2014-11-17

Mira Meksi: Ky panair i çliruar nga mitingjet e politikanëve

Ky edicion i shtatëmbëdhjetë i Panairit të Librit duket se është dominuar nga autorët burra, megjithatë shkrimtarja Mira Meksi duket se po dominon duke korrur sukses me librin e saj më të fundit “Mallkimi i Priftëreshave të Ilirisë”- një roman që përzien bashkë në një formulë magjike për të tërhequr lexuesin, fakte historike, mitet dhe gojëdhënat dhe trillin romanesk. Mistika, lavdia dhe dashuria tragjike e mbretëreshës legjendare Teutë. Me afro 4 mijë kopje të shitura, është një nga më të shiturit e këtij panairi.
mira meksiCilat janë konsideratat tuaja për këtë Panair të Librit, dhe a do të kishit ndonjë sugjerim tuajin?
Është një festë e mrekullueshme e librit, e organizuar mirë, ku lexues dhe autorë janë pranë njëri-tjetrit për t’i dhënë ndoshta një dimension tjetër vetë gjallimit të librit. Është një Panair i çliruar nga autorët politikanë; nuk jam kundër autorëve të këtillë, por minimitingjet që ndodhin rreth tyre i zënë frymën librit vetë. Sugjerimi im është që duhet të ftohen në Panair botues të huaj, sepse ka ardhur koha që letërsia shqipe të komunikojë edhe me lexuesin e botës.
Romani juaj në këtë panair, “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” është një nga veprat e mirëfillta letrare më të shitura. Cilës vlerë të romanit ia dedikoni më tepër këtë sukses të tij? A ju ka “munduar” të qenit femër përballë meshkujve për një arritje të tillë?
Gjykoj se disa faktorë kanë luajtur rol në këtë, përpos vlerave të romanit të cilat ende nuk janë shpalosur, në kuptimin që lexuesi i gjerë nuk e ka lexuar; ka vetëm pak kohë që ka dalë në treg. Kam tanimë lexuesin tim, i cili është konsoliduar sidomos me romanin e parafundit “E kuqja e demave”, roman që ka njohur 8 ribotime nga dy shtëpi botuese të njohura. Tema që trajton romani “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”, Iliria e shekullit III para Krishtit, por mbi të gjitha jeta, mistika, lavdia dhe dashuria tragjike e mbretëreshës legjendare Teutë, janë shumë grishëse për lexuesin shqiptar. Po ashtu kombinimi i historikes, legjendave, trillit romanesk në ketë vepër, përbëjnë një faktor tërheqjeje për lexuesit. Nuk i mungon kësaj vepre as paraqitja grafike dhe shtypshkrimi cilësor. Ndonëse jetojmë në një botë maskiliste dhe ne femrave na duhet shumë më tepër punë dhe vlera për t’u barabitur me meshkujt, ka kohë që, siç thashë më sipër, është konsoliduar lexuesi im i përhershëm. Me këtë roman, kam ndjesinë, por koha do ta vërtetojë më mirë, se kam fituar një lexues më të gjerë.
A keni ndonjë informacion se cilat janë grupmoshat apo përkatësia gjinore e lexuesve tuaj? Apo më saktë e blerësve të këtij romani?
Mund të them se ditën e takimit tim me lexuesin, ku u bë edhe seanca disaorëshe e nënshkrimit të romanit, kishte shumë të rinj mes blerësve. Shumica femra. Por nuk mungonte as mosha e mesme dhe pak përmbi të. Nuk mungonin as meshkujt.
Tani ia kushtoni kohën tuaj shkrimtarisë. Kjo bie në sy veçanërisht në romanin  për Teutën e Ilirisë, i cili ju ka marrë një kohë disavjeçare. Ç’do të thotë të jesh shkrimtare në profesion? Si është një ditë pune juaja?
Do të thotë të kesh si aktivitet parësor shkrimësinë, letërsinë. Po, tani e tërë koha ime është për krijimin. Nga koha kur kisha aktivitete të tjera, më ka mbetur zakoni i të shkruarit natën; dhe pjesa më thelbësore e shkrimit tim është natën, nga ora 11gjer më 2-3 të mëngjesit. Zgjohem nga ora nëntë e mëngjesit dhe paraditja më ikën duke lexuar shtypin, të vendit dhe atë ndërkombëtar dhe ndonjë kafe apo drekë me miqtë. Pjesa tjetër e ditës është familja, lexime, përgatitje materialesh për shkrimin e natës, dhe dëgjim muzike. Si të thuash jam bërë shkrimtare profesioniste nëpërmjet këtij romani të fundit.
Mira-Meksi-Mallkimi-i-priftereshave-te-Ilirise-KopertinaNjë roman i tillë historik, për të cilin, siç edhe e keni shpjeguar, keni bërë një punë të madhe kërkimore me dokumentet historike, por jo vetëm, me mitet, gojëdhënat dhe legjendat. Cilat kanë qenë vështirësitë që keni hasur ?
Teknikisht, vështirësi jo të zakontë ka patur përcaktimi i regjistrit gjuhësor që duhej përdorur në roman për të krijuar klimën e duhur të botës së largët ilire: përzgjedhja e një gjuhe të pastruar( aq sa të ishte e mundur) prej huazimeve nga turqishtja, dhe e një grupi fjalësh të shqipes së vjetër, kryesisht prej atyre që përkthyesi në shqip i Iliadës së Homerit i ka përdorur me shumë sukses, apo të fjalëve të shqipes të prejardhura nga greqishtja e vjetër dhe ajo e mesme. Një tjetër vështirësi jo e vogël ka qenë përshkrim i detajuar i betejave të Agronit, dhe sidomos të atyre detare të Teutës: përcaktimi i llojit të anijeve, luftëtarëve në to, armatimeve, teknikave luftarake etj. Historiani i lashtësisë Polibi jep vetëm një tablo kryesore të tyre, gjithçka tjetër duhej rikrijuar. Dhe gjithçka duhet të qe besnike e asaj kohe në elementët që përmenda më sipër.
Një pyetje konkrete. Thoni që personazhet kryesore, kronologjia e ngjarjeve, betejat, por edhe ngjarjet janë historike, pra të vërteta. A është historik Demetër Farosi, i dashuri i mbretëreshës Teutë?
Po, Demetër Farosi ishte navarku, komandanti i flotës ilire. Është personazh historik. Ai njihet si i tillë edhe pas luftës së parë iliro-romake, edhe pas daljes nga skena të Teutës. Sa për marrëdhënien e tij me Teutën, aludohet nga historianët e lashtësisë, por edhe nga ata modernë.
A është historik simboli i gjarpërit tek Ilirët?
Pa asnjë dyshim njihet si i tillë nga historianët, të cilët e lidhin këtë simbol me legjendën e vjetër greke të Kadmit dhe Harmonisë.
Një legjende greke të jetë shpjegimi i simbolit të prejardhjes së ilirëve?
Bota helene ishte shumë e afërt me atë ilire, aq sa kufijtë e tyre në shumë elementë mistikë apo kulturorë nuk ndahen lehtësisht. Është koha kur kombet nuk ekzistojnë, kemi vetëm etni, apo përzierje etnish.
Po sa i përket kritikës letrare që bëhet mbi librat tuaj? A ju intereson opinioni i kritikëve letrarë?
Ndonëse kritika letrare nuk është fort e lulëzuar te ne, ka patur të paktën 4-5 kritika të rëndësishme për secilin nga librat e mi. Nuk di të them nëse jam dakord me to, sepse shpesh kanë thënë apo “zbuluar” gjëra në veprën time, të cilat as që më kanë shkuar në mendje; ose janë përpjekur që t’i njohin apo t’i veshin veprës mesazhe të dhëna. Të them të drejtën në fillim kam qenë vërtet shumë e interesuar për opinionin e kritikëve letrarë, sidomos për një lloj bindjeje se mund të më ndihnin për veprat pasardhëse. Tani mendoj se nëse kanë vlerë, ato mund t’i vlejnë lexuesit, jo mua.
 Cili është mesazhi që transmetoni në “Mallkimi i Priftëreshave të Ilirisë? A jepni mesazhe në librat tuaj?
Nuk mendoj se jap mesazhe nëpërmjet librave të mi. As me romanin mbi Teutën e Ilirisë nuk i kam dhënë ndonjë mesazh lexuesit.
Personazhet kryesore të romaneve tuaja janë femra. Dy prej tyre, Frosina e Janinës dhe Teuta e Ilirisë janë personazhe historike me peshë dhe rëndësi të ndryshme. Si shpjegohet diçka e tillë? A duhet parë si një qasje feministe e juaja?
Kam përshtypjen se është rastësore, dhe nëse nuk është e tillë, vjen nga fakti që botën femërore njoh më mirë. Jam për barazinë gjinore të individëve në shoqëri, por mbi të gjitha jam kundër “maskilizmit”; dhe për fat të keq, kjo shoqëria jonë njerëzore shfaq shenja alarmante të një maskilizmi të theksuar, e ca më tepër vendi ynë.

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...