Në Universitetin e Gjenevës, brenda një viti masterin apo doktoratën e mbrojtën 15 shqiptarë. Gjysma e tyre – femra!
Teksti e fotot Rexhep RIFATI
Vite më parë në një manifestim për Ditën e Flamurit në qytetin e Usterit, në kantonin e Cyrihut, një mësimdhënës zviceran ftoi në skenë katër të rinj shqiptarë, kryesisht nxënës të shkollave të mesme, që shquheshin për mësim, art e sport. Ky gjest bëri shumë përshtypje, sepse ishte një rast unik që një mësimdhënës i huaj që nxirrte fëmijët të dalluar shqiptarë para një mase prej qindra vetash.
Rasti i dytë ishte me 22 Nëntor 2014, në Gjenevë, kur drejtuesit e Komunitetit Shqiptar u ndanë publikisht mirënjohje të rejave dhe të rinjve shqiptarë, që brenda një viti kanë mbrojtur magjistraturën apo doktoratën në universitetet e Zvicrës. Ishte një gjest që do vlerësuar. Në këtë mënyrë komuniteti nuk nxirrte në skenë vetëm një arritje kulmore në fushën e shkencës të fëmijëve vet, por pas shumë kohësh tregonte se ka filluar të vlerësojë e reflektoj drejtë.
Në fakt, Komuniteti Shqiptar i Gjenevës nga viti i kaluar ka filluar prezantimin e studentëve shqiptarë që kanë përfunduar studimet master, respektivisht magjistraturën në Universitetin e Gjenevës. Vetëm gjatë vitit të fundit janë mbi15 shqiptarë që kanë diplomuar në nivel master – që kanë kryer studimet e avancuara, apo edhe kanë doktoruar. Ndaj edhe në manifestimin kushtuar Ditës së Flamurit, organizatorët nga radhët e Komunitetit Shqiptar në Gjenevë i kishin ftuar të gjithë dhe përmes një mirënjohje i përgëzuan për suksesin e arritur në studime. Një pjesë e tyre për shkak të obligimeve të ndryshme nuk merrte pjesë.
Absolventët e pranishëm i ftoi në skenë drejtuesja e programit, Afërdita Krasniqi; mirënjohjet ua ndau kryetari i KSHGJ, Ali Mehmeti, me motivacionin për kontributin e dhënë në përmirësimin e imazhit të shqiptarëve në Gjenevë dhe përgjithësisht në Zvicër. Gjyma e këtyre të diplomuarve ishin femra!
Ja lista e atyre: Merita Elezi, master në gazetari dhe komunikim; Fatmire Lami- Avdija – master për arsim fillor; Adnan Beqiri – master universitar në shkenca politike. Ndërkaq Dashnim Murati, Egzona Ajdini, Butrin Ajredini, Majlinda Pilavi, Liburn Mehmetaj, Dalmat Pira dhe Bjondina Rexhepi – masterit në drejtësi, shumica edhe certifikatë për avokaturë. Nga ata që kanë mbrojtur magjistraturën është edhe Jonida Basha, e cila ka bërë master në psikologji dhe është kthyer në Shqipëri. Master universitar të menaxhimit ka mbrojtur Oriona Cenolli, e Doruntina Murseli, ndërkaq Ilir Baci, master në studime të avancuara për interpretim e konferenca. Po ashtu me këtë rast mirënjohje iu ndanë edhe dy doktorëve të shkencës, që mbrojtën doktoratat gjatë këtij viti në Universitetin e Gjenevës: Dr. Sc. Rifat Haxhijajt, në shkenca ekonomike e sociale – drejtimi sociologji dhe Dr. sc Kushtrim Rekës, në shkenca ekonomike – drejtimi i financave. Të shpërblyerit i përshëndeti dhe i uroi drejtuesja e Qendrës së Kulturës së Kosovës në Zvicër, Shukrije Ramadani.
Futbollistët e shumtë shqiptarë nuk janë të vetmit që kanë arritur suksese në Zvicër.