2014-11-27

Bernard Kouchner : «Eshtë marrëzi të pretendosh të jetë zhvilluar trafik organesh në një vend si Kosova, ku nuk ka pasur as energji elektrike . E kuptoni se për çfarë flisni apo jo ?»



Bernard Kouchner: Është marrëzi të flasësh për trafik organesh në Kosovë


Kjo është deklarata e bërë nga ish ministri i jashtëm francez dhe themeluesi i shoqatës «Mjekë pa kufij», Bernard Kouchner gjatë programit televiziv «On n’est pas couché» , një nga programet me audiencën më të madhe në Francë , të kanalit të dytë publik francez ( France 2). Bernard Kouchner ishte ftuar në këtë program për të prezantuar librin «Mémoires croisées» ( Kujtime të gërshetuara) si bashkautor i tij, ku ndër të tjera ai flet edhe për shembullin e Kosovës si rast «sui generis», që nuk mund të shërbejë si krahasim dhe as shembull për asnjë ndërhyrje në asnjë vend jetër në botë.

Kouchner është pyetur nga gazetari francez Aymeric Caron, se si e justifikonte ai ndërhyrjen në Kosovë, duke parë që Kosova i ka shërbyer si shembull Vladimir Putinit për t’i dhënë të drejtën vetes për aneksimin e Krimesë. Bernard Kouchner: «Kjo nuk është aspak e vërtetë. Nuk ka të bëjë fare. Për Kosovën, vendimi është marrë në gjirin e Këshillit të sigurimit të OKB-së, Ne provuam gjithçka në mënyrë diplomatike. Nuk funksionoi. Por ne nuk mund të lejonim të vazhdohej masakrimi i mijëra shqiptarëve të Kosovës» është përgjigjur Kouchner. Gazetari Caron ka insistuar, se ajo që është përftuar nga pavarësia e Kosovës është një shtet mafioz. Dhe është pikërisht në këtë moment, ku Bernard Kouchner është nxehur dhe i është përgjigjur me tone të ashpra gazetarit.: «Nuk është aspak e vërtetë zotëri. Nuk e di se ku i merrni burimet tuaja, por sot ne kemi një Kosovë të pavarur të njohur nga më shumë se 125 shtete. Dhe sot kemi dialog midis Kosovës dhe Serbisë më ndërmjetësimine Bashkimit Europian». Por gazetari Caron, i njohur për pyetjet e tij provokuese, nuk është mjaftuar me aq.

Ai e ka pyetur Kouchner, pse atë e bezdis tema e trafikut të organeve në Kosovë. Për Kouchner e gjithë kjo histori është një marrëzi: «Më thoni, se si mund të bëhet trafik organesh në një vend, ku nuk ka pasur asnjë kusht për të bërë një gjë të tillë. Ma thoni ku? Si mund të bësh trafik organesh në një vend, ku nuk ka pasur as energji elektrike. E kuptoni për çfarë flisni apo jo?» është përgjigjur dy herë Kouchner, duke hedhur poshtë në mënyrë indirekte pretendimet që kanë zanafillën e tyre me raportin e Dick Martin të Këshillit të Europës.