2012/11/30

Serbia: Haga Na “Pështyu në Fytyrë”


Qindra vetë protestuan në Beograd kundër lirimit të Haradinajt | Foto: BetaQindra vetë protestuan në Beograd kundër lirimit të Haradinajt | Foto: Beta
nga  Marija Ristic

Liderët e Serbisë u radhitën për të dënuar lirimin e të enjtes së Ramush Haradinajt, duke thënë se u vërtetua se Tribunali i Hagës është gjykatë politike që ka fyer viktimat serbe të luftës.

Presidenti Tomislav Nikolic tha se aktgjykimi i Gjykatës Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi, ICTY,  të enjten, në Hagë, ishte “jo i bazuar në drejtësi dhe se do të forcojë ndarjet në rajon”.

“Duke gjykuar në tërësi, Tribunali u themelua jashtë ligjit ndërkombëtar për të vënë popullin serb në gjyq. Synimi është të arrijë disa qëllime që dihen mirë nga publiku serb”, tha Nikolic.

Ministri i Drejtësisë, Nikola Selakovic, tha se Beogradi do të vendosë në ditët në vijim nëse do të vazhdojë bashkëpunimin e mëparshëm me Tribunalin.

“Për herë të dytë në 10 ditë, ICTY pështyu në fytyrë të viktimave serbe dhe tregoi se nuk ka ligj dhe drejtësi ndërkombëtare”, tha Selakovic, duke iu referuar lirimeve të fundit të dy gjeneralëve kroatë.

Ivica Dacic, kryeministri, tha se Serbia duhet të vazhdojë dialogun me Prishtinën, pavarësisht aktgjykimit të Tribunalit të Hagës.

“Është në interes të integrimit europian të vendit. Mund të zgjedhim të mos shkojmë në raundin tjetër të negociatave [me Kosovën], por atëherë duhet të presim deri në 2014 për të nisur negociatat [me BE-në] për anëtarësim”, tha ai.

“Le të shohim se cili është në interesin tonë më të madh”, tha Dacic.

Haradinaj, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, dhe ish-kryeministër i Kosovës, bashkë me dy të pandehurit  e tjerë, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj, u liruan nga akuzat për krime lufte të enjten.

Kryeprokurori i Serbisë për Krime Lufte, Vladimir Vukcevic, tha se aktgjykimi ishte padrejtësi ndaj Serbisë dhe rezultat i mungesës së profesionalizmit të ICTY-së dhe sistemit të dobët të mbrojtjes së dëshmitarëve.

“Sidoqoftë, duhet të qëndrojmë të qetë dhe të vazhdojmë bashkëpunimin rajonal”, shtoi ai.

Kreu i Këshillit Kombëtar të Serbisë për Bashkëpunim me Tribunalin e Hagës, Rasim Ljajic, tha se aktgjykimi cenon më tej kredibilitetin e Tribunalit dhe do të cenojë marrëdhëniet rajonale.

“Publiku në Serbi ka të drejtë të jetë i inatosur. Dhe është logjike që Tribunali perceptohet si institucion politik dhe jo gjyqësor”, tha Ljajic.

Partia Progresiste Serbe e Nikolicit nxit autoritetet të përfundojnë bashkëpunimin e plotë me Tribunalin. 

“Pas lirimit të gjeneralëve kroatë, ky është poshtërim i dytë për viktimat serbe”, thuhet në një deklaratë të partisë, duke iu referuar lirimeve të fundit të Ante Gotovinës dhe Mladan Markacit  më 16 nëntor.

Ish-shefi i negociatave me Kosovën, Borislav Stefanovic, tha se lirimi do të radikalizojë më tutje opinionin në Kosovë dhe rrezikojë dialogun e tanishëm duke qenë se Prishtina do të marrë një qëndrim më të ashpër tani.

Shefi i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Aleksandar Vulin, pajtohet se tani do të jetë më e vështirë për Serbinë të mbajë qëndrimin e saj në dialog, duke qenë se aktgjykimi ka forcuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

“Nga njëra anë, Kosova është e pavarur tashmë dhe tani Tribunali  Hagës thotë se çdo gjë që bënë për të luftuar për pavarësinë, çdo vrasje, ishte e justifikuar”, tha Vulin.

Qendra e të Drejtës Ndërkombëtare, OJQ në Beograd, thotë se aktgjykimi i Tribunalit të Hagës dështoi t’iu sjellë drejtësi viktimave të konfliktit në Kosovë.

“Ky rast ishte veçanërisht shqetësues duke qenë se mbrojtja e dëshmitarëve kishte shumë mangësi, ndërsa hetuesit e Tribunalit në terren që po mblidhnin prova shfaqën gjithashtu mungesë profesionalizmi”, lexohet në deklaratë.

Haradinaj - Një Luftë e Gjatë


Ramush Haradinaj | Foto: Petrit RrahmaniRamush Haradinaj | Foto: Petrit Rrahmani
nga  Bardh Shkreli


Ramush Haradinaj është kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), që nga viti 2000. Karriera ushtarake e Ramush Haradinajt është plot me jehonë, përderisa ajo politike ka shënuar ngritje e rënie, varësisht nga proceset gjyqësore që Tribunali i Hagës ka iniciuar ndaj tij. Ai paraqet profilin absolut të luftëtarit guximtar për shumë kosovarë. Tribunali i Hagës shpalli të enjten aktgjykimin ndaj ish-komandantit të UÇK-së, Ramush Haradinaj, dhe dy ish-luftëtarëve të tjerë, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, duke i liruar nga të gjitha akuzat për krime lufte.


Partia e tij e ka udhëhequr qeverinë gjatë koalicionit LDK–AAK në vitet 2004-2007. Karriera e tij ushtarake është plot me jehonë, përderisa ajo politike ka shënuar ngritje e rënie, varësisht nga proceset gjyqësore që Tribunali i Hagës ka iniciuar ndaj tij. 

Ramush Haradinaj paraqet profilin absolut të luftëtarit guximtar për shumë shqiptarë të Kosovës, sidomos në rajonin e Dukagjinit, ku ai gëzon përkrahje të gjerë politike. I lindur në Gllogjan, më 3 korrik 1968, Ramushi ishte fëmija i dytë me radhë nga 9 sa kishte gjithsej në familjen e tij. Talentin e luftëtarit do ta tregonte edhe gjatë shërbimit ushtarak në ish-Armatën Jugosllave, kur nga ushtari i thjeshtë do të emërohej në komandant i togës, një raritet për shqiptarët. 

Për shkak të kushteve jo të mira, por edhe pamundësisë për të studiuar në Universitetin e Prishtinës, pasi që familja e tij nuk ishte në sy të mirë të regjimit, ai detyrohet të emigrojë në Zvicër gjatë viteve 1980-të. Në Zvicër, Haradinaj punoi në ndërtimtari, por edhe si roje sigurimi në klubet e natës. Pasi komuniteti i shqiptarëve në Zvicër ishte politikisht mjaft aktiv, ai bëhet pjesë e Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe fillon aktivitetin ilegal rreth çështjes së Kosovës.
 
Më 1991, ai hyn ilegalisht në Kosovë nga Shqipëria duke e shfrytëzuar këtë mundësi për të sjellë armë në Kosovë. Me hapjen e depove ushtarake në Shqipëri pas trazirave të vitit 1997, aktiviteti i tij ilegal bëhet më i shpeshtë dhe sjellja e armëve në Kosovë bëhet një aktivitet permanent për të dhe vëllezërit e tij, Luanin dhe Shkëlzenin. Luani më vonë do të vritej në një pritë të forcave serbe gjatë një tentative për të sjellë armë në Kosovë. Kur shpërtheu lufta në Kosovë, Haradinaj tanimë gëzonte famën dhe respektin e zonës së Dukagjinit dhe shpejt do të emërohej komandant i Zonës. 

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Ramushi bëhet njeriu i dytë pas Agim Çekut në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, formacion ky i krijuar për të rehabilituar ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Haradinaj shpejt vendos ta heqë uniformën dhe themelon partinë e tij politike e cila në zgjedhjet e vitit 2000 të organizuara në Kosovë, nuk shënoi ndonjë rezultat mbresëlënës dhe u gjend shumë prapa partisë së liderit Ibrahim Rugova e dhe PDK-së së Hashim Thaçit.

Në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të vitit 2004, partia e Ramush Haradinaj doli e treta, ndërsa suksesin më të madh politik e arriti kur koalicioni me LDK-në, i propozuar nga presidenti i atëhershëm, Rugova, e solli Ramush Haradinaj kryeministër të Kosovës. Atëbotë, ai ishte vetëm 36-vjeçar. Mirëpo më 10 mars 2005, Prokuroria e Tribunalit të Hagës ngriti aktakuzën kundër tij dhe bashkëluftëtarëve te tij, Idriz Balaj dhe Lahi Ibrahimaj për mosrespektimin e kodeve të luftës për periudhën 1998-1999, kohë kjo kur ai shërbente si komandant i Zonës Operative të Dukagjinit.

Aktakuza për Haradinajn, Balajn dhe Ibrahimajn përfshinte këto pika: Krime kundër njerëzimit, përndjekje (ngacmim, veprime çnjerëzore, shkatërrim i pronës) dhe shkelje e ligjeve të luftës, trajtim mizor tortura dhe dhunim i dinjitetit personal.

Haradinaj pat dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit, pas vetëm 100 ditësh në detyrë, dhe ishte nisur për në Gjykatën e Hagës ditën e nesërme. Edhe pse periudhë e mjafte shkurtër, 100-ditshi i Ramush Haradinaj si kryeministër u cilësua si dinamik dhe premtues. Dorëheqja, vetëdorëzimi dhe thirrjet e tij për qetësi nga mbështetësit e tij, ishte shembullor dhe u mirëprit nga bashkësia ndërkombëtare. 

Më 6 qershor 2006, Haradinaj lirohet me kusht. Ndërsa lirimi me kusht parashihte që Haradinajt t’i ndalohej paraqitja publike, apo pjesëmarrja në aktivitetet politike gjatë 90 ditëve të para të lirimit. Më 12 tetor 2006, Gjykata e Hagës merr vendim për t’i lejuar atij paraqitjen publike dhe pjesëmarrjen në aktivitete politike nën kushte të caktuara. Për “kushtet e caktuara” do të vendoste ish-kryeadministratori i atëhershëm i UNMIK-ut dhe ato parashihnin angazhimin e Haradinajt në raste kur do të bëhej fjalë për “çështje me rëndësi për Kosovën”, apo atëherë kur ishte në pyetje “siguria e vendit”. 

Më 26 shkurt 2007, Ramush Haradinaj kthehet në qendrën e paraburgimi në Scheveningen për të pritur fillimin procesit gjyqësor ndaj tij. Procesi gjyqësor u mbyll me 23 janar 2008, ndërsa vendimi i Gjykatës u shpall me 3 prill të të njëjtit vit. Ramush Haradinaj u lirua si i pafajshëm në bazë të mungesës së provave dhe argumenteve jobindëse. Në Kosovë, ai u prit si hero nga qytetarët.  

Vendimi i Gjykatës së Hagës u apelua më 21 qershor 2010, pasi prokuroria kishte kërkuar rigjykimin të pjesshëm të rastit Haradinaj et al. Gjykata kësaj radhe kishte vendos të hedhë poshtë një pjesë të pretendimeve të prokurorisë, në bazë të cilave Haradinaj akuzohej për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në disa prej pikave të cekura në aktakuzë. Nga ana tjetër i lejoi prokurorisë të përfshijë edhe dy dëshmitarë kyç, të cilët sipas tyre kishin qenë të frikësuar të dëshmojnë më herët. Haradinaj edhe kësaj radhe u paraqit vullnetarisht në njësinë e paraburgimit në Hagë. 

Ramush Haradinaj është i martuar me reporteren e lajmeve te RTK-së, Anita Haradinaj, dhe kanë tre fëmijë. Haradinaj ka pasur pesë vëllezër. Dy prej tyre, Luani e Shkëlzeni, u vranë si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës në Kosovë. Ndërsa vëllai tjetër Daut Haradinaj, është deputet në Kuvendin e Kosovës dhe anëtar i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kryeministri Thaçi Nuk propozohet dëshmitar



Foto: Facebook, PDKFoto: Facebook, PDK
nga  Liridona Hyseni

Prokuroria nuk e ka propozuar dëshmitar Hashim Thaçin ndonëse ai ia kishte dorëzuar, sipas rrëfimit të Fatmir Limajt në aktakuzë, një kopje të printuar të përgjimeve inkriminuese telefonike në Zyrën e Kryeministrit.

Në aktakuzën e prokurorit special Johannes Pickert shtjellohet një incizim telefonik i cili mendohet t’i jetë dhënë ish-Ministrit Fatmir Limaj nga Kryeministri Hashim Thaçi, por ky i fundit nuk është propozuar dëshmitar në rastin më të madh të korrupsionit të ngritur deri më tash në vend. 

Nëse konfirmohet aktakuza për "Limajn-MTPT", prokuroria i ka propozuar gjykatës të dëgjohen dëshmitë e personave si Hasan Preteni, Mevludin Krasniqi, Akan Ismajli, Try Willkison, Durim Limaj, Ibrahim Mislimi etj., por jo edhe Thaçi. Në këtë listë nuk figuron as emri i Adem Grabovcit, ish-zëvendësministër në Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit dhe tash shef i grupit parlamentar të PDK-së.

Transkripti i sms-ve është korrespondencë mes Endrit Shalës, këshilltarit të Fatmir Limajt, dhe Florim Zukës, pronar i kompanisë “Tali” nga Gjilani. 

Zuka është akuzuar për keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi si dhe për dhënie të ryshfetit, të dyja këto vepra të dënueshme sipas kodit penal të vendit. Zuka akuzohet se, për një tender të mirëmbajtjes të një rruge më 2009 në Gjilan, nëpërmjet ndërmjetësit Endrit Shala, ka paguar 250 mijë euro ryshfet për Fatmir Limajn dhe personat e tij të afërt. 

Shala akuzohet për hyrje në kontrata të dëmshme, abuzim të pozitës zyrtare ose autorizimit, pranim të ryshfetit si dhe për pengim të hetimit. 

Në prill 2010, shtëpia e Fatmir Limajt ishte bastisur me urdhër të prokurorit dhe, sipas akuzës, “aty ishte gjetur një version i printuar i mesazheve inkriminuese telefonike të fshira si dhe një version ‘i pastruar’ i sms-ve në një USB”.

Fatmir Limajt i ishte dhënë më pas nga prokurori një kopje e sms-ve. “Ajo përmban të dhëna shumë inkriminuese kundër Fatmir Limajt, Endrit Shalës dhe Florim Zukës”, thuhet në aktakuzë. 

Kopja specifikon marrëveshjen e ryshfetit mes Endrit Shalës dhe Florim Zukës për një tender të mirëmbajtjes së rrugës më 2009, në rajonin e Gjilanit, përfshirë edhe shumën e 250,000 eurove. 

Kur prokurorët kishin kërkuar kopjen zyrtare të sms-ve të numrit të Endrit Shalës në PTK, më 2011, vetëm mesazhet inkriminuese mungonin. Edhe në USB-në e gjetur në shtëpinë e Fatmir Limajt, rrugës për Çagllavicë, fjalli për sms-të kishte për autor vëllain e vozitësit të Limajt dhe ai ishte version i pastruar nga sms-të në kopjen në letër që mungonin aty. 

Fatmir Limaj kishte thënë se ishte marrë shumë me këtë rast dhe dikush i kishte zbukuruar sms-të. “Janë dy ose tre vende ku tekstet janë ndryshuar, ku është vendosur tjetër tekst”, u kishte thënë ai, prokurorëve. 

I pyetur se përse kopja e sms-ve në letër ishte gjetur në shtëpinë e tij, Limaj kishte thënë: “Këshilltari im erdhi dhe më tha se ka fabrikime të këtij dokumenti”. 

“Shkova në Zyrën e Kryeministrit. Dikush ia kishte ofruar atë Kryeministrit”, kishte thënë Limaj, duke mos mundur të specifikojë datën kur kopja mendohet t’i jetë dhënë nga Kryeministrit. 

“Kryeministri ma dha dhe ai më tha, ‘shikojë këtë’. E shikova dhe ishte shumë serioze për mua. Isha alarmuar. E lash aty. E thirra këshilltarin tim (Endrit Shala) dhe i thashë: ‘Ma sqaro çfarë ka ndodhur’. Ai tha: ‘Jo, ma jep një orë’”, citohet Limaj, në akuzë. 

Ish-Ministri kishte shtuar se më pas në versionin e teksteve në PTK ishte parë se ato ishin fabrikime. “Kam pasur menduar të ngrehë padi, por e kisha humbur dokumentin…Kjo është e vërteta. Nuk e kam pasur idenë nëse Endrit Shala e mbante atë ose se a e kisha unë. Për këtë arsye ishte gjetur në banesën time”.

Kur i ishte kërkuar ta tregojë historinë nga një kënd tjetër, Limaj kësaj here kishte thënë se nuk e kishte lënë kopjen e printuar në Zyrën e Kryeministrit dhe pastaj e kishte thirrur Edrit Shalën të cilit ia kishte dhënë. “Ai (Endrit Shala) e pa emrin e tij aty dhe numrin si dhe bëri krahasimet e kopjes me ato nga PTK-ja…”.

I pyetur se a do të mund ta ftojë mbrojtja si dëshmitar Kryeministrin Hashim Thaçi, nëse konfirmohet akuza, avokati i Limajt, Tahir Rrecaj, tha se nuk mund të përgjigjet për këtë aktualisht. 

“Fillimisht duhet që të mbahet seanca për konfirmimin e aktakuzës, të marrim aktakuzën, të shohim ku është bazuar ajo, në cilat fakte, dhe vetëm pas kësaj seance do të shohim si do të veprojmë”, tha Rrecaj. “Për momentin, nuk mund të deklarohem asgjë më tepër për këtë”.
Ish-këshilltari Endrit Shala, ndërkohë, thotë se nuk e di pse mbahet në këtë aktakuzë nga prokurori pasi "mesazhet ishin të falsifikuara".
"Ata sms janë të montuar, është e faktuar se janë të montuar", tha Shala për Gazetën Jeta në Kosovë. "Unë e di kush i ka bërë këto falsifikime dhe si ka shkuar rrjedha e kësaj montazhe. Për ketë do të flas në gjyq".

Prokuroria: Troy Wilkison Paguhej nga Grupi Limaj



Endrit Shala, prapa Limajt | Foto: Facebook, PDKEndrit Shala, prapa Limajt | Foto: Facebook, PDK
nga  Njomza Salihi

Në aktakuzën e saj për rastin e korrupsionit kundër Fatmir Limajt dhe të tjerëve, prokuroria thotë se Troy Wilkinson, ish-hetues i EULEX-it, paguhej nga Grupi Limaj më 2011. Po ashtu, prokurorët kanë transkripte përgjimesh ku ish-këshilltari i ministrit i sugjeronte Wilkisonit se çfarë duhej të fliste në televizion.

Në prill 2010, hetuesi amerikan Troy Wilkinson, bënte pjesë në bastisjet e EULEX-it në ish-Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit në kuadër të hetimeve kundër Fatmir Limajt. 

Por gati një vit e gjysmë më vonë Wilkinson është paguar nga pala tjetër, Grupi Limaj, sipas aktakuzës së prokurorit Johannes Pickert në "Limaj-MTPT". 

Aty thuhet madje se Endrit Shala e udhëzonte Wilkinsonin se çfarë të fliste në një intervistë televizive. 

“Derisa e drejtonin një fushatë mediale kundër EULEX-it dhe hetuesve të tij më 2011, Endrit Shala u njoh me një ish-hetues të EULEX-it (Troy Wilkinson), i cili kishte punuar në këtë rast para se ta linte misionin”, thuhet në aktakuzë. “Komunikimet e regjistruara mes Fatmir Limajt, Endrit Shalës dhe Florim Limajt demonstrojnë se ish-hetuesi i EULEX-it po merrte pagesa financiare nga Grupi Limaj për t’i ndihmuar ata në gjykimin e ‘Rastit Kleçka’ si dhe jashtë gjykatës duke bërë deklarata fals në media në lidhje me këtë rast”.

Më 16 tetor 2011, sipas aktakuzës, Troy Wilkinson dha një intervistë për Radio-Televizionin e Kosovës  “duke akuzuar EULEX-in dhe ish shefen e SPRK-së bazuar në paragjykime serioze duke pohuar se Limaj ishte në gjoja një ‘listë të zezë’ dhe se do të akuzohej nga EULEX-i pavarësisht fakteve”. 

“Troy kishte shtuar se ai do të ishte në gjendje të dëshmonte në lidhje me këto dyshime në gjykatë”, vazhdon aktakuza. “Transkriptet e përgjimit të Fatmir Limajt mes 10 shtatorit 2011 dhe 11 shtatorit 2012 japin indikacione se mbrojtja e Fatmir Limajt me gjasë synon t’i japë peshë faktuale në të ardhmen dëshmisë së Troy Wilkinsonit. Zyra e Prokurorit mirëpret që Troy Wilkinson të paraqitet përpara gjykatës gjatë gjykimit kryesor në të ardhmen dhe vendosi ta shënoj atë në listën e dëshmitarëve me qëllim që atij t’i jepet shans ta sqarojë vetën”. 

Sipas prokurorisë, para se Troy Wilkinson të bënte publike pohimet e tij serioze, ai kishte pranuar instruksione për përgjigjet e tij nga Endrit Shala. 

Në një përgjim telefonik të datës 12 Tetor 2011, në 20:11, Troy Wilkinson thuhet t’i ketë treguar Endrit Shalës se ai kishte pranuar pyetje prej gazetarëve, të cilat ia përcolli atij. Endrit Shala i kërkoi Troy Wilkinsonit që tia dërgojë atij pyetjet në llogarinë e tij në facebook ose në emailin e tij në gmail.com. 

Një bashkëbisedim i detajuar ndërmjet Endrit Shalës dhe Troy Wilkinsonit kishte pasuar, gjatë së cilit, Endrit Shala, sipas prokurorisë, i kishte dhënë Troy Wilkisonit instruksione specifike se si tu përgjigjet pyetjeve, “me qëllim që ta shfajësonte Famit Limajn me mjete manipulative”.

Transkripti:

“[Endrit SHALA]…Çka në lidhje me ndikimin politik në EULEX? A mund të më sqarosh ndonjë rast kur ke qenë i përfshirë në ndikim politik në rastin tënd…ndoshta rasti Limaj është një prej tyre? Po, mund ta cekësh këtu rastin Limaj kur Isabelle Arnal (ish-drejtuesja e Zyrës së Prokurorisë Speciale të Kosovës) tha këtë ose atë…sikurse e keni dhënë në dëshminë tuaj, vetëm kopjoni atë që e keni thënë... në ‘Zëri’…asgjë më shumë.  

[Troy WILKINSON]:…Në rregull…

[Endrit SHALA]: Në intervistën në ‘Zëri’ ju keni përmendur atë “Çfarë roli kishte Isabelle Arnal në rastin Limaj ? ... edhe këtë mund ta përmendni: “A mund të sqaroni se çfarë ndodhi atëherë me këtë rast?” “Së pari, Limaj ishte bastisur për korrupsion dhe pastaj për krime lufte. Hetimi për korrupsion po vazhdon. Çka ndodhi dhe përse mendoni se Limaj ishte në listën e zezë të Arnalit? ... Nuk e dini se çfarë … pse ishte Limaj në listën e zezë të Arnalit…

[Troy WILKINSON]: Saktësisht!

Endrit SHALA]: Vetëm sa e dëgjuat këtë…ajo që dini se çfarë thoshte Arnal dhe se ju doni tia tregoni këtë njerëzve…

[Troy WILKINSON]: Saktë!

[Endrit SHALA]: …Pse është Limaj në listën e zezë, ju duhet…ata duhet ta pyesin Arnalin! Por ju thoni se ju kishit dëgjuar Arnalin të thoshte: ‘E dua atë njeri në burg!”. Kjo është ajo që po them…pa dëshmi, pa asgjë, ajo na thoshte neve: “Nuk ma ndjenë…a keni dëshmi a jo, e dua atë njeri në burg”. Pyetja e 8-të: “A është ndikimi politik direkt prej Brukselit apo njerëzve që kanë pozita në Kosovë, në mision po politikanë kosovarë?”. Mund të thuash në lidhje me këtë pyetje se ju nuk jetoni në Bruksel dhe se kurrë nuk ke qenë në Bruksel për të parë se a kishte ndikim atje! Ju vetëm keni dëgjuar prej njerëzve në EULEX, ndoshta prej Arnalit…siç e dimë ose bazuar çfarë folëm një natë më herët…ndoshta jo për ta përmendur në mënyrë direkte por ndoshta ishte gjithashtu prej dikujt në politikë që ishte në miqësi me Arnalin.

[Troy WILKINSON]: Saktë…

Limaj e donte Wilkinsonin pjesë të ekipit mbrojtës
Aktakuza thotë se qartësisht Fatmir Limaj dinte për rolin që Troy Wilkinson luante dhe supozohet se do ta luaj në gjykimin e tij.
Aty shtohet se në një përgjim telefonik mes Endrit Shalës dhe Fatmir Limajt, më 24 nëntor 2011, në 20:01, Fatmir Limaj e pyeti Endrit Shalën “nëse kishte folur me Troy-n”. 

“Endriti u përgjigj se ‘ai po kërkonte për…sikurse herat e kaluara’ dhe se ‘ai (Wilkinson) po shkonte të nesërmen në SHBA për pushime” dhe se “po kërkonte diçka për pushime dhe krishtlindje’”, thuhet në akuzë.

Fatmir Limaj më pas i kërkoi Endrit Shalës të takonte Wilkinsionin kur ai të kthehej. 

Limaj, vazhdon akuza, shtoi se ai donte që ish-hetuesi të jetë pjesë e ekipit mbrojtës dhe se ai do të paguhej për këtë. 

“Shumë shpejt më pas, në 20:08, Endrit Shala dërgoi një SMS tek Florim Limaj duke i shkruar: ‘Duhet që urgjentisht t’i jepni diçka Troyt, ‘Ai’ tha urgjentisht. Sepse më duhet ta takoj sonte ngase niset nesër. Fol me Demën (Demir Limajn) gjithashtu’”, vazhdon aktakuza.

Ajo thotë se nga bisedat telefonike më 24 nëntor 2011 është bërë e qartë që Fatmir Limaj e kishte instruktuar Endrit Shalën që t’i thotë Florim Limajt të ekzekutojë pagesat financiare për të (në këtë rast pagesat për Troy Wilkinson] në bashkëpunim me Demir Limajn. 

“Këto fakte demonstrojnë se Fatmir Limaj, Demir Limaj dhe Florim Limaj kishin shuma të konsiderueshme në dispozicion, që zyrtarisht nuk i kishin deklaruar. Është ardhur në përfundim që pagesat ishin financuar përmes ‘parave të ndyra’ që vinin nga ryshfetet”, thuhet në aktakuzë.

Në intervistën e botuar në gusht 2011 në “Zëri”, Wilkinson thoshte se ish-shefja e Zyrës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Isabelle Arnal, u kishte thënë hetuesve se e donte Limajn në burg. “Nuk dua ta di a keni fakte apo jo”, thoshte Wilkinson, duke iu referuar Arnalit. 

Arnal nuk është në listën e dëshmitarëve të propozuar nga prokuroria, por Wilkison është. 

Këshilltari i Fatmir Limajt,  Endrit Shala, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se ish-hetuesi i EULEX-it Troy Willkisom nuk është pjesë e ekipit mbrojtës të Limajt, por se ai vetëm është shprehur i gatshëm të japë dëshmi nëse mbahet gjykim eventual.

“Në bazë të deklaratave që Troy Wilkison i ka dhënë per media, ai është paraparë të thirret si dëshmitar, nëse veç mbahet gjykim”, tha Shala, për Gazetën Jeta në Kosovë, duke mohuar se ndonjë pagesë është kryer nga ky ekip për këtë ish-hetuesin e EULEX-it.

Gazeta ka tentuar të flasë me Wilkinsonin, por ai nuk ka qenë i qasshëm në një numër telefoni të tij që e ka gazeta. Kur ka punuar nw EULEX, Wilkinson ka pasur imunitet.

Aktakuza e prokurorit special Johannes Pickert kundër Grupit Limaj,



nga  Gazeta JnK

Aktakuza e prokurorit special Johannes Pickert kundër Grupit Limaj, në rastin e ish-Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, e bën ish-ministrin përgjegjës për takime personale me operatorë ekonomikë derisa tenderët ishin në vazhdim dhe për marrje ryshfeti. “Shefi” Limaj, sipas aktakuzës, udhëhoqi një grup kriminal që, duke e përdorur me qëllim fragjilitetin e administratës dhe limbon e pas pavarësisë, veproi që të merrte përfitime personale duke mbushur xhepat me shuma të konsiderueshme ryshfetesh”.

Fatmir Limaj udhëhoqi një grup të organizuar kriminal qëllimi i të cilit ishte që t’i jepte tenderë publikë të Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomunikacionit kompanive që tregonin vullnet të paguanin ryshfet. 

Fatmir Limaj dhe familja e tij përshkruhen si mjaftë me ndikim në Kosovë. Ndikimi i tyre, ndër të tjera, ilustrohet nga fakti që shumë njerëz kishin vendosur të kompensonin harxhimet e tij të mbrojtjes ligjore gjatë gjykimit në Tribunalin e Hagës e që shkonin në mbi 1 milion euro. 

Por, Grupi Limaj, pasi ish-MTPT kishte në dispozicion një buxhet të madh për infrastrukturë, përdori paaftësinë e autoriteteve të vendit me qëllim të përfitimit vetanak. 

Limaj udhëhoqi grupin e organizuar dhe kishte pushtetin e vendimmarrjes në të. Ai vazhdoi ta ushtronte këtë autoritet edhe prej kur nuk është ministër, deri më tash. Disa prej anëtarëve të grupit i referoheshin si “axha”, e pastaj “shefi” prej 2008 deri më 2012.

 Nëse të thërret dikush, u thuaj që ke folur me mua”, i shkruante Endrit Shala, Florim Zukës, megjithëse e dinte se firma e tij "Tali" po e rregullonte rrugën me defekte.

Limaj akuzohet për krim të organizuar, keqpërdorim të detyrës, përfshirje në kontrata të dëmshme, keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe autoritetit, pranim të ryshfetit, pastrim parash, pronësi-kontroll-posedim-ose-përdorim i paautorizuar i armëve të dhe mosdeklarim të parave të pranuara për fushatë zgjedhore. 

Florim e Demir Limaj akuzohen të dy për krim të organizuar dhe pastrim parash. Endrit Shala akuzohet për hyrje në kontrata të dëmshme, abuzim të pozitës zyrtare ose autorizimit, pranim të ryshfetit si dhe për pengim të hetimit. Nexhat Krasniqi akuzohet për krim të organizuar, keqpërdorim në detyrë, hyrje në kontrata të dëmshme, keqpërdorim të detyrës zyrtare ose autorizimit dhe pranim të ryshfetit. 

Florim Zuka akuzohet për hyrje në kontrata të dëmshme, keqpërdorim të autorizimeve ekonomike dhe dhënie të ryshfetit. Gani Zogaj akuzohet për shkatërrim ose fshehje të materialit arkivor.

Kontratat dhe ryshfetet

Më 26 maj 2008, kompania "Tali" ishte shpallur fituese për një tender rruge të bashkëfinancuar nga ministria dhe komuna e Gjilanit, me ofertën e saj 576.345,50 euro. Të njëjtën vlerë e kishte ofruar edhe  Zuka Commerce. 

Të dy kompanitë drejtohen nga familja Zuka, sipas prokurorisë. Ekspertët e saj në një opinion të 5 majit 2012 konkluduan se “kishte aranzhim të çmimit me kompaninë konkurruese Zuka” dhe se edhe vetë procedura dhe shpallja e fituesit duhej të shiheshin me dyshim. 

Sipas prokurorisë, Nexhat Krasniqi, nënshkruesi i kontratës, ka përgjegjësi për favorizim të qëllimshëm të Talit. 

Fatmir Limaj ishte personalisht i përfshirë dhe është përgjegjës për ndikim joligjor. Ai kishte shkëmbyer mesazhe dhe ishte takuar me Mehmet Shkodrën, pronar i kompanisë “Intereuorpa” që garonte në tender dhe pohonte se tenderi i ishte premtuar. Prokuroria sjell sms të Shkodrës dërguar Limajt.

Endrit Shala e dinte por me sms-të e tij të verës 2008 kishte shfaqur mbështetje për "Talin" përkundër se ajo po e rregullonte rrugën me defekte. “Nëse të thërret dikush, u thuaj që ke folur me mua”, i thotë Shala Zukës, në telefon. Në gusht 2008, Shala kishte ofruar mbështetje për të mbuluar edhe gjatësinë e shtresës edhe pse Zuka brengosej se komisioni nuk do ta pranonte. “Hahaha…Ti je kral”, i thoshte Zukaj.

   Mos fol dhe tenderi për mirëmbajtjen verore të rrugëve më 2009 është i yti”, i kishte thënë Fatmir Limaj, Mehmet Shkodrës.

Gabimet ishin evidentuar më vonë nga ekspertët e punësuar prej prokurorisë.

Fatmir Limaj diskutoi edhe pranueshmërinë e referencave të punës derisa tenderi ishte shpallur me Mehmet Shkodrën. 

Më 29 shkurt 2008, Inter-Europa, Tali, Magjistralia dhe Eurokos ofertuan për mirëmbajtjen e rrugëve rajonale në Gjilan. Tali dhe Eurokos kishin çmime të njëjta. Florim Zuka akuzohet për aranzhim të çmimit, kurse Nexhat Krasniqi për përgjegjësi për procedurë transparente. Kontratën e kishte fituar Magjistralja, që nuk duhej, sipas prokurorisë. 

Pasi kishte humbur, Shkodra i Inter-Europës kishte shkuar në MTPT dhe ishte takuar me zëvendësministrin Adem Grabovci ku ishte ankuar. Limaj kishte shkuar deri te dera dhe i kishte thënë: “Mos fol dhe tenderi për mirëmbajtjen verore të rrugëve më 2009 është i yti”. 

Fatmir Limaj i ishte zotuar se do t’ia përgatiste dokumentacionin e tenderit.

Por edhe tenderin për mirëmbajtje verore dhe dimërore, më 2009/2010, e kishte fituar Tali. 

Florim Zuka i thoshte Endrit Shalës me sms se kishte dhënë 5,000 euro për PDK-në. Limaj ishte në dijeni dhe në kontakt me Endrit Shalën për dhënien e këtij tenderi Talit. 

Pa i ditur këto bisedime në prapaskenë, Mehmet Shkodra i kërkoi kryetarit të Gjilanit Qemajl Mustafa ta shoqëronte në takim në MTPT. Ky i fundit nuk kishte kohë. Shkodra shkoi vetë. 

“Jam Mehmeti, jam rrugës, në çfarë kohe duhet të kalojë kah zyra jote?”, i shkruante ai Limajt.

Pak më vonë. “Po të pres”.
Limaj, sipas aktakuzës, e shtyu takimin dhe kurrë nuk e përgatiti dokumentacionin e Inter-Europës. 

Shkodra shkoi tek Nexhat Krasniqi e i tha: “E di që i doni 10 për qind, por s’kam para”.

Nexhat Krasniqi iu përgjigj: “Ne do të deponojmë 20 për qind të shumës totale në avanc, dhe ti do të na japësh neve këtë shumë”.

Mehmet Shkodra kishte arritur të takonte pastaj Limajn por pa sukses. Marrëveshja në prapaskenë ndërmjet Endrit Shalës e Talit kishte marrë formë. “Endrit shefi…do tua japë 25 shin me katër zero”, i thoshte Zuka, Shalës. “Puna është kryer, por nëse nuk e mban premtimin kjo kthehet në diçka të keqe”, ia kthente Shala. 

"Tali" e fitoi tenderin në vlerën 1 milion e 192 mijë e 844 euro, më 25 mars.

Bisedat e Mehmet Shkodrës me Qemajl Mustafën

Mehmet Shkodra i tregonte Qemajl Mustafës, kryetarit të Gjilanit, se Fatmir Limaj nuk kishte mbajtur premtimet. “Ai është një gënjeshtar”, thoshte Shkodra.

Pronari i Inter-Europës kërcënohej se do të tregonte gjithçka publikisht. 

Dhe ai shkoi fillimisht në Agjencionin Kundër-Korrupsion (AKK). Pastaj bëri deklarime në lidhje me këto zhvillime edhe në EULEX.

Mehmet Shkodra po merrte sugjerime që të tërhiqte akuzat e tij. Mes atyre inkurajuesve ishte edhe Qemajl Mustafa.
Në EULEX, ai kishte thënë se kishte marrë kërcënime nga dy njerëz përmes telefonit. “Dini të shkruani shumë mirë, por unë do t’i pres gishtat”,  tregonte ai për njërin kërcënim. 

Shkodra ishte ndjekur edhe nga një i ri me “Opel-kadet”. 

“Rreth një muaj më vonë, Mehmet Shkodra vdiq në një aksident trafiku më 21 shkurt 2010 afër Vjenës, derisa ishte në rrugë me autobus nga Kosova për në Gjermani. Policia austriake nuk ka gjetur ndonjë aktivitet kriminal të ndërlidhur me vdekjen e tij”, thuhet në aktakuzë. 

Transkript i sms-ve, 20 maj 2009:

[Mehmet Shkodra]: “Përshëndetje, nëse mirëmbajtja verore nuk anulohet, do të publikoj gjithçka të hënën”.

[Qemajl Mustafa]: “Do ta dëmtosh më shumë veten se Limajn”. “O burrë, mos e ekzagjero, do të bëhet më mirë. E vetmja gjë që mund të bësh është të dëmtosh punën tënde dhe PDK-në. E di që ke bërë disa investime, edhe unë kam investuar 100 mijë kesh dhe i kam humbur. Ditën e mirë shok”
[Mehmet Shkodra]: “A po di që kjo punë është thyer. Fatmiri e dinte këtë dhe ai nuk qëndroi prapa premtimit të dhënë. Ky njeri nuk shqetësohet as për partinë as për askënd. Vetëm për përfitim personal ai e la respektin anash, votat dhe çdo gjë që kemi bërë për të. Gjithkush po punon këto ditë e ne po rrimë”.

[Qemajl Mustafa]: “Vetëm me durim dhe në komunë do të arrijmë të shkojmë përpara vetë”.

[Mehmet Shkodra]: "Fatmiri, Nexhat Krasniqi dhe … dinin për këtë punë dhe ata tash s’mund të ankohen”. 

[Mehmet Shkodra]: "Shpresoj që në jetën tjetër gjërat do të jenë më mirë; ka marrë fund në këtë.”

[Qemajl Mustafa]: “Jo, Mehmet mos u dorëzo… jeta është e gjatë.”

Mehmet Shkodra]: “Ask IZ, ai do të tregojë më mirë.”

[Qemajl Mustafa]: “Cili IZ? Çka ka të bëjë ai me këtë punë? Mos vet….a IZ po e bën këtë punë? A e dëgjoi atë duke kërkuar ryshfet”

[Mehmet Shkodra]: “Pse po bën hajgare? Ti je i vetëdijshëm për këtë, por të gjitha do t’i zbulosh prej të hënës.”

[Qemajl Mustafa]: “Nuk e di, mik, pse ke folë me IZ për këtë?”

[Mehmet Shkodra]: “Kjo punë i ishte dhënë Talit në janar këtë vit, dhe çdo gjë që Fatmiri po thoshte në takimet tona qenë rrena”.

[Qemajl Mustafa]: “Merre shtruar. A do të vish për ngushëllime tek Fatmiri të shtunën?”

[Mehmet Shkodra]: “Meka pushoftë në paqe, është shumë keq por s’mund të vij”.

[Qemaijl Mustafa]: “Shihemi njeri”

Borxhet, blerjet e tokave, armët

Demir Limaj kishte të ardhura shumë të vogla dhe obligime të mëdha për të paguar kreditë në banka mes 2008-tës dhe 2010-tës, që ai i mori për të blerë prona. 

Sipas aktakuzës, edhe pse Demir Limaj ishte financiarisht i paaftë për të dhënë hua, ai mori pagesa për “kthime borxhesh” dhe “transfer” secila nga 20,000 euro si dhe shumën 9,950 euro si 
"Pagesa për plotësim të obligimeve". 

“Mund të konkludohet se dhënia e borxheve ishte kryer përmes mjeteve të ryshfetit që Fatmir Limaj merrte”.

 Ne do të deponojmë 20 për qind të shumës totale në avanc, dhe ti do të na japësh neve këtë shumë”, Nexhat Krasniqi.

“Florim Limaj jepte shuma të konsiderueshme për persona të ndryshëm që kërkonin para dhe dhurata”, vazhdon aktakuza. 

Më 2009 dhe 2010 ishin paguar 70.136,05 për Spitalin e Përgjithshëm dhe Golden Cross Hospital në Vjenë, Austri, për shërimin e gruas së ndjerë të Limajt. “Nga ato 36.555 nuk kanë kontra-hyrje në xhirollogaritë e deklaruara kosovare nga Florim Limaj, Zahirje Limaj, Demir Limaj, Durim Limaj ose Fatmir Limaj. As pronësia e atij keshi nuk ishte deklaruar zyrtarisht nga Fatmir Limaj dhe Demir Limaj në AKK”.

Më 2010, sapo avokati Kharim Kahn kishte filluar ta mbronte, Limaj kishte paguar përmes xhirollogarisë së tij 17 mijë euro. Ky ishte 65 për qind e mjeteve të tij të deklaruara zyrtarisht. 

“Më 6 dhjetor 2011, Demir Limaj transferoi 316 900 euro si dhe më 24 janar 2012 edhe 120 000 të tjera në llogarinë e Karim Khanit në Holandë. Ato kanë ardhur nga disa shitje të dyshimta të tokës më 2011”, thuhet në aktakuzë. 

Fatmir Limaj, po ashtu, sipas aktakuzës nuk kishte leje për një pistoletë 9mm si dhe një revole 22 LR Mini. Të dyja i ishin konfiskuar më 28 prill 2010. 

Paratë e padeklaruara të fushatës

Më 18 tetor 2007, Ibrahim Mislimi, pronari i kompanisë gjermane BIBO (Baugesellschaft) GmbH, me bazë në Fliederweg 6 në Barsbüttel, Gjermani, kishte dhënë donacion prej 5 mijë eurosh si kontribut kampanje për Fatmir Limajn. 

“Paratë ishin pranuar nga Fatmir Limaj në llogarinë e tij bankare, në pro-credit, më 22 tetor 2007. Njoftimi për transfer lexon ‘për kampanjë’”, thuhet në aktakuzë. 

Donacioni ishte bërë nga Ibrahim Mislimi mbi bazën e simpatisë personale.

 Më 6 dhjetor 2011, Demir Limaj transferoi 316 900 euro si dhe më 24 janar 2012 edhe 120 000 të tjera në llogarinë e Karim Khanit në Holandë. Ato kanë ardhur nga disa shitje të dyshimta të tokës më 2011”, thuhet në aktakuzë.

Procedurat e pagesës ishin koordinuar mes Ibrahim Mislimit dhe Endrit Shalës kur Fatmir Limaj kishte vizituar Gjermaninë. Në atë kohë, Endrit Shala vepronte si menaxher i fushatës së Limajt. 

“Përkundër se Fatmir Limaj ishte duke garuar për një pozitë zyrtare në zgjedhjet kosovare të 17 nëntorit 2007, dhe përkundër se kishte pranuar një donacion prej 5 mijë eurosh, ai nuk e deklaroi këtë kontribut tek autoritetet kosovare, gjë që përbën krim”, thotë aktakuza.

 “Askush i familjes s’ishte i përfshirë në çështjet e MTPT-së”

Në intervistat e tij në prokurori, ish-ministri Fatmir Limaj ndër të tjera kishte mohuar se ishte takuar me ndonjë kompani gjatë procesit të tenderimit. 

Limaj po ashtu kishte thënë se anëtarët e familjes së tij nuk ishin përfshirë asnjëherë në çështjet e ministrisë. 

Sa i përket Mehmet Shkodrës, Limaj kishte thënë: “Ai kurrë nuk mori tender prej nesh, dhe pastaj është tipike për shqiptarët të flasin në publik. Kurrë nuk i kam premtuar as atij as askujt tjetër diçka”.

Në lidhje me armët, ai kishte thënë se kishte autorizim për një armë tjetër e cila nuk i funksiononte. 

Më 11 shtator 2012, Limaj kishte preferuar të mbrohet i heshtur. Këtë e kishin zgjedhur edhe pesë të pandehurit tjerë. 

Ndërkohë, Nexhat Krasniqi, ish-drejtori i prokurimit në MTPT, kishte thënë se nuk kishte takime me njerëz nga komunat në lidhje me tenderët për rrugë. Më 12 mars 2011, Krasniqi kishte thënë se e kishte njohur Limajn që prej 1992-tës, kohës së studimeve, por konsideronte se nuk mund ta quante Limajn mik. 

Nexhat Krasniqi tha se nuk ishte mik as me Endrit Shalën dhe se kurrë nuk kishte diskutuar tenderët e MTPT-së me Florim Limajn. 

“Nexhat Krasniqi tha se ‘ne’ i takuam kompanitë përpara se të hapej tenderi, respektivisht para se të nënshkruhej sepse ‘do t’u thoshim se ata duhet të sillnin garanci bankare dhe se duhet të përgatisin një draft-kontratë dhe ta nënshkruajnë atë’”.

Më 16 tetor 2012 edhe Krasniqi kishte vendosur të heshtte.

Shënohet Dita Ndërkombëtare e AIDS-it

Organizuar nga Ministria e Shëndetësisë-Komiteti Kosovar për AIDS dhe partnerët, sot në Prishtinë u mbajt një tryezë e rrumbullakët me rastin e Ditës Botërore të AIDS-it, me moton: “Stigma nxit përhapjen e HIV-it”.



Në këtë tryezë të rrumbullakët zyrtarë të MSh-së-Komitetit Kosovar për AIDS, të agjencioneve të KB-së që veprojnë në fushën e shëndetësisë në Kosovë,  të IKSHP-së, shoqwrisw civile, etj.,  diskutuan për përgjigjen adekuate ndaj problemit të HIV/AIDS-it në Kosovë.

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, prof. dr. Ferid Agani tha se Ministria e Shëndetësisë është e përkushtuar bashkë me institucionet e tjera që problematikës së HIV/AIDS-it t’i qaset në mënyrë sa më adekuate dhe gjithëpërfshirëse, duke pasur parasysh pasojat shkatërruese që kjo sëmundje i sjell kudo.

http://www.kryeministri-ks.net/repository/docs/448_Strategjia_e_Kosoves_per_HIV-AIDS_2009-2013.pdf

RRENAT SERBE: Në Serbi qenkan vetëm 5.809 shqiptarë!





Në Serbi jetojnë 7 milionë e 186.862 banorë, ndërsa serbët përbëjnë 83,3 për qind të popullsisë, ose 5.988. 150. Në vendin e dytë janë hungarezët – 253.899 gjë që përbëjnë 3,5 për qind të popullsisë. Pas tyre vijnë romët (147.604) ndërsa boshnjakët janë më pak se ata 2.326. Kroatë në Serbi ka vetëm 57.900, malazezë 38.527 etj.

Sipas shtypit serb, enigma më e madhe janë shqiptarët, të cilët kanë bojkotuar regjistrimin. Por statistikanët serbë thonë se numri i tyre është aq sa janë regjistruar pas thirrjes së shtetit që të marrin pjesë në regjistrim – 5.809. 

Megjithatë shtypi pohon se ky numër nuk pasqyron gjendjen e vërtetë të gjërave, duke marrë për bazë faktin se në regjistrimin e vitit 2002 ka pasur 61.647 shqiptarë në Serbi, ë që atëherë ata përbënin 0,8 për qind të popullsisë.

Mosha mesatare në Serbi është 42,5 vjet. 

Sulmohet me koktej molotovi Ambasada amerikane në Shkup


Një koktej molotovi është hedhur mbrëmë para hyrjes së Ambasadës së SHBA-ve në Shkup.

Policia ka bërë të ditur se sulmuesi është një 37 vjeçar nga Shkupi, i cili është afruar pranë ambasadës dhe se në një distancë prej 20 metrave ka hedhur një shishe me koktej molotovi.

Sulmuesi menjëherë ka ikur në drejtim të panjohur, mirëpo është arrestuar nga njësiti policor “Alfa”, transmeton INa njoftimin. Sipas mediave maqedonase, autori i këtij sulmi ka theksuar në bisedën informative me inspektorët policorë se për sulmin ishte inspiruar duke ndjekur filma.

Ekipet e MPB kanë kryer ekspertizë në vendin e ngjarjes, me ç`rast është konstatuar se kokteji i molotovit ka rënë 15 metra larg hapësirës pranë portës hyrëse të ambasadës dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale.

Akademi komemorative e LDK-s për Gani Azemajn




Pas vdekjes së hershme të Gani Azemajt, sot në prishtinë LDK për të ndjerin mbajti një akademi komemorative. Duke folur për këtë veprimtar të kësaj partie, kryetari i LDK – së Isa Mustafa ndër të tjera tha se Gani Azemi pati një jetë tepër dinamike dhe me plot kthesa. Edhe ikjen nga kjo botë ai e bëri në mënyrë krejt unike, duke i mbyllur sytë për herë të fundit në vigjilje të festës më të madhe të kombit shqiptar. Gani Azemi u lind më 30 korrik 1951 në fshatin Babush i Muhaxhirëve të Komunës së Lipjanit. Përveç studimeve në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, Ganiu studio dhe diplomoi në Akademinë Diplomatike Evropiane, në Institutin Evropian për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Bruksel.

-----------------------------


Nuk la ditë pa punuar për Kosovën ngase ishte idealist që i qëndroi besnik vizionit për këtë vend. Kështu u tha për Gani Azemin në akademinë komemorative për të, organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila u mbajt të premten në Teatrin Kombëtar. Varrimi i të tashmë të ndjerit bëhet të shtunën, në ora 13 e 30 në varrezat e Prishtinës.

Gjatë saj, u tha se me ikjen e tij, Kosova humbi gazetarin, diplomatin dhe zëdhënësin e saj, i cili, dekada me radhë, ishte një zë i Kosovës, i fuqishëm në kryeqytetin e Bashkimit Evropian dhe në selinë e NATO-së në Bruksel, po edhe në Strasburg, në Luksemburg e kudo që ka qenë i pranishëm në veprimtarinë e tij.

Gani Azemi (1951) u lind në fshatin Babush i Muhaxhirëve të Lipjanit. Studioi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, si dhe studio dhe diplomoi në Akademinë Diplomatike Evropiane, në Institutin Evropian për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Bruksel.

Gani Azemi që nga viti 1981 ka qenë i angazhuar në krye të Komitetit Kombëtar të Kosovës për Evropë, me seli në Bruksel, pastaj ka qenë anëtar i Amnesti Internationale dhe i Ligës Belge për të Drejtat e Njeriut, po ashtu me seli në Bruksel. Anëtar fondator i Kryesisë së Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, me seli në Bruksel, Kryetar i Shoqatës Kulturore “Anton Çeta”.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në takim kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i cili dje u shpall i pafajshëm nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës dhe u lirua nga paraburgimi.









Kuvendi i Kosovës, me një mbledhje solemne i dëshiroi mirëseardhjen Ramush Haradinajt, i liruar dje nga Tribunali Ndërkombëtar për krime Lufte në ish- Jugosllavi.

Kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, duke i dëshiruar mirëseardhjen ish-kryeministrit e ish-komandantit të UÇK-së, tha se me shembullin e Haradinajt u konfirmua lufta e drejtë dhe e pastër e UÇK-së. Kryetari Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi shprehu bindjen se i pafajshëm do të shpallet edhe Fatmir Limaj me shokë, të arrestuar kohë me parë në Prishtinë.

Ramush Haadinaj falënderoi deputetë dhe qeveritarët për respektin dhe shtoi se ndihet i mirë pas pafajësisë së shpallur dje nga Gjykata e Hagës. Ai falënderoi të gjithë ata që kanë bashkëndjerë vuajtjet e tij dhe të shokëve të tij në Hagë. Pastaj paraqiti pikëpamjet për ekonominë e politikën në vend dhe sfidat që e presin si aktor të politikës në ditët në vijim.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme, përveç caktimit të datës dhe të rendit të ditës për mbledhjen e ardhshme të legjislativit, po shqyrton edhe kërkesën e Grupit parlamentar të AAK-së për mbajtjen një seance të veçantë solemne me të cilën do të përshëndetej lirimi i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj nga Tribunali i Hagës.

Burime të brendshme i kanë thënë Koha. net se kjo mbledhje do të mbahet sot në orën 14.00.






Duke i shprehur z. Haradinaj urimet më te përzemërta për lirimin e tij e të bashkëluftëtarëve, kryetari Krasniqi e konsideroi vendimin e Gjykatës së Hagës fitore të drejtësisë dhe konfirmim të luftës së drejtë e të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Kryetari i AAK-së, Haradinaj, duke e falënderuar kryeparlamentarin Krasniqi për pritjen dhe organizimin e seancës së sotme solemne, tha se ndihet i nderuar që do t’i drejtohet me një fjalë Kuvendit të Kosovës. 

Ai u interesua për zhvillimet në Kuvend dhe ecurinë e punës së tij.   

Kryeparlamentari Krasniqi e njoftoi kreun e AAK-së me punën dhe të arriturat e legjislativit të vendit, konform funksioneve kushtetuese të tij.

“Jemi përpjekur që shtëpinë e demokracisë t’ua japim të gjithëve, sepse të gjithë kanë hise në të”, u shpreh kryetari i Kuvendit.  

Krerët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë arritur marrëveshje për partneritet qeverisës.


Krerët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë arritur marrëveshje për partneritet qeverisës.

Bisedat që kishin nisur javë më parë janë konkretizuar me ardhjen e Ramush Haradinajt në Prishtinë.

“Brenda dhjetë ditësh finalizohet koalicioni PDK-AAK. Partia e Ramush Haradinaj do të marrë poste të rëndësishme në Qeveri”, ka treguar një zyrtar i afërt me dy liderët politikë në kushte anonimiteti për “Express”.

Ai nuk ka sqaruar se si do të ndahen postet qeveritare dhe mbi të gjitha kush do të jetë kryeministër - Hashim Thaçi apo Ramush Haradinaj.

“Pajtimi ka ndodhur, për gjëra tjera arrihet pajtim gjatë këtyre ditëve”, ka thënë ai.

LEVIZJA VETEVENDOSJE : Kosova ka rënë në duar të mafiozëve

VV: Kosova ka rënë në duar të mafiozëve

“Nëse është ofenduar dikush, është ofenduar kryetari i Kuvendit të Kosovë", ka thënë Krasniqi.


Krasniqi bë thirrje për kërkim falje publike
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, pas një takimi të Kryesisë së institucionit ligjvënës, ka deklaruar para mediave se pavarësisht asaj se çka është thënë për të në incizimet audio telefonike, ai ndihet mirë.
“Unë e ndjej veten shumë mirë. Mendoj që është koha, që aktorët të cilët dëgjohen duke biseduar ose duke raportuar edhe jashtë jetës institucionale, t’i thonë mendimet e veta. Të paktën, ndoshta është krejt njerëzore që të bëhet një kërkim falje publike pasi që publiku është shqetësuar. Unë, pastaj do ta jap edhe mendimin tim".
Rasti në fjalë ka të bëjë me disa incizime të lëshuara në YouTube, e në të cilat thuhet se janë biseda telefonike të përgjuara ndërmjet shefit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovcit dhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, ministres për integrime evropiane, Vlora Çitaku, ish shefit të Shërbimit Informativ të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryetarit të komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku.


Bisedat e publikuara kanë në thumb mes tjerash kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin, por edhe raportet e brendshme në Partinë Demokratike të Kosovës.
Pas takimit të sotëm të kryesisë së Kuvendit, zoti Krasniqi ka deklaruar po ashtu se ai personalisht nuk ndihet i ofenduar, por i fyer është institucioni që ai udhëheq.
“Nëse është ofenduar dikush, është ofenduar kryetari i Kuvendit të Kosovë", ka thënë Krasniqi.
Ka reaguar edhe ministrja Çitaku, e cila nëpërmjet profilit të saj në rrjetin social Facebook, veprimin e ka quajtur shantazh.
EULEX: Bisedat telefonike nuk janë të 

montuara
Misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se bisedat e incizuara telefonike ndërmjet zyrtarëve të lartë të institucioneve të Kosovës "nuk janë të montuara".
Me anë të një deklarate me shkrim, EULEX e ka cilësuar publikimin e bisedave si "çështje serioze dhe shkelje të rëndë të procedurave gjyqësore".
“Rrjedhja e materialit konfidencial është një çështje serioze dhe një shkelje e rëndë e besimit që lidhet me procedurat e një rasti gjyqësor që është në vazhdim e sipër. Siç kërkohet proceduralisht, materiali lidhur me këto procedime ishte dorëzuar nga prokurorët e EULEX-it tek mbrojtja si dhe në gjykatë".
"Materiali më pastaj është shfaqur në publik. Sa i përket prokurorëve të EULEX-it, ata kanë vepruar në mënyrë të ligjshme, korrekte, dhe në bazë të ligjit. Është për të ardhur keq që disa palë kanë lëshuar për publikim këtë material”, thuhet në deklaratën e EULEX-it.
Autorët e kësaj shkeljeje megjithatë nuk dihen. Prokurorët vendorë gjithashtu nuk janë deklaruar ende.



Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se përgjimet të cilat janë bërë, tregojnë se në Kosovë për fat të keq çdo njeri mund të përgjohet. Ai tha se për këtë duhet të japin përgjigje EULEX-i dhe Qeveria.

 “Çdo njeri mund të përgjohet, edhe kur se ke privatësinë edhe si ke kushtet që ta ruash pozitën zyrtare. Është mirë që edhe EULEX-i edhe Qeveria të japin përgjigje për këtë”, raporton rtk. “ Për neve është mjaft shqetësuese, shqetësues është fakti i gjuhës që përdoret dhe shqetësues është fakti i përgjimit. Në si LDK kemi dhënë për një kohë të gjatë vërejtjet tona se ne po zhvillojmë një shtet policor në Kosovë”, theksoi Mustafa.

Reagimi i qeverisë
Qeveria e Kosovës e ka dënuar ashpër publikimin e këtyre incizimeve, duke i cilësuar ato si "të fabrikuara" dhe duke kërkuar me "urgjencë nga organet kompetente të Republikës së Kosovës dhe të EULEX-it ndriçimin e këtij akti skandaloz dhe kundërligjor".











Në komunikatën e qeverisë, ky veprim madje cilësohet si "përpjekje e drejtpërdrejtë e mekanizmave të caktuar vendorë dhe disa ndërkombëtarëve, për të shantazhuar dhe sabotuar bartësit institucional dhe funksionimin normal të institucioneve tona shtetërore".

E SHKRUAN ME GJAK HISTORINË E DARDANISË FENIKSAT E LIRISË :ISMET QORRAJ,AGIM KUKLECI,MUJË MEHMETAJ,DHE SALI HADËRGJONAJ NGA DECANI

          Kërko brenda në imazh                    Shkruan: Akademik Prof.Dr.Flori Bruqi , PHD.  Në historinë më të re të Kosovës përmenden...