2014-11-27

Shqipe Abazi: "Të rinjtë që po rriten në mërgim e duan muzikën shqipe"

image
Intervistoi: Dashnim HEBIBI

Shqipe Abazi është njëra ndër këngëtaret më të pëlqyera, jo vetëm në Atdhe, por edhe në Diasporë. Ajo është përpjekur dhe përpiqet edhe sot e kësaj dite që adhuruesit e këngës së saj t’i mbajë me këngë të mirëfillta shqipe. Ne bashkëbiseduam me atë për shumë tema, e ndër to edhe për sezonin e dasmave, meqë mërgimtarët tanë tashmë i fillojnë pushimet dhe dihet që në këtë kohë të verës në Atdheun tonë bëhen shumë dasma.
Zonja Abazi, Ju falënderoj për kohën që po ndani për këtë intervistë. Ju lutem, dy fjalë për veten tënde?
Pyetje jo edhe shumë e lehtë. E kam vështirë të flas për veten time. Por, në rregull! Jam Shqipe Abazi, e martuar me Agron Abazin, muzicient dhe njëkohësisht edhe menaxher imi. I kemi dy vajza, Arianitën dhe Aldinën. Jam shumë e lumtur që i kam dy vajzat e mia, meqë i dua shumë, e ato janë si sytë e ballit për mua dhe për bashkëshortin tim. Jetojmë shumë mirë. Nga natyra jam e qetë dhe e bëj një jetë të qetë. Dua gjithmonë të shoh mirë, jam paqësore, pozitive dhe gjithmonë u gëzohem sukseseve të të tjerëve. Nuk jam inatçore, e dua punën, nuk flas shumë, kam miqësi të mirë dhe, mbi të gjitha, jam e lumtur me gjithçka…
Të kujtohet kur ke filluar të këndosh?
Po, patjetër që më kujtohet. Fillimet e mia ishin qysh në vegjëli, në korin e shkollës fillore, e pastaj fillova me hapa të ngadalshëm, por të sigurt. Kurrë nuk kam dëshirë të ngutem, nga natyra jam e qetë, por gjithmonë e sigurt.
Nga kush pate përkrahje më së shumti?
Në fillimet e mia të hershme, patjetër që e kisha përkrahjen nga familja ime. Por, pasi u martova me Agron Abazin, gjeta një përkrahje edhe më të madhe, si në muzikë, ashtu edhe në çdo aspekt të jetës. Prandaj, për këto të arritura të deritanishme do ta falënderoja shumë familjen, si dhe bashkëshortin tim.
Të kujtohet kënga e parë?
Për fat të keq, jo. Nuk më kujtohet kënga e parë. Kam qenë në klasën e parë të shkollës fillore dhe nuk e mbaj në mend. Këngë fëmijësh. (Qeshet). Më keni kthyer shumë vite prapa, sa tash po e kujtoj veten kur isha e vogël dhe kur u ngjita në skenë për të kënduar. Sigurisht qeshë skuqur dhe frikohesha se mos e harroja tekstin. Por, e këndova aq mirë, sa mora edhe shumë duartrokitje.
Si do ta kishe parë veten sot, po të mos këndoje?
Në fakt, nuk mund që ta imagjinoj veten time pa muzikë. Por, nëse afrohen rrethanat, pa dyshim se nga natyra jam optimiste, do të ushtroj profesion tjetër, ose do të jem një amvise e mirë për familjen time. Është nder dhe kënaqësi që t’i kryesh edhe punët e shtëpisë për familjen. Edhe pse këtë e kam bërë dhe e bëj kur nuk kam angazhime në punën time, por atëherë do të jem edhe më e përkushtuar në familjen time. Por, edhe atëherë do të kisha kënduar me veten time, pa lëshuar zë. Kënga për mua është pjesë e jetës, me të cilën kam jetuar dhe shpresoj se do të jetoj. Kënga të jep jetë dhe ajo ma ka dhënë atë.
Kënga më e dashur për ty që e ke kënduar dhe e këndon sot e asaj dite?
Të gjitha këngët e vjetra popullore, të Shqipërisë së mesme, si dhe këngët qytetare i këndoj me shpirt, e fatkeqësisht nga pak ka këso lloj kërkesash të kohëve të fundit. Por, këngën që e dua më shumë është: «Si m’ke sytë, m’i ke vetullat». Në momentin kur jam duke kënduar, atë këngë e dua. Kënga është pjesë e shpirtit, sepse këndohet me zemër.
Nuk keni shumë albume. Si duket nuk keni vrapuar pas tyre, kur dihet se e keni një karrierë të gjatë?
Unë kam gjithsej pesë albume dhe afro dhjetë albume të tjera me potpuri këngësh me shumicën e kolegëve të estradës sonë, si dhe disa videoklipe. Pikësynimi im ka qenë gjithmonë që dashamirët e këngës të më njohin nëpërmjet të kënduarit live, e jo nëpërmjet albumeve, nëpërmjet vidoklipeve dhe besoj që këtë e kam arritur. Është e vërtetë se nuk dua të vrapoj që të kem numër të madh të albumeve, por me rëndësi të dalin mirë dhe të pranohen mirë. E këtë më mirë e thonë ata që më kanë dëgjuar dhe që më dëgjojnë.
Keni probleme me tekste?
Jo, nuk kam pasur deri më sot. Fatbardhësisht kemi miq të mirë që shkruajnë tekste këngësh, e kur na nevojiten i kërkojmë nga ata, varësisht nga kërkesat e dashamirëve të muzikës.
Cili zhanër i muzikës ju pëlqen më së shumti?
Pa dyshim, zhanri i muzikës popullore dhe baladat.
Jeni shpesh edhe e ftuar nëpër ahengje të ndryshme. Na tregoni, ju lutem, nëse nuk është sekret, në sa dasma merrni pjesë brenda një viti?
Po ju them shumë sinqerisht, në sezonin e verës numri maksimal është 30 dasma. E nga shtatori e deri në muajin maj jemi në Perëndim me mbrëmje të ndryshme. E, në anën tjetër, përpiqemi që sado pak kohë t’ua kushtojmë fëmijëve dhe familjes. Nuk është i lehtë ky profesion.
Po në Diasporë?
Kemi shumë mbrëmje. Sinqerisht, nuk e di saktësisht se sa është numri.
Më shumë jeni në Atdhe apo në Diasporë sa u përket mbrëmjeve muzikore?
Nuk mund të them se jemi më shumë në Atdhe se në mërgim. Herë andej, e herë këndej. Në lëvizje. Edhe në mërgim kemi adhurues të shumtë, e kjo na gëzon dhe na mban. Të rinjtë dhe të rejat shqiptare që po rriten në mërgim e dëgjojnë muzikën shqipe me kënaqësi i pranojnë këngët tona.
Do na interesonte ta dinim se si e sheh muzikën shqipe sot?
E them me keqardhje, por kjo është e vërtetë – në një kaos të madh. Në muzikë sot kanë hyrë shumë rryma të ndryshme, për fat të keq shumë pak kërkohet muzika e mirëfilltë. Shpresoj që të rregullohen gjërat në një të ardhme të shpejtë.
Si duket, më shumë po i jepet rëndësi veshjes sesa këngës?
Veshja është pjesa për të cilën duhet të jemi të kujdesshëm se si paraqitemi para publikut. Por, për fat të keq, ka disa videoklipe, kur është e vështirë ta dallojmë nëse po dëgjojmë këngë, apo po e shikojmë ndonjë reklamë të gardërobës.
Ka dalë triumfuese ‘tallavaja’ kundrejt këngës së mirëfilltë shqipe?
Në shumicën e rasteve, për fat të keq, po. Por, varet se çka i servon publikut dhe çfarë kërkon publiku nga ti. Unë përpiqem që sa më shumë të ofroj këngë të bukura. Nëpër dasma, sigurisht se këngët më të preferuara, ato që kërkohen, në të shumtën e rasteve janë ato ‘tallava’?  Por, po, është e vërtetë që po dominon, jo vetëm te ne, por në gjithë Ballkanin. Ne përpiqemi të krijojmë atmosferë. Shumica e atyre që kërkojnë këngë e bëjnë për të vallëzuar, e ka edhe raste kur kërkohen këngë të bukura shqipe. Por, për vallëzim kemi edhe këngë të ndryshme shqipe, saqë vërtet krijohet atmosferë e këndshme, e kësaj shpeshherë edhe ia kemi dalë.
Nga dasmat që ftoheni, sa janë ato të mërgimtarëve tanë?
Mund të them se rreth 50 për qind janë të mërgimtarëve. I falënderoj ata që na zgjedhin ne për t’u kënduar nëpër ahengjet e ndryshme familjare, dasma, fejesa, e kështu me radhë.
Shqipja në kohën e lirë?
Koha ime e lirë, nga ajo pak kohë që kam, fillon gjithmonë me një kafe, me buzëqeshje dhe me pozitivitet për një ditë të mbarë. Tërësisht kohën e lirë përpiqem t’ia kushtoj familjes, fëmijëve të mi, siç thashë edhe më lart – janë sytë e mi.
Çfarë të bezdis më së shumti?
Më bezdisin shumë padrejtësia dhe lajkat, ato s’i duroj dot. Pastaj, edhe tollovia në trafik ma humb durimin.
Ku e keni gjetur ilaçin që të mos plakeni?
Për këtë i falënderohem Perëndisë dhe gjeneve të prindërve, të cilëve u ngjaj. E, në anën tjetër, është familja e shëndoshë, kënga, pastaj mendoj gjithmonë pozitivisht, miqësia e mirë, e kështu me radhë.
Kishe dashur që edhe fëmijët tuaj të merren me muzikë?
Ta them të drejtën, kanë talent, por, duke e ditur se duhet shumë punë dhe sakrificë, nuk kisha dashur. Megjithatë, nëse ato kanë dëshirë të madhe për këngë, pa dyshim që do t’u jepnim përkrahje.
Të ka ndodhur ndonjëherë ta harrosh tekstin e këngës?
Po, më ka ndodhur, por jam gjetur disi, sa përveç kolegëve që e kanë kuptuar, tjetër askush. Ndodhin edhe këto gjëra, sidomos kur afrohen dasmorët për t’i bërë urimet, përzihet edhe teksti, por e kaloj menjëherë.
Do të kemi ndonjë projekt të ri nga Shqipe Abazi?
Patjetër që do të kemi, por pas sezonit të dasmave.
E mërgatës, keni menduar t’ia kushtoni ndonjë këngë?
Të gjitha këngët i këndoj për gjithë shqiptarët kudo që janë, por t’i dedikohet Diasporës, të jem e sinqertë, këtë nuk e kam menduar. Nuk dua t’i ndaj ata si të Diasporës dhe ne këndej si të Atdheut.
Çfarë kishe ndryshuar në stilin e dasmave shqiptare që po organizohen në Kosovë, Maqedoni e Luginë të Preshevës?
Kisha për t’i ndryshuar tri gjëra, meqë janë bërë demode, e më duket sikur po e shoh një film reprizë dhe kjo më pengon shumë: Kur hyn çifti, kur vallëzon çifti, dhe ndarja e tortës së çiftit. Në disa vende ka pasur ndryshime që të gjithë e kanë pëlqyer atë ndryshim. Por, në shumicën e dasmave është reprizë.
Për fund të kësaj interviste, do më interesonte të merrja një mendim nga Ju se kur kënga shqipe do të shpëtojë nga turbulencat e shundit dhe kiçit?
Mua më duket se veç ka filluar gradualisht rënia. E kemi një thesar shumë të pasur, shumë të bukur, këngë që ta kënaqin shpirtin, prandaj nuk kemi nevojë për muzikë të huaj.
Ju faleminderit edhe një herë, shpresoj se përsëri do të kemi rast të bashkëbisedojmë!
Ishte kënaqësi edhe për mua. Ju uroj punë të mbarë dhe përshëndetje për gjithë lexuesit tuaj! 

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...