetër që ndërmori Evropa në
qëndrimin ndaj kombit shqiptar, ishte ai që u zhvillua në vitet ’90 të
shekullit të kaluar, kur Millosheviçi, nën soditjen e Evropës, iu turr Kosovës
me zjarr dhe me hekur për ta shpopulluar krejtësisht dhe Shqipërinë, në bashkëpunim
me Greqinë, ta ndanin secili pjesën e vet dhe të shuhej një herë e mirë çdo
gjurmë e kzistencës së kombit shqiptar në trevat e Evropës Juglindore. Ky plan
kriminal i Evropës do të ishte zbatuar me domosdo, sikur të mos kishte qenë ndërhyrja
e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Anglisë, me bombardimet që
organizuan kundër Serbisë.
Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës,
Evropa përsëri nuk hoqi dorë nga eksperimentet e veta në dëm të popullit
shqiptar dhe në mbrojtje të interesave të Serbisë. Përmes strukturave të
UNMIK-ut dhe të EULEKS-it, ajo eksperimentoi dhe vazhdon të eksperimentojë se
si një pavarësi e shpallur zyrtarisht dhe e njohur nga njëshumicë e madhe
vendesh, mund të shndërrohet në karikaturën e vet përmes një shteti pa identitet
dhe pa dinjitet kombëtar, të cilin e qeveris një minoritet i huaj. Me këtë
karikaturë, Evropa donte të provonte se si pavarësia e një shteti mund të bëhet
krejtësisht e paqenë kur me nxitjen dhe me sponorizimin e saj, atë e
administron një klasë politke vendase krejtësisht mercenare. Rezultatet këtij
eksperimenti duken më së miri në Kosovë, ku qeveria e Thaçit është vënë kokë e
këmbë në shërbim të pakicës serbe, e cila urën e Ibrit e ka bllokuar me pirgje
zhavorri.
Në këto kushte, Evropa, përmes baroneshës
Eshton, ndërmori eksperimentin e radhës për të ulur në tryezën e bisedimeve
viktimën me xhelatin dhe kërkoi që shteti i Kosovës të vihej në shërbim të
xhelatëve të djeshëm të Beogradit, të cilët nuk janë penduar botërisht për
krimet që kanë kryer kundër popullit shqiptar.Pasojat e këtij eksperimenti tani
duken açik: shteti i Kosovës sot është një i vdekur dhe i pakallur. Qëndrimi i
Brukselit përmes baroneshës Eshton ndaj Kosovës, ishte vazhdim i qëndrimit të
Sekretarit të Përgjitthshëm të OKB-së, të shprehur me gjashtë pikat e famshme për
poshtërimin e Prishtinës para xhelatit të Beogradit. Qeveria Thaçi dhe vetë
Thaçi, pranuan të vetëposhtëroheshin, duke u ulur në një tryezë me xhelatin e
Beogradit, pa kërkuar prej tij paraprakisht pendesën publike.
Personaliteti
i shquar i kulturës franceze, Zhan-Pol
Sartri (Jean-Paul Charles Aymard Sartre - 1915-1980),
ka thënë:
“I urrej viktimat që respektojnë xhelatët e vet”.
Ismail
Kadare ka thënë të njëjtën gjë këtu e pesë vjet të shkuara:
“... Ka një trysni të pjellë nga një keqkuptim disi i
përgjithshëm që, duke mos u kujtuar krimet serbe, ndihmohet paqësimi i
gadishullit. Keqkuptimi është i rëndë. Dhe kryekëput i dëmshëm... Por kjo kinse
zgjidhje idilike, pa pendesë dhe pa dallim të xhelatit nga viktima, fsheh një
kurth të rrezikshëm.... Po kryhet kështu mu në sytë tonë, të krejt kontinentit,
një dhunim monstruoz ndaj së vërtetës. E bashkë me këtë, kërkohet që Europa dhe
Aleanca Atlantike t’i bëjë, në një farë mënyre, një mohim aksionit më emancipues
të saj: ndërhyrjes për ndalimin e një masakre. E vërteta në këtë rast është një
dhe nuk mund të ndryshohet. Në Kosovë krimet serbe kanë qenë të lemerishme”(Citohet sipas: “Kadare: Nuk mund të harrohen krimet serbe në emër të paqes ballkanike. Intervistë për gazetën “Illyria”. Marrë nga faqja e internetit
e gazetës “55”. 19 qershor 2009).
Këtë vijë arsyetimi të të dy personaliteteve të
lartpërmendura, e vazhdon edhe shkrimtarja e shquar Vilhelme Vranari Haxhiraj:
“Përse gjenocidi në gadishullin e Ballkanit u ndoq vetëm ndaj
shqiptarëve, të cilët u masakruan dhe u përndoqën nga trojet e të parëve ilirë
si në Çamëri, në Kosovë, në Mal të Zi, në Bosnjë e Maqedoni, një shfarosje që
ende nuk ka marrë fund?... Nuk duhet të harrojmë se ende këlthet për drejtësi Nata
e Shën Bartolomeut të Tivarit, ulëret Çamëria për pronarët e saj legjitimë” (Vilhelme Vranari Haxhiraj. “Historianët a do të kërkojnë vallë përse gjenocidi në Ballkan u ndoq
vetëm ndaj shqiptarëve?!”. Citohet sipas: “Tribuna shqiptare”. 05 maj 2014).
Eksperimentin
Evropa po e vazhdon edhe në marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë. Në vend që të
kërkonte prej Serbisë daljen me pendesë të fortë para opinionit ndërkombëtar për
krimet që ka kryer kundër kombit shqiptar më shumë se një shekull dhe të ngulte
këmbë që presidenti ose kryeministri serb të shkonte i pari për vizitë në Tiranë
për shprehjen e asaj pendese, përkundrazi, Evropa kërkoi me ngulm që
kryeministri shqiptar të shkojëi pari për vizitë te xhelati i Beogradit. Dhe
Evropa të vëzhgonte ecurinë e eksperimentit: si do të zhvilloheshin ngjarjet
kur kryeministri shqiptar të zbriste në aerodromin e Beogradit, ku do të përballej
vetëm me valvitjen e flamurit kombëtar serb dhe jo me valvitjen e flamurit kombëtar
shqiptar? Kryeministri shqiptar e duroi me gjakftohtësi këtë fyerje publike që po i bëhej dinjitetit tonë kombëtar
nga xhelati i Beogradit, nën soditjen e Evropës. Se është e pamundur që
Beogradi të mos e ketë vënë në dijeni paraprakisht Brukselin se kryeministri
shqiptar do të pritej në Beograd, por pa flamurin kombëtar shqiptar nëaerodrom.
Kryeministri
Rama mbajti një qëndrim shumë dinjitoz në konferencën e shtypit me
kryeministrin Vuçiç: deklaroi prerë se Kosova është shtet i pavarur dhe ky është
një realitet i pamohueshëm. Dhe kryeministrit serb s’kishte pse t’i mbetej
qejfi për një realitet që e kanë pranuar 108 shtete. Por pas përfundimit të
Konferencës së shtypit, kryeministri Vuçiç vërtetoi faqe botës se Serbia është
vite drite larg kodit moral të shqiptarëve: ai, në vend që t’i jepte dorën
kryeministrit shqiptar dhe, si mysafir që ishte, ta ftonte të kalonte i pari përpara,
ai, përkundrazi, i ktheu shpinën dhe u largua vetë i pari. Ky ishte një turp
deri në përmasat e një skandali diplomatik që kryeministri Vuçiç manifestoi
faqe botës. Dhe Brukseli nuk reagoi absolutisht
për këtë skandal të Beogradit ndaj kryeministrit shqiptar. Sepse ishte duke
soditur ecurinë e eksperimentit të vet.
Kur pashë atë skenë të shëmtuar që
kryeministri Vuçiç i lejoi vetes, më erdhi ndër mend një fjalë e urtë e trevave
labe: “dëm sapuni tek arapi!”, ose, e
thënë ndryshe, “qenin laje edhe me sapun
me erë, ai prapë erë qeni do të bjerë”.
Megjithatë, unë kam përshtypjen se
kryeministri Vuçiç u soll pa edukatë ndaj kryeministrit Rama kur mbaroi
konferenca e shtypit jo për faktin se qëndrimi i tij buronte nga motive të
brendshme të formimit të tij intelektual, por për të qenë në një gjatësi vale
me opinionin publik serb, i cili është tërësisht shovinist në qëndrimin ndaj
etnisë shqiptare, ashtu si edhe sivëllai i tij grek. Se po të sillej me edukatë,
ku ta dish se ç’mund të sajonte nesër-pasnesër ndonjë çetnik-snajperist dhe
Vuçiçi të pësonte fatin e kryeministrit Xhinxhiç.
“Njerëzit që thonë se Shqipëria e Madhe është
mankthi ynë, kanë plotësisht të drejtë. Por ky nuk është vetëm mankthi ynë,
është një mankth evropian, është një mankth i njerëzimit dhe ne do bëjmë çdo
gjë për të ndaluar botën të përfshihet nga ky mankth. Shpresojmë që shqiptarët
normalë do ta kuptojnë këtë mesazh” (Citohet sipas: “Vuçiç mesazh shqiptarëve: Do ta
ndalojmë “Shqipërinë Etnike”. Marrë nga faqja internetike e gazetës “Mapo on line”. 18 tetor 2014).
Pas kësaj deklarate të Vuçiçit, edhe ne, shqiptarët, duhet
të mendojmë thellë se si ta çlirojmë Serbinë, Evropën dhe mbarë njerëzimin nga
makthi i “Shqipërisë Etnike”. Sepse
Serbinë po e torturon makthi që po mban të kolonizuara troje etnike shqiptare,
Evropën po e torturon makthi për krimin që kreu në vitin 1878 dhe në vitin 1913
kundër trojeve etnike shqiptare, njerëzimi po u shqetësuaka për makthin që po e
munduaka kontinentin plak. Në këto kushte, shqiptarëve s’u mbetet rrugë tjetër,
veçse të ngrihen peshë më këmbë dhe të kërkojnë ribashkimin paqësor të krejt
trojeve tona etnike, në mënyrë që të shpëtojnë nga makthi që të gjithë një herë
e mirë.
Evropa nuk e detyroi presidentin serb Tomislav Nikoliç që ta
priste kryeministrin Rama, por pranoi këmbënguljen e tij që të mos e priste. Se
domosdo, në raportet Tiranë-Beograd, Evropa gjithmonë mban anën e Beogradit, se
prapa tij vigjëlon Moska, së cilës Brukseli i rri lepe-peqe për gazin që i dërgon.
Për kryeministrin Rama pas vizitës në
Beograd, presidenti Tomislav Nikoliç deklaroi se “ai është i papërgjegjshëm”. Një deklaratë e tillë i shkon për
shtatnjë njeriu me një gjendje psikologjike të diskutueshme. Sepse kryeministri
Rama tha një të vërtetë që e mbrojnë 108 shtete në mbarë botën. Pas kësaj deklarate,
presidenti Nikoliç duhet t’i nënshtrohet kontrollit mjekësor nga ana e një
specialisti të neuropsikiatrisë.
Po ç’bëri Evropa, nëpërmjet Gjykatës Ndërkombëtare
të Hagës, pas vizitës së kryeministrit Rama në Beograd? Liroi “përkohësisht”
nga burgu shovinistin e tërbuar Sheshel, me pretekstin se na qenka i sëmurë dhe
u dashka kuruar në Beograd! Po pse, në Holandë, ku ndodhet gjykata në fjalë,
nuk paska mundësi për kurim?! Dhe Shesheli, sapo zbriti në Beograd, deklaroi me
zërin plot: “Nikoliçi dhe Vuçiçi janë
tradhtarë”. E kishte fjalën se pse e lejuan ardhjen për vizitë të
kryeministrit Rama në Beograd.
S’ka asgjë për t’u çuditur: Evropa
vazhdon eksperimentet në Evropën Juglindore, në kurriz të kombit shqiptar. Dhe
ka për t’i vazhduar gjithmonë, në qoftë se në Shqipëri nuk do të dalë në skenën
politike një burrë shteti, një udhëheqës trim, përfaqësues i një klase politike
trime, me formim nacionalist,i imunizuar nga mikrobi i mallkuar i
mercenarizmit, që të ketë shumë besim te populli shqiptar dhe të mbështetet
fort në përkrahjen e tij të fuqishme që t’i thotë Evropës:
“Boll më
me eksperimente, trojet etnike shqiptare duhet t’u rikthehen të zotërve të tyre
legjitimë!”.
No comments:
Post a Comment