2014-11-17

Nga Gazmend Krasniqi -Manifest i postmodernizmit

Një situatë dhe një traditë
gazmend krasniqi Gjithmonë jam ndjerë i mahnitur nga çfarë ka ndodhur me poezinë në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit. Kam përfytyruar dhe vazhdoj të përfytyroj një vorbull që merr me vete gjithçka që quhet poezi, ku zvogëlohet gjithnjë mundësia për të shpëtuar atë që duhet shpëtuar, sepse larg mendsh që ta besojmë se nuk ekzistuaka më ndër shqiptarë një gjë me këtë emër, ose që çdo gjë që shkruhet meriton të quhet ashtu.
Meqë fenomeni lidhet me një epokë të caktuar, me shndërrime të mëdha, shumëkush do të përpiqet të gjejë përgjigje ndër to, por do t’i futet një rruge pa krye: padyshim, para se të jetë politik, ideologjik a social, problemi është letrar, sepse bën pjesë në një sistem me këtë emër.
Për ta bërë më të qartë idenë e këtij shkatërrimi, ndonjë nostalgjik mund të dalë me idenë vlerësuese për poezinë e realizmit socialist, pra duke mbrojtur mendimin se atëherë shkruhej poezi dhe kishte audiencë për të, por atij i jep përgjigje njëri nga njohësit më të mirë të asaj epoke. Poezia, këto fjalë mbajnë firmën e Ismail Kadaresë, në të kundërt me atë që thonë shkrimtarët e ish-Bllokut të Lindjes, që e prezantojnë si avangardë të letërsisë, ishte turpi i letërsisë. Pjesa më e turpshme, më deklarativja, më entuziastja, më socialistja, më komunistja, më idiotja. Të gjitha vendet komuniste mundohen të mbrojnë poezinë, të tërheqin antologji poemash nga qindra-mijëra ekzemplarë dhe… por nuk dua të flas, kjo ma pështiros të gjithën. Në fakt, mendoj se poezia është më fajtorja mes zhanreve letrare në bllokun e vjetër komunist. Ishte më agresivja, më pozitivja për sistemin.
Ngrihet pyetja: Atëherë, cili është modeli që kërkohet?
Së bashku me poetin amerikan Frost mund të pyesnim: se si mund t’u bëhet vend ca poezive atje ku është vështirë t’i heqësh qafe? Pas socrealizmit që s’deshi të dinte për natyrën e vërtetë të artit, por i mjaftonte që ai t’i vihej në shërbim ideologjisë, si dhe pas hutimit që e pasoi, studimet tona i janë rikthyer traditës në diskutimet e saj për poetikën, diçka e natyrshme për çdo kulturë në një klimë lirie, duke iu larguar kodit ku mbetej parësor përçimi i ideve që bëjnë art funksional.
Fjalët e Edgar Alan Poe, kur flet për “Korbin” se “e tërë poema ka vijuar hap pas hapi, deri në përfundimin e saj, me përpikërinë dhe rigorozitetin e domosdoshëm matematik”, si dhe fjalët e Stephane Mallarme se “më mirë thjesht një libër i vetëm, i organizuar dhe i punuar fort, sesa një përmbledhje frymëzimesh të rastësishme, qofshin këto edhe të mrekullueshme”, flasin për diçka mbase jombizotëruese gjerësisht në poezi, pasi lexuesi, zakonisht, as që do t’ia dijë për mundin e krijuesit, megjithatë kjo përvojë zbret që nga emrat e përmendur e deri te krijues pa shumë emër. Mallarme e ka pranuar provokimin e Poe-s, kur shprehet se “çdo rastësi duhet të përjashtohet nga vepra moderne dhe nuk mund të jetë e pranishme aty, veçse gjoja”. Për ne ky është rasti më i mirë për të pranuar kalimin e interesimit nga autori te krijimi, fakt i admirueshëm, çka vazhdon të gjejë (si çdo gjë që admirohet fort) kundërshtarë te pasuesit e pozitivizmit dhe socrealizmit. Teoria moderne do të na thoshte se, “një vepër letrare lidhet me letërsinë në përgjithësi dhe jo me personalitetin e asaj vepre: autori është një ekspert në punën e tij”. Thënë shkurt, forma sajohet nga “sistemi”, një tërësi që ekziston para poetit. Jo intensiteti i emocionit, por intensiteti i procesit artistik, do të thoshte Eliot-i.
“Mbase amatorët e delirit do të ndihen të zemëruar, për shkak të këtyre maksimave cinike; por gjithsekush mund të marrë prej tyre atë që i duhet”, shkruan Baudelaire-i për esenë e Poe-s. Qysh nga eseja e Poe-s e deri më sot, shumëkujt i djeg ideja se ajo që ne quajmë frymëzim, është në të vërtetë një mendim i shpejtë, që nuk pushon së qenë llogari, megjithëse zhvillohet në një kohë të shkurtër (por, herë pas here, kërkon përjetimin dhe korrigjime të pafund).
Pra, çfarë ofron tradita? Në fillim, çdo traditë shfaqet si pengesë, si diçka që duhet të tejkalohet: ajo nuk përmbush, nuk ngop, prandaj letërsia (krijimi) fillon si rezistencë e mospranim i saj. Artisti i vërtetë vjen vetëm pas fazës fillestare të kopjimit, sepse, pas kësaj, tradita bëhet gjeneruese. Gjithë kjo do të vazhdojë derisa artisti do ta kuptojë se në çdo rast ka qenë në grackën e asaj që ka dashur ta mohojë: në çdo rast ai është përcaktuar nga vetë tradita, pasi ajo është baza ku rrotullohet gjithçka. Nëse e kaluara na ndihmon që të shpjegojmë bashkëkohoren dhe të ardhmen, edhe e ardhmja dhe bashkëkohorja na ndihmojnë që të kuptojmë më mirë të shkuarën, pasi mund të zbulojmë në të elemente të drejtimeve dhe stileve të reja.
Nga kjo mënyrë diskutimi, dalim në këto ide:
-    Më tepër sesa një krijim spontan apo i ndihmuar nga fati, poezia është një artefakt i punuar me vetëdije;
-    Poezia i referohet jetës përmes prizmit vetëreferues të gjuhës;
-    Poezia është pjesë e një sistemi letrar, mban peshën e traditës dhe bëhet objekt i analizës kritik
Një audiencë dhe një poetikë
Me vetëdije apo intuitë, nocioni i krijimit të një poezie kërkon një audiencë.
-    Fishta, Naim Frashëri apo poetët e realizmit socialist, për shembull, e njihnin audiencën, sepse ata kanë me lexuesit një fond të përbashkët dijesh dhe preokupimesh;
-    Një palë poetë të tjerë hamendësonin një audiencë të padukshme, ku kërkohet një inteligjencë thellësisht dashamirëse. Mjafton të kujtojmë fjalët e Çabejt, kur u shfaq Poradeci i ri në fillim të viteve njëzet të shekullit XX, tek eseja “Mbi poezinë e Lasgush Poradecit”, në lidhje me atmosferën letrare, shkallën e shijes dhe horizontin e pritjes së lexuesit shqiptar të asaj kohe. Nga shqiptarët që kam pyetur, më të shumëve u pëlqejnë do vjersha idilike si “Kroi i Poradecit”, kurse shumë pak i shijojnë thellësitë moderne të tija; një shenjë e cektësisë së shijes shqiptare të sotme;
-    Ndërsa një palë poetë të tjerë kërkojnë të shpikin një lexues ideal.
Si mund të realizohet ideja e fundit, kur shumëfishimi i informacionit e ka ndarë publikun në nënkultura që nuk kanë asnjë pikë të përbashkët referencash? Si mund të shkruajë një poet kur njerëzit e kanë humbur kontaktin me poezinë si një mjet artistik?
Kërkohet një lexues i informuar dhe që reflekton, sepse si mund të ruajë forcën e vet një art intertekstual si poezia?
Theksi i romantizmit për intensitetin e bëri poezinë të dukej “kalimtare dhe esenciale”: poezia që ishte përdorur më parë për rrëfenja, satira, drama etj., ia lëshoi territorin prozës. Pound-i e shikonte më lart x prozë të Flaubert-it, sesa x libër poetik të Gautier-së, gjë që nuk kishte ndodhur më parë, prandaj shkroi se donte ta bënte poezinë po aq të rëndësishme sa proza, duke hyrë kështu në grupin e poetëve që kërkonin krijimin e lexuesit ideal.
Çfarë, pra, na ofron tradita jonë? Çfarë ndodh sot në poezinë shqipe? Recensionet janë të rralla. Në një panair, ku flitet aq shumë për libra, nuk ka vend për këto libra. Edhe kur bëhen recensione, ato nuk bëhen për t’u lexuar, por për t’u shënuar me miratim. Po të perifrazojmë një poet e kritik amerikan, shumica e redaktorëve i trajtojnë poezitë dhe recensionet e veprave poetike ashtu siç do t’i mbante ca buaj një fermer i pasur, jo për t’i ngrënë ato krijesa të mjera, por për t’i ekspozuar për hir të traditës. Zakonisht, sa më pak të dijë një kritik për poezinë, aq më i gatshëm është për ta flakur atë tutje.
Edhe nëse vazhdon të shkruhet poezi e mirë, ajo është hequr nga qendra e jetës letrare. Ndonëse mbështetet nga një komunitet i ngushtë besnik, poezia ka humbur besimin se i drejtohet dhe flet në emër të kulturës së përgjithshme. Shkëputja e poezisë nga lexuesi i kulturuar ka pasur një rezultat edhe më të dëmshëm: duke parë kaq shumë poezi mediokre, që ngrihen në qiell, deri me shfaqjen e tyre në antologji të mërzitshme, pa metodë të afishuar estetike, shumica e lexuesve, madje edhe të sofistikuar, janë të mendimit se nuk shkruhet poezi me vlerë, çfarë ka sjellë izolimin e kësaj forme të artit, edhe pse një gërmim i kujdesshëm në prodhimin e ngatërruar letrar do të tregonte gjëra inkurajuese. Krijimtaria e Frederik Rreshpjes është një shembull për t’u veçuar. Megjithëse sot është e vështirë martesa e Muzës me politikën, ruajtja e linjës patriotike rezultoi me fat për krijimtarinë e Ali Podrimes, të cilit nuk i mungoi besimi për të krijuar në ligjëratën publike. Kësaj kohe nuk i ka munguar poezia personale, por kjo krijimtari nuk ka gjetur publik përtej nënkulturës së poezisë, sepse mekanizmat tradicionalë të transmetimit, recensionimi kompetent, kritika e ndershme, antologjitë dhe çmimet letrare, janë bërë jofunksionalë. Praktikat që udhëheqin veprimtarinë poetike, ashtu si për çdo art tjetër të mirëfilltë, u bajatizua, duke u bërë pengesë midis krijimit dhe audiencës. Ndonëse vazhdon të shkruhet poezi e vërtetë, sistemi poetik i shqipes mbeti i ngërthyer brenda praktikash të konsumuara.
Është koha të kujtojmë rolin e gjuhës në një shoqëri të lirë: poezia është arti i përdorimit të fjalëve të ngarkuara me një kuptim të lartë, apo shoqëria do të bëhet skllave e gjuhës së politikanëve, predikuesve, reklamave dhe telekronistëve?! Meqë poezia është art i fjalës, poetët e dinë se çfarë u kushton jetën është ligjërimi dhe u mbetet të provojnë me të gjitha mënyrat mundësitë që u ofron ligjërimi, i cili është i njohur, por mbetet i pashtershëm. Qysh nga koha e Homerit, çdo poet krijon ligjërimin e vet. Që në krye të herës, vetë Aristoteli thotë se gjinitë u ndanë sipas llojit të vargut. Te ligjërimi pluskon stili. Në ndarjen ligjërim klasik, ku kemi “një mendim të vënë në vargje”, dhe ligjërim modern, ku fjala “përshkëndit” në vetvete, triumfon i dyti. Thelbi i kësaj sfide do të përmblidhej me pak fjalë: postmodernizmi nuk diskuton për epoka të dështuara, por për epoka që e kanë kryer misionin e vet. Postmodernizmi diskuton për një art të “rikualifikuar”.
Shprehja “postmodernizëm” rrok interesat eklektike dhe ambiciet e gjera kulturore të lëvizjes, me dy veçoritë e saj kryesore, asaj të rënies së nocionit të avangardave, qenies metodë dhe jo periudhë kohore, si dhe faktit që nuk ka poetikë universale, e dhënë një herë e përgjithmonë, por ka ndeshje pafund midis tyre.
Dallimi nga mjeshtrit e saj vjen nga momentet e ndryshme historike dhe përcaktohet nga audienca, zhanri, toni, trashëgimia kulturore dhe prozodia.
Për t’iu përgjigjur pyetjes se cilës audiencë i drejtohet postmodernizmi, duhet thënë më parë se disa prej veçorive të poetikës së tij mund të renditen në këtë mënyrë:
-    Kërkesa nga ana intelektuale përcakton një stil letrar përfshirës (duke thithur edhe lexuesin e prozës);
-    Vetëdija nga pikëpamja estetike përcakton zotërimin e thellë të traditës dhe raportet e qarta me poezinë bashkëkohore;
-    Notat e forta të impersonales dhe ndërtimi me ambicie artistike përcakton shmangien e narcisizmit;
-    Dekanunizimi i standardeve kulturore, veprave dhe autoriteteve të mëparshme përcakton mohimin e autoritetit të autorit, zhvlerësimit e qëllimeve dhe synimeve të tij;
-    Kundërshtimi i të pritshmes, duke e tëhuajtur me qëllim lexuesin, përcakton shkatërrimin e burimet e veta me parodi, ironi, pastiche, si dhe fragmentimin e teksteve, duke i kthyer në kolazhe e montazhe;
-    Shmangia e seriozitetit dhe përgjegjësisë, duke nxitur arbitraritetin dhe lojën, argumenton që kuptimi është i papërcaktuar, duke mohuar një interpretim përfundimtar apo të parapëlqyer, përzien zhanret, zhvesh kontekstin, duke e zvogëluar përmbajtjen te një minimum i rreptë;
-    Meqë poezia është një art intertekstual, ndërtimi i një teksti të ri mbi shtresat e teksteve të vjetra, përcakton funksionimin si një realitet i ri artistik, pra si një tekst i ri poetik.
Kjo audiencë do të bëhet e dukshme vetëm kur të formësohet.

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...