2012-12-01

Çudi! Një grek flet për “miqësi” me Shqipërinë!


Eshref Ymeri


Çudi! Një grek flet për “miqësi”
me Shqipërinë!

Me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, Kryeministri Berisha deklaroi në Vlorë se në vitin 1912, burrat e shquar shqiptarë, me në krye Ismail Qemalin, shpallën pavarësinë e vendit për mbarë trojet tona etnike, që nga Preveza në Preshevë dhe që nga Shkupi në Podgoricë.
       Pas kësaj deklarate, vjen reagimi i menjëhershëm i ministrit të jashtëm grek Avramopulos, i cili anuloi vizitën e tij në Tiranë. Nga Athina ai deklaroi:
       “Deklarata si këto nuk kontribuojnë në krijimin  e një klime të miqësisë, besimit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes dy vendeve…” (Citohet sipas informacionit të zonjës Anila Jole nga Athina, të botuar në faqen e internetit BalkanWeb me titull “Deklarata e Berishës, Avramopulos anulon vizitën në Tiranë”, 28 nëntor 2012).  
       Një deklaratë e çuditshme kjo e ministrit të jashtëm grek, i cili, së vërtetës që tha Kryeministri Berisha, i trembet si djalli vetëtimës. Nuk e kuptoj se për çfarë “miqësie” e ka fjalën ky ministri Avramopulos, aq më tepër kur dihet që shteti grek, që prej themelimit të tij e deri në ditët e sotme, asnjëherë nuk e ka pasur në rendin e ditës “miqësinë” me kombin shqiptar. Përkundrazi, në rendin e ditës vazhdimisht ka pasur armiqësinë dhe sendërtimin e saj përmes pabesisë, shpifjeve, mashtrimit dhe hipokrizisë ndaj kombit shqiptar, tipare këto, të cilat përbëjnë themelet e kodit moral grek.
Këtu nuk është nevoja të ndalem aspak në krimet e shtetit shovinist grek dhe të kishës shoviniste greke kundër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, kur na helmoi pionierët e saj, si Naum Veqilharxhin, Anastas Kulluriotin, Papa Kristo Negovanin, Petro Nini Luarasin dhe na vrau shumë të tjerë. Këtu, me fakte, do të përmend vetëm disa nga çastet më të vështira që ka përjetuar kombi shqiptar në historinë e vet, pas shpalljes së pavarësisë, kur Greqia, si shtet fqinj, paçka se nuk na ka dashur kurrë, të paktën duhej të tregohej korrekte me ne. Ajo mund edhe të mos e ndihmonte Shqipërinë për kapërcimin e situatave të vështira, madje të rrezikshme, që ia ka imponuar shovinizmi evropian i Fuqive të Mëdha, i cili, për interesin e ortodoksisë sllavo-greke, është munduar ta zhdukë fare Shqipërinë nga harta e Evropës. Shqipëria Londineze duhet t’u jetë mirënjohëse vetëm armëve të veta dhe SHBA për mbijetesën e saj.
Këtu poshtë do të rendis disa fakte konkrete që m’u desh t’i qëmtoj me kujdes nga disa burime dhe kryesisht nga dy vepra shkencore (gjithsej 1 000 faqe) të  historianit të shquar Prof.dr. Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë. Vepra e parë titullohet: “Tensioni greko-shqiptar. 1939-1949” (Shtëpia Botuese “GEER”. Tiranë, 2002), kurse vepra e dytë mban titullin: “Shqipëria dhe Greqia. 1949-1990. Paqja e vështirë” (Shtëpia Botuese “Koçi”. Tiranë, 2004).
 Pra, Greqia të mbante, së paku, një qëndrim asnjanës ndaj vendit tonë dhe të na linte t’i përballonim vetë fatkeqësitë tona. Jo! Përkundrazi! Greqia, pikërisht atëherë kur vendi ynë përpëlitej për të mbijetuar në kulmin e fatkeqësive që e kishin pllakosur, është turrur për ta gllabëruar pabesisht, pikërisht si nepërka që rri strukur në pusi, në pritje të presë së vetë. Le t’i shikojmë ca faktet me radhë.
Së pari, disa ditë pas shpalljes së pavarësisë, shteti shovinist grek, tamam si bandit, dërgoi në ujërat e Gjirit të Vlorës kanonieret e veta dhe filloi bombardimin e qytetit, duke prerë, në të njëjtën kohë, edhe kabllon e lidhjes telegrafike me Italinë (Eqrem bej Vlora. Kujtime, 2, f.18, 21-22).
 Së dyti, në vitin 1913,  kur populli shqiptar, ende i paorganizuar mirë në një shtet të centralizuar, për shkak të pazareve që po bënin Fuqitë e Mëdha në Londër për copëtimin e trojeve tona etnike, shteti shovinist grek shfrytëzoi pabesisht rastin për të kryer barbarizma në Shqipërinë e jugut. Ja se çfarë shkruan Faik Konica për ato çaste tragjike në një letër që u dërgonte nacionalistëve Dervish Duma dhe Andon Logoreci, më 6 dhjetor 1940:
“Nuk do t’ju mërzis duke iu referuar historisë së shkuar, për t’ju treguar se çfarë i ka bërë Greqia Shqipërisë Jugore.., që do t’ju rifreskojë kujtesën rreth barbarizmave greke të vitit 1913: vrasje të shumta, djegie sistematike, përdhunime pa numër, madje edhe vajzash nën 15 vjeç”  (vëllimi 4, f.276-277).
Së treti, me fillimin e Luftës I Botërore, shteti shovinist grek organizoi pabesisht në Jug të Shqipërisë të ashtuquajturën “lëvizje popullore” dhe formoi “Qeverinë Autonome Vorio-Epirote”, me qëllim që, në kundërshtim me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të 11-12 gushtit 1913 për përcaktimin e kufijve jugorë dhe juglindorë të Shqipërisë (edhe pse Greqisë i ishte aneksuar një ndër “thelat më të majme” të trojeve shqiptare - Çamëria), të realizonte aneksimin e “Epirit të Veriut”. “Kjo formë qeverie ishte ngrehur nga qeveria greke, vënë në veprim prej saj, e paguar prej saj, e përkrahur politikisht dhe ushtarakisht prej saj” (Sejfi Vllamasi. “Ballafaqime politike në Shqipëri. 1897-1942”, f.73).  Dhe “ndërkaq “bandat vorio-epirote” (8070 ushtarë grekë dhe vullnetarë kretanë, së bashku me oficerët e tyre të liruar nga ushtria e rregullt) kryen masakra të tilla të turpshme, që mund të krahasohen mbase vetëm me mizoritë e hunëve, siç tregojnë kronikat e Mesjetës” (Eqrem bej Vlora, po aty, f.39). Madje ushtria greke, në kulmin e Luftës I Botërore, e ripushtoi Shqipërinë e Jugut “dhe në mars rë vitit 1916 Greqia e shpalli, me dekret mbretëror, aneksimin e saj…” (Tensioni greko-shqiptar…, f.20).
Së katërti, pas Luftës I Botërore, në Konferencën e Paqes në Paris, kur Fuqitë e Mëdha përsëri po diskutonin për copëtimin përfundimtar të Shqipërisë mes ortodoksisë sllavo-greke, gjë që s’u realizua falë ndërhyrjes së presidentit amerikan, Uillson, kryeministri shovinist grek, Venizellosi, “u përpoq me të gjitha forcat të fitonte bekimin për realizimin e ambicieve territoriale në kurriz të Shqipërisë. Më 13 shkurt 1919 ai i kërkoi Konferencës aneksimin e Shqipërisë së Jugut nga Greqia” ( po aty, f. 22).
 Për realizimin e qëllimeve të veta aneksioniste ndaj Shqipërisë së Jugut, pikërisht në çastet e luftës për mbijetesë të kombit shqiptar, shteti shovinist grek ka vënë në funksionim edhe mekanizmin e shpifjes, e cila në Greqi është një “shkencë” me arritje shumë të shënuara. Falsifikimi i së vërtetës, mashtrimi dhe shpifja kanë qenë dhe mbeten tipare karakteristike të kodit moral të diplomacisa greke. Zhan Zhak Ruso thotë:
“Të gënjesh vetveten për përfitime personale do të thotë të bësh një falsifikim, të gënjesh për një tjetër njeri do të thotë të mashtrosh, kurse të gënjesh me qëllim që të dëmtosh dikë do të thotë të merresh me shpifje”.
 Dhe shovinizmi grekomadh ka shpifur pikërisht për ta dëmtuar kombin shqiptar. Kështu, Faik Konica, në një letër që i dërgonte Fan Nolit më 26 gusht 1940, e njoftonte si më poshtë:
“… po ju komunikoj juve një lajm me rëndësi, nga një burim diplomatik grek i sigurt: Greqia ka përgatitur një memorandë për Konferencën e Paqes, ku do të provojë se Shqipëria është bërë një vatër panislamike dhe një sukursalë e Mustafa Qemalit” (vëll.4, f.218).
 Pra, diplomacia greke, për të “shpëtuar” Evropën nga “krijimi” i një vatre “panislamike” shqiptare, kërkonte që Shqipërinë ta fuste në “gjirin” e ortodoksisë greke. Gjynah që s’ia dëgjoi fjalën presidenti Uillson! Greqia për “të mirën” e krishtërimit evropian “po përpiqej”!
Në një informacion të ambasadës sonë nga Moska për Behar Shtyllën, datë 8 tetor 1956, thuhej:
“MPJ e Bashkimit Sovjetik i ushqeu shpresat e udhëheqjes shqiptare se mundësitë për vendosjen e marrëdhënieve me Greqinë ishin reale. Ajo njoftoi ambasadorin shqiptar në Moskë, se nga bisedimet me deputetët grekë dhe me të dërguarin special të qeverisë greke, kishte arritur në konkluzionin që tani Greqia dëshironte të përmirësonte marrëdhëniet me Shqipërinë, porse ajo gjente kundërshtim nga amerikanët” (Shqipëria dhe Greqia…, f.125).
Një shpifje tipike greke kjo, sa e poshtër, aq edhe cinike, që kishte si qëllim pikërisht armiqësimin edhe më shumë të Shqipërisë me SHBA. Po si qëndronte e vërteta? SHB vazhdimisht kanë qenë për normalizimin e marrëdhënieve të Greqisë me Shqipërinë, jo vetëm sapo mbaroi lufta civile atje, por edhe në vijim, deri sa ato u vendosën faktikisht më 6 maj 1971. Le t’u drejtohemi fakteve që hedhin poshtë shpifjet e ulëta greke: “Ambasadori amerikan (në Beograd më 1949 - E.Y.) Kanon pohonte:
“Ne do të presim që zhvillime të tilla të bëjnë të mundur marrëdhënie të mira të Shqipërisë me Greqinë… dhe ta orientojmë Shqipërinë nga Perëndimi” (Tensioni greko-shqiptar…, f.625).
Ja edhe një tjetër fakt i vitit 1963, që hedh poshtë shpifjen greke:
“Me qëllim që Shqipëria të hapej drejt Perëndimit, amerikanët e mirëprisnin një dialog të saj me vendet perëndimore. SHBA dëshironin marrëdhënie të reja tregtare dhe, gradualisht, të zgjeronin njohjen diplomatike të Shqipërisë, duke pasur parasysh që kjo njohje të bëhej edhe nga Greqia” (Shqipëria dhe Greqia…, f.197).
Ja edhe një fakt i tretë i vitit 1966:
 “Qeveria amerikane e konsideronte çështjen e vendosjes së marrëdhënieve me Shqipërinë si një vendim, që duhej ta merrtë vetë qeveria greke, në bazë të interesave të saj dhe se qeveria greke ishte në gjendje të gjykonte për perspektivat dhe rrjedhojat më mirë se Vashingtoni. Qeveria e SHBA, as në të shkuarën, dhe as në të ardhmen, nuk kishte kundërshtuar dhe nuk do të kundërshtonte përpjekjet e qeverisë greke për të hequr gjendjen e luftës dhe për të vendosur marrëdhëniet diplomatike” (po aty, f.200).
Ja edhe një tjetër shpifje e vitit 1966 kundër Shqipërisë nga arsenali i shpifografisë greke, që kishte për qëllim armiqësimin e Evropës me Shqipërinë, një shpifje e fëlliqur kjo, që mbështetej edhe nga Moska, “mikja” e deridjeshme e popullit shqiptar:
“Ndërsa Tirana po përsëriste ofertat për normalizimin e marrëdhënieve, shtypi grek ngriti në këmbë opinionin vendas mbi rrezikun që i kanosej Greqisë dhe Evropës nga instalimi i raketave kineze në territorin shqiptar… Ajo (Shqipëria - E.Y.) u krahasua me rrezikun që paraqiste Kuba për SHBA. Gazeta “Eleftheros Kosmos” theksonte se… ekzistonte mundësia që Kina komuniste të kërcënonte Evropën nëpërmjet Shqipërisë në të ardhmen… Pikërisht në këtë kohë, edhe Agjencia Sovjetike e lajmeve njoftoi se Shqipëria po ndërtonte një bazë raketash bërthamore me ndihmën kineze, rrezja e të cilave mbulonte gjithë zonën e Evropës” (po aty, f.204-205).
Si gjithmonë, edhe këtë herë diplomacia amerikane doli në mbrojtje të Shqipërisë:
“… Departamenti i Shtetit e vuri në dyshim vlerën e këtyre informacioneve sepse: nuk kishte të dhëna që kinezët të kishin aftësi për ndërtimin e një baze të tillë; nuk kishin arsye të dukshme që të ndërtonin një bazë të tillë në Evropë dhe sepse as shqiptarët as kinezët nuk mund të fitonin ndonjë gjë duke ndërtuar një bazë të tillë. Madje, përkundrazi, në rastin e ndonjë krize, ekzistenca e një baze të tillë do ta shndërronte Shqipërinë në një objekt primar goditjeje” (po aty, f.205).
Pas shembjes së komunizmit,   në vitet 90-të të shekullit të kaluar, një tjetër pinjoll i shovinizmit grekomadh, një armik i betuar i kombit shqiptar dhe i kombit turk, një gjeneral ultrashovinist grek me emrin Nikolaos Grilakis, ish-këshilltar i kryeministrit Micitaqis, në një libër me kujtime, të botuar në vitin 2001 me titull: “…zbuloj ngjarjet dramatike të dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të 20-të në Greqi dhe në Ballkan, siç i jetova”, vazhdon të notojë në ujërat e fëlliqura me shpifjet e diplomacisë shoviniste greke dhe të shtetit shovinist grek. Greqia nuk rri dot pa shpifje kundër kombit shqiptar. Në artin e shpifjes ajo gjen ngushëllim për mosrealizimin e objektivave “madhore” të shovinizmit grekomadh - kthimin e trojeve të Perandorisë Bizantine, për trashëgimtare të së cilës e mban veten edhe sot e kësaj dite.
 Ky gjenerali Grilakis shkruan:
 “Personalisht e kisha bërë të qartë  qysh në fillim se isha kundër një mendimi për dhënie ndihme partive të djathta në vendet myslimane, si Shqipëria, me mendimin se partitë e djathta shqiptare do të përfundojnë në serat e kultivimit të shtrirjes turke në Ballkan. Parashikova, gjithashtu, se imamët e Turqisë shumë shpejt do të mbillnin në mendjet ateiste të shqiptarëve hashashin e myslimanizmit me idetë kanceroze të shtrirjes turke në Ballkan” (“Shekulli”, 8 maj 2004, f.3).
I shkreti Grilakis! Megjithëse ishte në shërbim të kabinetit të djathtë të Micotaqisit, atë e paska torturuar dashuria përvëluese për të majtën shqiptare, së cilës, tërthorazi, gjenerali i gjorë  ia zbulon keq ca vende delikate faqe miletit dhe e lë zbuluar, si tradhtare të çështjes kombëtare shqiptare: të majtës shqiptare nuk na i pëlqeka “çallma” myslimane, ajo na qenka e djegur për kamillafin e greko-ortodoksisë!
Në kujtimet e veta gjenerali Grilakis pretendon se kur e ftoi Kryepeshkopi Serafim për të biseduar lidhur me helenizimin e “Vorio-Epirit” pas rënies së komunizmit, ai nuk e vuri në dijeni kryeministrin Micitaqis. Këto përralla gjenerali i zhgënjyer le t’ua shesë atyre grekëve që vuajnë nga trashtina e trurit, jo shqiptarëve. Deklarata shoviniste e Micotaqisit e 14 korrikit 1993 vërteton më së miri se sa “i painformuar” paska qenë ai për veprimtarinë armiqësore kundër Shqipërisë të prapavijave të kabinetit të tij kryeninistror!
Së pesti, pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste dhe fillimit të luftës italo-greke më 28 tetor 1940, shovinizmi grekomadh përsëri iu kthye realizimit të ëndrrës së vjetër për aneksimin e Shqipërisë së Jugut, duke shfrytëzuar pabesisht rastin që vendi ynë e kishte humbur tashmë sovranitetin e vet dhe, si subjekt juridik, figuronte vetëm nën kurorën e Viktor Emanuelit III.
“Duke shfrytëzuar terrenin e thyer dhe organizimin e dobët të sulmit italian, forcat greke e thyen shpejt atë dhe në mesin e nëntorit kaluan në kundërsulm. Më 22 nëntor grekët pushtuan Korçën, më 6 dhjetor Sarandën dhe më 8 dhjetor Gjirokastrën” (Tensioni greko-shqiptar…,  f.50).
Së gjashti, pas prishjes së marrëdhënieve të Jugosllavisë me Shqipërinë në vitin 1948 dhe përfundimit gradual të luftës civile në Greqi, vendi ynë u gjend i rrethuar nga dy shtete armiq. Pikërisht këtë situatë të rrezikshme që po përjetonte Shqipëria shovinizmi grekomadh u mundua ta shfrytëzonte pabesisht. Atij iu nxitën edhe më shumë epshet shoviniste për pushtimin e Shqipërisë së Jugut. “Në fillim të prillit të vitit 1949 qeveria greke i dërgoi një memorandum tjetër Londrës dhe Vashingtonit, i cili sugjeronte dhe argumentonte nevojën e pushtimit të Shqipërisë” (po aty, f.621). Disa muaj më vonë qeveria greke bëri një tjetër kërkesë këmbëngulëse për pushtimin e Shqipërisë. “Në gusht të vitit 1949 u zhvilluan luftimet vendimtare të UKG kundër gueriljeve. Qeveria greke e shtoi presionin ndaj aleatëve perëndimorë që ushtria e saj të lejohej të pushtonte territorin shqiptar” (po aty, f.622).
Së shtati, Greqia shfrytëzoi pabesisht edhe situatën e rrezikshme që u krijua për vendin tonë pas prishjes së marrëdhënieve të Bashkimit Sovjetik me Shqipërinë. “Udhëheqja shqiptare, tani në marrëdhënie krejt të ndryshme me Moskën, e ndiente se ajo po e kërcënonte, duke përkrahur synimet greke ndaj Shqipërisë së Jugut” (Shqipëria dhe Greqia…,  f.166). Synimet shoviniste të shovinizmit grekomadh i kishte përkrahur vetë Hrushovi në takimin që kishte pasur me Sofokli Venizellosin më 5 qershor 1960. Ndërkohë, “perveç deklaratave të hapura të qeveritarëve grekë mbi “Epirin e Veriut”, qeveria e Athinës kishte pyetur qeverinë austriake se cili do të ishte reagimi i saj në rast se Greqia sulmonte ushtarakisht Shqipërinë për të aneksuar Shqipërinë e Jugut” (po aty, f.169-170).
Së teti, me daljen në pah të acarimit të marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën, shovinizmi grekomadh u hodh përsëri në veprime agresive kundër vendit tonë. “Qeveria greke…dha një sinjal tjetër se planet e saj kundrejt Shqipërisë së Jugut nuk ishin arshivuar. Në vitin 1976, në parlamentin grek u aprovua një ligj i ri mbi emigracionin. Ai ishte shtojcë e ligjit të vjetër të Venizellosit, i cili ndalonte dhënien e shtetësisë greke emigrantëve me origjinë nga Shqipëria e Jugut, me synimin që, në rastin e zhvillimit të ndonjë referendumi të mundshëm, ata të votonin pro aneksimit të saj nga Greqia” (po aty, f.300).
Së nënti, në vitin 1990, kriza e regjimit komunist, që ishte në kulmin e saj, ashtu edhe periudha e gjatë e tranzicionit të vështirë,  “e nxitën më tej aktivizimin e lobit grek, sepse ai pa hapësira të reja për të realizuar objektivat e tij të vjetra. Vazhduan përpjekjet e qeverisë dhe të shtetit grek për të mobilizuar dhe nxitur diasporën si një vegël për zbatimin e politikës së saj ndaj Shqipërisë. Madje ajo ka krijuar një përvojë të madhe dhe mekanizma shumë efektive për të realizuar një politikë të tillë” (po aty, f.326).
Përveç organizimit të të gjitha strukturave shtetërore kundër Shqipërisë, shovinizmi grekomadh, në këto kushte, përveç lobit shovinist greko-amerikan, si gjithmonë në historinë e tij, nxiti për veprime të shpejta kishën shoviniste greke për helenizimin e Shqipërisë së Jugut. Gjenerali Grilakis kujton: “…më ftoi Kryepeshkopi i Greqisë, Serafimi, për të shkëmbyer pikëpamje rreth çështjeve të helenizimit të Vorio-Epirit pas rënies së komunizmit. E pranova me kënaqësi…” (“Shekulli”, 9 maj 2004, f.3).
Pikërisht në kohën e amullisë politike dhe të varfërisë së skajshme që kishte pllakosur vendin tonë, shovinizmi grekomadh, si gjithmonë me pabesinë që e ka karakterizuar, harton “Planin Lotos”, në themel të strategjisë së të cilit qëndronte çlirimi i “Epirit të Veriut” nga “sundimi shqiptar”. Me hollësitë e këtij Plani lexuesi është njohur në fjalën e Kryetarit të SHIK-ut, zotit Bashkim Gazidede, të mbajtur në Kuvendin popullor në pranverën e vitit 1997 dhe të botuar në gazetën “Albania” më 4 mars 2004.
Së dhjeti, rënien e firmave piramidale dhe  tragjedinë që shkaktuan neokomunistët socialistë në Shqipërinë e Jugut, të përkrahur tërësisht nga shteti shovinist grek, në bashkëpunim më tradhtarë shqiptarë, që sot ndodhen në opozitë, shovinizmi grekomadh u mundua ta shfrytëzonte pabesisht për të futur trupat e veta pushtuese në Shqipërinë e jugut. Në emisionin “Shqip” të gazetares Rudina Xhunga, të transmetuar në TV “Top channel” më 18 mars 2004, Prof.Sherif Delvina deklaroi:
“Më 1997 Greqia, përmes zonjës Ollbrait (Allbright), u kërkoi SHBA që të fuste trupat e veta në Shqipërinë e Jugut, por zonja Ollbrait u tha: “Po ç’do të bëjë Turqia? Do t’ju bjerë nga pas”. Dhe Greqia nuk u fut në Shqipëri”.
Ja, kjo ka qenë dhe e tillë vazhdon të mbetet fytyra e vërtetë e shtetit shovinist grek, i  cili e ka manifestuar me fakte armiqësinë e egër ndaj Shqipërisë, sa herë që kësaj i është dashur të përjetojë çaste kthesash vendimtare dhe situata të rrezikshme në historinë e saj të vështirë që prej shpalljes së pavarësisë.
Këtu nuk po ndalem në presionet prej “zonje hijerëndë” që Greqia i ka bërë Shqipërisë për të zhvatur prej saj lëshime pas lëshimesh (siç edhe i ka zhvatur konkretisht falë servilizmit të pështirë të klasës sonë politike, lëshime këto që do të na kushtojnë shumë shtrejtë), duke kërcënuar me mosfirmosjen prej saj për pranimin e vendit tonë në struktura të ndryshe të Bashkimit Evropian. Këto presione përbëjnë një tjetër faqe turpi të Athinës zyrtare në qëndrimin ndaj kombit shqiptar.
Pikërisht ca fakte të pakta që radhita më lart rreth qëndrimit të kristalizuar armiqësor të shtetit shovinist grek ndaj vendit tonë në vazhdimësi, më bënë të befasohesha kur u njoha me deklaratën e ministrit Avramopulos, në të cilën përmendi fjalën “miqësi” në raport me vendin tone, fjalë kjo që zbulon fare qartë hipokrizinë tipike greke.

Santa Barbara, Kaliforni/30 nëntor 2012













Santa Barbara, Kaliforni
30 nëntor 2012

Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...