2012-11-25

Dritat e pashuara të skenës gjakovare..

Skeda:Logo 100 vjet-pavaresi.jpg
Mbresa nga Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë “ Komedia Fest” në Gjakovë




Nga Namik Selmani



Asnjëherë në vitet e pasluftës skena gjakovare nuk kishte patur kaq shumë shikues, duartrokitje, kaq shumë gjallëri në rrugët e Çarshisë së Vjetër sa në javën që u organizua Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë KOMEDI FEST” në ditët e fundshtatorit të këtij viti. Ishte vërtet një rizgjim i buzëqeshjeve jo vetëm në skenën e teatrit që mban emrin e Asim Vokshit, por edhe të mbarë Gjakovës. Në ditët e hapjes së tij një nga bashkëthemeluesët e festivalit Elida Shasivari tha: “Gjakova ka patur shumë dhimbje, ka derdhur shumë gjak e shpresojmë se këto ditë të humorit mbarëkombëtar do ta zbusin këtë plagë të Gjakovës.
Risitë e festivalit
Në këtë ditë të lirisë që po përjeton kombi aq më tepër në një vit që përkon me 100 vjet shtet, nuk është e jashtëzakonshme që të thuash se u zhvillua kjo e ajo veprimtari në këtë qytet apo diku tjetër. Madje duhet edhe të zgjedhësh fort me kujdes se kujt t’ia japësh kohën tënde të vlefshme të fundjavës apo të ditëve të tjera. Kur hartuan platformën e Festivalit, organizatorët e tij, aktorja Elida Shasivari, gazetari Lekë Rezniqi, Shkëlqim Rroku e Lum Hoxha menduan që të zgjidhnin komedinë së pari për të zgjuar këtë gjini jo dhe aq shumë të rrahur në skenat tona po edhe përs arsye se humori gjakovar ka ekzistuar edhe në kohërat më të vështira e ka qenë balsam për plagët e mëdha. Duket se drama e Kosovës nuk mund të bashkëjetonte në vatrat e shtëpive të reja pa këtë gjijni të dashur. Pra, u gjet në mënyrë të përkryer ajo bashkëjetesë ose si ta theni ai Kod i takimit mes dramës dhe komedisë në këtë qytet të njohur për arsimin kombëtar, për kulturën qytetare, për dyqanet e pambaruara të argjendarisë që rrinin pranë njëri–tjetrit edhe si shenjë e forcës ekonomike tq qytetit. Ani pse këto kohë kishte shumë trishtim për një lloj papunësie që kishte qyteti për rënien e fuqisë blerëse të tij.
Risia e dytë ishte edhe karakteri i mprehtë social që mori Fesativali në të 7 ditët e tij. Në Gjakovë ka një Çarshi të Vjetër që është jo vetëm krenaria e qytetit, po edhe e mbarë Kosovës. Serbët e dogjën atë. Para djegies e plaçkitën edhe me qëllimin e keq për të zhdukur identitetin e Gjakovës. Pikësht si një pjesë shumë masive dhe e gjallë e festivalit ishte organizimi i një Panairi të madh me artikuj të traditës dhe shfaqjeve rinore me grupet më të mirë muzikorë rinorë nga e gjithë Kosova. E kjo pagjumësi e Gjakovës që niste me shfaqjen e Komedive në orën 20 të mbrëmjes vazhdonte shumë vonë pas mesnate në rrugët e Çarshisë për të krijuar mendimin se Gjakovës i takon shumë më tepër se kaq.
Riasi e tretë ishte ajo e Mirënjohjes për të gjithë ata që kanë kontribuar në shkallë kombëtare për gjininë e humorit. Kështu gati në çdo natë të festivalit u shpërblye një personalitet me një Mirënohje të veçantë. E merituan këtë aktorët Sulejman Lokaj, Hekuran Zharka, Gëzim Kruja nga Shkodra, Hysen Binaku. Ndërkohë që në natën e fundit edhe vetë ekipi organizator i Festivalit u shpërblye me Mirënhohje nga kryetari i Komunës së Gjakovës zoti Pal Lekaj për këtë traditë të re dhe për këtë sukses që arritën Gjakovës së bukur. Ishte një Mirënjohje që në natën e parë të Festivalit do ta shprehte me fjalë edhe Veton Firzi Sekretar i Përgjithshëm në Minsitrinë e Kulturës së Kosovës që vlerësoi lart nismën e marrë. Përtej këtyre mirënjohjeve që kanë edhe aspektin protokollar duhet thënë edhe mirënjohja e publikut që ndoqi për 7 netë festivalin në teatrin e Gjakovës. Ishte e pamundur që të përballoje furinë e spektatorit të Gjakovës. Në sallë nuk bëhej fjalë për një karrike bosh. Në të dy anët e shkallëve kishte nga dy rreshta shikuesësh e ishin gati 1200 spektatorë në çdo shfaqje, ndërkohë që mbi 300 vetë prisnin jasht në pamundësi që të futeshin se ishte e pamundur. E në këtë mizëri duket se një detyrë shumë të vështirë kishin forcat e sigurisë që merreshin me rregullin e sallës. Që në ditën e parë një nga shikuesët e Festivalit Ylber Bardhi, tha: ”Unë jam rritur me këtë publik, por emocionet e veçanta kanë qenë për kolegët e mi që rrrallë herë iu ka ndodhur që të kenë kaq shumë spektatorë në këtë sallë dhe të shoqërohen me kaq shumë duartrokitje.“ Po t’i shtosh edhe vemendjen e jashtëzakonshme dhe rregullin e pashkruar të respektit të spektatorit ndaj një shfaqjeje teatrale që në këtë numër është vështirë që ta sigurosh, atëherë emocionet shumëfishohen se ky rregull ishte i jashtëzakonshëm.
Risia e tretë ishte VULLNETARIZMI. Flitet shumë në shoqërinë tonë për të. Pak bëhet. Shpesh me një indiferentizëm pa thënë edhe me një urrejtje dhe cinizëm: “Vullnetar???? Ç’po thua, a ka pare, se unë nuk vij?“ Është dialogu më i dukshëm social i shoqërisë sonë të varfër me para, po shpesh edhe me ide. Tek i shikoja dhe i përshëndesja me respekt për punën e tyre që bënin, m’u kujtuan edhe mjaft ngjarje që lidhen me vullnetarizmin në shumë shtete të Evropës që është shprehja e qytetarisë së një shoqërie. Me bluzat e bardha ku ishin të shënuara emblema “KOMEDIA FEST” në çdo cep të qytetit kishte të rinj e të reja që udhëzonin, shoqëronin të ftuarit, orientonin qytetarët për Panair, nëpër koncerte, për makinat, etj. Bukur! Shumë bukur!
Pak kronikë
Në të 7 netët e festivalit u shfaqën komeditë “Nata e dymbëdhjetë“ nga Teatri Kombëtar i Kosovës me regji të Ilir Bokshit, “Mbretëresha e bukur e Llenait”, nga Teatri Profesionist i Gjakovës” me regji të IIir Bokshit, “Paraja” e Teatrit Shqiptar të Shkupit, “Dy duzina me trëndafila” nga Teatri “Bylis” i Fierit me regji të Dafina Llupit, “Darka private“ nga Teatri i Pejës me regji të Burbuqe Berishës, “Langonjtë” nga Teatri i Mitrovicës me regji të Fatos Berishës. Ishin pak komedi shqiptare. Teatri i Komedisë në Tiranë kishte zgjedhur këtë skenë për të bërë premierën e saj me një regjiosor të ri dhe shumë të talentuar si Erion Kame që ishte në të njëjtën kohë edhe autori i komedisë. Festivali ishte menduar jo si një garë mes teatrove dhe aktorëve, por thjesht si një paraqitje dhe secilës trupë iu dha Mirënjohja e Festivalit për pjesëmarrjen e saj në këtë turne brenda këtij programi të ngjeshur organizatorët kishin menduar edhe një kohë speciale kushtuar Çamërisë ku unë pata nderin që ta shoqëroja me dy poezi të miat, për Gjakovën dhe poezinë me motive çame “Ulu mal të shoh Kastrinë” që u pëlqyen shumë nga shikuesët. Natyrisht nuk ishte guxim i tepruar kur shpreha dëshirën që, sa më shpejt dritat e një skene të tillë të ndizeshin edhe në trojet amtare në Çamëri që do të kthenin buzëqëeshjen e do të kurorëzonin në mënyrë shumë simbolike rikthim ashtu si ky rizgjim arti në Gjakovë. Edhe pse duhet të ishin më të shumta mediat që përcillnin këtë komedi, u pa se mund të bëhej më shumë për pasqyrimin e tij në mediat e shkruara dhe vizive kosovare. Mungonte shkrimi problemor i aktivitetit mbarëkombëtar. Ndoshte nuk do të ishin të tepërta edhe disa fjalë plot mirënjohje për zonjën Elida Shasivari që ishte e vetmja në ekipin organizator të Festivalit. “Ishte një projekt që flinte tek unë prej shumë e shumë vitesh“– na thotë ajo. – Edhe fëmijët e mi Jeta dhe Drini ishin bërë pjesë e tij me shqetësimet dhe me ëndrrën për ta realizuar sa më parë sa më mirë këtë festival në qytetin tim se këtu dhe vetëm këtu mund të gjesh edhe “Shtëpinë e Humorit të Kosovës” Kudo e pranishme, e palodhur e buzëqeshur, Elisda. E jashtëzakonshme në përshëndetjet, në sallë, në skenë, në Çarshi, në restorantin “ Taverna“ ku festivalistëve nuk duhet t’u mungonte asgjë. Në bisedë me të kujtojmë edhe Ganimete Gashin që punon e jeton në Gjermani. Për arsye pune ajo nuk ishte këto ditë në Gjakovë, por e ka pritur dhe e ka shoqëruar nga larg Festivalin me djalin e saj Ronin si një ngjarje kaq të rëndësishme për kulturën tonë kombëtare.
E duket se se me këtë festival, si thotë Elida, ajo po ndjehej e përtërië artistikisht që ne mund ta cilësonim “RIZGJIMI I ELUIDËS” si aktore si organizatore, si ideatore e aktiviteteve me kaq përmasa. Të dy shprehëm mendimin se së shpejti ky festival mund të kthehet edhe në një Festival Ndërkombëtar që do të ishte edhe më i njohur në botë. Në tërë këto ditë ndjemë edhe mikpritjen e rrallë të Gjakovës. E pamë këtë te Sami Dashi që shërbente në lokalin më të bukur të qyetit “ILIRIKUM” në Çabrat. Ai na flisite me kaq pasion për familjen e terzinjve të Gjakovës si i thonë këtu rrobaqepësve, për Hasanin, për Shyqyriun. Edhe ai ishte një rrobaqepës i talentuar, po e kishte zëvendësuar me këtë profesion për pak kohë. E takuam këtë te lokali i Hysen Binakut që punonte bashkë me zonjën e tij. Ishte nderi i madh të gëzoje miqësinë e tyre. Në hotel në rrugë, në dyqane, kudo kudo. kulturë qytetare që të emociononte. Deri të baca Sulejman Lokaj që është më se i rrallë në mikpritjen e tij. Për ta mbyllur edhe me Suatin që punonte te lokali “Taverna” e ndërtuar mbi Kullën e Koshëve, një djalë si thoshte ai “çam” nga Nishi kur donte thoshte se të parët e tij, ashtu si edhe çamët e Greqisë, ishin dëbuar dhe ata ishin ngulur mes vëllezërve në Gjakovë, të Florentit fjalëpakët e shumë të rregullt etj, etj
***
Përtej plumbave që mbjellin vdekje, përtej lotëve që shpesh na rrokullisen në sytë tanë të mrrolshëm, përtej këngëve të mërgimit që këndojmë në dasma e në ditët e jetës sonë, përtej halleve të panumërta që ende kemi si komb e na drizojnë hapat e udhës, duket se aty jetuam RIZGJIMIN. Po, po rizgjuam ditët që do të jetojmë mes buzëqeshjeve përballë dramës që kemi jetuar në shumë vite të historisë sonë të vjetër e të re. Rizgjimi i këtyre emocioneve në Gjakovën e artit, në këtë skenë që do ta lakmonin edhe qytete shumë më të mëdha në numër banorësh, me skena ku ka më shumë karrike, është padyshim meritë e shpirtit artistik gjakovar që kurrë nuk është shuar edhe atëherë kur u dogj Çarshia e nusëruar, edhe kur Ereniku u mbush me gjak, edhe kur shtëpitë e dyqanet u dogjën para syve tanë. Është fort i lakmueshëm emocionues. E padyshim merita e këtij Rizgjimi i takon Lida Shasivarit, Lekë Rezniqit, Lumë Hoxha dhe Shkëlzen Rrukës, që janë bashkëthemelues të kësaj risie të re.. Duket se me emocionet që përjetuam në këtë skenë të magjishme do të jemi shumë kohë bashkë me frymëndaljen para një perdeje të ngritur që na shëron shpirtin, me emocionin që na dha e qeshura dhe gazi i zemrave tona të ushqyera në lojën e magjishme të një skene Bashkë me këto dritëza urimesh për artistët ne morëm së bashku një fjongo urimesh për atë që kemi bërë e nuk e kemi bërë ende. Kur Mjeshtër Nafiu fikte dritat e sallës, të skenës, në të njëjtën kohë na u ndezën disa drita të reja, dritat e pashuara të skenës gjakovare. Të gjithë ne pas këtyre shtatë ditëve të paharruara morëm me vete një fjongo Ereniku për ta dërguar atje ku flitet shqipja jonë fjalëbuqeta. Qofshin të pashuara dritat e skenave që do të përcjellin në mote Festivalin “Komedia Fest” në Gjakovën e shqiptarizmës e në mbarë kombin tonë!

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...