Flori Bruqi
Theofan Stilian Noli (Fan Noli, 6 janar 1882 - 13 mars 1965, ShBA) burrë shteti[1], dijetar, poet, përkthyes e historian shqiptar.
Fan Noli ishte artist dhe dijetar, përfaqësues i shquar i letërsisë demokratike, që u zhvillua në Shqipëri fill pas Rilindjes[2]. Fan Noli dha një kontribut të çmuar për Shqipërinë dhe thesarin e kulturës kombëtare shqiptare.
Familja u shtua shumë dhe erdhi një kohë që jetesa u bë e vështirë për të. Sa qe i mitur Noli hoqi sëmundje të rënda, prandaj shkollën e nisi me vonesë. Shkollën fillore dhe të mesme i bëri në gjuhën greke në Heybeliada, Stamboll. Por tek ai ndikoi me shumë krenaria e fshatit shqiptar për të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip.
Që në bankat e shkollës iu shfaqën karakteri i pavarur dhe fryma e revoltës. Për këtë shkak nuk iu dha diploma në kohën e duhur, gjë që e pengoi të emërohej mësues në atë vit shkollor. Në vitin 1900 shkoi në Greqi me qëllim që të nxirrte jetesën dhe të ndiqte fakultetin e filozofisë. Në Athinë u lidh me një shoqëri belge, e cila zotëronte tramvajet me kuaj.
Por nuk i eci mbarë dhe as studimet nuk i bëri. Atëherë u hodh në punë të tjera si kopist, sufler dhe aktor pranë një trupe greke teatri shëtitës. Tek punonte atje, iu ngjall dëshira për t'u marrë me dramaturgji. Më 1903 shkoi në Egjipt, ku filloi punë si mësues i greqishtes. Ndërkohë ai njihet me lëvizjen kombëtare. I ndihmuar nga patriotë të tjerë ai nis veprimtarinë politike dhe letrare: shkruan artikuj publicistikë, përkthen greqisht «Shqipëria ç´ka qenë, ç´është e ç´do të bëhet» të Sami Frashërit. Më 1909 njihet me Faik Konicën . Nga viti 1908 deri më 1912 kryen studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit, të cilat i përfundon me cum laude në Bachelor of Arts.
Në fund të jetës së tij shkon në Florida. Atje, në banesën e tij, në Fort Lauderdale, vdiq më 13 mars 1965, larg atdheut të shtrenjtë, që e deshi me zjarr të pashuar. Fan Noli është varrosur në Forrest Hill Cemetery, të Bostonit.
Pas shpalljes së Pavarësisë, Noli përkrahu qeverinë e kryesuar nga Ismail Qemali. Erdhi në Shqipëri për të parën herë më 1913. Përsëri shkoi në ShBA. Vatra e zgjodhi kryetar. Të kësaj kohe janë vjershat e tij të para dhe të parat shqipërime artistike. Më 1921 doli vepra e tij madhështore në prozë "Historia e Skënderbeut". Në Shqipëri erdhi sërish në fillim të viteve 20. Gjeti një lëvizje mjaft të gjerë për sigurimin e pavarësisë kombëtare dhe të tërësisë tokësore. Si deputet në Këshillin Kombëtar, mbrojti platformën e Kongresit të Lushnjës dhe u bë udhëheqës i krahut demokratik kundër feudalëve, që kryesohej nga Ahmet Zogu. Noli luajti një rol të dorës së parë në organizimin dhe në drejtimin e revolucionit demokratik të qershorit 1924, pas ngadhënjimit të të cilit u caktua kryetar i qeverisë. Por revolucioni nuk u çua gjer në fund. Noli me shokë treguan butësi dhe ngathtësi. Revolucioni u thye nga bashkëveprimi i reaksionit të brendshëm dhe me forca te huaja. Më 24 dhjetor 1924, Noli mori udhën e mërgimit politik dhe s'u kthye më në Shqipëri.
Fillimisht u vendos përkohësisht në Vjenë. Regjimi zogistë e dënoi me vdekje në mungesë. Në periudhën 1925-1930, krahas veprimtarisë politike, zhvilloi një punë të dendur krijuese: shkroi vjersha, shqipëroi disa kryevepra të letërsisë botërore, me hyrje kritike, botoi artikuj të mprehtë për mbrojtjen e revolucionit demokratik të qershorit]], për denoncimin e regjimit zogistë dhe të reaksionit ndërkombëtar. Pas vitit 1930, Noli u largua nga Europa dhe u vendos përfundimisht në ShBA. Aty ushtronte funksionin e peshkopit të kishës ortodokse shqiptare. Më 1947 botoi përpunimin që i bëri Historisë së Skënderbeut, nxorri në dritë një botim anglisht dhe më 1949 një variant të dytë shqip të saj: kurse më 1960 dha anglisht një autobiografi të shkurtër mjaft tërheqëse. Vëllimin me vjersha Albumi u botua më 1948. Brenda viteve 1961-1963 botoi dy vjershat e fundit origjinale dhe disa shqipërime vjershash të poetëve të njohur.
Tituj të veprave
Album - vëllim vjershash - 1948
Historia e Skënderbeut - 1921
Autobiografia - 1960
Izraelitë e Filistinë - dramë
Bethoveni dhe Revolucioni Francez
Disa poezi nga Fan Noli
Anës lumenjve
Fryn moj erë
Himni i Flamurit
Moisiu në Mal
Poezi
Vepra 1,2,3,4,5,6 (Fan S. Noli)
Burimi i të dhënave
^ Ligjvënësit shqiptarë 1920-2005 - Republika e Shqipërisë KUVENDI. Tiranë 2005
^ albanian.ca
^ Noli: Si e kam njohur Faik Konicën
^ a b c Gjovalin Shkurtaj dhe Enver Hysa : Gjuha Shqipe për të huajt dhe shqiptarët jashtë atdheut
Shpell' e Dragobisë
Kur tufani e çthuri fenë,
Kur tirani e krrusi atdhenë,
Mi një brek të Dragobisë
Priret Flamur' i lirisë.
Atje nisi, atje mbaroj,
Atje krisi, atje pushoj,
Rrufe-shkab' e Malësisë,
Në një shkëmb të Dragobisë.
Vendi dridhej, ay mbeti
Se s'tronditej nga tërrmeti.
Div drangoj i Dragobisë,
Trim tribun i Vegjëlisë.
0 Bajram, bajrak i gjallë,
More nam me gjak në ballë,
Te një shpell' e Dragobisë,
Yll i rrall' i burrërisë.
Thon' u shtri e thon' u vrà,
Po ti s'vdiqe, or Baba,
As te shkëmb' i Dragobisë,
As te zëmr' e Djalërisë.
As je vrar' e as po vritesh
Legjendar Ante po rritesh.
Dithiramb i Dragobisë,
Tmerr, panik i mizorisë.
Me Zjarr Shenjt u ndrit kjo shpellë.
Gjer në qjell u ngrit Kështjellë
Për çlirimn' e Shqipërisë
Katakomb' e Dragobisë.
Anës Lumenjve (Poezi nga Fan Noli)
Arratisur, syrgjynosur,
Rraskapitur dhe katosur
Po vajtonj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbë-s, anës Spree-së.
Ku e lam' e ku na mbeti,
Vaj-vatani e mjer mileti,
Anës detit i palarë,
Anës dritës i paparë,
Pranë sofrës i pangrënë,
Pranë dijes i panxënë,
Lakuriq dhe i dregosur,
Trup e shpirt i sakatosur.
Se ç'e shempnë derbederët,
Mercenarët dhe bejlerët,
Se ç'e shtypnë jabanxhinjtë,
Se ç'e shtrythnë fajdexhinjtë,
Se ç'e pren' e se ç'e vranë,
Ç'e shkretuan anembanë,
Nënë thundrën e përdhunës
Anës Vjosës, anës Bunës.
Çirem, digjem i vrerosur,
Sakatosur, çarmatosur,
As i gjall', as i varrosur,
Pres një shenj' e pres një dritë,
Pres me vjet' e pres me ditë,
Se ç'u tera, se ç'u mpaka,
Se ç'u çora, se ç'u mplaka,
Lark prej vatrës dhe prej punës,
Anës Rinit, anës Tunës.
Çakërdisur, batërdisur,
Përpëlitur dhe zalisur,
ËndËronj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbë-s, anës Spree-së.
Dhe një zë vengon nga lumi,
Më buçet, më zgjon nga gjumi,
Se mileti po gatitet,
Se tirani lebetitet,
Se pëlcet, kërcet furtuna,
Fryhet Vjosa, derdhet Buna,
Skuqet Semani dhe Drini,
Dridhet beu dhe zengjini,
Se pas vdekjes ndriti jeta
Dhe kudo gjëmon trumbeta.
Ngrehuni dhe bjeruni,
Korini dhe shtypini,
Katundar' e punëtorë,
Që nga Shkodra gjer në Vlorë!
Ky ilaç e ky kushtrim
më bën djal' e më bën trim,
më jep forc' e më jep shpresë,
anës Elbë-s, anës Spree-së.
Se pas dimrit vjen një verë,
që do kthehemi njëherë,
pranë vatrës, pranë punës,
Anës Vjosës, anës Bunës.
Arratisur, syrgjynosur,
Raskapitur e katosur,
brohoras me bes' e shpresë,
anës Elbë-s, anës Spree-së.
Fryn moj erë (Poezi nga Fan Noli)
-Ngaj po na vjen, moj erë e rreptë ?
Pse vërshëllen me aq mallëngjim ?
-Vij drejt nga malet e Shqipërisë,
për të përhapur zi e vajtim.
Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn,
drejt më zëmër, më zëmër time hyn.
-Nga ata male, moj erë trime,
ç'lajme të reja po na ke siell ?
Pse je e vrerët dhe e helmuar ?
qiellë me zi përse na e mbiell ?
Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn,
drejt më zëmër, më zëmër time hyn.
Pse e ke synë të trubulluar
e rent kaluar mi t'zeza re?
Pse të pikojnë lottë të zeza,
lottë të zeza posi rrëke ?
Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn,
drejt më zëmër, më zëmër time hyn.
Syri m'u err nga ato që pashë
Ah ! nukë mbahem, nuk duroj dot.
Pashë një gjëmë, gjëm të tmeruar,
rent ta haroj, po rentkam më kot.
Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn,
drejt më zëmër, më zëmër time hyn.
Atje tek losnja në fush' të Korçës,
duke u hedhur lis më lis,
një qivur pashë me nj'çup' të virgjër,
ma vrau shpirtin ay filis.
Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn,
drejt më zëmër, më zëmër time hyn.
Tokat pushonin, prift nukë dukej,
e pakënduar na u varros ;
mihnë dëborën, i bënë varrë,
shpirt nuk më mbeti, forca m'u sos.
Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn,
drejt më zëmër, më zëmër time hyn.
Atje mi varrë qante një grua,
një grua qyqe me mallëngjim ;
burrën të qante më par'a çupën,
për kë të bënte më par'vajtim ?
Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn,
drejt më zëmër, më zëmër time hyn.
Renda e ika e fluturova,
po dhëmbjen time ku do ta fsheh ?
Çava oqeane, dete dhe male,
po vajtoj edhe sikundër sheh.
Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn,
drejt më zëmër, më zëmër time hyn.
-Moj er'e rreptë, erë malsore,
shpirti m'u ndes, zëmra më shkriu ;
sytë m'u errë si ty dhe mua,
mëndja në kokë më bubullin.
Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn,
drejt më zëmër, më zëmër time hyn.
Qëndro të lutem, të kam për t'dhënë
dhe un'i varfri një porosi :
një re të madhe dërgo të zbresë
e ta ngarkojmë me lott'e mi.
Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn,
drejt më zëmër, më zëmër time hyn.
E kur të kthehesh nga Shqipëria,
Atje në kopshtin, atje t'qëndrosh,
dhe lott'e mia si vesë qjelli
dalë nga dalë do t'i pikosh.
Qaj, moj erë, moj er'e shkretë qaj,
derthmi lottë atje mi varr'e saj.
Hymni I Flamurit
O Flamur gjak, o flamur shkabë,
O vënd e vatr' o nën' e babë,
Lagur me lot, djegur me flagë,
Flamur i kuq, flamur i zi.
Fortesë shkëmbi tmerr tirani,
S'të trëmp Romani, as Venecjani,
As Sërp Dushani, as Turk Sulltani,
Flamur i math për Vegjëli
Flamur që lint Shën Kostandinin,
Pajton Islamn' e Krishtërimin,
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.
Me Skënderben' u-lavdërove
Dhe në furtun' i funtmi u-shove,
Me Malon prapë lart vrapove,
Yll i pavdekur për Liri.
Sa shpesh pastaj për-dhe u-shtrive
Me zjarr e zi u-ndeze u-nxive,
Po çdo mizor me shpat' e grive,
O fushë-kuq, o shkabë-zi.
Përpjetë pri-e Shqipërinë,
Përlintj'a shpirtin dhe fuqinë,
Diell për vllanë, yrnek për fqinë
Për botën ëndr' e qjell i ri.
Moisiu në Mal
Ngjitet përpjetë Malit të shkretë
Krye-Profeti trimi me fletë,
Të bisedonjë me Perëndinë
Për Palestinë.
Arrin në majë lart i kapitur,
Qëndron me frikë, pret i tronditur,
Dhe Jehovaj i flet prej një reje
Me zë rrufeje :
"Ti dhe të tjerët pleq do të ngelni,
Tokën e Shenjtë kurrë s'e shkelni
Skllevër, bij-skllevësh, s'e meritoni
Se liri s'doni !"
Krye-Profetit dita i ngryset
Dhe shpirt-këputur përdhe përmbyset
Me lot në sy, me zemër të ngrirë
I lyp mëshirë.
Pse kaqë gjatë, Zot, m'arratise,
Pse më përplase, më përpëlise,
Pse shpresën dyzet vjet ma ushqeve,
Dhe sot ma preve ?
"Nëm Dhen' e Lirë! Zot ku ma ke?"
"Shiko, i tha, dhe ja ku e pe."
Së largu Zoti ia pasqyron,
Dhe e shikon.
Ja Nazareti, ja Bethlehemi,
Lum' i Jordanit, Jerusalemi,
Mal' i Sionës, Bethsaidaja,
Dhe Golgothaja,
Sheh gasn' e pritmë për djalërinë
Dhe shkretëtirën për pleqërinë,
Atje sa bukur, këtu sa zi,
O Moisi.
Këtej ka dimrin, andej pranverën,
Kërkon parajsën, vdes në Skëterrën;
Ajme, sa vrer, sa keq e sa zor,
Liberator !
Shën Pjetri mbi Mangall
Fryn' e çfryn veriu,
Ngrin, mërdhin i ziu
Dhe mangallit i afrohet
Që të ngrohet.
Krishtin brënda e gjykojnë
Dhe pas ligjës e dënojnë,
E goditin dhe e shtyjnë,
E pështyjnë.
S'del askush që t'a shpëtonjë,
Roma do t'a kryqësonjë,
Triumfon Legaliteti
Dhe Laneti.
Kur e rrahin dhe e tallin
Pjetri ngulet mbi mangallin;
Kur e pa, u koll këndezi
Nga qymezi.
Dhe një shërbëtore i tha:
"Je dhe ti një nga ata!"
Po Shën Pjetri proteston,
E mohon.
Kruspull mbi mangallin mblidhet,
Po djek dorën dhe përdridhet;
Se ç'këndon bandill këndezi
Nga qymezi:
"S'ka e s'ka si heroizma,
Edhe si idealizma,
Po kur dimër del behari
S'ka si zjarri."
-"Nga ata je!"- thot' ajo,
E mohon Shën Pjetri: -"Jo!
As e njoh, as e kam parë,
Moj e marrë!"
Kruspull mbi mangallin mblidhet,
Po djek mjekrën dhe përdridhet;
Se ç'këndon bandill këndezi
Nga qymezi:
"Shkab' e shkëmb me poz' e fjalë,
Se ç'na dolle shkrumb e galë,
Në je trim këtu tregoje,
Shko shpëtoje."
Thot'ajo: -"Je, mos gënje!"
Pjetri e mohon me be:
-"Jo, për Zotin, moj aman,
S'jam e s'jam."
Kruspull mbi mangallin mblidhet,
Po djek gjuhën dhe përdridhet;
Se ç'këndon bandill këndezi
Nga qymezi:
-"Simon Pjetër, Bar Jona,
Kështu ndahet kjo dynja:
Kryqi andej, këtej buxhaku
Dhe allçaku.
Se ç' e dogje, se ç' e fike,
Gjel me gjëmb' e këng' armike.
Dhe ndërgjegjen se ç' ia çpove,
Se ç'ia zgjove.
Se ç'vajton Shën Pjetri hidhur,
Lesh-lëshuar, duar-lidhur,
Tri her' e mohoj pa gdhirë,
Faqe-nxirë.
Rent or Marathonomak
Rent, or rent, rent e u thuaj
Se u çthur ordi e huaj,
Se betejën e fituam
Dhe qytetin e shpëtuam!
Rent, or rent,
Rent, or Marathonomak!
Kap një degë prej dafine
Dhe vërtitesh ndaj Athine,
Nëpër fush' e brek mi brek
Këmba tokën as t'a prek,
Hip' e zbrit,
Petrit, Marathonomak!
Ke një plagë, po s'e the,
Djers' e gjak pikon për-dhè;
Do që ti të jesh i pari,
Për triumfin lajmëtari
Flamur-gjak,
Kuqo, Marathonomak!
T'u tha gryka, po s'të pihet,
T'u mpi këmba, po s'të rrihet,
Se mileti po të pret,
Ankthi zëmrat ua vret,
Vrer e tmerr,
Shpejt, or Marathonomak!
Kurrë kaqë s'dogji djelli
Dhe si plumb s'rëndovi qjelli,
Kurr' aq ëmbël' e bukur s'ftoj
Hij' e lisit edhe kroj;
Turru tej,
Tutje, or Marathonomak!
Vapa mbyt e pluhri nxin
Ferra çjerr e guri grin
Afsha gjoksin përvëlon
Syrin avulli verbon;
Ur' e prush,
Furr', or Marathonomak!
Gryka si gjyryk të çfryn
Prej Vullkani flag' e tym
Se ç'vëngon e se ç'gulçon,
Zëmra brinjët t'i çkallmon
Me tokmak,
Mbahu, or Marathonomak!
Nëna, motra, nusja dalin,
Ngrehin krahët të të ndalin,
Mos, se s'janë veç Najada
Magjistrica dhe Driada;
Lark, or lark,
Lark, or Marathonomak!
Hajde, ja Akropolia,
Ja qyteti e njerëzia
Që të pan' e që të çquan
Dhe fuqinë t'a rishtuan
Ha dhe pak,
Hajde, or Marathonomak!
Ja, arrive, ua the:
Ç'gas e ç'helm qe kjo myzhde!
"E fituam!", brohorite
Dhe për tok' u përpëlite;
Vdiq, or vdiq!
Vdiqe, or Marathonomak!
Rent kudo, dyke bërtitur,
Nëpër shekuj faqe-ndritur,
Se i vogli shtrin viganin
Dhe i shtypuri tiranin,
Veç e tok,
Tok, or Marathonomak!
Plak Topall dhe Ashik
Dale, moj, se kam një fjalë,
Se më rjedhin djersët valë;
Dale, moj, se s'jam më djalë
Dhe më s'ecënj dot.
Dale, moj, se më kapite,
Më këpute, më sfilite,
Prite, moj, ashikun, prite
Që të vjen me not.
E arriva dhe ia thashë,
Asnjë gur pa tundur s'lashë,
Dhe mëgjunjazi i rashë,
Ç'u mundova kot.
Hapi gojën, dhe vajtova,
Qenkam plakur, e kuptova,
M'ardhi keq, po s'e mohova,
Syri m'u-përlot.
Dhe nga jeta u mërzita,
Dhe nga lumi u vërvita
Që të vdes, se u korita
Dy-tri herë sot.
Po ti, Zot, më ngushëllove
Pas një tjatre më lëshove,
Dhe nga mbytja më shpëtove,
Lavdi paç, o Zot.
Dale, moj, se kam një fjalë,
Se më rrjedhin djersët valë;
Dale, moj, se jam i çalë
Dhe më s'ecënj dot.