Lidhur me publikimet e përgjimeve të bisedave telefonike kinse të zyrtarëve të lartë të shtetit, të cilat janë publikuar në internet,ka reaguar Policia e Kosovës.
Sipas Policisë këto incizime nuk janë realizuar nga Policia e Kosovës.
“Policia ka ndërmarre veprime të menjëhershme hetimore dhe në konsultim me prokurorin përkatës ka iniciuar hetimet nga njësitet e specializuara policore që merren me hetimin e rasteve të kësaj natyre. Bazuar në ligjet e Kosovës autoriteti i vetëm për dhënien e urdhrit për përgjime është gjyqtari i procedurës paraprake dhe të gjitha përgjimet e tjera joligjore dhe të falsifikuara konsiderohen veprime të kundërligjshme dhe për këtë PK-ja, do të ndërmerr veprime policore ndaj kryerësve të veprave të tilla penale”, thuhet në komunikatë.
Qeveria e Kosovës do të kërkon hetim nga EULEX-i dhe Policia e Kosovës për videot e publikuara të kinse përgjimeve mes kryeministrit Hashim Thaçi, shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovcit dhe ministres së Intgrimeve Evropiane, Vlora Çitaku.
"Publikimi i përgjimeve të tilla të fabrikuara me qëllim të shantazhimit të personaliteteve institucionale dhe jetës së tyre private është vepër e kundër- ligjshme dhe e denueshme. Për më tepër, veprimet e kësaj natyre janë përpjekje e drejtëpërdrejtë e mekanizmave të caktuar vendor dhe disa ndërkombëtarëve për të shantazhuar dhe sabotuar bartësit institutcional dhe funksionimin normal të institucioneve tona shtetërore" thuhet në reagimin e qeverisë.
Ndërkohë disa portale të papërgjegjshme në Kosovë kanë njoftuar se në kanalin e internetit Youtube janë postuar disa audio-incizime ku dëgjohen telefona të anëtarit të kryesisë së PDK-së si dhe shefit të grupit parlamentar të kësaj partie Adem Grabovci me disa zyrtarë të tjerë të kësaj partie.
Emri i kanalit që i ka postuar është informatorikosova. Në postimin e parë dëgjohet një telefonatë me ministren për Integrime Vlora Çitakun ku i kërkohet asaj që t’ia kryej një favor duke i mundësuar një të afërmi të Grabovcit që të vijoj praktikën në këtë ministri.
Më pas janë edhe disa postime tjera ku Grabovci bisedon edhe me kryeministrin Hashim Thaçin, me ish shefin e SHIK-ut, Kadri Veselin si dhe me kryetarin e komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.