Ndoqi Akademinë e Artit Figurativ në Beograd dhe pastaj studimet postdiplomike po aty. Vdiq më 1998.
Mulliqi ekspozoi në Kosovë, në hapësirat e Jugosllavisë, në Romë e Tiranë. Punoi profesor i pikturës në Fakultetin e Artit në Universitetin e Prishtinës.
Ishte zëvendës-kryetar i Akademisë së Shkencave të Kosovës. Galeria e Arteve të Kosovës mban ekspozitë të përvjetshme me emrin e tij. Ai ishte dhe do të mbetët një nga figurat më të shquara të artit shqiptar.
Ani pse janë bërë gati dy vjet qëkur u premtua kthimi i veprave të Muslim Mulliqit në Kosovë, deri më tani gjërat nuk kanë lëvizur nga vendi. Tek në nëntor, do të bëhet hapi i parë konkret për kthimin në shtëpi të 33 veprave që tash e 19 vjet po qëndrojnë në Tiranë.
I biri i piktorit me nam Muslim Mulliqi, Visari, muajin e ardhshëm do t’ia mësyejë kryeqytetit shqiptar me misionin që të sigurijë “terrenin” për kthimin e veprave të babait të tij në Kosovë. I shoqëruar nga një përfaqësues i Ministrisë së Kulturës, Visar Mulliqi do të takohet me përfaqësues të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë për të rregulluar dokumentacionin për kthimin e veprave.
Por as ai dhe as Ministria e Kulturës nuk e kanë ende të qartë se kur do t’i sjellin veprat në Kosovë.
Tridhjetë e tri veprat e Mulliqit, të cilat ishin dërguar në Tiranë në vitin 1993, pra tash 18 vjet, ende nuk janë kthyer në Kosovë.
Në prill të vitit 2011, ato ishin ekspozuar në Galerinë Kombëtare në Tiranë, kur edhe është premtuar kthimi i tyre në Kosovë. Mirëpo, edhe ky premtim është shkelur pasi drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, Rubens Shima, nuk kishte hequr dorë nga kushtet që kishte vënë për kthimin e tyre.
“Do të qëndrojnë në galeri dhe ne do të shohim që së bashku me familjen dhe Ministrinë tuaj të Kulturës të bëjmë të mundur kthimin e tyre brenda procedurave”, kishte thënë Shima.