2014-11-17

Agim Baçi:Kur jeta është sa një natë


(Shënime për romanin “Nata e Sofie Kondilit” e Koço Kostës)
agim-baci_933427Të flasësh për letërsinë e vendit tënd është pak e vështirë, për këdo pjesëtar të fushës së studimit, pasi nuk është aspak e lehtë që të shmangesh nga raportet që kemi me të shkuarën e përbashkët si bashkëqytetar me autorin dhe ngjarjet që ai përshkruan. Ky lloj leximi, në rastin më të mirë është fragmentar, dhe në rastin më të keq, mbetet një lexim lokal, në kufijtë e provinciales. Personalisht, edhe pse e di që është thuajse e pamundur t’i shmang këto elemente, e rëndësishme ka qenë lidhja e letërsisë vetëm me Njeriun dhe Njerëzoren, me atë që e bën të gjithëlexueshme një libër. Pra, tek një libër duhen parë se çfarë e fut atë në një kohë tjetër, që nuk është vetëm fasha e kohës sonë dhe që nuk është fasha jonë e njohjeve dhe e jetës sonë. Letërsia e vërtetë nuk i ka këta kufij, ose i kalon këta kufij dhe leximet përmes kohës personale apo vendit ku jeton nuk kanë ndonjë mbijetesë. Autorë të njohur në botë nuk vijnë për ne as me njohjen e tyre personale e as vetëm me gjykimet e bashkëkohësve. Ata vijnë në gjykimin universal, duke bërë me lexuesin një prerje horizontale për shqetësimin njerëzor dhe vertikale për këndvështrimin e gjithsecilit.
Nëse do ta shihnim pikërisht kështu librin e Koço Kostës, “Nata e Sofie Kondilit” do të thoshim fillimisht se nuk është një roman dashurie, por një roman për dashurinë. Sofie Kondili është për një natë edhe Madamë Bovari, edhe Helena e Trojës, por edhe një grua që jeton diku në Tiranë, Romë, Berlin apo Nju Jork. Dhe fshati ku Koço Kosta vendos të ekzekutojë ‘një natë sa një jetë’ është një fshat i përbotshëm, që mund të jetë gjithkund dhe kurdo. Kristofor Kutulli, partizani që ka ndaluar bashkë me çetën e tij për një natë në fshatin që ishte mbështetës i “Ballit”, bëhet bashkë me Sofie Kondilin “Ata të dy”, si një sagë e novelës “Ata të dy dhe të tjerë” (1986), që e bëri Koço Kostën të njihej në letërsinë shqipe si thyesi i barrierave dogmatike.
Kosta vendos të udhëtojë për një kohë dashurie në një sfond ku shumë lexues mendojnë se ka vetëm luftë. Por si për të na thënë që edhe në atë kohë, si në çdo kohë tjetër, njerëzit dashuronin, meditonin, mendonin dhe jepeshin drejt së pamundurës së ëndërruar. Sepse e gjitha kjo ka kohën e vet, në një sfond “kohë pa kohë dhe vend pa vend”, që është edhe traseja më e sigurt për trenin letrar, sepse është një shinë që ka shumë stacione lexuesish, por asnjëherë një fund.
Koço Kosta na vjen si një leksion për të na shkundur, duke na zbritur nga froni i mendimit se shumë gjëra i bëjmë ne për herë të parë. Vjen me vulën e letërsisë që na tregon se asgjë nuk kemi shpikur, vetëm se i kemi ndryshuar vend, kohë, mënyrë, por jo kuptim.
nata-e-sofie-kondilit-koco-kostaSofie Kondili është një vajzë e martuar që dëshiron t’i japë kuptim fjalës Grua. Për këtë i duhet një Burrë. Ai me të cilin është martuar nuk e ka fituar dot këtë status. E ka emrin Delesh, por është deledash, me “organin sa një thua”, ku nuk arrin dot të shkrepë burrërinë e të shprehë në shtatin e një femre kalimin e ylberit drejt mrekullisë së një gruaje.
Ndërsa Kristofori është një riosh, partizan, i fejuar, që ëndërron dashurinë, por që nuk i reziston dot bukurisë që i valëvitet nga hiret e Sofies. Është si një puhizë, që i vjen ëmbël, i heq fjalët, i zbut kundërshtimin, i merr zërin e pastaj e bashkon në “kufirin e kohës tjetër” atje ku zëri i vetëm vjen nga “burimi i jetës”, atje ku ëndrra ndal sepse është diçka më përtej se ajo, është në kufirin e së pandalshmes së dëshiruar.
I gjithë ky udhëtim në një mëkat-dashuri vjen si një amok. Si një meditim përpara vdekjes, ku jeta të vjen si pasqyrë, ku duhet të ndalësh për t’i bërë pyetje vetes se ku ka mbetur ora jote e kuptimit. Janë tik-take si një testament.
Ai ka ëndërruar, mendon për të fejuarën Lenicë, por ka parë veç kaun teksa bënte dashuri.
Ajo ka ëndërruar, ka parë si në terr prindërit në çastin intim, ka përgjuar kuajt në një “vallëzim të çuditshëm”, por është gjendur përballë pamundësisë për të përjetuar “ylberin”.
Nuk e kanë menduar aspak atë që mund t’u ndodhë. Por në një natë u vjen jeta si e tërë. U vjen si pasqyrë, ku duhet të shihen e të thyejnë të pamundurën.
Të tjerët janë Ashtusi, Komandanti, Komisari, një plak, një plakë, një që vëzhgon, dhe kujtimet që vijnë si sfondi për t’i dhënë kornizën pikturës. Por janë atje, anonimë, siç mund të mbeten të tillë të gjithë ata që nuk jetojnë me kuptim. Ose që dëshirave të tyre nuk u japin emër. Ose që në jetën e tyre, të vetmen gjë që kanë ditur të bëjnë, është të dëgjojnë për të tjerët. Dhe Kosta vjen dhe e këput këtë vesh, si një metaforë, ndaj asaj që nuk duhet të jetë pjesë e jona- të merremi me atë që nuk na përket, që nuk është e jona, apo edhe më keq, që mund të shërbejë në ndëshkimin e dikujt. Janë ata që nuk kanë jetë, por kacavirren pas jetës së të tjerëve, si kërmij lëpijnë nga sekondat e tjetrit, nga jeta e tjetrit. Dhe jo pak herë bëhen vendimmarrës, për të ndëshkuar ata që jetojnë. Sepse ata nuk e durojnë dot Jetën, por ndihen më të zotë për vdekjen. Sepse e tillë është jeta e tyre.
Nuk ka urrejtje në atë roman. As për fatkeqët që jetojnë pa kuptim. As për ata që jetojnë përmes të tjerëve. As për ata që nuk kanë zë. Por përfundojnë me një emër justifikues- Ashtusi. Që mirësinë e tyre e mund mungesa e guximit, e mund pamundësia për të qenë në momentin e duhur ai që duhet të thotë të vërtetën. Dhe të tillë përfundojnë në detin e anonimit, si një kokrrizë rëre, që nuk ka kuptim kurrë e vetme, e as që njihet kur është me të tjerë.
“Nata e Sofie Kondilit” është jo një roman dashurie, por një roman për dashurinë! Pa kohë të veçantë, e puthur me kohën universale, fshatin universal dhe dëshirën që na mbart për t’i dhënë kuptim vetvetes.
Mund të ketë shumë përkime të tjera në atë rrëfim pothuajse 600 faqesh, lexim që na bën të rishikojmë se si kemi shkruar ne për kohën e Luftës së Dytë Botërore, për mungesën e gjithçkaje jetësore në përshkrim për atë kohë. Ka aty damarë lokalë e kombëtarë të zakoneve, mendimeve e personazheve, që madje nuk kanë mundur dot as sot të marrin zgjidhje mes palëve që nuk u kuptuan aspak për të ardhmen e Shqipërisë. Por, jashtë etnografisë letrare, romani “Nata e Sofie Kondilit” ka vendin e tij në detin e Letrares, ndaj dhe duhet parë si i tillë. Të tjerat janë kohëshkurtra, të padukshme qartësisht për Njeriun!

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...