Nga Visar Zhiti
Përkrenarja dhe shpatat e Skënderbeut vijnë për herë të parë në vendin e të zotit të tyre legjendar dhe çdo shqiptar ka mundësi t’i kundrojë dhe tëmeditojë, p.sh., për epokën kur u deshën ato, për shekujt që i harruan, për kohërat që nuk i risollën dot, për ruajtësit e tyre, për ditën e sotme që t’i vë përballë etj, etj. Natyrisht ato kanë aftësinë të ndikojnë që ti të besosh më shumë në sakrificat e popullit tënd, në vërtetësinë e tyre tronditëse, në përpjekjet shekullore për të bërë shtetin tënd, në realitetet, që tashmë i kanë mbuluar mjegullat. Ato pajime të çmuara dhe unike të Heroit tonë Kombëtar erdhën për t’i parë gjithkush, pasardhësit e mijëra e mijëra luftëtarëve dhe komandantëve dhe të rënëve nën urdhrin suprem të zërit të Atdheut. Gjithsesi ato kanë forcën e emblemave tona superbe: shpata që mbrojti kufijtë e vendit, identitetin, lirinë dhe përkrenarja sovrane, jo ajo e betejave, tjetra, po aq hijerëndë, që të jep idenë e qeverisjes.
Që të mos humbnin si shumëçka në pushtime dhe kryengritje, fati i çoi matanë detit me eksodet e para të mëdha të shqiptarëve. Patën një udhëtim të çuditshëm me mistere, me heshtje dhe përkujdesës, deri sa përfunduan në një nga muzeumet më të bukura të Vjenës. Aventurë europiane, do të thoshim.
Ndërsa lavdia e të zotit të tyre merrte përmasa edhe më të mëdha, sikur ribënim vetvetet e dëshiruara. Shtoheshin statujat e Skënderbeut nëpër kryeqytetet e Evropës, sheshet merrnin Emrin e tij, kaluan dhe kontinentin, shkuan në Amerikë e Azi e Australi. Dhe bronzi skënderbejan ka domethënie metaforike, më të vërtetë ndonjëherë se vetë bëmat historike, duke u bërë më i fortë si realitet i gjithmontë duke mposhtur realitetet e përkohshme.
“Impavido difensore della civiltá Occidentale” – është shkruar në piedestalin e shtatores së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Romë në sheshin e gjerë me emrin ‘Albania’, “Mbrojtës i paepur i qytetërimit Perëndimor” – do të cilësohej Skënderbeu ynë. Vepra e bashkëkohësit të tij, shkodranit Marin Barleti, “Historia e Skënderbeut”, e shkruar latinisht, do të lexohej gjithandej si roman, duke u bërë libri më i lexuar në Europë dhe më pas do të vërshonin botime pafund për të, histori, legjenda, poema, drama, një letërsi e tërë, piktura, skulptura, filma, këngë prapë, muzikë… Ja, në kryeqytet po shfaqet si premierë botërore opera e Vivaldit, “Skënderbeu” dhe dirigjenti i saj, Zhani Ciko, duket sikur nuk ka në dorë baketën, por shpatën.
Skënderbeu u fut në përfytyrimin e kohëve dhe të popujve, mbase diku në fillim si rebel e kryengritës e vetmitar i madh, por dhe si atlet i Krishtit, pastaj si udhëheqës e burrë shteti, duke qenë dhe kryediplomat, orator i shkëlqyer, vizionar i së ardhmes, ndër strategët më të mëdhenj në botë, sa sot është konsideruar edhe si komandanti i parë i supozuar i NATO-s, sepse do të udhëhiqte një koalicion Perëndimor, një kryqëzatë të atëhershme kundër pushtimit osman, superfuqisë së vetme të kohës, së cilës iu bë pengesë, mur mbrojtës për Europën, kështjellë e pamposhtur deri sa qe gjallë.
Prandaj armët e Skënderbeut, përkrenarja e tij, janë dhe pajime të Europës së Bashkuar. Ne jemi ndër luftëtarët e saj të parë, që, për fat të keq, e humbëm Evropën dhe rigjetja e saj, bashkimi i natyrshëm me të, nuk janë vetëm aspiratë dhe përpjekje e jona, por duhet të jetë dhe detyrë e Europës, mirënjohje e saj për sakrificat, si të thuash duhet të jetë dëmshpërblimi që i bëhet Shqipërisë së persekutuar në 5 shekujt e fundit.
ANKTHI I TË PARIT
Të shihje përkrenaren dhe shpatën e Skënderbeut ishte ëndërr e hershme e çdo shqiptari, ankth, kompleks, “…në Belvedere në Vienë/ sikur pashë vetë Skënderbenë”, – do të ngazëllehej Naim Frashëri, kur u qëndroi pranë dy shekuj më parë, teksa shkoi i sëmurë në kryeqytetin e Austrisë. “…kam qejf t’i marr në dorë/ por muzeu ka rregulla dhe drejtorë.” – përsëriti Dritëro Agolli, edhe ai në Vjenë. Por Shqipëria ishte e mbyllur, diktaturë, jetonte si në rrethim, qytetarët e saj nuk dilnin dot dhe ishin më të varfrit në Europë.
Në muzeumet tona ishin kopjet e pajimeve të Skënderbeut, imitacionet, që, teksa i shihnim, na ngjallnin trishtimin e të pavërtetës dhe na dërrmonte asosacioni që jetonim në kohën e mashtrimeve të mëdha dhe të dhunshme…
Kur ra perandoria komuniste dhe Shqipëria po hapej, shqiptarët u dyndën në eksodin e tyre të dytë të madh, nuk po i iknin ndonjë pushtimi të huaj, por atij të izolimit, të dhunës dhe varfërisë së skajshme, donin të preknin lirinë, Europën e kulturës dhe të mirëqenies.
M’u dha rasti dhe mua të shkoja për ca ditë në Vjenë dhe kujtoj endjet e mia delirante si ai që kërkon të vërtetën, kërkoja përkrenaren dhe shpatën e Skënderbeut. I gjeta në një muze me ndihmën e një studenti austriak, Günter Gügenberger, që më udhëhiqte me hartë në dorë. Ja, shikoi, më tha. U ula mbi dysheme pranë përkrenares dhe po shkruaja i përlotur. Kujdestarët e muzeut, kur më panë ashtu, më lanë pa më thënë gjë. Mbaj mënd një vogëlushe japoneze, që sapo u fut në pavijonin e përkrenareve, klithi e magjepsur dhe vrapoi duke më kapërcyer mua për tek ajo e Skënderbeut. Mbase e joshi dhia mitike, prarimet e florinjta. Dhe vërtet, përkrenarja e Skënderbeut ishte më e bukura aty.
Para dy-tri vitesh vajta prapë në Vjenë me një grup shkrimtarësh dhe pashë që ato ishin vënë në hyrje të Muzeut të Armëve, edhe përkrenarja, edhe shpata, dukshëm, sugjestionuese për ne si përherë. Siç duket ka patur shumë shqiptarë këto kohë, që kanë kërkuar t’i shohin. Ky interesim i ka bërë drejtuesit e muzeut që t’i zhvendosnin dhe t’i nxjerrin më në pah, mendova, ndërsa bënim fotografi pranë tyre, me zonjën Helena Kadare, me mikun tim Lazër Stani, me time shoqe, me tim bir, me shkrimtaren austriake Andrea Grill, pastaj prapë foto, të gjithë bashkë, ndërsa shpata dhe përkrenarja jepnin vezullime të vetëtimta prej bliceve.
Gjithsesi ato do të shkëlqejnë madhërishëm, me një gëzim të gjallë, të vërteta këtë herë në vendin e tyre, në kryeqytetin e atdheut të Skënderbeut, jo shumë larg shtatores së tij, ku ai mbi kalë ka në dorë një shpatë parade, simotrën e asaj që e sollëm nga larg, nga Europa Qendrore, ku ka mërguar që të dëshmojë luftën tonë për liri. Dy përkrenaret, e bronzta mbi kryet e Heroit në sheshin “Skënderbej” dhe e vërteta pak më tutje, në Muzeun Kombëtar. Mbase dy dhitë mitike do t’i bëjnë shenja njëra-tjetrës, në mirëkuptim të plotë, pa xhelozi, të bindura tani që i shërbejnë kujtesës historike dhe kodit të jetës.
Shteti shqiptar mbush 100 vjet pavarësi, po ai i hodhi themelet me Skënderbeun, 5 shekuj më parë, me zanafillë shumë më të hershme, me shtetet ilire.
Tani që në Tiranë janë pranë e pranë dhe Libri ynë i parë, “Meshari” dhe bashkëkohëset e tij, përkrenarja me shpatën e Heroit Kombëtar, ndjejmë më mirë peshën sublime të kohëve, thellësinë e tyre prej rrënjësh. Më tej është Mauzoleu Mbretëror, i porsaringritur…
Na presin vepra të tjera madhore, nga ato që krijojnë kujtesë kolektive, ndërgjegje kombëtare dhe përgjegjësi të lartë. Aleluja!
-------------------
Visar Zhiti, lindur më 2 dhjetor 1952 në Durrës është shkrimtar shqiptar.Visar Zhiti ishte bir i aktorit dhe poetit Hekuran Zhiti (1911-1989). Visar Zhiti u rrit në Lushnjë, ku ai përfundoi shkollën e mesme në vitin 1970. Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër (sot Universiteti Luigj Gurakuqi), ai filloi karrierën e tij të mësimdhënies në qytetin malor verior të Kukësit, duke demonstruar një interes në fillim në vjersha, disa nga të cilat u botuan në revistat letrare.
Në 1973, ai përgatiti për botim një përmbledhje, "Rapsodia e jetës së trëdafilave". Ishte koha e Plenumit të 4-t të KQ të Partisë së Punës (Partia Komuniste)në të cilin diktatori komunist Enver Hoxha filloi një fushatë të egër kundër të rinjve që pëlqenin kulturën perëndimore. Babai i Zhitit kishte patur më parë një konflikt me autoritetet, dhe poeti i ri papritmas u bë një nga viktimat politike të diktaturës për të frikësur intelektualët shqiptarë. Dorëshkrimi i përmbledhjes së tij të përmendur më sipër, që kishte qenë dorëzuar për botim në shtëpinë botuese Naim Frashëri, u konsiderua si një krijim me gabime të rënda ideologjike dhe që nxinte realitetin socialist. Ai u arrestua më datë 8 nëntor, 1979 në Kukës. Mbasi u dënua në një gjyq qesharak në prill të vitit 1980 me trembëdhjetë vjet burg, ai u dërgua në burgun e Tiranës dhe më vonë transferohet në burgun famëkeq të Spaçit. Shumë nga të burgosurit që ishin me të në burg vdiqën nga keqtrajtimet, torturat dhe kequshqyerja ose pësuan çrregullime mendore.
Ai u lirua nga burgu në fillim të vitit 1987 dhe u "lejua" nga pushteti komunist për të punuar në një fabrikë të prodhimit të tullave në Lushnjë. Mbas rënies së diktaturës komuniste në vitin 1991, ai arriti të shkojë në Itali ku punuoi në Milano deri në 1992. Përmes një burse studimi nga Fondacioni Heinrich Boll, Zhiti shkoi në Gjermani në vitin 1993 dhe vitin e ardhshëm shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas kthimit të tij në Shqipëri, ai punoi si gazetar dhe u emërua kreu i ndërmarrjes botuese e cila kishte planifikuar të botonte librin e tij të parë. Ai ka qenë i punësuar më vonë nga shërbimet administrative të parlamentit të ri shqiptar dhe në 1996 u zgjodh vetë në parlament. Mbas Realiteteve të zymta të politikës shqiptare, ai u tërhoq nga politika. Në vitin 1997 ai u emërua atashe kulturor në ambasadën shqiptare në Romë, ku ai qëndroi deri në vitin 1999.Libri i tij i parë me poezi, "Kujtesa e ajrit" u botua në Tiranë në vitin 1993, i cili përfshnte disa poezi nga burgu. "Hedh njė kafkë te këmbët tuaja" u botua vitin e ardhshëm. Ky vëllim përmbante të gjitha 100 poezitë të krijuara në burg në mes 1979 dhe 1987, të cilat kishin mbijetuar vetëm në kujtesën e tij. Vëllime të shumta pasuan, dhe ai është i njohur tani si një prej poetëve të mëdhenj shqiptare të shekullit të 20-të. Ai ka shkruar edhe shumë tregime të shkurtëra, të mbledhura në dy vëllime, dhe ka përkthyer në gjuhën shqipe vepra nga Garcia Lorka dhe poeti italian Mario Luzi. Kujtimet e tij nga burgu, "Rrugët e ferrit: burgologji" u botuan në Tiranë në vitin 2001. Në vitin 1991 atij iu dha çmimi italian për poezi "Leopardi d'oro" (Leopardi i artë), dhe në 1997 ai mori çmimin prestigjioz "Ada Negri".
Libra me poezi:
Kujtesa e ajrit (Tiranë: Lidhja e shkrimtarëve, 1993)
Koha e krisur (1993)
Hedh njė kafkë te këmbët tuaja (Tiranë: Shtëpia Botuese Naim Frashëri, 1994)
Mbjellja e vetëtimave (Shkup: Flaka e vëllazërimit, 1994)
Koha e krisur (1993)
Dyert e gjalla (Tiranë: Eurorilindja, 1995)
Kohë e vrarë në sy (Prishtinë: Rilindja, 1997)
Si shkohet në Kosovë (Tiranë: Toena, 2000)
Rruget e ferrit: burgologji(2001)
Ka shkruajtur edhe Pazari I Kepucarit. Përkthyer në Gjuhën Agleze:
Condemned Apple (Molla e dënuar): Poezi të zgjedhura, përkthyer nga Robert Elsie (Los Angeles: Green Integer, 2005).
Etj.
Përgatiti:Flori Bruqi