Millosh Gjergj Nikolla ─ ky është emri i tij i vërtetë, se Migjeni, është pseudonimi ose emri i tij i pendës. Ishte poet dhe prozator shqiptar i shquar i viteve 1930. Migjeni konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të 20-të. Për epokën ishte një zë krejtësisht novator nga brendia dhe forma dhe ndikimi mbi letërsinë shqipe të kohës ishte i madh.
Konsiderohet që Migjeni kaloi nga një romantizëm revolucionar në realizëm kritik gjatë jetës së tij. Ai pasqyroi varfërinë e thellë të viteve kur jetoi, dhe duke u dalë zot heronjve të krijimeve të tij si "Bukën tonë të përditshme falna sot", "Bukuria që vret", "Mollë e ndalueme", "Legjenda e misrit", "A don qymyr zotni ?", etj. fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve të popullit.
Ndikimi i Migjenit mbi rrethet e rinisë anticifligare qe i ndjeshëm ne vitet kur shkroi. Një shtysë te posacme mori përhapja e krijimtarisë se tij pas Luftës së Dytë Botërore, kur regjimi komunist mori përsipër botimin e plotë të veprave, të cilat në vitet 1930 kishin qenë pjesërisht të pabotuara.
Migjeni lindi më 13 tetor 1911 në Shkodër në një familje ortodokse. Mbiemri i Millosh Gjergj Nikollës vjen nga gjyshi i tij Nikolla Dibrani nje shqiptar i ardhur nga krahina e Rekës (sot në Maqedoni) ku ishte pjesë i komunitetit ortodoks që lindi një emër tjetër në lëmin e poezisë, Josif Jovan Begerin. Nikolla Dibrani ishte larguar nga krahina e lindjes në gjysmën e dytë të shek. XIX dhe u zhvendos në Shkodër ku punoi si murator dhe më vonë u martua me Stake Milanin nga Kuçi. Para se të vdiste në 1876, u bë me dy djem: Gjergjin (1872-1924), i ati i Milloshin dhe Kriston
Gjergji, i ati, zotëronte një bar dhe ishte një anëtar shumë i respektuar i komunitetit. Vlen për tu përmendur zgjedhja e tij si përfaqësues i Shkodrës në Kongresin e Beratit më 1922 (ku u shpall Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë nga Fan Noli).
Gjergji ishte i martuar martua me Sofia Kokoshin (e ëma Migjenit) në 1900. Më 1910 Gjergji zuri një ushqimore dhe dhjetë vjet më vonë, kur vdiq baxhanaku Ilia Trimçev, mori ëmbëltoren e tij, të cilën e mbajti gjersa vdiq, më 21 mars 1924, në moshën pesëdhjetë e dy vjeç. Në këtë dyqan e ndihmoi fëmija i parë i shtëpisë, Nikolla, që pati lindur më 30 tetor 1901 dhe vdiq një mot pas t'et nga pleuriti. E ëma vdiq që në 1916 duke lënë gjashtë fëmijë (dy djem e katër vajza). Si i shoqi, Sofia gëzonte nam të mirë në rrethet shoqërore dhe ish edukuar në seminarin katolik të Shkodrës, të drejtuar nga murgesha italiane.
E dërrmuar nga këto fatkeqsira që e pllakosën njëra pas tjetrës, vdiq më 1926 edhe gjyshja tetëdhjetëvjeçare. Ndër gjashtë fëmijët, Milloshi dhe e motra më e vogël, Ollga, u shkolluan në shkollën fillore serbe në Shkodër [2]. Shtëpia ku lindi poeti nuk ekziston më prej shumë vitesh. Ajo ishte e ndërtuar në oborrin e shtëpisë së Trimçeveve dhe pikërisht kjo shtëpi u bë edhe Muzeu i Migjenit nga viti 1961 deri në vitin 1993.
Jeta e veprimtaria
Arsimin fillor e mori në qytetin e lindjes në një shkollë serbo-ortodokse dhe nga 1923 deri më 1925 u shkollua në Tivar ku vetëm në serbisht ka notën mirë, ku e motra Lenka ishte shpërngulur martuar atje me Llazar Jovanin, familja e të cilit e kishte origjinën nga Kavaja. Daja, Jovan Kokoshi, e lajmëroi se i pati nxjerrë bursë për në gjimnazin e Manastirit. U nis atje në vjeshtë të 1925. Pasi përfundoi semi-maturën më 1927 me rezultate të mira, për vjetin shkollor 1927-1928, kundër dëshirës së tij, e regjistruan në Seminarin ortodoks "Jan Shën Teologu" po në atë qytet. Në gjimnazin e Manastirit ka po t'atillë notë në serbisht, në histori e fizikë, dhe "mjaftueshëm" në matematikë; në zell ka notën tre. Edhe në seminar gjatë vitit të parë Milloshi ka vetëm "mirë" në serbisht, greqisht, latinisht, frëngjisht, porse vitin e dytë në gjithë këto gjuhë, sikundër edhe në rusisht, qëndron "shumë mirë"; vetëm në letërsinë kishtare ka "mirë" dhe "i shkëlqyer" në pedagogji, metodikë, gjimnastikë, dhe në këngë. Në klasën e tretë zbret përsëri në "mirë" në gjuhët klasike dhe në mësimin kryesor, "Shkrimet e Shenjta". Në latinisht as në klasën e katërt s'e ka përmirsuar notën, porse tani është i shkëlqyer në rusisht dhe shumë mirë në greqisht; notën "mirë" e ka në "Dogmatikë" (teologji), në psikologji e logjikë. Në vjetin e pestë, në të fundit, është shumë mirë në latinisht dhe pergjithësisht vetëm "mirë" në mësimet fetare të Seminarit. I ka dhënë rëndësi gjuhëvet frëngjisht e rusisht, me të cilat lexonte drejtpërdrejt autorët më të vështirë. Në diplomën e lëshuar prej drejtorisë së shkollës më 18 qershor 1932, cilësohet "bir i Gjergjit, tregtar".
Me atë "Dëftesë Pjekurie" e shpalli kandidat t'aftë për shërbim kishtar, për mësim të fesë dhe për studime intelektuale të larta në fakultetet universitare. Me dëftesën e pjekurisë në xhep, Milloshi u nis më 22 qershor 1932 nga Manastiri për në Tivar, tek e motra, Lenka. Në pasaportën që pati marrë në Manastir prej konsullatës shqiptare lexohen shënimet e titullarit: "Shtati i lartë, balli i rregullt, sytë gështenjë, hunda e rregullt, goja normale, flokët gështenjë, mjekra e mustaqet e rruara, ngjyra e bardhë, shenja të veçanta s'ka". Në vitet 1933-1937 punoi si mësues filloreje në Vrakë, Shkodër dhe në Pukë. Kjo është edhe koha kur zhvilloi veprimtarinë letrare. Shkrimet e para i botoi më 1934, bashkëpunoi në revistat "Iliria", "Bota e re" etj. Më 1936 veprat e veta poetike i përmblodhi në librin "Vargje të lira", të cilin censura nuk e la të qarkullojë. Takon Petro Markon para se ai të nisej për në Spanjë. Kalon një verë me rioshin Lazër Radi, gjë që do frymzonte këtë të fundit t'i kushtonte një libër kujtimesh. Nga fundi i vitit 1937 shkoi në Itali për tu shëruar nga sëmundja e mushkërive. La në dorëshkrim një pjesë të rëndësishme të prozës së tij.
Migjeni kishte bindje të përparuara për kohën e tij, me të cilat filloi të brumoset që në bankat e shkollës nën ndikimin e veprave të autorëve përparimtarë. Punën si shkrimtar e nisi kur në letërsinë shqiptare po forcohej rryma demokratike me shkrimet e tij realiste, thellësisht novatore nga brendia dhe forma, dha ndihmë të madhe në zhvillimin e saj të mëtejshëm.
Në themel të veprimtarisë së Migjenit qëndron aspirata për një botë të re, ku njerëzit e thjeshtë të jetojnë të lirë dhe të lumtur me dinjitet njerëzor dhe pa frikë për të nesërmen. Ky humanizëm aktiv përshkon tej e ndan veprën e tij. Në poezitë e para, si "Zgjimi", "Të birt' e shekullit të ri", "Shkëndija", "Shpirtënit shtegtarë", etj. pakënaqësia e thellë ndaj realitetit çifligaro-borgjez dhe ëndrra e autorit për një të ardhme të bukur u shpreh me figura të gjalla romantike. Poeti u ngrit kundër amullisë shoqërore dhe forcave që mbanin vendin në errësirë ("kalbësinave që kërkojnë shejtnim"). Kritika e rreptë e gjendjes së rëndë të vendit u gërshetua në këto vepra me dëshirën e zjarrtë për "një agim të lum e të drejtë kombëtar", me grishjen për të luftuar për ditë më të bukura. Për zhvillimin e Migjenit si shkrimtar është karakteristik kalimi i tij i shpejtë nga romantizmi revolucionar në realizmin kritik.
Pasqyrimi i varfërisë së thellë të masave zë vend qendror në botimet e Migjenit për shkrimtarin kishte rëndësi të madhe shoqërore që të dilte në dritë sa më qartë humnera e vuajtjeve, ku e kishte hedhur popullin regjimi reaksionar. Heronjtë e veprave të tij më të mira ("Bukën tonë të përditshme falna sot", "Bukuria që vret", "Mollë e ndalueme", "Legjenda e misrit", "A don qymyr zotni ?", etj.) ishin të papunë që rropateshin gjithë ditën për të nxjerrë kafshatën e gojës, malësorë që qëndronin në zgrip të jetës, të mjerë që nuk u kishte ecur në jetë dhe ishin flakur jashtë shoqërisë. Në "Poemën e mjerimit", veprën e tij më të shquar, Migjeni përshkroi në tablo të gjallë dhe rrëqethëse të gëlltitjes së vështirë të masave të shtypura dhe të shfrytëzuara, të venitjes së tyre fizike nën grushtin e mjerimit, që sundonte në vend dhe mbrohej nga monarkia çifligaro-borgjeze. Në një varg shkrimesh, si "Zoti të dhashtë" etj., Migjeni fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve që hiqte populli. Shtresat e privilegjuara Migjeni i pasqyroi kryesisht në jetën e tyre vetjake, ai tregoi moralin hipokrit dhe despotizmin që karakterizonte marrëdhëniet e tyre familjare ("Të çelen arkapijat", "Studenti në shtëpi"). Në "Studenti në shtëpi" vuri në lojë inteligjencien borgjeze, si forcë e paaftë për të luftuar për ideale të larta. Migjeni goditi haptazi dhe me forcë artin dhe shtypin zyrtar ("Kanga skandaloze", "Programi i një reviste", "Novelë mbi krizën" etj.) Skamorët, të cilët i urrenin shtypësit, por ende nuk guxonin të ngriheshin kundër tyre, Migjeni i pasqyroi me simpati të thellë. Në skicat "Luli i vocërr" dhe sidomos te "Zeneli", shkrimtari vuri në dukje aftësitë intelektuale të masave dhe dëshirën e zjarrtë për ndryshime në gjendjen e tyre shoqërore. Shkrimtari tregoi edhe shfaqjet, sado të zbehta të protestës së tyre ndaj padrejtësisë shoqërore ("Mollë e ndalueme"). Rrëfimi i thjeshtë dhe konciz, imtësitë, që zbulojnë thelbin e dukurisë, fryma polemike, psikologjizmi i hollë, prirja për t'i dhënë personazhet me disa viza, figurat poetike shprehëse, ironia - këto janë veçoritë kryesore të stilit të Migjenit. Shkrimet e tija lanë gjurmë të dukshme në letrarët e rinj të kohës.
Me mohimin e shoqërisë çifligaro-borgjeze dhe aspiratën e fortë për një të ardhme më të mirë për masat e popullit, Migjeni pati ndikim të ndjeshëm në rrethet e rinisë përparimtare ; me veprat e tij ndihmoi në formimin shpirtëror të saj. Këtë rol ato e luajtën edhe në vitet e qëndresës kundër pushtuesit fashist, kur qarkullonin dorë më dorë.
Pas Çlirimit trashëgimi letrar i Migjenit u bë i njohur plotësisht. ("Veprat" e plota të Migjenit janë botuar tri herë: 1954, 1957, 1961, kanë dalë edhe një varg botimesh të tipave të ndryshëm). Shkrimet poetike dhe në prozë të Migjenit janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Për jetën dhe shkrimet e tija janë botuar studime e artikuj të shumtë.
Me interesimin e Republikës Popullore të Shqipërisë eshtrat e Migjenit u sollën në atdhe në 1956. Iu dha titulli "Mësues i Popullit" post-mortem në vitin 1957.
Vepra
Vepra - 2002
Film për Migjenin
Një natë pa dritë
Një natë pa drite (filmi)
Burimi i të dhënave
^ Skender Luarasi, "Migjeni:Jeta.: Cetis:Tirana, 2002, pp7-8.
^ a b c Shiko faqja 12 nga Teksti mbi orthodokset shqiptar nën emrin Gjiko Nokoliq; 2) fq. 8-9. 3) fq. 3
Filmi "Një natë pa dritë" prodhim i vitit 1981. Regjia : Gëzim Erebara. Skenari : Kiço Blushi. Producent : Shqipëria e re. Muzika : Hajg Zaharjan.
Përmbajtja e filmit
Një penë e re shfaqet në qarqet letrare të Shkodrës në vitet ’30 – ajo e poetit revolucionar Millosh Gjergj Nikolla i njohur si Migjeni. Realiteti i errët e revolton poetin thellësisht. Ai e shpreh revoltën e tij me vargje si një denoncim i fuqishëm plot urrejtje kundër pushtetit në fuqi.
Interpretojnë
Vangjel Toçe
Ndrek Luca
Bep Shiroka
Alfred Bualoti... Spiro
Adrian Devolli
Gent Gazheli
Agron Dizdari
Rabie Hyka
Bruno Shllaku
Paskualina Gruda
"Vepra" me Autor Migjenin janë mbledhur dhe redaktuar nga Skënder Luarasi. Shtëpia botuese: Cetis Tirana, viti i botimit 2002. Numri i faqeve 304. Nje nga disa veprat e tij eshte Recital i Malesorit
Recital i Malcorit (Migjeni)
O' si nuk kam nji grusht të fortë t'i bije mu në zemer malit që s'bëzanë, ta dij edhe ai se ç'do me thanë i dobët - n'agoni të përdridhet si vigan i vramë,
Unë - lugat! Si hij'e trazueme, trashëgimtar i vuetjes dhe i durimit, endem mbi bark te mallit me ujen e zgjueme dhe me klithma të paknaquna t'instinktit.
Mali hesht. Edhe pse për dite mbi lëkure të tij, në lojë varrimtare, kërkoj me gjete nji kafshate ma të mirë... Por me rrenë shaka shpresa gënjeshare.
Mali hesht - dhe në heshtje qeshë. E unë vuej - dhe në vuejtje vdes!
Po unë, kur? heu! kur kam për t'u qeshë? Apo ndoshta duhet ma parë të vdes?
O, si nuk kam nji grusht të fuqishëm! Malit që hesht mu në zemër me ja njeshë Ta shof si dridhet nga grusht'i paligjshëm... E unë të kënaqem, të kënaqem t'u u qesh.
Poema e Mjerimit
Kafshatë që s'kapërdihet asht, or vlla, mjerimi,
kafshatë që të mbetë në fyt edhe të ze trishtimi
kur shef ftyra të zbeta edhe sy të jeshilta
që të shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita
edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin
të tanë jetën e vet derisa të vdesin.
E mbi ta n'ajri, si në qesëndi,
therin qiellën kryqat e minaret e ngurta,
profetënt dhe shejtënt në fushqeta të shumngjyrta shkëlqejnë.
E mjerimi mirfilli ndien tradhti.
Mjerimi ka vulën e vet të shëmtueme;
asht e neveritshme, e keqe, e turpshme;
balli që e ka, syt që e shprehin,
buzët që më kot mundohen ta mshefin
janë fëmitë e padijes e flitë e përbuzjes,
të mbetunat e flliqta rreth e përqark tryezës
mbi të cilën hangri darkën një qen e pamshirshëm
me bark shekulluer, gjithmon i pangishëm.
Mjerimi s'ka fat. Por ka vetëm zhele,
zhele fund e majë, flamujt e një shprese
të shkyme dhe të coptuem me të dalun bese.
Mjerimi tërbohet në dashuni epshore.
Nëpër skaje t'errta, bashkë me qej, mij, mica,
mbi pecat e mykta, të qelbta, të ndyta, të lagta
lakuriqen mishnat, si zhangë; të verdhë e pisa;
kapërthehen ndjenjat me fuqi shtazore,
kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta
edhe shuhet uja, dhe fashitet etja
n'epshin kapërthyes, kur mbytet vetvetja.
Dhe aty zajnë fillin të marrët, shërbtorët dhe lypsat
që nesër do linden me na i mbushë rrugat.
Mjerimi në dritzën e synit te kërthini
dridhet posi flaka e mekun qirini
nën tavan të tymuem dhe plot merimanga,
ku hije njerzish dridhen ndër mure plot danga,
ku foshnja e smueme qan si shpirt' i keq
tu' ndukë gjitë e shterruna të së zezës amë,
e kjo prap shtazanë, mallkon zot e dreq,
mallkon frytn e vet, mallkon barrn e randë.
Foshnj' e saj nuk qesh, por vetëm lëngon,
e ama s'e don, por vetëm mallkon.
Vall sa i trishtueshëm asht djepi i skamit
ku foshnjën përkundin lott edhe të fshamit!
Mjerimi rrit fëmin në hijen e shtëpive
të nalta, ku nuk mrrin zani i lypsis,
ku nuk mund t'u prishet qetsia zotnive
kur bashkë me zoja flejnë në shtretënt e lumnis.
Mjerimi pjek fëmin para se të burrnohet;
don ta msojë t'i iki grushtit q'i kërcnohet,
atij grusht që në gjumë e shtërngon për fytit
kur fillojnë kllapitë e etheve prej unit
dhe fytyrën e fëmis e mblon hij' e vdekjes,
një stoli e kobshme në vend të buzqeshjes.
Një fryt kurse piqet dihet se ku shkon
qashtu edhe fëmia në bark të dheut mbaron.
Mjerimi punon, punon dit e natë
tu' i vlue djersa në gjoks edhe në ballë,
tue u zhigatun deri në gjujë në baltë
e prap zorrët nga uja i bahen palë-palë.
Shpërblim qesharak! Për qindenjë afsh
në ditë vetëm: lekë tre-katër dhe "marsh!".
Mjerimi kaiher' i ka faqet e lustrueme,
buzët e pezmatueme, mollzat e ngjyrueme,
trupin përmendore e një tregtis së ndytë,
që asht i gjikuem të bijë në shtrat të vet i dytë;
dhe për at shërbim ka për të marrë do franga
ndër çarçafë, ndër fëtyra dhe në ndërgjegje danga.
Mjerimi gjithashtu len dhe në trashigim
jo veç nëpër banka dhe në gja të patundshme,
por eshtnat e shtrembta e në gjoks ndoj dhimbë,
mund që të len kujtim ditën e dikurshme
kur pullaz' i shtëpis u shemb edhe ra
nga kalbsin' e kohës, nga pesha e qiellit,
kur mbi gjithçka u ndi një i tmerrshmi za
plot mallkim dhe lutje si nga fund i ferrit,
ish zan' i njeriut që vdiste nën tra.
Kështu nën kambë të randë të zotit t'egërsuem
thotë prifti vdes ai që çon jetë të dhunuem.
Dhe me këto kujtime, ksi lloj fatkeqësinash
mbushet got' e helmit në trashigim brezninash.
Mjerimi ka motër ngushulluese gotën.
Në pijetore të qelbta, pranë tryezës plot zdrale
të neveritshme, shpirti me etje derdh gotën
në fyt për me harrue nandhetenand' halle.
E gota e turbull, gota satanike
tu' e ledhatue e pickon si gjarpni
dhe kur bie njeriu, si gruni nga drapni,
nën tryezë qan-qeshet në formë tragjikomike.
Të gjitha hallet skami në gotë i mbyt
kur njëqind i derdh një nga një në fyt.
Mjerimi ndez dëshirat si hyjet errsina
dhe bajnë tym si hejt q'i ban shkrum shkreptima.
Mjerimi s'ka gëzim, por ka vetëm dhimba,
dhimba paduruese që të bajnë të çmendesh,
që t'apin litarin të shkojsh fill' e të varesh
ose bahe fli e mjerë e paragrafesh.
Mjerimi s'don mshirë. Por don vetëm të drejt!
Mshirë? Bijë bastardhe e etënve dinakë,
të cilt në mnyrë pompoze posi farisejt
i bijnë lodërtinës me ndjejt dhelparak
tu' ia lëshue lypsiti një grosh të holl' në shplakë.
Mjerimi asht një njollë e pashlyeme
në ballë të njerzimit që kalon nëpër shekuj.
Dhe kët njollë kurr nuk asht e mundshme
ta shlyejnë paçavrat që zunë myk ndër tempuj.
Të Bijtë e Shekullit të Ri
Na të birtë e shekullit të ri,
që plakun e lamë në "shejtnin" e tij
e çuem grushtin për me luftue
ndër lufta të reja
dhe me fitue...
Na të birtë e shekullit të ri,
filizat e një toke së rimun me lot,
ku djersë e ballit u dikonte kot
se dheu ynë qe kafshatë e huej
dhe në marrzi duhej shum shtrejtë t'u paguhej.
Na të birtë e shekullit të ri,
vllazën të lindun e të rritun në zi,
kur tinglloi çast' i ynë i mbramë
edhe fatlumë
ditëm me thanë :
S'duem me humbë
në lojë të përgjaktë të historis njerzore,
jo! jo! s'i duem humbjet prore
duem ngadhnim!
ngadhnim, ndërgjegje dhe mendimi të lirë!
S'duem, për hir
të kalbsinave të vjetra, që kërkojnë "shejtnim",
të zhytemi prap në pellgun e mjerimit
që të vajtojmë prap kangën e trishtimit,
kangën monotone, pa shpirt, të sklavnis
të jem' një thumb i ngulun ndër trutë e njerzis.
Na të birtë e shekullit të ri,
me hovin ton e të ndezun peshë,
ndër lufta të reja kemi m'u ndeshë
dhe për fitore kem' me ra fli.
Kanga e Rinisë
Rini, thueja kangës ma të bukur që di!
Thueja kangës sate që të vlon në gji.
Nxirre gëzimin tand' të shpërthejë me vrull...
Mos e freno kangën! Le të marri udhë.
Thueja kangës, rini, pash syt e tu...
Të rroki, të puthi kanga, të nxisi me dashnu
me zjarrm tand, rini... Dhe të na mbysi dallga
prej ndjenjash të shkumbzueme q'i turbullon kanga.
Rini, thueja kangës dhe qeshu si fëmi
Kumbi i zanit të përplaset për qiellë
dhe të kthejë prap te na, se hyjt ta kanë zili
e na të duem fort si të duem një diell.
Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!
Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote.
Recital i Malësorit
0, si nuk kam një grusht të fortë
t'i bij mu në zemër malit që s'bëzanë,
ta dij dhe ai se ç'domethanë i dobët -
n'agoni të përdihet si vigan i vramë.
Unë lugat si hij' e trazueme,
trashigimtar i vuejtjes dhe i durimit,
endem mbi bark të malit me ujën e zgjueme
dhe me klithma të pakënaqura t'instinktit.
Mali hesht. Edhe pse përditë
mbi lëkurë të tij, në lojë varrimtare,
kërkoj me gjetë një kafshatë ma të mirë...
Por më rren shaka, shpresa gënjeshtare.
Mali hesht, dhe në heshtje qesh.
E unë vuej, dhe në vuejtje vdes.
Po unë, kur? heu! kur kam për t'u qesh?
Apo ndoshta duhet ma parë të vdes?
0, si nuk kam një grusht të fuqishëm!
Malit, që hesht, mu në zemër me ia njesh!
Ta shof si dridhet nga grusht' i paligjshëm...
E unë të kënaqem, të kënaqem tu' u qesh.
Thellë në veten teme flejnë kangët e pakëndueme
të cilat ende vuejtja as gëzimi s'i nxori,
të cilat flejnë e presin një ditë ma të lumnueme
me shpërthye, m'u këndue pa frigë e pa zori.
Thelltë në veten teme kangët e mia jesin...
e unë jam vullkani që fle i fashitun,
por kur t'i vijë dita të gjitha ka me i qitun
në një mijë ngjyra të bukra që nuk vdesin.
Por a do të vijë dita kangët me u zgjue?
Apo ndoshta shekujt me ne prap po tallen?
Jo! Jo! Se liria filloi me lulzue
dhe e ndjej nga Dielli valën.
0 kangët që fleni reliktet e mia
q'ende s'keni prekun as një zemër të huej,
vetëm unë me ju po kënaqem si fëmia
unë djepi juej; ndoshta vorri juej.
Nën Flamujt e Melankonisë
Në vendin tonë
kudo valojnë
flamujt e një melankolie
të trishtueshme...
... dhe askush s'mund të thotë
se këtu rron
një popull që ndërton
diçka të re.
Aty këtu në hijet
e flamujve
mund të shifet
një mund, një përpjekje
e madhe përmbi vdekje
për të pjellë diçka të madhe,
për të qitë në dritë një xhind!
Por, (o ironi)
nga ajo përpjekje lind
vetëm një mi.
Dhe kështu kjo komedi
na plas dellin e gazit,
nsa prej marazit
pëlcasim.
Në prakun e çdo banese
ku ka ndoj shenj jetese
valon nga një flamur
melankolie të trishtueshme
Dy Buzë
Dy buzë të kuqe,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithën,
gëzimin ma fikën,
si fantazma ikën
ndër do bota të larta...
Dy buzë të përgjakta,
dy dëshira të flakta,
që afshin ma thithen
në buzë kur m'u njitën
andjet m'i trazuen,
zemrën ma tërbuen,
trunin ma helmuen
e në fund u mërguen...
Dy buzë të kuqe,
bukuri fatale,
të një grueje stërzane
një pranverë të tanë më mormë
një pjesë zemre më nxormë,
dhe gëzimin ma vodhnë...
Ato dy buzë të kuqe
dhe dy lotë të mia
qenë shenjat e dhimbjes
kur më vrau bukuria,
kur më zu dashunia
e më dogji rinia.
Lagja e Varfun
Krahët e zez të një nate pa fund
e varrosën lagjen pranë,
dritë, jetë, gjallsi askund,
vetëm errsinë e skam.
U harrue jeta e ditës
ndër shtresat e natës, e pagja
u derdh nga parzm' e errsinës...
n'andrra përkundet lagja.
Njerzit ndër shtëpia flejnë
me gjoksa të lakurtë e të thatë
e gratë... fëmi po u lejnë
pa ushqim në gji, pa fat,
Pushojnë gjymtyrt e shkallmueme
në punën e ditës së kalueme,
shërohen trutë e helmueme
në gjumin e natës s'adhrueme.
Veç zemrat e njerzve të lanun
me të rektunt prralla rrfejnë:
mbi barrat e jetës së namun
që shpirt dhe korriz thejnë.
Prralla mbi fëmij rrugaça
barkjashtë e me hundë të ndyta,
që dorë shtrijnë me vjedhë, me lypë
e ngihen me fjalë të ndyta.
Prralla mbi varza të fyeme
me faqe e me buzë të thithna.
Prralla mbi djelm, me të thyeme
shprese, në burg me duer të lidhna,
të cilt nesër para gjyqit
për delikt do të përgjegjin,
vetëm dreqit e hyllit
të gjith fajet tash ua mbshtesin.
Kështu lagj' e varfun pëshpritë
dhe errsinës hallet tregon.
Një gjel i undshëm, me dritë
të hanës i rrejtun, këndon.
Hesht! or gjel kryengritës,
i lagjës së varfun. Këtu
nuk zbardh për ty drita e dritës.
i gjikuem je me ngordhë n'u.
Hidhet e Përhidhet
Hidhet e përhidhet në shtregullën e fatit
djalosh' i Arbënis.
Hidhet e përhidhet në pëmdim mbrapa malit
me hovin e rinis
zogu i liris!
Në shtregullën e fatit, ndër këto fluturime
ma shpejt i rreh zemra edhe merr drithtime
se qiellat e hueja premtojnë gëzime t'ambla
nepër shkalla të hueja, nën të ngjyrta llamba
premtojnë hyjnizimin në vallen e dëfrimit;
femën-mashkull rrokun si dy vetë që mbyten
kin për të mbramen herë qindenjë herë puthen
e mbrenda krahnorit gati të pëlsasë zemra,
nsa majet e këpucve shkarravisin germa
të tanë natën e lume deri në të lem t'agimit.
Për njenin ky gëzim, për tjetrin gëzim tjetër...
ndoshta vllime librash, atom ose kompas
fund' i fundit shkundet ai djalosh i vjetër
nga melankolia fillon të vuejë pa masë.
Dh' atëherë nalmadhnia e tij mbret Dyshimi
futet në zemër, në tru, në jetën e të riut
mfshehtas fillon lojën tinzake, si krymbi
në thalbin e mollës... e syni i të riut
merr hijen e vendit, hijen e një murit
mbrapa të cilit rrahin zemrat e makinat
m'i krijue jetë të tjetër, njeriun e gurit...
... po, një ringjallje mbi të vjetra kalbsinat.
Syn' i të riut muer hijen e atij murit.
Hidhet e përhidhet
zogu i liris,
por dhe bjen ku lidhet djalosh' i Arbënis.
Një Natë pa Gjumë
Pak dritë! Pak dritë! Pak dritë, o shok, o vlla.
Të lutem, pak dritë në kët natë kur shpirti vuen,
kur të dhemb e s'di ç'të dhemb, e syni gjum nuk ka,
urren nuk din ç'urren, don e s'din se ç'don.
Pak dritë! 0 burrë! 0 hero' ngado që të jesh. ....
Burrë që shkatrron edhe që ndërton sërish!
Pak dritë vetëm, të lutem, mshirë të kesh,
se do çmendem në kët natë pa gjumë dhe pa pishë.
Oh! ta kisha pishën të madhe edhe të ndezun!
Me flakën e pishës në qiellin e ksaj nate
ta shkruejshe kushtrimin... Ehu Burrë i tretun
Do ta shifsha vallen tande në majë të një shpate.
Por pishë nuk kam e vetëm janë burrat, shokët...
Dergjem n'errsin pa gjumë dhe pa dritë...
Askush s'më ndigjon, çirren kot më kot...
Hesht more, hesht! por qëndro, o shpirt.
Gjeli këndon dhe thotë se asht afër drita
Gjel, rren a s'rren? cila asht fjala e jote?
Kur ti këndon thonë se asht afër drita...
Por un s'besoj sonte në fjalët e ksaj bote.
Hiqmuni qafe, mendimet
O jastëk ty të rroki, të përqafoj si shpëtimin,
më fal atë që due: gjumin dhe andr'min
e dy buzve që pëshpërisin ngushllimin.
Vetmija
Më plak mërzitja
që vetmia më sjell;
përbuzja, urrejtja
të gjith sendet m'i mbështjell
që kam shumë anmiq
të liq
në këto sende pa shpirt,
Nuk flasin.
As sy s'kanë.
Po mue më bahet
se aty janë
vetëm që të më plasin
zemrën.
Së paku, të më shajnë:
I mallkuem!
Së paku, të anë tallin:
I uruem!
Së paku, të më këndojnë:
I yni zot!
Ose të më thonë:
Jeton kot!
Të flasin, të flasin se fjalë due
në kët vetmi me ndigjue.
Ose të më tregojnë historinë
e tyne, autobiografinë:
ndoshta ty do gjej gjasim
me jeten time pa tingllim
që në vetmi po e kaloj
dhe s'po dij a rroj e s'rroj.
Sendet heshtin. sa të pamëshirë!
Më bajnë dhe mue të hesht me pahirë,
pse gojë s'kanë
dhe nuk flasin,
aty janë
vetëm të më plasin
zemrën teme që po vuen
dhe në mërzi vetveten truen.
Kanga që S'kuptohet
U vodh kanga nga zemra e kombit,
shpërtheu në vaj të dikuem mjerimit,
këndoi ujen e së bijës, këndoi ujen e të birit,
qau jetën e thyeme nga rrufe e fatit,
i mbyti në lotë shpirtënt që ndjejnë dhimbë për të ngratit.
Kangë a vaj? Çë je? Thuejma, zemër kombi!
Zemër që ke vuejtun, që ende po vuen...
Kangë a vaj? Çë je? Çë në ty po vluen?
Mallkimi ndaj fatet që ditët t'i helmuen,
që dëshirat e jetës të gjitha t'i gozhduen?
Oh, jo! Kanga jote asht shprehje e dhimbsun
e njëjetese që dergjet e dergjet
dhe tu' e dergjë ndoshta do hesht e molisun...
Poezia e Migjenit
Poezia e Migjenit, një poezi novatore, u bë shprehëse e fuqishme e pakënaqësisë ndaj realitetit, e urrejtjes ndaj dhunës dhe shfrytëzimit, ndaj mashtrimit politik, shoqëror dhe hipokrizisë. Duke shpërthyer drejtpërdrejt nga jeta e gjallë ajo pasqyroi botën shqiptare në vitet '30 me protestat, dhembjet, ëndërrat dhe shpresat për të ardhmen.
Vëllimin e tij "Vargjet e lira" (1936) Migjeni e hapte me vjershën "Parathënia e parathënieve" ku shpërthente gëzimi i tij se shekulli ka nisur të çlirohet prej skllavërisë shpirtërore. Lajtmotivi i kësaj vjershe e cila është një sintezë e mendimit revolucionar të Migjenit, është vargu: "Përditë prendojnë Zotat", Njeriu po hipën në majën e fronit, po bëhet zot i jetës, i tokës së tij, i vetvetes dhe nuk do t'u përulet më "idhujve".
Pas kësaj vjershat e veta Migjeni i ka ndarë në gjashtë cikle: "Kangët e ringjalljes", "Kangët e mjerimit", "Kangët e perëndimit", "Kangët më vete", "Kangët e rinisë" dhe "Kangët e fundit".
Në ciklin e parë bëjnë pjesë pesë nga vjershat më të mira të Migjenit. Filli që i bashkon këto vepra, është gëzimi për lindjen e "Njeriut të Ri", prej atyre të varfërve të rritur në mjerim, të cilët janë ngritur në luftëra të reja, që të mos humbin më në lojën e përgjaktë të historisë, të mos jenë më skllevër të titajve të tërbuar, por zot të vetes e të një bote të re, ku njeriu të jetë i lirë dhe askush të mos e shkelë personalitetin e tij. Këto luftëra nuk janë grabitqare e as për të siguruar privilegje të reja, si ato të hershmet, por janë luftëra të reja, siç i quan poeti kryengritës. Në këtë cikël kemi edhe protestën ndaj gjendjes së rëndë të shoqërisë shqiptare, ndaj gjithë forcave konservatore, që e mbajnë në vend atë, dhe shpërthimin e entuziazmit për lindjen e "Njeriut", i cili do ta drejtojë kombin drejt një agimi të ri. Në këtë cikël jeton edhe ideja se vetëm në liri mund të shpërthejnë energjitë dhe aftësitë njerëzore. Në gjithë ndryshimet, përmbysjen e botës së vjetër dhe krijimin e botës së re, poeti njeh si protagoniste rininë. Ajo është më e pastra, më e bukura pjesë e shoqërisë, ku ai var shpresat, besimin për fitoret e ardhme, për triumfin e idealit për një jetë të re:
Rini, thueja kangës ma të bukur që di!
Thueja kangës sate, që të vlon në gji.
Nxirre gëzimin tand, të shpërthejë me vrull.
Mos e freno kangën! Le të marri udhë.
(Kanga e rinisë)
poeti është i bindur se asgjë s'mund ta pengojë më lulëzimin e lirisë, ku do të shpërthejë hovshëm gjithë ato këngë, që ende i flenë në shpirt. Kjo është intuita e poetit, i cili ka aftësinë ta ndjejë i pari rrezen e ngrohtë të Diellit të jetës së re:
Por a do të vijë dita kangët me u zgjue
Apo ndoshta shekujt me ne prapë po tallen
Jo, Jo! Se liria filloi me lulzue
Dhe e ndjej nga Dielli (alegorik) valën.
Për identifikimin e figurës Diell ka pasur disa përpjekje për ta zbërthyer e konkretizuar. Por ato vetëm se e kanë vulgarizuar perceptimin poetik të poetit. Mjafton të mbetemi në simbolikën e tij dhe ajo thtë gjithçka. Ai ia ndien rezatimin botës së re, shoqërisë së re, e cila do të jetë e ngrohtë dhe e ndritshme si dielli dhe si ai do të mund të gjallërojë, të zgjojë të rilindë gjithçka që qëndon ende e ndrojtur, e përgjumur në errësirë. Thirrja që Migjeni i drejtonte Rinisë, në këtë vjershë ishte kuptimplotë, optimiste dhe tepër e ngrohtë, intime dhe romantike:
Thueja, kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!
Qeshu Rini! Qeshu! Bota asht'e jote!
Cikli i dytë i "Vargjeve të lira" nis me "Poemën e mjerimit", kryevepër poetike e Migjenit dhe një prej krijimeve më të bukur të poezisë shqiptare. Poema ka një konceptim e trajtim origjinal. Në fillim poeti sjell figurën e mjerimit të konkretizuar nëpër dhjetëra motive jetësore. Dhe së bashku me fytyrën tragjike të mjerimit në jetën shqiptare, vjen edhe dhembja, dhembja e poetit dhe dhembja që mbyt çdo shoqëri të ngritur mbi dhunën. Kjo dhembje e thellë përfundon në protestën ndaj rendit shoqëror që e krijon mjerimin, dhe në ironi dhe sarkazëm ndaj fesë, e cila s'arrit ta ndryshojë këtë pamje tragjike, megjithë lutjet e mëshirat mijëvjeçare. Pas kësaj poeti konkludon:
Mjerimi s'do mëshirë, por don vetëm të drejtë!
I gjithë cikli pavarësisht nga dhembja e thellë dhe pamja tragjike që krijohet ka tone optimiste, sepse nuk kemi të bëjmë me një dhembje mbytëse, por me dhembje krenare, të cilat sipas poetit, koha do të dijë t'i qetësojë.
Në këtë cikël poeti na jep për herë të parë me shumë art figurën e punëtorit që shfrytëzohet kafshërisht ose endet i papunë, duke thelluar kështu pamjen tragjike të mjerimit.
Gjithashtu në këtë cikël ai trajton edhe temën antifetare ku demaskon institucionet fetare, si bashkëfajtore të asaj shoqërie që pjell mjerimin. Në ciklin e tretë "Kangët e prendimit", Migjeni, sjell pamjen e Evropës kapitaliste para Luftës së Dytë Botërore, ku plagët e tmerrshme shoqërore dhe krizën ekonomike përpiqen t'i mbulojnë me pseudoart, me vepra e filma sentimentalë që e vishnin me ngjyra artificiale lumturie dramën shoqërore e politike. Po përtej kësaj cipe të neveritshme poeti sheh botën e rëndë të shtëllungave të tymit e të avujve, të djersës e gjakut. Në të dy vjershat e këtij cikli poeti sjell imazhin e një bote sonambul që po rrëshqet drejt greminës së shkatërrimit, drejt luftës. Kjo botë e zhytur në mjergull ende s'po e kupton se po i pregatisin një tragjedi të re. Për t'u orientuar në këtë botë të dehur, poeti kthehet nga bota punëtore e uzinave me thirrjen poetike:
Le të dëgjojmë kangën që mshtillet në shllung
Avull, në pika djerse,
Si vazhdim i këtij mendimi poetik, autori duke dashur që vëllimi i tij të ketë një kompozicion kuptimplotë, vendos vjershën "Kangë më vete" ku ai sjell më konkret imazhin e luftës së ardhme me shkaktarin e vërtetë të saj, fashizmin, që po hyn si hajn edhe në Ballkan.
Menjëherë pas kësaj vjen cikli "Kangët e Rinisë", që së bashku me ciklin "Kangët e fundit" janë më intime, më shprehës të shpirtit të poetit, të vuajtjeve, dëshirave, pasioneve të tij.
Te "Kangët e rinisë" bën pjesë vjersha "Ekstazë pranverore", që së bashku me këngët e ringjalljes dhe "Sonet Pranveror", janë krijimet më pasionante, më optimiste e më me ndjenjë të poezisë migjeniane. Aty ndihet thellë himni i triunfit të një bote të re, që do të jetë gjallëruese si një pranverë. A do të arrijë poeti t'a shijojë këtë pranverë? Parandjenja e një vdekjeje që po i afrohet, i jep dhembje poetit që, ndoshta, s'ka për ta parë këtë botë të re. Por gëzimi i triumfit të saj është kaq i madh sa dhembja vjen në përmasa reale e jo në trajtën e pesimizmit.
Te këto dy cikle jeton edhe dashuria e poetit, e cila sjell imazhin e bukur të një dashurie rinore, ku është shkrirë pasioni për vajzën, dëshira për të shijuar gjithçka të bukur, si dhe dashuria për krijimin e jetën në përgjithësi.
Në tetë vjershat e fundit, që i janë shtuar vëllimit më vonë ndihet edhe trishtimi, dhembja dhe pesimizmi i poetit, që e sheh se si po i fiket pak nga pak jeta. Por ato nuk e rëndojnë gjendjen shpirtërore të lexuesit, sepse janë të natyrshme dhe njerëzore.
Në disa vjersha "Rezignata", "Trajtat e mbinjeriut" etj. Migjeni trajton motive filozofike rreth kuptimit të ekzistencës së njeriut, të jetës, të vetëflijimit për të ardhmen e shoqërisë, të botës etj. Trajtimi i këtyre ideve është pak i mjegulluar, sidomos kur poeti sjell edhe mbinjeriun, që mendohet se është nocion që ka evoluar, në krahasim me kuptimin që i pati dhënë krijuesi i tij Niçja. Mbinjeriu i Migjenit, nuk është përbuzësi i vegjëlisë. Ai është një figurë, që merr përsipër të udhëheqë masat drejt një bote të re, ku të ketë kuptimin e vërtetë edhe sakrifikimi edhe ekzistenca, edhe dashuria, pra, të marrë një kuptim të ri jeta. Mendimi në këto vjersha vjen i turbullt dhe lë shteg për t'u interpretuar në mënyra të ndryshme, por ato kanë diçka të përbashkët, optimizmin, dashurinë për njeriun, dashurinë për të renë, për të bukurën.
Proza e Migjenit
Problematika, që trajtoi Migjeni në tregimet e në skicat, ishte ajo që trajtohej në publiçistikën dhe në prozën përparimtare të kohës. Ndryshimi qëndron në zbërthimet e thella dhe përgjithësimet e mëdha të Migjenit, në krijimet me një nivel shumë të lartë artistik. Me Migjenin tregimi i realizmit kritik shqiptar njohu kulmin e tij. Tregimet "A don qymyr zotni?", "Studenti në shtëpi", "Të çelën arkapijat", "Historia e njenës nga ato", "Qershijat", "Bukën tonë të përditshme falna sot", në të cilat pasqyrohet jeta e fshatit dhe qytetit shqiptar në problemet më thelbësore dhe dramatike të saj, qëndrojnë përkrah poezisë së tij më të mirë. Migjeni është krijuesi i vetëm i letërsisë sonë të së kaluarës që u shfaq me të njëjtën forcë artistike si në poezi ashtu edhe në prozën e shkurtër. Me tregimin e tij në letërsinë shqiptare motivohet për herë të parë plotësisht në art problemi i shkatërrimit të personalitetit të njeriut në kushtet e një shoqërie despotike. Në tregimet e skicat, ashtu si edhe në poezitë e tij rrihet vazhdimisht ideja se jeta shpirtërore kushtëzohet nga jeta materiale, se vlerat shpirtërore e morale shkatërrohen në kushtet e mjerimit e vuajtjeve të shumta të jetës së shtresave të varfëra. Me dhembje e revoltë ai tregon se si dinjiteti legjendar i malësorit, nderi i malësores, dhe i qytetares së varfër kanë marrë fund në luftën për ekzistencë në vështirësinë për t'i siguruar fëmijës një copë bukë a për ta shpëtuar nga vdekja.
Në krijimtarinë e tij Migjeni shprehu bindjen se përderisa të mos përmbyseshin idhujt e jetës së vjetër, gjithçka, në jetën e qytetit dhe të fshatit do të mbetej në gjendjen ekzistuese, në mjerim dhe varfëri. Në prozën e tij mjerimi, uria, konservatorizmi, patriarkalizmi, degjenerimi, kanë një burim: shtypjen dhe shfrytëzimin, që mbrohen me ligj nga rendi në fuqi. Ky qëndrim ndaj realitetit, i cili ishte një kundërvënie edhe ndaj krijimeve të autorëve konservatorë, jepet nëpërmjet një konflikti të fuqishëm, dramatik. Në këtë prozë kemi një ekuilibrim ndërmjet shpërthimit lirik të emocioneve dhe veprimit dramatik e përdorimit mjeshtëror të fjalës. Ai shkroi me dashuri e pikëllim për ata njerëz, që e shkonin jetën në kthetrat e mjerimit, kurse për shkaktarët e vërtetë të kësaj gjendjeje ai derdhi urrejtjen dhe përbuzjen. Migjeni e trajtoi vesin në prozën e tij si dukuri të një jete që brehej nga kontradiktat e thella dhe jo mbi bazën e instiktit, ndaj ai arriti të sjellë në letërsinë tonë përgjithësime të rëndësishme ideoartistike.
Personazhi i prozës së Migjenit është punëtori i papunë, malësori që i ka harruar hynitë e tij dhe i përgjërohet kokrrës së misrit, nëna që mallëkon pjellën e vet e që detyrohet të shesë vetvehten, e reja dhe i riu të cilëve jeta patriarkale, me ligje e norma mesjetare, u than ndjenjat, shpresat dhe ëndrrat rinore. Në tregimin e tij Migjeni trajtoi problemet më të rëndësishme të kohës dhe u bë shprehës i kontradiktave të saj.
Personazhet e tij janë tipizme të plota të një shtrese të caktuar të shoqërisë së kohës. Ai nuk i përshkruan ato, por i krijon me anë të zbërthimeve të thella psikologjike, nëpërmjet detajeve. Personazheve të tilla si malësorja ("A don qymyr zotni"), Nushi dhe Agla ("Studenti në shtëpi"), ose Bakalli ("Të çelen arkapijet") e Kola ("Bukën tonë të përditshme falna sot"), janë dhënë me forcë të rrallë artistike.
Pjesën më të madhe të krijimtarisë në prozë të Migjenit e zënë skica dhe fejtoni. Në këto krijime të rëndësishme realiteti është pasqyruar me shumë larmi dhe mjeshtëri artistike. Në prozën satirike të tij Migjeni herë kalon në trajtim konkret të problemit të mjerimit, papunësisë, të mohimit të mëshirës kristiane e artit për art. ( Një refren i qytetit tim, Mollë e ndalueme, Në kishë, Luli i vocërr, Zoti të dhashtë, Programi i një reviste, Legjenda e misrit, Bukuria që vret, etj.), herë në trajtim të përgjithshëm në formën e një eseje filozofike të problemeve të dinjitetit të njeriut, të së ardhmes së vendit, të ushtrimit të dhunës për të mposhtur personalitetin e njeriut të thjeshtë etj, (Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun, Ne me Krishtin, Përrallë abisine, Gjysëm ose italian, Mësim gjeografie etj.
Në veprën e tij jeta paraqitet lakuriq, me gjithë shëmtimin e saj dhe ai gjithnjë depërton me art në kuptimin e kësaj të vërtete. Në skicat migjeniane ka një galeri të tërë portretesh. Shumë autorë të brezit të tij e trajtuan me mjeshtëri skicën dhe prozën satirike, por tek asnjë ajo nuk është aq unike dhe origjinale, e thellë e artistike sa te Migjeni. Në prozën e tij Migjeni e mohon realitetin e kohës, gjithçka të keqe, pa mohuar mundësinë e përmirësimit të saj. Ai mohon shfrytëzimin, luftën imperialiste, konceptin patriarkal, vesin, shfrytëzimin e njeriut, po jo njeriun, mohon deri në fund anët e shëmtuara të jetës, por jo jetën. Mohimi i tij nuk ushqen pesimizmin, cinizmin, depresionin, prandaj krijimtaria e tij mbetet gjithmonë e re. Tregimi i tij karakterizohet nga sinteza e mendimit, shqetësimi qytetar dhe psikologjia e thellë e personazheve. Kurse te skicat ku ka pasuri motivesh, Migjeni e shtjellon idenë me anë të të një monologu dramatik të fuqishëm, i cili nis gjithnjë me ironi dhe përfundon me sarkazëm dhe revoltë. Ky monolog u përdor edhe nga autorë të tjerë të viteve '30, sidomos Nonda Bulka, po te Migjeni ai është më i natyrshëm e më i thellë.
Në krijimtarinë e Migjenit kufijtë midis skicës e tregimit shpesh humbasin. Forma origjinale e mendimit të tij, ironia e sarkazma therëse e sidomos monologu dramatik, bëhen te skicat shprehëse të konflikteve të rëndësishme shoqërore e politike të kohës. Prandaj mjaft nga skicat, ku ka edhe portrete të realizuara, është vështirë t'i dallosh nga tregimi.
Duke krahasuar tregimet e Kutelit, Koliqit, me ato të Migjenit, shohim se i pari ka njëfarë adhurimi mistik për të kaluarën, shpreh pakënaqësinë për realitetin ekzistues dhe beson se e ardhmja do të sjellë diçka të mirë, i dyti nuk i kundërvihet realitetit, por përpiqet ta riparojë atë dhe të harmonizohet aty, kurse Migjeni e mohon të kaluarën dhe të tashmen në emër të së ardhmes, të cilën kërkon t'ia rrëmbejë me forcë kohës.
Tregimi i Migjenit është satira e mprehtë e një poeti, që shpërthen me një protestë nga më të fuqishmet e letërsisë sonë të traditës. Ndaj, ndërsa Kuteli është një prozator i shquar, i talentuar i thellë, e Koliqi një prozator i kulturuar, Migjeni është novator. Ai vështroi thellë në shoqërinë e kohës dhe pasqyroi atë, duke e gjykuar dhe dënuar rreptë, në emër të një të ardhmeje më të bukur, pavarësisht se ajo na shfaqet e turbullt e simbolike. Migjeni në prozë na shfaqet si shkrimtar i formuar i realizmit kritik. Me krijimet e Migjenit, për herë të parë në prozë shohim thelbin tragjik të botës shqiptare dhe tregimi shqiptar arriti nivelin ideoartistik dhe shumllojshmërinë problematike të poezisë sonë. Tregimi i tij, bashkë me atë të Kutelit, shënojnë një periudhë pjekurie të letërsisë sonë, sepse individi filloi të vështrohej gjithnjë e më gjerë në një raport të përcaktuar me jetën politiko-shoqërore.
Veçoritë Artistike
Pikëpamjet e reja politike e shoqërore, konceptet e përpunuara mbi natyrën e shoqërisë, mbi njeriun dhe artin, krahas artit të tij të ri revolucionar, e bëjnë Migjenin figurën më të madhe të brezit të ri të viteve '30 dhe një nga shkrimtarët më të shquar shqiptarë. Me krijimtarinë e tij novatore letërsia jonë kaloi përfundimisht nga romantizmi ne realizmin kritik. Migjeni si në poezi edhe në prozë pasqyroi me realizëm të thellë shoqërinë shqiptare të kohës, jetën e shtresave më të vogla të qytetit dhe fshatit, iu kundërvu deri në mohim rendit në fuqi, akuzoi fashizmin, stigmatizoi klerin, artin zyrtar dhe arriti të japë një tablo realiste të viteve '30 .
Në krijimtarinë e tij, për herë të parë përftohen figura dhe portrete të plota e shumë të fuqishme të malësorit e punëtorit, të gruas shqiptare e cila ishte viktimë e një shfrytëzimi të dyfishtë.
Revolta e hapur, vuajtjet e thella, dhe optimizmi janë tipare karaktristike të poezisë së tij, e cila shquhet për konceptimin dhe sistemin origjinal të figuracionit. Kurse në prozë ai u shfaq si mjeshtër i portretizmit dhe i dhënies së psikologjisë së tipave të ndryshëm, që përfaqësojnë shtresa e klasa të ndryshme. Si në poezi dhe në prozë, ai solli një satirë shoqërore e politike të fuqishme. Në poezi ai trajtoi vjershën dhe poemën pa subjekt me varg të lirë, që shquhet për mendimin sintezë dhe sistemin figurativ, ku dallohet antiteza, simboli dhe alegoria. Në prozë ai lëvroi tregimin psikologjik, skicën, prozën satirike, që shquhet për tipat, portretet, dialogun, monologun, ritmin e veprimit, mendimin energjik dhe gjuhën e gjallë.
No comments:
Post a Comment