Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar sot rreth orës 10:45 minuta në lagjen Kroi i Vitakut në veri të Mitrovicës ndërmjet banorëve shqiptarë dhe serbë.
Këtë incident e ka konfirmuar Policia e Kosovës, e cila e ka bërë të ditur se nuk ka pasur ndonjë viktimë apo të plagosur nga ky shkëmbim zjarri.
Zëdhënësi i kësaj policie për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se situata është tensionuar në momentin kur zyrtarët e administratës së UNMIK-ut kanë kërkuar që të ndërpriten punimet në shtëpitë të cilat janë duke u ndërtuar nga banorët shqiptarë në lagjen Kroi i Vitakut, ndërtime këto të cilat janë kundërshtuar nga banorët serbë të kësaj lagjeje.
“Si duket një situatë e tillë ka inkurajuar aty më tepër banorët serb të asaj lagjeje, të cilët kanë kundërshtuar rindërtimin e shtëpive. Ka pasur hedhje të gurëve nga ana e këtyre serbëve, si protestues në atë aspekt".
"Ndërsa, për t'u tensionuar situata edhe më tutje dhe më thellë, janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri, që nuk dihet se prej çfarë lokacionesh kanë ardhur. Por, besohet se se të dyja palët kanë vënë në përdorim armë zjarri. Fatmirësisht, nuk kanë shkaktuar lëndime të njerëzve apo dëme materiale”, u shpreh Hoti.
Ai ka shtuar se Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën nga EULEX-i dhe KFOR-i për ta qetësuar situatën në atë pjesë të Mitrovicës. Aktualisht, sipas tij, te Kroi i Vitakut po qëndrojnë njësitë e specializuara të Euleksit dhe Policisë së Kosovës.