Prof.dr.Ferid Agani
Lajmi se Ministria e Shëndetësisë ka hequr nga Lista e Barërave Esenciale, përkatësisht nga Lista e Citostatikëve, llojin e barit Ondansetron dhe Granisetron, që ishin në përdorim në dy vitet e fundit duke zëvendësuar ato me Palonosetron, që nuk ishte përdorur më parë, duket ta ketë shtyrë Ministrinë e Shëndetësisë që të sqarohet rreth kësaj çështjeje.Përmes një komunikate për media, zyrtarë nga kjo ministri kanë thënë se Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për zbatimin e plotë të ligjshmërisë dhe tregon ndjeshmëri të lartë ndaj vërejtjeve që vijnë nga shoqëria civile, e cila monitoron funksionimin e saj.Në rastin konkret, të ngritur sot nga një organizatë e shoqërisë civile, lidhur me zëvendësime të dy llojeve të barit me një tjetër në Listën Esenciale të Barnave, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një çështje e cila ka të bëjë me vlerësim të ngushtë profesional, Ministri Ferid Agani ka kërkuar nga Grupi punues që ka hartuar Listën Esenciale të Barnave dhe nga autoritetet që kanë përcaktuar sasinë e nevojshme të barit sqarime të detajuara lidhur me këtë çështje.
Ismet Kryeziu
Dhe, varësisht nga kjo, Ministri do t’i ndërmarr masat adekuate brenda autoritetit të tij ligjor, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë.Të rikujtojmë që, drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu gjatë një konference për media të mbajtur të premten, ka thënë se ky institut gjatë monitorimit të prokurimit publik në Ministrinë e Shëndetësisë, përkatësisht të tenderit me numër 206-12-044-111 (Lloti 36), për Furnizim me Citostatik, ka parë disa ndryshime në listën e barërave esenciale, që ndryshojnë nga ai i vitit 2010.KDI, vlerësoi se këto ndryshime në Listën Esenciale, përveç që kanë qenë të panevojshme, njëkohësisht kanë rënduar buxhetin e shtetit për 1.2 milionë euro, andaj ka kërkuar nga ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, që mos ta nënshkruajë një tender të tillë.