2012-11-24

100 vjetori, masat e Policisë për mabrëvajtjen e festimeve 3 ditore


100 vjetori, masat e Policisë për mabrëvajtjen e festimeve 3 ditore
Aktivitete intensive do të zhvillohen për 3 ditë në kryeqytet dhe në Vlorë me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, ku pritet të marrin pjesë personalitete të shumta nga vendi, rajoni dhe bota. Në këtë kuadër Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së të gjithë veprimtarive ka hartuar një plan të posaçëm, ku janë përcaktuar masa të detajuara dhe një sërë detyrash konkrete, të cilat po implementohen nga strukturat qendrore e vendore të policisë.
Në një deklaratë për mediat zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Tefik Sulejmani tha se në kuadër të këtyre masave nuk do të lejohet qarkullimi dhe parkimi i automjeteve në segmentet rrugore, sheshet, si dhe në afërsi të objekteve, ku do të zhvillohen aktivitetet me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë.
Masat e Policisë për aktivitete e 100 vjetorit
Përmes këtyre masave synohet garantimi i rendit dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e vendit gjatë zhvillimit të aktiviteteve festive, garantimi i sigurisë rrugore me standarde në akset kryesore dhe në zonat urbane, ku zhvillohen aktivitetet dhe gjatë lëvizjes së personaliteteve shqiptare dhe të huaja, menaxhimi profesional dhe i shpejtë i fluksit të lëvizjes në të gjithë Pikat e Kalimit Kufitar, si dhe garantimi i një shërbimi policor me standarde të larta në përputhje me Kodin e Etikës së Policisë.
Në kuadër të këtyre masave Drejtuesit e Drejtorive të Policisë në Qarqe dhe të Drejtorive Rajonale për Kufirin e Migracionin po mbajnë kontakte të vazhdueshme me strukturat e tjera shtetërore dhe organet e qeverisjes vendore, me qëllim realizimin e bashkëveprimit dhe bashkërendimit të masave e veprimeve policore për të garantuar mbarëvajtjen e aktiviteteve të shumta në të gjithë territorin e vendit dhe veçanërisht në qytetet e Tiranës e Vlorës.
Nga të gjitha strukturat vendore të policisë janë hartuar plane të veçanta me detyra të mirëpërcaktuara për strukturat në varësi për mbarëvajtjen e këtyre aktiviteteve, garantimin e sigurisë publike dhe menaxhimin e trafikut interurban dhe urban.
Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë masa të veçanta janë programuar dhe për garantimin e mbarëvajtjes së zhvillimit të provave të përgjithshme të Paradës.
Ndërkohë një plan i posaçëm është hartuar për planifikimin, organizimin e vendosjen e shërbimeve të plota policore, në datën 28 Nëntor 2012, gjatë zhvillimit të Paradës Ushtarake, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” Tiranë, me pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës.
Masa janë marrë gjithashtu në drejtim të menaxhimit të fluksit të shtuar të lëvizjes, rritjes së sigurisë në rrugë dhe parandalimit të aksidenteve rrugore, duke përforcuar shërbimet e policisë në akset kryesore rrugore, në veçanti në akset Morinë –Tiranë –Vlorë; Qafë Thanë –Tiranë –Vlorë dhe Kakavijë –Tiranë – Vlorë, si dhe duke shtuar prezencën e patrullave të policisë rrugore në këto akse.
Po ashtu nga Drejtoria e Policisë Rrugore dhe Drejtoritë e Policisë së Qarqeve nëpërmjet strukturave në varësi janë planifikuar e marrë të gjitha masat e nevojshme për shoqërimin dhe eskortimin e Personaliteteve të Larta të Shtetit, Trupit Diplomatik dhe Delegacioneve të Huaja, që do të marrin pjesë në aktivitete me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, si dhe të grupeve të mjeteve autokolonë që do të qarkullojnë nga qytete të ndryshme të vendit në drejtim të qytetit të Tiranës dhe të Vlorës.
Në kuadër të këtyre masave nuk do të lejohet qarkullimi dhe parkimi i automjeteve në segmentet rrugore, sheshet, si dhe në afërsi të objekteve, ku do të zhvillohen aktivitetet me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë.
Në dispozicion të Drejtorive të Policive në Qarqe, sipas kërkesës do të vihen dhe Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë, veçanërisht për menaxhimin e lëvizjes në akset kryesore rrugore.
Për përballimin e fluksit të hyrje-daljeve në Pikat e Kalimit Kufitar, si dhe për garantimin e një shërbimi të shpejtë dhe cilësor, nga Drejtoritë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit janë marrë të gjitha masat për shtimin e numrit të sporteleve të shërbimit dhe për bashkëpunimin me organet doganore e struktura të tjera të zbatimit të ligjit.
Ndërkohë duke filluar nga data 25.11.2012 strukturat e Policisë së Shtetit do të kalojnë në Shërbim të Përforcuar.
Monitorimi i masave të marra nga strukturat e policisë vendore do të kryhet nga Grupet e drejtimit e monitorimit të ngritura nga Departamenti Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, Departamenti për Sigurinë Publike dhe Departamenti i Kufirit & Migracionit.
Nisur nga larmia e aktiviteteve që do të zhvillohen në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë, si dhe për shkak të numrit të lartë të personaliteteve dhe të qytetarëve vendas e të huaj që parashikohet të marrin pjesë në këto aktivitete, Policia e Shtetit, kërkon bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e qytetarëve, në mënyrë që të kufizojnë sa më shumë të jetë e mundur qarkullimin me automjete në zonat urbane gjatë këtyre ditëve, veçanërisht në qytetet e Tiranës dhe të Vlorës, ku aktivitetet do të jenë më të shumta.
Programi i aktiviteteve 26 – 28 nëntor 2012
Data 26 nëntor
10:00 – Nisja në shesh e Tortës së Pavarësisë (Shkallët TKOB)
11:00 – Ngritja e flamurit në Tiranë 100 vjet më parë – Inaugurimi i mozaikut të flamurit
11:30 Nisja e Panairit “Blej produkte shqiptare” (rruga “Murat Toptani”)
11:30 – Ekspozita historike e AQSH “100 vjet Tirana” (Vendndodhja: trotuari përpara GKA)
12:00 – Koncert me grupe rok (Vendndodhja: rruga “Murat Toptani”) (gjithë ditën)
17:00 – Ceremonia e inaugurimit të shqiponjës/sheshit (Vendndodhja: Rreth-rrotullimi i Doganës)
18:30 – Koncerti filarmonik i Orkestrës Rinore Shqiptare drejtuar nga dirigjenti Aldo Ceçato (Vendndodhja: TKOB)
20:00 – Koncert me këngë patriotike me këngëtarë e grupe rep (Vendndodhja: rruga “Murat Toptani”)
Data 27 nëntor
10:00 – Vazhdon Panairi “Blej produkte shqiptare”
10:00 – Vazhdon përgatitja e tortës
10:00 – Koncert me këngëtarë të rinj (rruga “Murat Toptani”)
11:00 – Prezantimi i përmbledhjes me këngë patriotike (Teatri i Metropolit)
15:00 – Ceremonia e përurimit të shtatores së heroit Adem
Jashari (Vendndodhja: Rruga e Durrësit)
20:00 – Koncert me grupe roku me këngë patriotike (Rruga “Murat Toptani”)
Data 28 Nëntor
Festimet në Tiranë nga ora 10:00 – 14:00 SHESHI “SKËNDERBEJ”
Ceremonia e prerjes së tortës (Vendndodhja: TKOB)
Hedhja e parashutistëve me Flamurin Kombëtar RRUGA “MURAT TOPTANI”
Panairi “Blej produkte shqiptare”
Koncert me këngë të muzikës së lehtë dhe popullore
Ekspozita “100 vjet Tirana” – trotuari i GKA
LULISHTJA TE PARKU “RINIA” (TE SHATËRVANI) – KËNDI I FËMIJËVE
Telajo për pikturën me temë “100 vjet pavarësi – Shqipëria ime” (12m*1.5m)
Koncert për fëmijë (Qendra Kombëtare për Fëmijë, Shkolla e Baletit, Liceu Artistik etj.)
Teatër për fëmijë (Teatri i Kukullave)
Animatorë (lojëra, pikturime në fytyrë, tullumbace)
Foto point me personazhe të Pavarësisë
LULISHTJA “TRE VËLLEZËRIT FRASHËRI”
Koncert për të rinj (Akademia e Hollivudit, Liceu Artistik, Shkolla
e Baletit)
URA TE RRUGA “IBRAHIM RUGOVA”
Performancë e Cirkut
RR. “ISMAIL QEMALI” (PEDONALE)
Ekspozitë pikture, telajo, teatër rruge, performanca me vegla
muzikore nga Akademia e Arteve dhe Teatri i Metropolit
PERGJATE BULEVARDIT “DESHMORET E KOMBIT”
Photo point me personazhe historike
Rreth 100 animatorë të veshur me veshje popullore e personazhe të lidhura me festën që shpërndajnë flamurë të vegjël dhe organizojnë lojëra.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...