Nga Aida Tuci
Libri është në krizë. Faktorët që kanë ndikuar në zbrazëtinë e librarive të kryeqytetit janë shumë. Disa prej librashitësve (që më së shumti janë femra) thonë se kjo vjen për shkak të nivelit ekonomik. Një tjetër faktor sipas tyre është interneti, që ka larguar gjithnjë e më shumë lexuesin nga libri, politikat e shtetit për librin, gjithashtu, por sidomos në rënien e tregut të librit ka ndikuar shkatërrimi i bibliotekave dhe librarive pas viteve ’90. Vitet e fundit, në fakt biznesi duket se e ka kthyer vëmendjen edhe tek libri. Janë hapur disa librari luksoze me botime gjithashtu gjithnjë e më luks, shitëse të veshura uniform, kryesisht femra të reja e të bukura, që të shoqërojnë në çdo stendë me sy dhe buzëqeshje. Por pavarësisht imazhit, shumica e lexuesve-klientë të librarive, shohin, shfletojnë, admirojnë buzëqeshjen dhe bukurinë e shitëseve dhe dalin pa blerë asnjë titull. Arsyeja: Libri është shumë i shtrenjtë.
Florita Bardhi ka 43 vjet që si profesion ka shitjen e librit. Qoshja e saj që njihet si Libraria e Librit Universitar vizitohet çdo ditë e më pak. “Tregu i librit është shumë i pakët, sepse libri është shumë i shtrenjtë për nivelin ekonomik që ka lexuesi. Libri, për shumë lexues është luks i tepërt. Një libër kushton mesatarisht nga 800-2.000 lekë, dhe nuk është pak”, – thotë Florita. Ky është shkaku kryesor sipas Floritës që libraria e saj, dhe jo vetëm, vizitohet pak nga lexuesit. Përjashtim nga rregulli bëjnë shumë pak tituj, që edhe pse të shtrenjtë shkojnë tek lexuesi pak si dhunshëm prej “bombardimit” mediatik. “Disa shtëpi botuese por dhe vetë autorët e parapërgatisin tregun para se libri të vijë në librari, duke shfrytëzuar mediume të ndryshme. Kjo sigurisht që ndihmon në shitjen e librit”, – vëren Florita. Libraria e saj në fakt ka mbetur si dikur. Lexuesit pak mundësi i ofrohet për ta prekur librin. Ai që hyn në atë librari duhet ta dijë se çfarë kërkon. Krejt ndryshe ndodh te libraria “Albania”, e ngritur vitet e fundit, me hapësira të konsiderueshme ku librat janë renditur sipas autorëve dhe zhanreve dhe ku lexuesit i krijohet mundësi që të jetë sa më pranë librit. Por dhe në këtë librari moderne vizitorët janë shumë të paktë. “Nuk mund të thuash që libri është biznes fitimprurës sidomos në Shqipëri, sepse libri është i shtrenjtë për xhepat e njerëzve, por pavarësisht kësaj, dikush që e do librin nuk kursen për të”. Tatjana Vani, librare tek “Albania”, sapo ka përcjellë dy lexues-klientë që dolën pa blerë asnjë titull. Madje, një djalë solli te banaku një nga librat për ta blerë, por sapo pa çmimin dhe kuletën e tij, ktheu mendje. Shumica e njerëzve që frekuentojnë libraritë janë studentë dhe pensionistë, të cilët nuk kanë kuleta të fryra. Ka dhe një kategori lexuesish që librin e kanë jo vetëm pjesë të jetës së tyre, por kanë edhe mundësi ta blejnë atë. Falë kësaj kategorie, edhe pse e pakët në numër, mbijetojnë dhe ato pak librari në kryeqytet.
Shumë libra… Pak librari
Dikur librat që botoheshin ishin të zgjedhur. Përktheheshin kryesish kryeveprat botërore dhe libri shkonte në çdo qoshe të vendit. Florita Bardhi ka 43 vjet që merret me shitjen e librit. Dikur libraria e saj (që njihet si Libraria e Librit Universitar) shiste vetëm libra shkollorë dhe saktësisht librat universitarë, sot e detyruar nga tregu, në librarinë e saj (ndër të vetmet e mbetura si relikte e librarive të vjetra) mbizotëron libri artistik. “Është e vetmja librari në qendër të Tiranës dhe që i ka mbijetuar dy periudhave; asaj para ’90-ës, dhe pas ’90-ës, sigurisht me disa ndryshime”, – thotë Florita. Raftet modeste janë tejmbushur nga botimet dhe pjesa më e madhe e titujve janë vendosur në tokë.
“Ka shumë botime, nuk po flas për cilësinë e tyre, por dikur kishte një lloj përzgjedhjeje të librave që botoheshin. Botoheshin kryesisht vepra të zgjedhura. Gjithashtu, përkthyesit dhe redaktorët ishin shumë më profesionistë se sot. Kishte një përkushtim ndaj librit dhe vëmendje më të madhe, ndërsa tani libri merret, përkthehet dhe nxirret në shitje. Prandaj ka shumë vërejtje për librin sot, gjë që padyshim ndikon dhe në shitjen e tij”. Çdolloj libri; autor i madh apo anonim, i përkthyer mirë apo keq, botim cilësor ose jo, me ISBN ose pa, gjen një qoshe vend në librari. “Çdo libër që botohet, hyn në librari. Ka apo s’ka vlerë libri, nuk mund ta paragjykojmë. Por sidoqoftë, një libër gjithmonë ka vlera, pavarësisht se jam e vetëdijshme se shumë prej tyre lënë për të dëshiruar për sa i përket përkthimit dhe redaktimit. Ka shtëpi botuese serioze që botojnë libra cilësorë, por bashkë me këto në librarinë tonë gjen çdolloj libri, madje dhe libra që nuk përfaqësojnë ndonjë shtëpi botuese, por i sjellin vetë autorët që i kanë botuar në rrugë private. Nuk mund të vëmë kritere për librat që hyjnë në librari”,- thotë Tatjana Vani, librare në librarinë “Albania”, një ndër më të mëdhatë që është hapur në kryeqytet. Por ajo thotë se lexuesi zakonisht drejtohet tek ata libra që vijnë nga shtëpi botuese që kanë jetëgjatësi, çka kanë treguar seriozitet në treg dhe njihen nga lexuesit.
***
Shpërndarja e mangët nënkupton që librat nuk arrijnë tek të gjithë lexuesit potencialë. Libraritë që kanë qenë dikur, nuk ekzistojnë më. Ato që janë ngritur të reja, janë përqendruar vetëm në qendër. Florita, si më e vjetra në këtë “zanat” thotë se dikur libraritë ishin shumë më shumë, por sidomos i kushtohej vëmendje shpërndarjes gjeografike “Vetëm për librin universitar ishin disa librari të ndara sipas niveleve. Po ashtu, për librin artistik librari kishte çdo qytet, me një shpërndarje gjeografike në mënyrë që libri të shkonte tek çdo lexues. Tani libraritë janë përqendruar vetëm në qendër të Tiranës. Dikur kishte librari edhe në Babrru, Laprakë e Kombinat. Shumë prej këtyre librarive të vjetra nuk ekzistojnë më. Libraria më e madhe që ka qenë përballë Bankës së Shqipërisë nuk është më, te Materniteti i vjetër gjithashtu ka qenë një librari që tani është kthyer në kafe, te shkolla ‘Petro Nini’, në dyqan veshjesh, te ‘Pazari i Ri’, te rruga e Durrësit…etj., etj. Asnjëra prej tyre nuk është më. E vetmja librari e vjetër që ka mbijetuar me shumë vështirësi është kjo e Librit Universitar”. Tatjana e “Albania”-s ka tjetër mendim për këtë. Ajo thotë se libraritë e vjetra apo libraria te qoshja e lagjes kufizohen në titujt e librave që mbajnë. “Libraritë e vjetra furnizohen në bazë të kërkesave kushtëzuar dhe nga hapësira që kanë, ndryshe nga libraritë e mëdha ku lexuesi gjen çdo gjë”. Por ajo vëren diçka, në libraritë e vjetra që i kanë mbijetuar kohës, lexuesi mund të gjejë botime të vjetra që nuk i gjen në libraritë e mëdha dhe të hapura pas viteve ’90.
Librare dhe shitëse, një hendek në mes
“Një lexues kur hyn në librari ka nevojë për një orientim. E kur ky orientim është i duhuri, ai do të kthehet sërish aty. Por fatkeqësisht, sot nëpër librari ka më shumë shitëse sesa librare”. Tatjana Vani sheh një hendek të madh mes librares dhe shitëses. Për të, pjesa më e madhe e librarive nuk i kushtojnë rëndësi këtij elementi shumë të rëndësishëm në shitjen e librit. “Në libraritë e mëdha gjen më shumë shitëse të bukura, të veshura hijshëm, sesa librare. Të parat nuk e orientojnë dot lexuesin tek libri, sepse iu mungojnë njohuritë rreth librit, nuk lexojnë dhe nuk e njohin pjesën më të madhe të autorëve, ndërsa librari duhet të jetë një lexues i mirë, që ka njohuritë dhe kulturën e duhur për t’i sugjeruar lexuesit letërsinë e mirë.” Florita Bardhi, sot rreth të 60-tave, thotë se dikur libraritë njiheshin më shumë me emrin e librarit sesa me emrin e tyre. “Kishte librari që e kishin humbur emrin e tyre në kujtesën kolektive dhe njiheshin, ose më saktë evidentoheshin thjesht nga emri i atij që rrinte pas banakut. Jo çdo njeri mund të punonte në librari në atë kohë. Ai që i hynte këtij zanati duhej të ishte patjetër një lexues i mirë”. E në këtë kontekst, librarët ndryshe nga shitëset arrijnë të krijojnë dhe rrethin e tyre lexues-klient. “Secila nga ne, –thotë Tatjana, - ka klientët e vet dhe arsyeja është se ne u kemi sugjeruar librat që duhen dhe ata nuk janë zhgënjyer”.
“Libraritë” e bordurave
Zor se i gjen në libraritë e mëdha dhe luksoze kryeveprat e letërsisë botërore, të përkthyera në shqipen e mrekullueshme të Nolit, Shvarcit, Pashko Gjeçit, apo të Petro Zhejit. Por ama, botimet e para të kryeveprave “Komedia Hyjnore”, “Odisea”, “Tre shokët”, “Don Kishoti”, “Romeo e Zhuljeta”, “Lufta dhe Paqja” etj., etj., i gjen në bordura, trotuare, kryqëzime rrugësh, në mes të një bulevardi, të mbuluara nga pluhuri, me një çmim shumë më të lirë sesa në librari. Botimet e para të autorëve të mëdhenj, si të huaj ashtu edhe shqiptarë, nuk shiten më shumë se 200-300 lekë të reja. Shumica e librave që këta nevojtarë shesin nuk janë ribotuar më. Pjesa më e madhe e tyre ka qenë pjesë e bibliotekave të vjetra, të ngritura me mundim ndër vite. “Me shumë dhimbje i shesim sepse janë pasuri për ne, por e bëjmë për të mbijetuar. Vetëm pensioni 10 000 lekë në muaj nuk na del”, – thotë njëri prej tyre, të cilin gjithmonë e gjen tek “Parku Rinia”. Kjo është mënyra e vetme që i ka mbetur për të çuar një lek më shumë në shtëpi. Në “libraritë” e bordurave gjen botime të zgjedhura nga koha që nga letërsia antike, fjalorë, vepra të zgjedhura të autorëve të njohur shqiptarë e botërorë, deri dhe studime, libra shkollorë e revista të vjetra. “Këta libra i gjen vetëm në rrugë, sepse libraritë nuk i pranojnë këto botime. Furnizuesit tanë janë shtëpitë botuese dhe jo bibliotekat private të njerëzve të ndryshëm”, – thotë Florita, edhe pse nuk e mohon se disa prej librave që shiten ashtu rrugëve mund të kenë shumë më shumë vlerë se një pjesë e madhe e librave që qëndrojnë të vendosur bukur dhe me kopertina luksoze në raftet e librarive.