Kush bashkëpunon me mediet nga sektori i drejtësisë, qoftë ai prokuror apo gjykatës, i përgjohet telefoni. Kështu u raportua ditë më parë në mediat e shkruara në vend. Madje u tha se për këtë është nxjerr edhe një vendim me të cilin u ndalohet prokurorëve dhe gjyqtarëve që të bashkëpunojnë me mediat edhe dhjetë vite pasi ta lënë detyrën.
Këto shkrime kanë ngjallur frikë të burimet e informacionit. Por, një informatë e tillë del të jetë jo e vërtetë. S’ka përgjime të prokurorëve as gjyqtarëve.
Indeksonline ka kontaktuar me Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe me Prokuroritë e vendit, të cilët kanë mbetur të habitur me një artikull që është publikuar në njërën prej të përditshmeve tona.
Aishe Qorraj – Berisha, zëdhënëse e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ka deklaruar për Indeksonline se Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk ka lëshuar asnjë urdhër për askënd dhe se nuk ka fare dijeni për përgjime të tilla.
Po ashtu, prokurori i shtetit nuk ka informatë se është kryer ndonjë përgjim i paligjshëm pa urdhër të prokurorit apo gjykatës.
Liridonë Kozmaqi- Hajdaraj, zëdhënëse e Prokurorisë së Kosovës, ka deklaruar se, Prokuroria nuk autorizon dhe as nuk e bën përgjimin e telefonave.
“Prokurorët e Shtetit nuk kanë dhënë asnjë urdhër për përgjimin e ndonjë zyrtari të sistemit prokurorial apo sistemit gjyqësor që ka bashkëpunuar me mediat”, ka deklaruar ajo.
Përgjimin e telefonit, masë kjo e fshehte teknike e hetimit dhe vëzhgimit, një prokuror i shtetit mund ta urdhëroj vetëm në raste të ngutshme, kur pritja e urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake do të rrezikonte sigurinë e hetimeve ose jetën dhe sigurinë e të dëmtuarit, dëshmitarit, informatorit ose anëtarëve të familjes së tyre.
“Urdhrin e përgjimit të telefonit e lëshon vetëm gjyqtari i procedurës paraprake në kërkesë të prokurorit. Asnjë prokuror i shtetit nuk ka paraqitur kërkesë për përgjimin e telefonit të ndonjë zyrtari të sistemit prokurorial e as gjyqësor sepse ai bashkëpunon me mediat”, ka thënë Kozmaqi- Hajdaraj.
Nga dita e publikimit të një artikulli i thirrur në burime anonime, gazetarët po e kanë më të vështirë të arrijnë deri të informata.