2014-11-17

Arlinda Dudaj: Nuk jam penduar për asnjë libër

Ka guxuar me “Vargjet Satanike” dhe para këtyre është ‘përkëdhelur’ me “Kurbanin” e Edi Ramës. Flet për librat e lexuar dhe ata të botuar siç flet një vajzë e vogël për kukullat: si diçka që i përket vetëm asaj…
arlinda dudajCili është libri ose librat që ka në proces ose prag botimi DUDAJ?
Dudaj vjen në këtë pragpanair me një sërë titujsh të rinj,veç “Vargjeve Satanike” të Salman Rushdie, edhe “Koha mplaket me ngut” nga Antonio Tabucchi, “Gjuha sekrete e luleve” nga Vanessa Diffenbaugh, “Dashuria është një defekt i mrekullueshëm” nga Graeme Simsion, “Diçka e shkruar”, një libër për jetën e Pasolinit nga Emanuele Trevi, “Askush nuk flet për gjëra të jashtëzakonshme” nga Jon McGregor, “Shënimet e një gruaje” nga Teodor Keko etj., etj.
A ka DUDAJ politikat e veta të botimit, në kuptimin e prirjeve për këtë apo atë lloj literature, dhe cilat janë ato?
Sigurisht që çdo shtëpi botuese ka politikat e veta, në kuptimin që përpiqet të fusë poshtë çatisë së vet autorët që ata që bëjnë politikat, i preferojnë. Një botues profesionist duhet medoemos të jetë edhe një lexues cilësor, që di ta shijojë letërsinë. Sa më përket mua, unë përpiqem ta diversifikoj atë çka botoj. Domethënë, prirem të qëmtoj letërsi të bukur nga çdo vend i botës, çdo vend ka mundësi të na sjellë diçka të re e letërsia është mënyra më e mirë e përçimit. Kështu që kjo mund të quhet një nga politikat. Prandaj nën strehën e shtëpisë sonë mund të gjendet letërsi e çmuar nga çdo vend, Anglia, Amerika, Italia, Franca, Portugalia, Kanadaja, Spanja, Suedia etj.
Cili është ai libër apo ai lloj libri që si lexues ju fal kënaqësi, por si botues ju mërzit shumë?
Nuk ekziston një i tillë, nëse një libër apo autor me deh si lexuese, nuk më mërzit aspak as si botuese. E vetmja gjë që mund të shpreh është të them: “Sa do të doja ta kisha botuar unë!”
A ka një treg të librit në Shqipëri dhe sa i deformuar është ai?
Ka një treg sigurisht dhe ndër vite ka pasur shumë probleme, një nga të cilët për shembull është e drejta e autorit. Qëllonte që nëpër librari qarkullonin dhe dy libra të të njëjtit shkrimtar e titull, dhe një të ishte pa të drejtë e tjetri me, ose edhe të dy së bashku pa të drejtë. Kjo vërtet ka qenë një dukuri shumë e shëmtuar që me kalimin e kohës është përmirësuar disi. Pastaj është dhe problemi i rrjeteve të librarive që janë shumë të pakta, disa probleme janë edhe të ne botuesve gjithashtu. Megjithatë duket që pak nga pak profesionalizmi po fiton pikë.
Cili është libri më i suksesshëm që ka botuar DUDAJ?
Të gjithë librat që ka botuar “Dudaj” kanë qenë produkt i një përkushtimi dhe dëshire për të qenë në duart e lexuesit, nëse suksesin do e masnim dhe me shifra, atëherë disa nga ata shkrimtarë që kanë shitur më shumë kopje kanë qenë Dan Brown, Edi Rama, Rudina Xhunga, Roberto Saviano, Stieg Larsson…po ka dhe të tjerë.
Cili është libri për të cilin jeni penduar që e keni botuar?
Nuk ka asnjë të tillë, edhe pse para se ta botoj një libër e mendoj gjatë… mund edhe të mos ketë pasur suksesin që ka merituar, po kjo nuk më jep kurrfarë pendese. Ndonjëherë edhe libri ka fatin e vet, ashtu si njerëzit, po edhe nëse ka qenë një libër i pafat, kjo s’më bën të pendohem që e kam botuar.
Cili është ai libër që nuk mund të rrini pa e botuar, jeni matur, por për njëmijë arsye (ndoshta financiare) nuk e keni bërë ende?
Nga natyra jam shumë këmbëngulëse, dhe në rast se mendoj që një libër duhet botuar, atëherë nuk do të lë gur pa lëvizur që kjo gjë të ndodhë. Kështu për shembull ndodhi dhe me ‘Vargjet Satanike’. Shumë veta më kanë thënë, ‘lëre at punë, ç’të duhet’. Por nuk u ndala, e vendosa dhe e bëra. Në fakt çdo punë ka sfidat e veta e mua më pëlqen t’i ndërmarr.
Gara letërsi e huaj/letërsi shqipe duket se është fituar nga e para. Pse shqiptarët vazhdojnë të parapëlqejnë autorët e huaj? Apo autorët shqiptarë janë një peizazh i cunguar?
Kam përshtypjen që në vende të vogla si tonat, letërsia e huaj mbizotëron mbi atë vendase. Vetëm në rast se autorët shqiptarë do të hapin ndonjë epokë të re të të shkruarit në mënyrë origjinale, apo të zhvillojnë ndonjë zhanër të ri, siç për shembull ka ndodhur edhe në Suedi, apo vende të tjera nordike, që kanë zhvilluar letërsinë e verdhë, e cila është shumë e suksesshme dhe e parapëlqyer në gjithë botën. Shqipëria ka kaq shumë histori e stof për të shkruar, mjaft që të zhvillohet në mënyrë origjinale, e suksesi është aty.
Panairi i Librit është në prag. Cilët do të jenë titujt dhe autorët me të cilët DUDAJ do mundohet të lërë gjurmë?
Përveç atyre që përmenda më lart, tituj të cilët do të jenë të pranishëm në stendat e panairit, ne do të kemi dhe veprat e shkrimtarëve të mëdhenj që i botojmë rregullisht, si Salman Rushdie, Oriana Fallaci, Jose Saramago. Të gjitha botimet e përkthyera nga i mirënjohuri Ardian Klosi, si librat e Oliver Schmitt, Franz Kafka, Heinrich Boll. Gjithashtu dhe një libër i një shkrimtari francez, Romain Puertolas, me një titull shumë të lezetshëm “Udhëtimi i jashtëzakonshëm i Fakirit që mbeti i mbyllur në një dollap të Ikeas”.

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...