2012-11-20

“Serbia nuk ka treguar dhe nuk është duke treguar gatishmërinë e saj për të bërë të mundur përmirësimin e marrëdhënieve që sot ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë”.


Serbia ka ngritur në Kosovë strukturat e saj të sigurimit, të ushtrisë, por edhe të shërbimeve informative.

Deklarata vjen nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi i cili thekson se “Serbia nuk ka treguar dhe nuk është duke treguar gatishmërinë e saj për të bërë të mundur përmirësimin e marrëdhënieve që sot ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë”.
Kryeparlamentari  Prof.dr.sci. Jakup Krasniqi fajëson shtetin serb për gjithçka është zhvilluar në të kaluarën në Kosovë. Por gjithashtu, sipas tij, “ajo është përgjegjëse edhe për tendencën e saj për të pushtuar një pjesë të Kosovës..

Sa i përket 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, kryetari i Kuvendit të Kosovës shprehet: “Ne si shqiptarë duhet të nxjerrim një mësim nga kjo histori 100-vjeçare, për ta filluar 100-vjetorin e ri më të organizuar me projekte më të shumanshme dhe më të mira se sa na la ky 100-vjetor”.(Floripress)

Intervista e plotë :








Serbia tenton pushtimin e një pjese të Kosovës


Serbia ka ngritur në Kosovë strukturat e saj të sigurimit, të ushtrisë, por edhe të shërbimeve informative. Deklarata vjen nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi i cili thekson se “Serbia nuk ka treguar dhe nuk është duke treguar gatishmërinë e saj për të bërë të mundur përmirësimin e marrëdhënieve që sot ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë”. Në një intervistë dhënë dje ekskluzivisht për gazetën “Shekulli”, kryeparlamentari Krasniqi fajëson shtetin serb për gjithçka është zhvilluar në të kaluarën në Kosovë. Por gjithashtu, “ajo është përgjegjëse edhe për tendencën e saj për të pushtuar një pjesë të Kosovës”- shprehet Krasniqi. Sa i përket 100 vjetorit të Pavarësisë, Kryetari i Kuvendit të Kosovës shprehet: “Ne si shqiptarë duhet të nxjerrim një mësim nga kjo histori 100-vjeçare, për ta filluar 100-vjetorin e ri më të organizuar me projekte më të shumanshme dhe më të mira se sa na la ky 100-vjetor”.

Z. Krasniqi si po ecën procesi i negociatave mes Kosovës dhe Serbisë? Ka ndonjë zhvillim të ri në marrëdhëniet dypalëshe pas takimit të kryeministrit Thaçi me homologun e tij Daçiç?

Realisht këto janë bisedime të cilat tashmë kanë filluar, si dhe janë bisedime të cilat kanë kërkesën edhe të komunitetit ndërkombëtar. Parë në këtë këndvështrim, ato ishin dy takime të cilat kanë qenë ndoshta më tepër bisedime të karakterit njohës të dy kryeministrave. Deri më tani nuk ka ndonjë rezultat konkret, pasi janë disa bisedime për disa çështje të caktuara, ku ndoshta çështja më e rëndësishme është se si të realizohet marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufijve Kosovë-Serbi. Realisht, edhe pse kjo marrëveshje është realizuar në bisedimet e kaluara teknike, ende nuk ka një realizim konkret. Dhe, sigurisht, kjo nuk do të jetë e lehtë për t’u arritur. Kjo për faktin sepse, vetë marrëveshja e menaxhimit të integruar të kufijve është niveli më i lartë i bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Dhe në këtë kuptim, po të shikojmë se si ka qenë dhe është bashkëpunimi mes Serbisë dhe Kosovës, do të vërejmë se ai është një bashkëpunim tepër i brishtë dhe i vështirë për tu realizuar. Ne e kemi një përvojë të mëparshme me palën serbe, ku një pjesë e atyre bisedimeve janë arritur, por nga ana e saj, Serbia nuk i ka mbajtur fjalët e thëna në ato takime. Kështu që, kjo është një përpjekje për t’i normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, por unë personalisht mendoj se do të ketë vështirësi të mëdha për t’u arritur një normalizim i këtyre marrëdhënieve. Kjo për faktin se kryeministri i Serbisë në deklaratat e tij të bëra pas zhvillimit të këtyre takimeve, ka dëshmuar mosgatishmërinë e palës serbe për t’i normalizuar marrëdhëniet me shtetin e Kosovës.

Kryeministri serb Ivica Daçiç në një deklaratë të pak ditëve më parë shprehu shqetësimin e tij se Kosova mund të kthehet në një Palestinë të dytë. Si i gjykoni këto deklarata?

Ne nuk duhet t’i paragjykojmë këto deklarata. Qëllimi ynë është që ne t’i normalizojmë marrëdhëniet, edhe pse flamurin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë do të duhej që ta merrte pala serbe. Kjo për faktin sepse ajo është përgjegjëse kryesore për gjithçka që është zhvilluar në të kaluarën në Kosovë. Gjithashtu, ajo është përgjegjëse edhe për tendencën e saj për të pushtuar një pjesë të Kosovës. Në një mënyrë apo një tjetër, ajo në Kosovë ka strukturat e saj të sigurimit, edhe të ushtrisë, por edhe të shërbimeve informative. Dhe me këto shërbime ata tentojnë që ta destabilizojnë Kosovën, ta mbajnë atë si në një gjendje të ngrirë. Dhe në këtë kuptim, po ta ndjekim me vëmendje, vërehet se pala serbe nuk ka treguar dhe nuk është duke treguar gatishmërinë e saj për të bërë të mundur përmirësimin e këtyre marrëdhënieve që sot ekzistojnë mes dy vendeve tona. Deklarimet e tij (kryeministrit Daçiq) jashtë Brukselit dhe deklarimet e tij në Bruksel janë të ndryshme me njëra-tjetrën, pasi kur vjen në shtëpi i fryn nacionalizmit serb, një nacionalizëm ky që në fakt ka armiqësuar popullin serb, jo vetëm me popullin shqiptar, por me gjithë popujt fqinj. Ose thënë më mirë, i ka armiqësuar me të gjithë popujt që kanë qenë pjesë e federatës jugosllave. Realisht, ndoshta Brukseli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndikimi i tyre, ose ndoshta nevoja e Serbisë për të shkuar nga Bashkimi Evropian, do ta zbusë edhe Daçiqin, do të zbusë edhe nacionalizmin serb, i cili deri më tani mundemi të themi që është në pushtet.

Duke qenë se jemi në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë, besoj se ju jeni në dijeni të debatit të këtyre ditëve në Shqipëri për datën e organizimit të këtyre festimeve. Ju në çfarë date jeni i ftuar për të marrë pjesë?

Ne do të marrim pjesë që më datë 27 nëntor, pasi jemi të ftuar që të marrim pjesë në zbulimin e shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari në Tiranë. Ndërsa, më datë 28 do të marrim pjesë edhe në festimet që do të zhvillohen në Vlorë, por edhe në festimet që do bëhen në Tiranë. Unë personalisht do të isha i mendimit që i gjithë nëntori, por qoftë dhe gjithë ky vit, të ishte një vit i festave. Pasi është një epokë 100-vjeçare, një epokë që ka jetuar një realitet kombi shqiptar tashmë i njohur dhe ndërkombëtarisht, gjë që nuk ka qenë më përpara, dhe kjo është e rëndësishme. Prandaj ky përvjetor do të duhej të shënohej, jo vetëm me një përkujtim dhe përulje ndaj atyre burrave që e sollën Pavarësinë. Dhe pastaj krejtësisht ndryshe do të duhet ta trajtomë më pas njohjen ndërkombëtare të Shqipërisë më 29 korrik 1913. Njohje kjo që shënoi përgjysmimin e Shqipërisë, ku kombi shqiptar kaloi një golgotë, ndoshta më të tmerrshmen e historisë së tij. Por, e rëndësishme është fakti që me gjithë ato vështirësi që solli fillimshekulli i 20-të, shqiptarët në 100-vjetorin e tyre janë më të konsoliduar si komb. Në fund të fundit, tashmë kemi dy shtete kombëtare, dy Pavarësi që kanë bërë të mundur krijimin e mundësive të shumta për një bashkëpunim të ndërsjellë në një hapësirë jo të ndaluar, por në një hapësirë tashmë të lirë të kombit shqiptar. Një hapësirë si kjo që na ka dhënë shekulli i 21-të, tashmë jemi duke e shfrytëzuar në integrimin dhe bashkëpunimin në hapësirat më vitale të jetës. Megjithatë, jemi në politikë. Politika ka të metat e saj, ka sukseset e saj, ku ne si shqiptarë duhet ta nxjerrim një mësim nga kjo histori 100-vjeçare, për ta filluar 100-vjetorin e ri më të organizuar me projekte më të shumanshme dhe më të mira se sa na la ky 100-vjetor.



Herion Mesi

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...