2012-11-23

Buxhovi: “Mbreti Zog nuk ishte as hero e as tradhtar”


Këto ditë kur pati mendime pro et contra për personalitetin e Mbretit Zogu I, mendimin e vet e ka thenë për “ZR” historiani Jusuf Buxhovi:
“Fillimisht ishte ministër, pastaj kryeministër dhe së fundit, pas shpalljes së Shqipërisë monarki, edhe mbret i Shqiptarëve. Si pesonalitet tepër kompleks politik Ahmet Zogu shfaqet që nga çastet e para të shfaqjes së shtetit shqiptar, duke marrë pjesë aktive në të gjitha zhvillimet dramatike të tij për afër tri decenie, me ç’rast mund të thuhet se atyre për shumëçka ua përcaktoi kahun.
Edhe pse për rrethana të njohura (distanca kohore, mosnjohja e fakteve meritore dhe klishete ideologjike), historia ende nuk ka dhënë një vlerësim të plotë dhe objektiv për Zogun, megjithatë mund të thuhet se ai ishte një politikan dhe burrështetas pragmatik dhe tejet i shkathë, që veproi në përputhje me logjikën shtetërore, që do të thotë se ai ishte i detyruar të pranojë vendimet e Konferencës së Paqes prej nga doli një gjysmë Shqipërie, e cila në radhë të parë duhej të pajtohej me fatin e humbjes së gjysmës së territoreve etnike (Kosovës dhe Qamerisë), realitet politik ky që e detyronte të lidhte konventa ndërshtetërore me shkaktarët kryesorë të tragjedisë shqiptare (Jugosllavinë dhe Greqinë), që për pasojë kishte pranimin e statusit të pakicës së popullatës së shkëputur me çka shteti shqiptar automatikisht obligohej eleminimin e lëvizjes irredentiste në Shqipëri (Komitetit të Kosovës) si dhe distancimin nga lëvizja kaçake në Kosovë.
Pra, duke u mbështetur mbi parimin e logjikës shtetërore, e cila përjashtonte interesat e pjesëve të shkëputura të etnisë shqiptare, të cilat kishin meritat më të mëdha për pavarësinë e shtetit shqiptar, si kryeministër e më vonë si mbret, Zogu u përqendrua që me diplomaci dhe lëvizje politike ta shkëpusë Shqipërinë nga çfarëdo ndikimi i Beogradit për ta afruar me Italinë. Dhe, duke u larguar nga Pashiqi, me të cilin ai kishte disa marrëveshje vasaliteti, ai iu kthye Italisë me bindjen se shpëtonte jo vetëm nga kthetrat jugosllave në kurthin e të cilave kishte hyrë vetë nga marrëveshjet që i kishin ndihmuar të rikthehej në pushtet pas ngjarjeve të qershorit të vitit 1924, por kështu krijonte rrethanat që shteti shqiptar t’i afrohej botës perëndimore, ku ajo mund të prosperonte dhe njëherash të kthehej në një interes të saj, gjë që në një të ardhme krijonte rrethana për mbrojtjen e etnive të shkëputura shqiptare.
Shikuar nga ky aspekt, mund të thuhet se Ahmet Zogu, krahas dhunës politike dhe metodave tipike shqiptare (eleminimit, hakmarrjes dhe të tjerave), që përdori ndaj kundërshtarëve politikë, ia doli që brenda një kohe të shkurtër, në planin ekonomik, të sigurisë dhe atë kulturor, në masë të madhe të konsolidojë shtetin shqiptar, duke e kthyer nga qytetërimi evropian, ku edhe nisi të marrë pamjen perëndimore.
Natyrisht se ky zhvillim, që kryekreje kaloi nëpërmes Italisë dhe vënies së Shqipërisë nën mbikëqyrjen e saj, kishte edhe çmimin e vet, që do ta kthejë në viktimën e parë të fashizmit italian, viktimizimi ky që megjithatë nuk duhet të shikohet i shkëputur nga zhvillimi i gjithëmbarshëm i ekspansionismit fashist të kohës, që do të prek thuajse gjithë botën.
Pra, Ahmet Zogu dhe koha e tij, edhe më tutje pret një vlerësim objektiv historik, i cili assesi nuk mund të jetë përjashtues, e aq më pak i klisheve bardh-zi me të cilat jemi mësuar, por i një trajtimi që atë do ta vendosë në vendin e vet si themelues i shtetit modern shqiptar me tiparë evropian-perëndimor, prej nga nuk mund ta heq askush”.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...