2014-11-17

I madh apo i famshëm


KGazmend Krasniqioncepti i sistemit letrar shqiptar na jep “të tashmen e letërsisë”, sipas një termi të Jakobsonit, e cila:
  1. Prodhon vepra – ekziston një listë e gjatë e veprave që e kanë pasuruar në vazhdimësi letërsinë shqipe;
  2. Riaktualizon vepra – studimet apo dhe vetë krijuesit e kanë hedhur herë pas here vështrimin nga tradita, për ta rivitalizuar atë, siç ndodh, për shembull, me letërsinë e sotme që i është drejtuar letërsisë së viteve ’30, apo letërsisë së krijuar jashtë dogmave të realizmit socialist;
  3. Importon vepra – këtë e tregojnë raportet e herëpashershme me letërsitë e Lindjes apo të Perëndimit, duke marrë shumë veçori që i ka natyralizuar si shqiptare;
  4. Përjashton, nuk merr as nga veprat kombëtare, as nga veprat e huaja – vazhdimisht largohen nga qendra e sistemit vepra të imponuara dhunshëm (sidomos në periudhën e realizmit socialist), apo vepra që kanë depërtuar në saje të ndonjë prapambetjeje kulturore të momentit, të cilat kanë qenë të parëndësishme për sistemin letrar shqiptar.
Që jemi larg formësimit të sistemit real letrar shqiptar e tregojnë shumë manifestime të mendimit kritik: çmimet e ndryshme, rekomandimet e leximeve për shkollat, që u nënshtrohen debateve pambarimisht, sa herë ndërrohen në krye të Ministrisë së Arsimit, etj. Pse ndodh kjo? Në ditët e mbushura me mistifikime e çmistifikime nga më të rëndomtat, që anojnë pothuajse gjithmonë nga biznesi, ngjarjet e mirëfillta letrare rrezikojnë të anashkalohen. Që të gjejmë mundësi ilustruese: shembujt janë të shumtë, po pse përjashtohet, bie fjala, një roman si “Oh” i Anton Pashkut? Ky libër i cilësuar si xhojsian, me aftësinë për t’ua prerë rrugën shkrimtarëve naivë, që kërkon kritikë e studiues të në kalibri tjetër, të cilët do të çonin peshë gjithë superstrukturën e letrave shqipe: të bie ndërmend pyetjen:i madh apo i famshëm?
Kritika dhe studimi shqiptar, të sfilitur prej sociologjisë të letërsisë, në këtë libër përballen me strukturën e paparë dhe mundësitë e mëdha shprehëse të shqipes artistike, gjëra që përcaktojnë dinamikën e re te hierarkia e ardhur nga realizmi socialist e “lufta e ftohtë”. Kjo vepër pikante moderniteti shqiptar i ka mundësitë të zgjojë reflektime në të gjitha kahjet e atmosferës letrare deri në tekstet dhe antologjitë shkollore, ku, në të vërtetë, siç dihet, duhet të nisë gjithçka, nëse duam të orientojmë drejt kulturën dhe njërën nga shtyllat e saj, letërsinë. Nëse letërsia shqiptare ka mjaft autorë që shërbejnë për të rritur numrin e lexuesve, çka, sidoqoftë, është një kontribut, ajo ka edhe autorët e vet cilësorë, nga të cilët pret vlera reale dhe shtysa për zgjerimin e hapësirave të saj krijuese, duke hyrë në raporte serioze me letërsinë më të mirë bashkëkohore.
Rasti i Anton Pashkut, heshtja dhe ishullimi i të cilit shpjegohen vetëm me anë të vetëdijes së lartë artistike, është rasti i shkrimtarit tipik që vjen në ndihmë të shpjegimit se e ashtuquajtura “famë”, me të cilën abuzohet vend e pa vend, shpesh deri në alergji, është një shumë keqkuptimesh, gjithmonë jashtëletrare. Prandaj, nëse kultura modeste shqiptare, gjithsesi e përmbushur nga shpirtra të mëdhenj, kërkon fytyrën e saj të vërtetë në kushtet e një lirie politike dhe ideologjike, pas pesëdhjetë vjetëve nën diktatin e totalitarizmit, duhet të përvijojë më së fundi kriteret e saj të sakta që e shohin letërsinë vetëm si letërsi, ku do të kuptojë se gjithë kjo zhvendosje që kërkohet te mendësitë e ngulitura thellë nuk është e lehtë, sepse kërkon strukturat e duhura, me mungesën e të cilave po spekulohet për ditë. Por arsyeja dhe vullneti i mirë do të mund të vendosnin piketat e para. Rasti i një prozatori të plotësuar si Anton Pashku i jep letërsisë shqiptare mundësinë të fitojë lexues më cilësorë, çka do të ishte nderi i një kulture si kjo e jona, çka do të hiqte mundësinë e vazhdimësisë së spekulimeve të lodhura akademike e mediatike shqiptare, sepse rasti i mësipërm është rasti i një fenomeni të buruar natyrshëm, jashtë çdo fabrikimi a klisheje të paracaktuar diku, jashtë çdo inferioriteti të mjerë a superioriteti për të qeshur.
Duhet të jetë e qartë për të gjithë se Anton Pashku nuk ka nevojë për ne, veprën e tij prej artisti brilant e ka mbyllur vdekja fizike, por jemi ne të gjithë, aspiruesit e të vërtetës artistike, që kemi nevojë për të: për të vënë në dukje gjeninë e gjakut e mundësitë e pashtershme të shqipes artistike, sepse ai i përket atij grupi të vogël artistësh konsekuentë (raste fatlume për çdo letërsi), te të cilët s’ka vlerë numri i faqeve, por shkuarja drejt fuqisë më të epërme të artit të tyre, art që, ashtu si vera e mirë, do t’i shfaqë cilësitë me kohë. Do të ishte i pafalshëm për ne besimi i verbër ndaj një kohe prej konsumizmi të cekët si kjo që kalojmë: edhe tradita jonë ka shembuj të shumtë të daljes në dritë të figurave të saj pas shumë vitesh, por unë dua të marr një shembull nga një kulturë e madhe siç është ajo franceze. Libri “Lulet e së keqes” i Sh. Baudelaire (1821-1867) përfillet ngado si një nga pranverat më të mira të letërsisë moderne, por tek Marcel Raymond, autori i librit të njohur “Nga Baudelaire në Surrealizëm”, do të gjesh frazën “… me 1905 Baudelaire ende nuk përfillej si një autoritet…”
Vlera e vërtetë e artit vepron ngadalë dhe, padyshim, shkrimtarë si Anton Pashku kanë shtatin e njeriut të së ardhmes, të asaj të ardhmeje ku me siguri do të flasim më shtruar dhe më bindshëm për të “tashmen e letërsisë”.

No comments:

Post a Comment

Myrvete Dreshaj – Baliu: Shëmbëlltyra e Adem Jasharit dhe familjes së tij në poezinë e sotme shqipe 1,2 3.

            Profesor Dr. Myrvete Dreshaj-Baliu, PHD.   Përmbledhje e shkurtër: Objekt i kërkimit në këtë studim është reflektimi i shëmbëllt...