"Vramëni, po gjakun mblidhmani se do tu duhet fëmijëve tuaj të shkruajn gjuhën e mëmës"

Skeda:Logo 100 vjet-pavaresi.jpg
Shkruan : AGIM SHEHU Shkrimtar



Naum Veqilharxhi nga Vithkuqi i Korçës, pionier i Rilindjes, hartoi dy abetare me alfabet shqip, dhe një Letërqarkore - manifest, për sovranitet dhe përparim Kombëtar. Patrikana e helmon me pabesi në Stamboll. Pandeli Sotirin, mësues i parë i shkollës shqipe në Korçë e fton vjehrri grek në Stamboll e helmojn dhe e hedhin nga ballkoni. Jani Vellarai, atdhetar e përkthyes i librave fetare në shqip, në kraharor mbante me krenari një medalion ari, ku qe shkruar: *jam shqiptar* (Ti Shqipëri më ep nderë,... do poetizonte madhërisht Naimi). dhe Jani Vellaranë e vranë. Theodor Haxhifilipi (Dhaskal Todri) porositë germa alfabeti shqip jashtë, dhe kur i sillte në Shqipëri e vranë. (Trilluan gjatë, se e vranë qeraxhijtë, të cilët pandehën se gjithë ato arka qenë me flori, jo me plumb linotipi! Trillime përrallash! Su tha më tej çu bënë shkronjat, e ku vanë qeraxhijtë e gënjyer!) arbërori (arvanitas) Anastas Kullurioti nxori në Athinë gazetën *Zëri i Shqipërisë* ku gjatë Kongresit të Berlinit mbronte çështjen shqiptare. e arreston konsulli grek në Gjirokastër, dhe e helmojn në Athinë. Jani Vreto, anëtar i Shoqërisë së shkronjëzave në bashkësi vëllazërore me Sami Frashërin, Vaso Pashen e Koto Hoxhin(mysliman, katolik e ortodoks) gjendet i helmuar në një dhomë hoteli, i vetem, në Athinë. varroset pa emër. Koto Hoxhi, mësues i shqipes në Lunxhëri, torturohet, burgoset e vdes me amanetin: *Ju, o djem, do më kujtoni, kur të bëhët Shqipëria*!... Petro Nini Luarasi, veprimtar i zjarrtë atdhetar, u mësonte shqipen nxënësve në Kolonjë. E helmojnë pabesisht me helm aq të fortë, sa edhe sa edhe mushka që e ngarkonte drejt shtëpisë, duke ngrënë të vjellat e tij, u helmua, (vrasësit hapen fjalë, se martirin e zuri kolera)! Më përpara kërcënuesve ai u kish thënë fjalët e njohura. *vramëni, po gjakun po gjakun mblidhmani se do tu duhet fëmijëve tuaj të shkruajn gjuhën e mëmës*! (Boja e nxënësit është më e shenjtë se gjaku i martirit - mëson Kurani).

LUM MARTIRËT

Priftin Papa Kristo Negovani, autor librash shqip dhe propagandues i shqipes në shkolla e libra fetare ortodokse e therin bashkë me vëllain dhe shumë të afërm të tij! (Lum martirët, mëson Ungjilli! Te mundimi i tyre Zoti provon njerëzit e tij!) gazetari atdhetar nacionalist Vangjel Koça (Nirvana), mbrojtës i zjarrtë i mbretërisë së Zogut, duke përgjithësuar martirizimet për shqipërinë të ortodoksëve, shkruante se qenë kohë kur ish shumë e vështirë të ishe shqiptar, por qe edhe më e vështirë të ishe prift ortodoks. Priftin arumun Ballamaci meqë qe mik i sinqertë i shqiptarëve dhe mbështetës i autoqefalisë së kishës kombëtare shqiptare, e therin me thikë. Patriotin Spiro Kosturin e vrasin pas krahësh, sepse nguli këmbë që shërbesa e martesës së vëllait të bëhej shqip, jo greqisht. Për këtë në Amerikë, shqiptarët ortodoksë e myslimanë bashkë bënë një miting tronditës, e Noli mbajti një ligjërim emocionues kombëtar. Vasil Gjergji, nipi 30 vjeçar i Papa Kristo Negovanit, guxoi të përkthej në shqip 2-3 libra liturgjie fetare. fshati negovan më në fund i kërkoi një marrëveshje kishës greke, që mesga një të diele të bëhej shqip, herën tjetër greqisht. Prifti grek nxiti grindjen e besimtarëve në kishë. Pesë vjetë pas xhaxhait martir, në janar të v. 1910 u vra në kishë edhe nipi Vasil Gjergji. Babë Dudë Karbunara i Beratit, bashkëpuntor i Kristoforidhit, megjithë kërcënimet, meshen e psalmet i bënte në shqip. Më 1895shtëpinë ia lyen me vajgurë dhe ia dogjën megjithë ç kish brënda! Jashtë flakëve i mbeti vetëm dora me të cilën firmosi përkrah Ismail Qemalit Ditën e Flamurit. (Atë pjesë jetë të munduar të trupit që i mbeti nga pleqëria, më 1945 ia pushkatoi diktatura). At Stath Melani, predikues i kishës ortodokse shqiptare në Amerikë, erdhi në vendlindje në Përmet, e dha një meshë në shqip. Atë dhjetor1918 i zënë pritë, i presin kokën dhe nëpër natë shkojnë ia çojnë në Greqi... Nuk numrohen martirizimet e ortodoksisë shqiptare në luftë për pastërtinë e fesë dhe mbrojtjen e kombit shqiptar, të pandara nga njëra tjetra. Diktatura komuniste e vauhdoi në llojin e saj këtë persekutim kundër figurave që mbronin hapur autoqefalinë e kishës ortodokse kombëtare shqiptare. Kryepeshkopin e nderuar martir Visarion Xhuvani e futën në burg, duke e munduar derisa vdiq. Misionarin ortodoks Irine Banushin poashtu e burgosën, e torturuan. Ish Kryepeshkopit Kristofer Kisi veglat e të huajve, agjentë, iu futën në kishë gjatë shërbesës fetare, ia prishin ceremoninë e shenjtë. Një ditë para largimit në Amerikë me kërkesë të Nolit, befas gjëndet i helmuar në shtëpi.
Martirët pa emër të ortodoksisë patriotë, nuk numrohen. Ata i di Zoti. Këtë ortodoksi, me këtë histori e këta martirë, si mund të marrësh guximin ta damkosësh sot e ta fyesh të tërën si antishqiptare? Kur emërtimin e saj e kthen në epitet - fyes tërësisht, - *ortodoks* dmth. tërësisht si nocion gjë e urryer, e ndotur dhe antishqiptare, i je kundërvënë gjithë ortodoksisë, duke shkelur doktrinen burimore hyjnore dhe figurat kombëtare bashkë. shqetsime brënda ortodoksisë ka pasur edhe në të kaluarën, siç i kanë vënë në dukje të parët tanë. Por ata i kanë trajtuar me objektivitet e fisnikëri, sidomos pa nxitur përçarjen, duke veçuar dhe kundërvënë njërën kundër tjetrës. Me ujët e papastër të magjes nuk flaket dhe fëmia. I mbyll këto shënime me dy gjykime të mia në fund.

PORTRETI I AT NIKOLLË MARKUT

Së pari edhe njëherë përqëndroj nderin tim ndaj asaj figure të sotme të krishterimit shqiptar që po rri në ballë tek ne në mbrojtjen e gjithë kësaj trashëgimie hyjnore dhe shqiptare. Mbi të gjitha, ai po mbron autoqefalinë kombëtare të ortodoksisë sonë duke mbajtur lart dhe ruajtur nga shkatërrimi përfundimtar veprën e madhe të Nolit dhe gjithë martirëve, që dhanë gjakun për pavarësinë fetare si pjesë e pavarësisë kombëtare. ai është i nderuari At Nikollë Marku, primati i kishës së Shën Mërisë në Elbasan, simbol i fetarit, shqiptarit dhe të papërkulurut gjer në flijim. Ai po përballon vështirësi, mundime, e kërcënime nga të gjitha anët, sepse po mbron sot me këmbëngulje të adhurueshme autoqefalinë e rrezikuar si asnjëherë të ortodoksisë sonë. Ka me vete popullin patriot e të kulturuar të Elbasanit të tij që sot është i ngarkuar me varfërinë e tij. Ka dhe dashamirës, që së shumti kanë fjalën e mirë për të... E kam takuar në kishën e tij të shën Mërisë, me atë emocion që ndjeva kur parvjet isha në kishën e Shëngjergjit në Boston, ku Noli dha meshën e parë shqip. Qe i ngushtuar se nuk kish tu paguante as rrogën modeste dy shërbyesëve të kishës. Megjithatë, lëmonte dhe njëherë me dorë të altartë flamurin kombëtar, fotografitë e Skënderbeut e të Naimit përmbi fjalët e vendosura bukur *Ti Shqipëri më ep nderë...* hymni kombëtar dhe mesha këndoheshin njëra pas tjetrës. vlen të përmendet ngjarja e vogël me kuptim të madh. N[ gazetën *55* lexoi shkrimin tim për vëllezërit e nderuar atdhetarë në Nju Jork, Lekë e Pashko Gojçaj, të cilët statujën e Nënë Terezës ua kishin ngarkuar tre skulptorëve, një katolik, një mysliman, një ortodoks. I përlotur nga emocioni, At Nikollë Marku puthi portretin e Nënë Terezes bashkë me emrar e vëllezërve Gojçaj, e mërmëriti me zë shqiptar e shenjtor:*Nuk humbet shqipëria*! dhe u nis prapë te shërbimi i tij i palodhur në kishën e Shën Mërisë me aq madhështi sa edhe varfëri bashkë. e me të dyja bashkë, ajo që tani ka hyrë në histori, duke vazhduar udhën e të parëve martirë, drejt mijëvjeçarit të tretë. flitet për një komb, ndër më të lashtit në Evropë dhe më i shpërndarë nëpër botë.


P.s. I nderuari At Nikollë Marku është i vetmi që i kundërvihet politikës antikombëtare e asimiluese e të djallit me veshje kishtare, të grekut Janullatos. Është vajtuese që të gjithë priftërinjtë ortodoksë i binden Janullatosit, që po i greqizon kishat tona shqiptare ortodokse, duke i ndërtuar krejtësisht në stilin grek.
Vetëm At N. Marku e mbanë gjallë Aotoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare. Ai meriton çdo lëvdatë, nderë dhe përkrahje sa më të madhe. Për mua është figurë e madhe eminente patriotike Kombëtare.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)