Blendi Fevziu: Enver Hoxha, thellë-thellë e admironte Zogun, e imitoi atë

Blendi Fevziu, autori i librit historik më të shitur në shqip, publikon një profil të plotë të mbretit Zog I. Libri “Ahmet Zogu, presidenti që u bë mbret”, një botim i UET- Press, nga sot në treg, sjell pjesë të jetës së monarkut, marrëdhënien me gratë, stilin e jetës dhe po ashtu qëndrimet e lëvizjet e tij politike.
Fevziu: Orgazma e pushtetit e dominonte atë më shumë sesa raporti femëror. Edhe pse ndër të dashurat e tij përmendet p.sh. Tanja Visavora, një ndër gratë më të bukura të Europës në atë kohë.
Intervistoi: Silvi Bakiri
blendi fevziuBlendi Fevziu, thotë se libri që ai ka shkruar për mbretin Zog i cili do të jetë sot në librari, nuk ka për mision të sqarojë ekuivoket e keqkuptimet rreth figurës së monarkut, edhe pse një pjesë e tyre dalin në pah, në botimin më të fundit të UET Press. “E gjithë figura e Zogut, si figura e çdo njeriu që ka dominuar gjatë një vend, mbështillet nga ekuivoke, keqkuptime e debate kontradiktore. Libri sqaron aq sa mundet, por ky nuk është misioni i tij”, – thotë z. Fevziu. Libri sjell sipas tij, detaje të jetës së Ahmet Zogut që nuk kanë qenë deri tani në vëmendje ose janë trajtuar përciptazi, pasi pjesa më e madhe e shkrimeve rreth njeriut që sundoi si president dhe monark vendin janë të përqendruara pikërisht në periudhën e qeverisjes. “Ahmet Zogu, presidenti që u bë mbret”, synon të përsërisë suksesin që autori pati më parë me shkrimin e profilit të një tjetër pushtetari jetëgjatë në vend. Ashtu si në librin për diktatorin Enver Hoxha, edhe në atë për mbretin Zog, autori ia ka dalë të zbërthejë lidhjen e fortë me pushtetin dhe marrëdhënie që përndryshe ishin lënë në hije. “Orgazma e pushtetit e dominonte atë më shumë sesa raporti femëror. Edhe pse ndër të dashurat e tij përmendet p.sh Tanja Visavora, një ndër gratë më të bukura të Europës në atë kohë”, thotë ai duke iu referuar Zogut I në një intervistë për MAPO-n.
Libri fillon me një prolog që përshkruan arratisjen e fundit të Ahmet Zogut nga Shqipëria. Një arratisje që, ndryshe nga herët e tjera, ishte pa kthim dhe më pas përqendrohet me radhë në momentet kyçe të jetës. Dasma, fëmijëria, shkollimi, përfshirja në politikë, të 50 atentatet dhe një sërë detajesh të tjera rreth jetës së monarkut. Libri që prej sot do të gjendet në të gjitha libraritë, është një mundësi për të lexuar një profil të plotë të mbretit dhe po ashtu për të sqaruar një pjesë të miteve rreth tij apo marrëdhëniet e figurave të tjera shqiptare me të.
Në librin tuaj “Ahmet Zogu, presidenti që u bë mbret” vjen historia e Ahmet Zogut në kohën kur ishte Mbret i Shqipërisë, si portret, por bashkë me të edhe historia e Shqipërisë së asaj kohe. Si kanë qenë shqiptarët në “kohën e Zogut”?
Untitled3
Ahmet Zogu-Kryeministër, foto 8 maj 1923/ Libri: “Ahmet Zogu, presidenti që u bë mbret”/ Mapo.al
Libri flet më shumë se sa për kohën kur Zogu ishte mbret. Është një libër profil i tij që përfshin gjithë jetën, nga fëmijëria në Burgajet e Stamboll, vitet në Vjenë, aktiviteti politik në Shqipëri dhe jeta në mërgim në Francë, Angli apo Egjipt. Gjatë jetës së tij, Zogu ka qenë aktiv politikisht rreth 27 vjet, nga 1912–1939. Libri del edhe përtej kësaj kohe. Ka detaje edhe për të si personalitet. Ka një kapitull që titullohet “Ahmet Zogu dhe gratë”; një tjetër “Oborri Mbretëror” dhe një që titullohet “Kush ishte Ahmet Zogu”. Në të flitet edhe për detaje që lidhen me mënyrën e tij të jetesës, pallatin, veshjet dhe shpenzimet që ai bënte. Për të ardhur tek pyetja direkte, mund t’ju them që shqiptarët në kohën e Zogut ishin fillesa e një kombësie për të jetuar në një shtet të centralizuar. Shteti unitar nis në Shqipëri me Mbretin Zog. Unitar kam parasysh njësinë territoriale.
A ishte e parathënë, sipas jush, që epoka e Mbretit Zog të ishte një ëndërr e pamundur apo e paarritshme? Pra, një pjesë tranzitore e historisë së Shqipërisë, e cila ishte e destinuar të mos zgjaste?
Jo, mendoj se nuk ishte as një ëndërr dhe as e paarritshme. Ishte një moment i fillesave të një shteti të vërtetë që erdhi duke marrë formë; ishte një tentativë për modernizim; një tentativë për t’iu afruar fqinjëve dhe për t’iu imponuar atyre. Ishte një kohë ndryshimi të madh, por jo një kohë për t’u idealizuar, edhe brenda saj ka nënndarje. Vitet e para janë padyshim mbresëlënëse, ndërsa vitet e fundit të Mbretërisë filluan të perceptohen si regresive.
Libri hapet me dashurinë e flaktë të Ahmet Zogut për Geraldinën. Në të tregohen detaje të ditëve të dashurisë dhe martesës së tyre. Si e shihni figurën e mbretit Zog si civil e familjar në raport me detyrën e tij?
Ahmet Zogu, kryeministri Zogu, presidenti Zogu ose Mbreti Zog ka qenë kryesisht një beqar. Ai u martua në vitin e fundit të mbretërimit të tij. Po të heqim vitet e fejesës me vajzën e Vërlacit, Behije Vërlacin (të cilën ai nuk e takoi kurrë vetëm për vetëm) Zogu ka pasur një jetë prej beqari. Ka shumë histori dashurie që i atribuohen atij, histori madje me femra ndër më të bukurat e kontinentit që ai i ftonte dhe i paguante me shuma marramendëse. Vërtetimi i tyre është i vështirë edhe pse ka materiale për këtë. Por pas martesës me Geraldinën, ai nuk u nda kurrë prej saj.
Çfarë raporti kishte ai me gratë?
ahmet zogu mbreteresha geraldine
Foto nga ceremonia e dasmës së Mbretit Zog me Mbretëreshën Geraldinë/ Libri: “Ahmet Zogu, presidenti që u bë mbret”/ Mapo.al
Kompleks. Por raportet me femra duket se janë më shumë një përmbushje e dëshirave të momentit. Duket qartë dhe madje Zogu e shpreh edhe vetë, pushteti ishte afrodiziaku, synimi dhe kënaqësia e tij e vetme. Orgazma e pushtetit e dominonte atë më shumë se sa raporti femëror. Edhe pse ndër të dashurat e tij përmendet p.sh Tanja Visavora, një ndër gratë më të bukura të Europës në atë kohë.
Cilat janë ato pjesë të librit që ndoshta saktësojnë apo sqarojnë ndonjë ekuivok që koha/ historia e ka tjetërsuar?
E gjithë figura e Zogut, si figura e çdo njeriu që ka dominuar gjatë një vend, mbështillet nga ekuivoke, keqkuptime, debate kontradiktore. Libri sqaron aq sa mundet, por ky nuk është misioni i tij.
Atentati në Parlament ndaj Zogut, ardhja në krye si kryeministër e Shefqet Vërlacit, si edhe vrasja e Avni Rustemit, ishin kthesa e madhe që mori historia. Ngjarjet e 1924-ës, Noli i quante ‘Revolucion’, ndërsa Ahmet Zogu, grusht shteti. Si ishte në të vërtetë ndërgjegjja politike e shqiptarëve të viteve ‘20?
Me sa di unë edhe vetë Noli, por edhe historianët seriozë e quajnë një grusht shteti. Pastaj revolucioni dhe grushti i shtetit janë në thelb dy forma kur pushteti nuk merret në mënyrë legjitime, pra me zgjedhje, por me forcë. Ku qëndron diferenca mes tyre? Qëndron veç në atë që komunizmi e legjitimonte revolucionin dhe e quante atë fitore. Në thelb, kryeministri Vërlaci ishte legjitim dhe mazhoranca u përmbys me forcë nga një grup minoritar duke përdorur ushtrinë. Ky është grusht shteti i mirëfilltë. Po edhe kjo s’ka rëndësi. Në atë kohë, veç këtij detaji në thelb të pashmangshëm, jeta politike pluraliste ishte shumë interesante në Shqipëri.
Lidhja e Zogut me Papën apo edhe aura e prestigjit që rrethonte figurën e tij, na çojnë në idenë se kemi të bëjmë me një person shumë të rëndësishëm. Sa dhe si e ushtronte ai influencën e tij në atë kohë?
Nuk besoj se ishte një person kaq i rëndësishëm jashtë. Ishte drejtuesi i një vendi të vogël, që europianët e përkrahnin se kishte arritur të vendoste rregull dhe qetësi në një vend ku mbretëronte kaosi. Kaq.
Enver Hoxha e shpalli Zogun kriminel lufte, në një kohë që ai ishte larguar nga Shqipëria për në Angli 6 muaj përpara fillimit të saj. Kjo përkon me shpalljen e Shqipërisë Republikë Popullore, (viti 1945-1946). Pozicionimi i figurës së Zogut në këto vite, sipas jush, duhet të ishte më shumë një alibi për të justifikuar pushtetin e Hoxhës?
Kjo është historia më komike që mund të dëgjosh. Zogu u largua nga Shqipëria më 7 prill 1939. Ai e refuzoi me vendim parlamenti pushtimin italian dhe urdhëroi ushtrinë dhe xhandarmërinë të bëjnë rezistencë. Rezistenca zgjati thuajse 16 orë dhe dokumentohet nga shtypi botëror dhe diplomatët e huaj në Shqipëri. Lufta e Dytë Botërore nisi më 1 shtator 1939, pesë muaj pas ikjes së Zogut. Në vitet e luftës ai ishte në Angli. Si mund të shpallej Kriminel lufte në Shqipëri një njeri që s’kishte qenë asnjë ditë këtu gjatë luftës?!!! Kjo gjë u konsiderua madje qesharake edhe nga britanikët. Nga ana tjetër, Hoxha ndërtoi pushtetin e tij duke shtypur thellë filozofinë e Zogut, figurën e tij dhe parimet që ai kishte ndjekur në ndërtimin e shtetit. Por nga ana tjetër, Hoxha ishte tejet kurioz dhe për shumë vite e ka imituar atë. Thellë-thellë, ai kishte admirim për Zogun. Zogu ka ndikuar mjaft figura politike shqiptare, edhe pse ai ngjan i paimitueshëm në sukseset, por edhe dështimet e tij.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)