Nobelisti turk Orhan Pamuk
Kohë më parë shteti Francez e ka nderuar nobelistin turk Orhan Pamuk me urdhrin “Legjionar nderi” në një ceremoni të mbajtur në Ministrinë e Kulturës së Francës, në Paris. Ministrja franceze e Kulturës, Aurelie Flippeti, e ka nderuar Pamukun në emër të shtetit dhe e ka vlerësuar shkrimtarin, duke thënë se është një autor i shquar i përkthyer në disa gjuhë dhe i lexuar nga mijëra njerëz anembanë globit. Ajo ka thënë se në veçanti i pëlqejnë rrëfimet e autorit që kanë për temë Stambollin. “Për shkak të rrëfimeve tua për Stambollin, unë ju krahasoj me autorin francez Victor Hygo dhe rrëfimet e tua me ‘Les Miserables’. Dukeni shumë të ngjashëm në këtë sens”, ka thënë ajo.
Pamuk ka thënë se ai është anëtari i vetëm i familjes që nuk flet frëngjisht. “Kam lexuar romane franceze dhe kam parë piktura franceze”, ka thënë ai.
Sa u përket marrëdhënieve turko-franceze, Pamuk ka thënë se turqit otomanë e kanë parë Francën si model në perëndizimin politik.
Gjatë fjalimit ministrja franceze ia ka dorëzuar Pamukut trofeun. Në mesin e të pranishmëve në ceremoni ka qenë edhe përfaqësuesi i përhershëm i Turqisë në UNESCO, Gürcan Türkoglu, si dhe përfaqësues të Ambasadës turke në Paris.
Më 26 tetor Pamuk po ashtu ishte nderuar me çmimin “Sonning Prize”, që është çmimi më prestigjioz kulturor që ndahet në Danimarkë, për kontributin në kulturën evropiane. Ceremonia ishte mbajtur në Universitetin e Kopenhagës. Në një artikull të shkruar së fundmi në të përditshmen britanike “Guardian”, Pamuk kishte kritikuar Evropën, duke thënë se ka ngritur mure dhe se gradualisht po largohet nga bota. “Evropa shpejt do të kthehet në një vend konzervativ i dominuar nga identitetet religjioze dhe etnike”, kishte shkruar mes tjerash Pamuk.
Flori Bruqi