2012-11-24

(Si ta përkujtojmë 100-vjetorin e vrasjes së Petro N.Luarasit)


Prof. Murat Gecaj

(Si ta përkujtojmë 100-vjetorin e vrasjes së Petro N.Luarasit)

Këto ditë, me anën e telefonit, më kërkoi një takim “urgjent”, Prof.Alfred Uçi-Akademik. Ndërsa shkoja në lokalin, ku e kishim lënë të shiheshim, sillja ndërmend, sidomos, takimet e kohëve të fundit me të. Ngjarja më e paharruar ishte festimi i 80-vjetorit të lindjes së tij, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, në kryeqytetin Tiranë. Gjithashtu, sikur i përfytyroja vendet, se ku i kisha sistemuar edhe disa nga veprat e tij interesante, që më ka dhuruar ai. Me atë hapin e ngadaltë, trupin e gjatë e me buzëqeshje të natyrshme të tij, Prof. Alfredi, i shoqëruar si zakonisht nga bashkëshortja, Rozeta, me të cilën kam qenë në një kurs gjatë viteve në Universitetin e Tiranës, më dolën përpara dhe i shtrimë dorën miqësisht njëri-tjetrit. Sapo u takuam e po ecnim drejt lokalit, ai nisi të më fliste me dashamirësi e mirënjohje edhe për ndihmën e bashkëpunimin tim, në festimin e përvjetorit të tij, që përmenda më lart.

Petro Nini Luarasi, “Mësues i Popullit”
Pasi u rehatuam e nisëm të pinim kafe e çaj, bisedën e nisi i pari Prof. Uçi. Meraku e shqetësimi, që atë po e mundonte e donte ta ndante edhe me mua, ishin dy përvjetorë të rëndësishëm, të dy ndër personalitetet e shquara të atdhetarizmit, arsimit e letërsisë shqiptare. Pra, fjala është për afrimin e dy datave të shënuara: 100-vjetori i vrasjes së “Mësuesit të Popullit” Petro Nini Luarasi, më 17 gusht 2011 dhe 100-vjetori i lindjes së poetit të madh kombëtar, Millosh Gjergj Nikollës (Migjenit), më 13 tetor 2011. Pastaj Prof. Uçi më dha disa fletë të printuara nga kompjuteri. E para, ishte një letër, që ai e kishte nisur në adresë të disa personaliteteve shtetërore, të cilët i informonte e I kujtonte për sa më sipër. Bashkëngjitur me të, kishte dhe disa propozime konkrete, se çfarë masash medonte ai, që të merren gjatë muajve në vazhdim, së pari, në nderim e kujtim të Petro N.Luarsit të paharruar. Në shënimet bashkangjitur me shkresën e mësipërme, ai shënonte edhe këto fakte: “ Petro Nini Luarasi (lindur më 22 prill 1865,-shënimi im, M.G.) është një nga veprimtarët më të shquar të brezit të fundit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Qysh në vitin 1885, iu përkushtua krijimit të Shkollës shqipe, mbi themelet e Platformës kulturore të kësaj lëvizjeje atdhetare, arsimore e kulturore. Në vitin arsimor 1885-1886, drejtoi shkollën e parë në gjuhën shqipe, në fshatin Luaras dhe pastaj organizoi shkolla të tilla edhe në shtatë fshatra të Kolonjës. Më 1887, u caktua drejtor i shkollës së parë shqipe në qytetin e Korçës. Në bashkëpunim me Gjerasim e Sevasti Qiriazin, ndihmoi në organizimin dhe mbarëvajtjen edhe të “Shkollës Shqipe të Vashave”, po aty. Me guxim të rrallë përballoi trysnitë dhe përndjekjet e pushtuesve osmanë dhe të klerikëve grekofonë, të cilët kundërshtonin përhapjen e arsimit shqip. Në vitet 1904-1908, kur ishte emigrant politik në SHBA, zhvilloi një veprimtari të shumanshme atdhetare, themeloi Shoqërinë “Mall’ i Mëmëdheut, ndihmoi në botimin e Gazetës “Dielli” dhe bashkëpunoi me Fan Nolin për krijimin e Kishës Autoqefale të shqiptarëve” Më tej, në material jepen të dhëna e dëshmi konkrete se Petro N.Luarasi kishte qenë delegat në Kongresin e Manastirit dhe, bashkë me Çerçiz Topullin, ishin drejtues të Komitetit të Manastirit, i cili dha ndihmesë të çmuar për organizimin e kryengritjes së armatosur në Jug të vendit tonë, e cila i parapriu shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912. Në vitin 1911, ai bashkëpunoi edhe me drejtuesit e kryengritjeve të armatosura të malësorëve, në Veri të vendit. Po kështu, Petro N.Luarasi ishte delegate në Kongresin e Dytë të Manastirit. Gjatë jetës së tij, u dallua edhe si publicist e hartues i teksteve mësimore për shkollat shqipe. Ishte redaktor i gazetës “Bashkimi i Kombit”, që dilte në Manastir dhe botoi librin “Mallkimi i shkronjave shqipe dhe përfolja e shqiptarit”. Për interest kombëtare shqiptare bashkëpunoi me disa rilindës tanë, në Stamboll, Rumani, Sofje e gjetkë. Për të gjithë këtë veprimtari të spikatur atdhetare, armiqtë tanë, xhonturqit e dhespotët grekë të Patrikanës së Stambollit, e ndoqën këmba-këmbes,deri sa e helmuan Petro Nini Luarasin, më 17 gusht 1911. Për meritat e shumta të tij, është vlerësuar me titullin e lartë “Mësues i Popullit” dhe “Nderi i Qarkut të Korçës” e “Nderi i Kolonjës”. Një gjimnaz në kryeqytetin Tiranë dhe një tjetër në Ersekë mbajnë emrin e tij.
Në nderim e në kujtim të jetës dhe veprimtarisë së shumanshme të Petro N.Luarasi, në këtë 100-vjetor të vrasjes së tij, siç mendon e parashtron Prof.Uçi, është e udhës të krijohet një komision i posaçëm. Ndër masat, që duhen marrë me këtë rast, janë: Paraqitja e propozimit për titullin më të lartë “Nderi I Kombit”, botimi i një libri jetëshkrimor, i shoqëruar me veprat e tij; hartimi i bibliografisë përkatëse; organizimi i disa sesioneve shkencore, në Tiranë, Korçe e Kolonjë dhe gjetkë; emetimi i një pulle postare, me këtë rast; emërtimi i ndonjë shkolle tjetër, në Jug e në Veri të vendit; rishfaqja e filmave “Kush vdes në këmbë” e “Mësonjëtorja” etj. Një vend me rëndësi lipset të zenë artikujt në shtyp dhe emisionet në radiotelevizione, publike e private. Po kështu, në këtë kuadër, për njohjen e jetës dhe veprës atdhetare e arsimore të Petro N. Luarasit, është e nevojshme të bashkëpunohet me institucionet arsimore e kulturore etj., në Kosovë, Maqedoni e Malin e Zi dhe në Diasporë. Sigurisht, edhe atje mund e duhet të parashikohen e zhvillohen veprimtari të ndryshme e të bëhen botime, kushtuar këtij atdhetari e arsimdashësi të madh.
Në mbyllje të këtij parashtrimi e kujtese për organet e ndryshme shtetërore dhe për publikun e gjerë, Prof. A.Uçi na sjell në kujtesë shprehjet aq kuptimplote të Petro N.Luarasit: “Nëqoftëse do të më vrisni, gjakun ma ruani, që me të, fëmijët të shkruajnë gjuhën shqipe” , “Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi!” Ja, pra, ky ishte një shqetësim e një merak i natyrshëm i Prof. Alfred Uçit-Akademik, që në 100-vjetorin e vrasjes, “Mësuesi i Popullit” Petro Nini Luarasi të nderohet e përkujtohet me dinjitet, sa më mirë e gjerësisht.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...