Libri “TË TJERËT PËR VEPRËN LETRARE TË ISAK AHMETIT ose letërsia ndryshe e tij”, përgatitur nga Sarë Gjergji dhe Zef Ahmeti, është një vepër monumentale për krijimtarinë letrare e jetësore të një autori. Isak Ahmeti ka arsye të ndjehet i nderuar me publikimin më të kompletuar të mendimit kritik, përkitazi me krijimtarinë e tij letrare.
Ky libër për lexuesin sjell një diversitet vlerash, opinione e kritika të cilat janë shkruar në kontekste të caktuara kohore, dhe të botuara nëpër gazeta e revista të ndryshme. Sido qoftë lexuesit i afrohet një material i përmbledhur kritik, si të themi një kronologji kritike e cila dëshmon përparimet e autorit në fushën e librit dhe të shkrimit letrar.
Por, kështu siç është, ky material kritik nuk le mundësi për të folur për ndonjë soj a rrymë të kritikës letrare, por bënë për të kuptuar se autorët në mënyra vetanake sikur kanë transplantuar mendime e ide të shprehura në formë të recensioneve, në formë të mendimit kritik më të përparuar a të një lloj studimi, por të shkruara e publikuara në përvijim kohësh, e që deri më tani kanë qenë të shkapërderdhura nëpër shtypin e kohës. E, tani të publikuara në një libër të këtij lloji (të paktën për Isak Ahmetin), shënon risi, por edhe duke i përballur opinionet njërin me tjetrin, sikur kanë futur në spikamë vlerën, kurse lexuesit me këtë mënyrë ia mundësojnë për të kuptuar më mirë qasjet e kritikës që janë bërë në rrethana dhe kohëra të tjera.
Pavarësisht nga kjo sorollatje, (ndoshta pa lidhje?!), ne “po shënojmë daljen nga shtypi të një libri me interes”, sidomos për kundruesit e kritikës letrare dhe më gjerë, sepse krijimtaria letrare dhe ajo studimore e Isak Ahmetit “me kohë ka zgjuar interesim te lexuesit dhe studiuesit, veçanërisht te kritika letrare”, ka potencuar Zef Ahmeti, tek shënimi “hyrje”, përkitazi me shënimet e përmbledhura në librin: “TË TJERËT PËR VEPRËN LETRARE TË ISAK AHMETIT”.
Shikuar në përgjithësi libri, edhe kështu siç është, sjell një vlerë universale, që nuk mund t’i shmangemi konstatimit se autori me krijimet e tij “ka qenë mjaftë shpesh pikë e fortë referimi, objekt observimi dhe analize nga studiues të shumtë”, ose siç mendon Sarë Gjergji: “Isak Ahmeti preku ato fusha të artit e të kulturës sonë ku kishte mungesë studimesh duke u bërë kështu prijës në këtë drejtim”. S’ka dyshim edhe kjo vepër sikurse “vepra e gjithmbarshme letrare e këtij autori është e pasur dhe e veçantë”,sepse ai është marrë e ka trajtuar segmente të veçanta, madje fare të pa hulumtuara të studimeve letrare, duke u bërë një emër jo vetëm i dalluar, por edhe mjaftë i pranuar në fushën e studimeve letrare.
Këtë mendim të shprehur më parë, jo vetëm që e plotëson por e ka trajtuar me mjaft sukses Zef Ahmeti në shkrimin: “Isak Ahmeti në optikën studimore të Mentor Qukut për Ndre Mjedën”. Madje sipas këtij shkrimi, e sidomos sipas citimeve që theksohen, lë për të kuptuar se shkrimet kritike të Isak Ahmetit, të publikuara në formë përshtypjesh, recensionesh apo studimesh më të thelluara(edhe sot e kësaj dite), mbetën të shkapërderdhura nëpër shtypin e kohës, dhe me një përkujdesje të vogël qoftë nga vet autori apo nga ndonjë dashamirës i zellshëm i fjalës së tij publike, mund të sajohet e konceptohet edhe një libër tjetër që do ta pasuronte jo vetëm opusin e tij letrar por do të sillte edhe një frymë dashamirësie të këtij autori për librin dhe zhvillimet letrare gjatë viteve dhe periudhave të gjata letrare. Si do qoftë, ne nuk e kem ndërmend të dyshojmë se emri i Isak Ahmetit edhe vetëm me këta libra të publikuar do të zgjon edhe më tej kërshërinë e studiuesve dhe të atyre që letërsinë e kanë vokacion të përhershëm studimi e krijimi.
Shikuar në përgjithësi, libri ndërtohet mbi tre koncepte krijimi: Poezia, përkthimi artistik dhe studimet letrare. Prandaj edhe rruga e Isak Ahmetit nis me publikimet e poezisë, por sipas disa shënimeve kritike mësojmë se ai më parë qe bërë i njohur me përkthime të letërsisë artistike, bile në këtë të fundit sikur kishe bërë emër më të pranuar, ndoshta për vet faktin e mungesës së theksuar të përkthyesve letrar nga letërsitë e mëdha botërore, apo për shkak të vlerave që sillte autori si përkthyes nga italishtja dhe gjermanishtja.
Në fillimet e tija, Isak Ahmeti i ka botuar tre libra me poezi “Gallatea”, 1972, “Uratë zbulimi”,1976 dhe “Kushtimebesë”, 1983. Siç duket, për këta libra sikur është shkruar më me kursime dhe ato shënime kanë mbetur tipar i kohës që u jepte kartë depërtimi autorëve të rinj, të cilët i merrnin hapat e parë drejt krijimit letrar. Sipas këtyre kritikave, në poezinë e Isak Ahmetit “ndihet fryma e spastruar lirike me një ironi të përditshmërisë”, në të cilën “simbolika që del prej episodeve mbi Polifeminë, Gallatenë, Endimionin me të tëra aluzionet e drejtpërdrejta ose të tërthorta”, e bëjnë atë poet i fillimeve të veçanta, kurse “në një drejtim tjetër simbolik, vërehet tendenca për të zgjeruar dhe amplifikuar interesimin tematik”, përkatësisht simbolikën në poezi që e kultivon si “trazime poetike”, duke i avancuar kërkimet me shprehje të reja, dhe në gjetjen e simboleve që kanë personifikuar jetën e autor të mbytur në robëri, ose të lënë anash në një izolim provincial.
Karshi dy kritikave të para (ajo e Mensur Raifit dhe e Ali Aliut), shënimi kritik i Mazllum Sanejes është i një natyre krejtësisht tjetër, ai më tërë qenien emocionale, sikur nuk i ka marrë parasysh ngurtësimet dhe rezervimet e tejdukshme që i kanë bërë për poezinë e librit “Gallatea”,dy folësit e theksuar më parë. Mazllum Saneja mendon se “poezia e Isak Ahmetit është gjuhë e mendjes dhe e arsyes, gjuhë e një filozofie ekzistenciale... poet i një fuqie artistike në verbin e tij poetik dhe shprehjes ekspresive... poeti është ndjekës besnik i traditës së lirikës bashkëkohore intelektuale të perëndimit”. Me një fjalë “Isak Ahmeti është i lidhur ngushtë me shoqërinë, me kohën, me njeriun dhe raportet e tij – në krijimet poetike”, dhe “sipas të gjitha gjasave, në këtë rrugë mbizotëron afiniteti për t’u mbështetur në traditën dhe në shpirtin e truallit të vet”, qoftë ky truall poetik apo edhe etnik.
Sipas Andon Cacit, poezia e Isak Ahmetit, është konsideruar poezi e simboleve e cila paraqet një dinamizëm jetësor të atyre viteve, ose, një “manifestim i shkëlqyer... i një vështrimi të botës e të jetës nëpërmjet luftës së kundërthënieve... duke u mishëruar me kompleksitetin e zhvillimeve... e duke hyrë në poezi me plot shqetësime dhe ngjyra poetike”. Gjithsesi libri i parë është pritur mirë dhe ka zgjuar interesimin e kritikës, prandaj mendojmë se qysh në atë kohë autori “i ka siguruar poetikës së vet freskinë e poezisë, njomësinë e frymëzimit dhe larminë e figuracionit... që i japin asaj frymëmarrje të gjerë”.
Përmbledhja e dytë poetike “Uratë zbulimi”, është cilësuar si “libër që mban një titull biblik, (ku)vërehet tendenca për poezi objektive”, dhe në vazhdim kritiku letrar Ibrahim Rugova thotë se“përmes tri cikleve, sikur sugjerohet procesi i krijimit poetik deduktiv. Po ashtu konkretizohet kuptimi ironik – ironi edhe ndaj mitit të qëndresës, që nuk është e pranishme në poezinë tonë...”.
Ndër shkruesit më të rëndësishëm, për veprën letrare të Isak Ahmetit, pa asnjë dyshim është dhe mbetet kritiku Ramadan Musliu, i cili (të paktën mua kështu më duket!), si asnjë tjetër e ka trajtuar mirë dhe me profesionalizëm krijimtarinë letrare të Isak Ahmetit. Përmes kësaj prurje kritike mund të kuptojmë se kjo vepër duhet “të shihet në rrjedhën e poezisë evropiane, gjithherë ndodh që ta shikojmë në raport me frymën simboliste dhe surrealiste e jo në kontekst të nivelit të sotëm të poezisë”,sepse “poezia e Isak Ahmetit, (edhe ajo) e librit “Kushtimebesë” i imponohet lexuesit për shumë arsye...”,të paktën për frymën e re që ka sjell në kohën kur është botuar. Po më mirë po i referohemi mendimit kritik të Ramadan Musliut i cili shkruan: “Natyrisht se kur themi rezymim, me këtë shprehje nënkuptojmë procedurën e seleksionimit të atyre specifikave më pozitive të poezisë së dy fazave dhe avancimin e këtyre kualiteteve, qoftë si modele të vargut e strofës dhe përgjithësisht të njësive teksture, qoftë si përvoja që janë divergjente në planin e realizimit artistik të vjershës, por homogjene si botëkuptim mbi botën dhe manifestimet e saj”.
Vetëm nga këto konstatime që i shkëputëm nga një mendim më gjithëpërfshirës i kritikut Ramadan Musliu mund të nënkuptojmë se “poezia e Isak Ahmetit është e pasur me trajta të ndryshme shprehëse dhe se këto konstituohen forma të ndryshme, duke filluar nga inversioni i gjymtyrëve, përputhshmëria e idesë së vjershës me idenë që del nga forma grafike, madje po kaq rol të rëndësishëm ka edhe dendësimi i vargut deri në të shprehur gnomatik”.
Padyshim poezia e Isak Ahmetit ka sjellë risi në poezinë shqipe të Kosovës, sado që janë ndruajtur se ndikimi i poezisë moderne Evropiane ka lënë gjurmë te ky autor, pasi siç kemi theksuar edhe diku tjetër, Isak Ahmeti kishte bërë emër edhe si përkthyes letrar nga gjuha italiane dhe ajo gjermane. Ndër risitë e shumta që iu kanë përmendur janë edhe “trajtat shprehëse”, “niveli sintagmatik” dhe “një jokonvencialitet i pazakonshëm”, për kohën kur janë publikuar këto poezi.
Vlera të tjera, qofshin ato të nivelit estetik, apo figurativ janë thënë e përmendur edhe nga krijues, poet e kritik të tjerë të cilët pranojnë se “tonaliteti i saj (poezisë) vihet në shërbim të virtytit, humanizmit dhe flijimit, duke hapur një vizion të dramës jetësore që e përcjell njeriun lirik të saj”, dhe vetëm ky konstatim kulturor bënë që të kuptojmë se “këtë poet e karakterizon fakti dhe tendenca për të bërë eksperimentime me gjuhën poetike”. Padyshim “Isak Ahmeti bën eksperimentime me teknikën surrealiste, hulumton akordet e gjuhës, simbolikën e nocionit”, etj.
***
Ndërsa, veprat studimore të Isak Ahmetit janë cilësuar si “mënyrë studimi i letërsisë (që) lirohet nga kufizimet e mëparshme, (në të cilat) afirmohen vlerat letrare dhe artistike të qëndrueshme ndër shekuj dhe zhvillohet edhe më tutje krijimtaria letrare e shkrimtarëve bashkëkohorë shqiptarë”, për të cilët, jo vetëm që ka pasur botëkuptime sektare, por kanë qenë të anatemuar e të përjashtuar dhe “nuk janë përfshirë më parë në historinë e letërsisë shqiptare”.
E gjithë vepra e Isak Ahmetit, sidomos kjo e natyrës studimore ka për qëllim të dëshmoj se Kosova ka një traditë Evropiane, “një traditë kishtare iliro – dardane më se dymijëvjeçare”. Libri“Kosova” duhej të ishte dokument i rrallë që do t’i shërbente të sotmes Evropiane, a më mirë të themi “për t’i lidhur shqiptarët e Kosovës dhe kulturën e tyre me Perëndimin, me Evropën... (sepse) Isak Ahmeti me fakte e të dhëna konkrete i kundërvihet pseudoshkencës serbe”, duke sjell “një varg të dhënash interesante për trevën e Kosovës dhe krejt këtë e bën sipas burimeve zyrtare të Vatikanit dhe burimeve turke”.
Shikuar sipas këtyre që u thanë, vetvetiu të imponohet ideja se deri më tani Kosova do të duhej të krijonte industrinë e vet të propagandës, sidomos me këta lloj të librave. Kosova përmes kësaj literature duhej të ngulmonte më shumë për mendim Evropian të saj, për vlerën reale të saj. E pse jo të mos shpjegoheshin mirë “rrugët e zhvillimit të letërsisë shqiptare në Kosovë”, kurse Isak Ahmeti, në librin “Kosova”, e bënë këtë. Ai ka sjell dëshmi për identitetin shtetëror të Kosovës “traditën e shkrimit në Kosovë. Autori për herë të parë tek ne shkruan se rrënjët e qytetërimit tonë, pra edhe të letërsisë sonë, janë shumë më të hershëm se ç’ishte pohuar deri tash në të gjitha Historitë e Letërsisë Shqipe”.
Sipas këtyre shkrimeve len të kuptohet se Isak Ahmeti, me studimet e tija të kësaj natyre ka bërë shumë “për t’i lidhur e bashkuar shqiptarët dhe kulturën e tyre me Perëndimin", përkatësisht me Evropën, me truallin gjeografik dhe me lidhjet shpirtërore e tradicionale, historikisht.
Siç thamë edhe diku më lart, Kosova do të duhej që ta krijonte industrinë e vet të propagandës, nëse do të donte t’i shërbente të tashmes dhe të ardhmes evropiane të saj. Vetëm me këtë frymë etike të qasjeve dhe studimeve ne do të mund të konkurronim në Evropën përplot vlera morale etike dhe demokratike që po i kultivon dhe i ka kultivuar për shekuj të tërë. Kosova do të duhej vetëm përmes kësaj literature të ngulmonte për mendimin emancipues demokratik të saj.
Por, Kosova në vend që të mbulohej me këtë lloj të literaturës e cila do t’i shërbente të tashmes dhe të ardhmes së saj, ajo sikur pa dashje u mbulua me një literaturë dhe ndikim frenues për të tashmen, bile nesër hala, do t’i hakmerret të ardhmes së saj.
Jo vetëm libri “Kosova” (1996), por edhe studimet tjera, a librat e shumtë të këtij autori siç janë:“Kleri katolik shqiptar dhe letërsia” (1994), “Bibla në letërsinë shqiptare” (1999), “Letërsia kishtare dhe filozofia e saj” (2000), apo studimi “Kurani në letërsinë shqiptare” (2006), janë“studime interesante, në të cilat ndriçohen çështje të rëndësishme shkencore”, prandaj mendojmë se Isak Ahmeti jo “për të parën herë ka marrë në shqyrtim tema vërtetë komplekse”.
Në përfundim të këtij leximi profesional për veprën letrare: “TË TJERËT PËR VEPRËN LETRARE TË ISAK AHMETIT”, mendojmë se libri përveç që ka qit në pah një diversitet konceptesh e trajtesash letrare, qofshin ato kritike, recensione apo studime më të thelluara, (kështu siç janë prezantuar brenda këtij libri), qet në pah manit e një kohe e cila si duket po reflekton edhe në të tashmen e shkrimeve letrare:
1. Autori sikur ka paguar tagrin e të qenit përkthyes letrar nga gjuhët italiane dhe gjermane. Pasi në fillimet e tija, jo pak iu kanë theksuar ndikimet e këtyre letërsive, pa iu pranuar sa duhet vlera krijuese e tij, si poet me ndikime nismëtare. Isak Ahmeti, përveç përkthimeve të herëpashershme ka përkthyer nga italishtja poezitë e Salvatore Quasimodos, “NJERIU I KOHËS SIME”, botoi “Rilindja”, Prishtinë 1976, pastaj nga gjermanishtja librin “QUMËSHTI I ZI I AGIMIT”, (Antologji e lirikës së re gjermane), botoi “Rilindja”, Prishtinë 1988.
2. Isak Ahmeti, ka paguar tagrin pse ka jetuar në provincë (në Stubëll dhe Viti). Nga kjo mund të konkludojmë se ato vite kishin fërkime e klane të ashpra, ku secili autor që ka jetuar 30 metra vijë ajrore larg Pallatit të Shtypit, por që nuk ka pas rol dhe ndikim qoftë në Universitet, në Institucionet tjera me ndikim në Prishtinë, në Radiotelevizionin e Prishtinës (RTP), apo në vendet udhëheqëse politike, ka qenë i privuar edhe nga sukseset, pavarësisht nga vlerat që mund t’i ketë krijuar.
3. Krijimtaria e Isak Ahmetit, sado që ka pasur një vlerë (poezia), dhe nisma të shumta studimet për “Klerin katolik dhe letërsinë”, ndikimi i këtyre veprave të rralla ka qenë i zbehtë dhe terciar.
4. Kritikat e bëra përkitazi me krijimtarinë letrare të Isak Ahmetit, bazuar nga kjo që është përfshirë në këtë libër qesin në pah jo vetëm kahe dhe primesa të asaj kohe por shpjegon edhe mangësitë e kritikës letrare të asaj kohe. Ta zëmë: Mensur Raifi dhe Ali Aliu, kanë shkruar vetëm për librin e parë, dhe atë vetëm sa për ta bërë një shënim për daljen e një libri me poezi, ndërsa kritika e Emin Kabashit, lexuar tash nga distanca dhe të shkëputur edhe nga rrethanat e kohës, nuk thotë asgjë. Madje edhe për kohën kur ka shkruar Emin Kabashi, gjithë ato proverba e ilustrime janë jashtë mundësisë për ta kuptuar se çfarë ka dashur të thotë. Për kritikën e kësaj natyre, nëse ka pasur qëllime pozitive, qoftë edhe vetëm si shkrim letrar, është vështirë për ta kuptuar. Për më shumë, kur dihet se poezia e Isak Ahmetit është kritikuar pse i ka ikur frymës së realizmit socialist, duke sjell simbole e koncepte moderne. Krahasimet me letërsinë ruse e autorët rus siç ka bërë Emin Kabashi, sikur kanë qitur në pah një defekt orientimi, që ka pasur autori në atë kohë për letërsinë moderne që po lëshonte rrënjë edhe në Kosovë.
5. Shkrimi i Vehbi Miftarit, për librin “BIBLA NË LETËRSINË SHQIPTARE”, më shumë i ngjason punës së çirakut të zellshëm i cili me çdo kush e mbron padronin - zotëriun, pasi në tërësi kritika e tij është një tendencë për t’ia bërë me dije autorit se nuk është i pari, dhe për t’ia mbushur mendjen lexuesit se Sabri Hamitit (idoli i tij), “i takojnë meritat që i pari në studimet tona letrare e heton këtë fenomen”, edhe pse Vehbi Miftari e pranon se libri “Bibla në letërsinë shqiptare”, “është një studim, ndër të rrallët në gjuhën shqipe, i tërësishëm për një aspekt motivor, i cili ka përshkruar krijimtarinë letrare shqiptare prej filleve të saj e deri më sot”, por nuk e thotë dot se ishte i pari dhe i vetmi që atëherë e gjer më sot.
6. Se kritika letrare e studimore as atëherë nuk ka pasur qasje të drejt e serioze për krijimtarinë letrare, e sidomos për atë të aspektit shkencor pasi shihet se shumica e kritikëve janë të një krahine, që në njëfarë mënyre kanë shkruar për të respektuar e plotësuar një vlerë morale ndaj autorit, vetëm pse e kanë njohur, dhe po aq janë marrë edhe kritikët me një përkatësi fetare duke u ndjerë një lloj krize e mohimit dhe e mbi ekzistencës, në një kohë të ashpër dhe përplot kurthe.
7. Aq sa kanë ndikuar negativisht këto bindje e dukuri që i theksuam më lart, po aq anash ka mbetur krijimtaria letrare e studiuese e Isak Ahmetit, edhe për shkak të përzgjedhjes (qoftë kjo edhe e imponuar?!), e shtëpive botuese të cilat nuk e kanë aq sa duhet të rregulluar rrjetin e shpërndarjes së librit qoftë në Kosovë apo edhe në nivel kombëtar.
Në përgjithësi libri “TË TJERËT PËR VEPRËN LETRARE TË ISAK AHMETIT ose letërsia ndryshe e tij”, përgatitur nga Sarë Gjergji dhe Zef Ahmeti, plotëson opusin letrar të këtij autori, kurse me shkrimet e tyre, përveç autorëve që i kemi cituar a përmendur kanë shkruar edhe: Resul Shabani, Gjergj Gega, Jusuf Salihu, Nuhi Ismajli, dom Lush Gjergji, don Fatmir Koliqi, Tiberius Puju, Prend Buzhalla e ndonjë tjetër.
Gjithsesi, një meritë e posaçme për botimin e kësaj vepre, për krijimtarinë letrare të Isak Ahmetit, i mbetet “Albanisches Institut – Instituti Shqiptar”, në St. Gallen të Zvicrës i cili si një institucion i llojit të vet ka shënuar rritë dhe suksese, të paktën në fushën e botimit të veprave të karakterit letrar dhe të atyre me studime.
St. Gallen - Zvicër, 6 mars 2012.
Shefqet DIBRANI
|