2012-12-01

MEHMET HAJRIZI: JETË ME INTEGRITET



(Prishtinë, 30. 11. 2012) - Reflektim nga libri “Një jetë me integritet Amazing Grace Uilliam Uillberfors dhe fushata heroike për t’i dhënë fund skllavërisë” i autorit Erik Metaksas (Eric Metaxas). Vepra e Metaksas, siç ka sintetizuar në parathënien e saj, Fllojd Flejk, ish kongresmen amerikan dhe president i Universitetit Uillberfors, “do të qëndrojë si pikë e gjallë referimi, jo aq për shkak të prozës së bukur që e karakterizon, apo rrëfimit të detajuar të jetës së Uillberforsit, por për faktin se ajo rrok në mënyrë mjeshtërore thelbin e fuqisë shpirtërore, qartësisë morale, brishtësisë njerëzore dhe synimit hyjnor që karakterizonin njerëzit në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë e në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë.”

1. Erik Metaksas, autor dhe folës i shkëlqyer

Autori amerikan, Erik Metaksas, përveç monografisë së tij për Bonhoeffer, është bërë i njohur edhe me librin për Uilliam Uillberfors, një deputet i famshëm britanik i para më shumë se dy shekujsh. Vepra është shpallur nga "New York Times" si libri më i shitur. Figura historike e Uilliam Uillberforsit, gati e harruar, u skalit mrekullisht nga pena e Erikut, duke e rikthyer në kujtesën e njerëzimit, si një vlerë të lartë të së kaluarës së tij. Libri i Erik Metaksas është përkthyer në gjuhën shqipe me titull “Një jetë me integritet Amazing Grace Uilliam Uillberfors dhe fushata heroike për t’i dhënë fund skllavërisë” Tiranë, 2010.


Kopertina e librit të Erik Metaksas (Eric Metaxas) në anglisht.

Erik Metaksas, tashmë shkrimtar i shquar, njihet edhe si orator i madh, prandaj presidenti Obama e kishte ftuar këtë vit të mbante fjalë në Lutjet e Mëngjesit.

Vetë autori Metaksas, i shoqëruar nga dr. James Neathery, një intelektual tjetër i mprehtë, ka ardhur në Tiranë dhe në Prishtinë, për të mbajtur fjalime përpara deputetëve të kuvendeve tona.

Vepra e Metaksas, siç ka sintetizuar në parathënien e saj, Fllojd Flejk, ish kongresmen amerikan dhe president i Universitetit Uillberfors, “do të qëndrojë si pikë e gjallë referimi, jo aq për shkak të prozës së bukur që e karakterizon, apo rrëfimit të detajuar të jetës së Uillberforsit, por për faktin se ajo rrok në mënyrë mjeshtërore thelbin e fuqisë shpirtërore, qartësisë morale, brishtësisë njerëzore dhe synimit hyjnor që karakterizonin njerëzit në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë e në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë.”

2. Uilliam Uillberfors, reformatori më i madh shoqëror në historinë e botës

I lindur në një familje të pasur, Uillberforsi i ri ishte dhënë pas dafrungave e kënaqësive, por shpejt e ndryshoi ekuacionin e jetës, duke iu përkushtuar përmirësimit shoqëror e mbrojtjes së të vuajturve e të varfërve. Ai, si besimtar i vërtetë dhe metodist, në veprimtarinë e tij jetësore abolicioniste dhe reformiste, udhëhiqej nga parimi i mbipartisë, nga vendosmëria dhe përkushtimi, duke u shndërruar, siç thotë Metaksas, në “viktimën fatlume të suksesit të vet”.

Uilliam Uillberfors, në veprën e Metaksas, vjen si një hero, jo i hipur në kalë me shpatë të zhveshur, por nga bankat e buta të Parlamentit të Britanisë së Madhe, ku një jetë të tërë ia kushtoi luftës kundër çdo ligësie shoqërore. Por, nga synimet e tij të shumta, më i rëndësishmi ishte shfuqizimi i tregtisë së skllevërve, të cilin e arriti në atdheun e tij më 1807, kurse përfundimisht në plan botëror, më 1833, vetëm tri ditë para se të vdiste. “Bota ku ai lindi më 1759 dhe bota që la më 1833 ndryshonin nga njëra-tjetra si plumbi nga ari“, shkruan Metaksas. Me veprën e tij jetësore, Uillberforsi u bë reformatori më i madh shoqëror në historinë e botës. Metaksas shkruan: “Mënyra më e efektshme për parandalimin e krimeve më të rënda është ndëshkimi i atyre më të lehta, si dhe përpjekja që ta shtypim këtë frymë të përgjithshme shthurjeje, e cila është nëna e çdo lloj vesi... Nuk e teprojmë kur themi se ky vëzhgim i vetëm ishte leva me të cilën trupvogli Uillberfors zëvendësoi një botë të tërë dhune e mjerimi me një botë qytetërimi e shprese, të cilën tani ne e quajmë epoka viktoriane.”

............................................

Eric Metaxas: Amazing Grace, Dietrich Bonhoeffer & Harlem - Biola University Chapel


Uillberfors nuk ishte hero i vetmuar në një “botë mizore, harbutërie dhe dëshpërimi”, por inspirues dhe prijës. Ai gëzonte solidaritetin e personaliteteve të shquara, si kryeministra, deputetë, shkrimtarë, prokurorë etj. Përveç “Rrethit të Klapamit” të cilin e udhëhiqte, në kohën e tij në Britaninë e Madhe ishin formuar për herë të parë rreth shtatëdhjetë grupe për çdo kauzë shoqërore, me të cilat deputeti Uillberfors mbante lidhje të afërta. “Jeta është përpjekje në bashkëpunim”, thotë Metaksas.

3. Uillberfors dhe ne

Në qoftë se e keqja e shëmtuar e kohës së Uillberforsit dhe përgjatë pesëmijë vjetëve para tij, ishte tregtia e lirë me skllevërit, kundër së cilës ai luftoi me vetëmohim, sot gati dy shekuj pas tij, përballemi me dukuri, si trafikimi i qenieve njerëzore dhe prostitucioni, që përbën formën e skllavërisë së ditëve tona, mjerimi social, krimi i organizuar dhe korrupsioni, diskriminimi i gruas, puna e fëmijëve dhe mospërfshirja sociale, shkelja e të drejtave të njeriut etj. Siç ka shkruar Fllojd Flejk, në çdo cep të botës mbetet punë e madhe për t’u bërë.

Në rrugën e gjatë, me shikim drejt së ardhmes, çdo shoqëri ka nevojë ta kthejë kokën pas, si Metaksas, për të parë të kaluarën dhe për të kujtuar e rikthyer vlerat, shpeshherë të harruara.

Në jetën përfaqësuese shqiptare të traditës, gjejmë figura të shquara, me vullnetin e çeliktë të Uillberforsit dhe me konsistencën e gjatë për të arritur qëllimet e larta të popullit që e përfaqësonin, si Abdyl Frashëri e Ymer Prizreni, Haxhi Zeka e Hasan Prishtina, Isa Boletini e Ramiz Cernica etj.

Në këtë kuptim, Uillberfors, nga Britania e Madhe dhe uillberforsët shqiptarë, para përfaqësuesve tanë të zgjedhur, andej e këndej kufirit kombëtar, para personaliteteve të jetës politike, arsimore e shkencore, kulturore e letrare, para vetë shoqërisë sonë, paraqiten, jo thjeshtë si vlerë historike, por edhe si frymëzim i gjallë e gjithmonë aktual për të luftuar të këqijat e kohës, për të mbrojtur, kultivuar e pasuruar fondin e thesarit të vlerave tona, për t’i kontribuuar zhvillimit e emancipimit, sipas shembullit të tyre.

Mendjet e ndritura të kombit shqiptar, duke bërë qëmtimin e afirmimin e vlerave të së kaluarës dhe gërshetimin e tyre me vizionin e së ardhmes, bënë kthesa të mëdha historike. Kombi ynë sot, njëqind vjet pas Pavarësisë, ka nevojë për reforma të gjithanshme, me përmasat e një rilindjeje tjetër.

Beteja e parë dhe e madhe e saj mbase do të fillonte pikërisht me mbrojtjen dhe pasurimin e sistemit të vlerave, që ka filluar të rrezikohet seriozisht.

Do filluar prej këtij sistemi historik, jo nga pikëpamja konservative, por dialektike, sikur arkitekti që kërkon përforcimin e themeleve të vjetra të kullës së bukur që do t’i shtohen katet. Ky sistem do të mbrohet e kultivohet me emancipim dhe ndërgjegje, me shembujt e përfaqësimit moral, por edhe me legjislacion e strategji kombëtare.

Shoqëritë moderne kanë vlera të cilat qarkullojnë lirshëm, por shpesh bashkë me to shkojnë e vijnë edhe dukuri të shëmtuara, kundër të cilave, ato kanë ngritur mekanizma adekuatë mbrojtës, për t’i mbajtur në kontroll dhe amortizuar pasojat e dëmshme. Këta mekanizma u kanë munguar ndjeshëm shoqërive në tranzicion, të cilat shpeshherë ngjajnë me trupin pa imunitet.

Veprat e mëdha të historisë kanë lënë vlera të mëdha, të cilat mund të ruhen e të kultivohen vetëm nëse përkthehen në virtyte personale dhe kolektive dhe nëse mishërohen në karakterin e vetë shoqërisë, në përputhje me idealet e së ardhmes.

Libri i Metaksas sintetizon në mënyrë të shkëlqyeshme vlera të tilla.


Erik Metaksas, dr. James Neathery dhe Mehmet Hajrizi.


http://www.pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=1057

Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...