2012-11-23

Melihate Tërmkolli:“Loti i ngrirë në qepalla”

Libri “Loti i ngrirë në qepalla”, i cili pasqyron krimet serbe mbi fëmijët shqiptarë në Kosovë në vitet 1995-1999, dhe libri me poezi “Molla e kuqe” të autores Melihate Tërmkolli, janë përuruar sot në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës.Duke folur për librin “Loti i ngrirë në qepalla”, Dom Lush Gjergji tha se promovimi i një vepre të tillë, i cili përshkruan fëmijërinë e pajetuar të shumë fëmijëve në Kosovë, është një rast për shqyrtim, për meditim, nderim dhe falënderim të jashtëzakonshëm të këtyre protagonistëve shpeshherë pa emër.



“Libri jep një pasqyrë të saktë dhe të dokumentuar për fëmijët vrarë, të keqtrajtuar, të burgosur, të dhunuar, të zhdukur, ku krijimtaria për keq duket se s’kishte marrë skaj” ka thënë Gjergji. Lirije Kajtazi nga forumi i gruas së LDK-së tha se gjithë këta emra të fëmijëve të paraqitur në këtë libër mund të ishin e ardhmja e Kosovës dhe mund të ishin më të mirët. Ajo tha se Kosova nuk duhet të harrojë kurrë këtë barbari për hir të ndërtimit të së ardhmes së vet.
Ndërsa, Donika Kada Bujupi nga AAK tha se libri “Loti i ngrirë në qepalla” është dëshmi që njerëzit të cilët kanë virtyte të japin kontributin e tyre çdo kohë dhe në çdo moment.Sipas Bujupit, ky libër vjen pikërisht në kohën dhe në momentin e duhur.
Autorja e librit, Melihate Tërmkolli, tha se ky libër është ndryshe nga të tjerët, sepse është një libër i dhimbjes dhe trishtimit të përmasave planetare.
“Sipas të dhënave të mbledhura në këtë libër, në vitet 1995-99, sidomos duke përfshirë periudhën e bombardimeve të NATO-s, të vrarë janë 252, 41 të marrë peng në polici, 711 të maltretuar dhe të rrahur, 169 të plagosur, 203 të arrestuar, 4 të kidnapuar, 3 të dënuar, 2 tentim dhunimi, dhe 54 të zhdukur” ka thënë Tërmkolli.Ndërkaq, sa i përket librit me poezi “Molla e kuqe”, Tërmkolli ka thënë se nuk ka pretendime për t’u bërë poete, por këtë libër e ka shkruar në momentet më të vështira të kohës së saj, dhe në atë kohë ka shpërthyer poezia.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...