2012/11/23

Zbulohet Deklarata e panjohur e Pavarësisë, shpallur në Durrës më 1912-të



Një zbulim epokal! Kështu e konsideron Prof.Dr.Eqrem Zenelaj dokumentin e gjetur në arkivin e Vjenës, që mban emrin “Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë”. Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, sqaron se ajo është në gjuhën osmane, ka pak rreshta dhe në fund janë edhe firmat e delegatëve. Së bashku me të, në arkivat vjeneze Zenelaj ka siguruar edhe një kopje gazete të kohës, që lajmëron se Pavarësia e Shqipërisë u shpall në Durrës nga Ismail Qemali, si edhe një telegram që konsulli austriak dërgon nga Vlora në Vjenë, ku thotë: “Sot ishte te unë Ismail Kemal Bej Vlora, i cili më njoftoi për Deklaratën e Pavarësisë në Durrës dhe se ai me mbi 20 delegatë ka udhëtuar më datë 26 nëntor, natën nëpër Fier për në Vlorë”. Për Zenelajn, rëndësia e këtij zbulimi është shumë e madhe. Madje në telefonatën tonë të parë me të, ai e cilëson zbulim epokal. Ditë më parë, ai u paraqit në zyrën e Kryeministrit Sali Berisha për t’i dhuruar një kopje të Deklaratës. Qe nga ky takim që u nxit kërshëria jonë për të mësuar më shumë mbi këtë dokument të panjohur. Profesor Zenelaj iu përgjigj pozitivisht interesimit tonë për një intervistë dhe na vuri në dispozicion faksimilen e dokumentit të Deklaratës, që botohet sot. Prof. Eqrem Zenelaj hedh dritë mbi Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë, firmosur në Durrës më 26-27 nëntor 1912! Çfarë është kjo deklaratë, ku dhe nga kush u firmos, pse në Durrës, pse nuk është folur më parë për të, cili është teksti i saj dhe pse ka përfunduar në Vjenë? Zenelaj u përgjigjet pyetjeve tona.


        Prof.Dr.Eqrem Zenelaj


Profesor, ju takuat kryeministrin Berisha dhe i dhuruat atij një deklaratë pavarësie. A mund të na shpjegoni se çfarë është kjo deklaratë dhe si ratë në gjurmët e saj?
Është “Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë”, shpallur në Durrës më 1912-ën. Rastësisht, në muajin gusht 2012, ndërsa isha duke hulumtuar në Arkivin e Bibliotekës Kombëtare Austriake në Arkivin “Albertina”, aty ku janë gazetat që ruhen në mikrofilma të arkivuara, papritmas pashë një gazetë me emrin “Wiener Bilder” domethënë “Portrete (Foto) Vjeneze”. Në të pashë disa shkrime të datës 8 dhjetor 1912, ditë e diel, për konfliktet në Ballkan dhe në po atë faqe tri foto: dy ushtarakë austriakë dhe në mes tyre fotoja e Ismail Bej Vlorës. Nën foto lexova diçka të pazakontë që më intrigoi dhe që shkruante: “Der albanische Führer Ismail Kemal Bey, der an der Spitze einer Versammlung von Notabeln in Durazzo die Unabhängigkeitsdeklaration proklamiert hat”. E përkthyer në shqip do të thotë: “Udhëheqësi shqiptar Ismail Kemal Bej, i cili në krye të një asambleje nga paria në Durrës e shpalli Pavarësinë e Shqipërisë”.
Por, Pavarësia është shpallur në Vlorë. Çfarë menduat?
T’ju them të vërtetën u befasova, se nuk e prisja që një dokument të tillë do e zbuloja pas 100 vitesh, edhe atë pothuaj pa e ditur e pa pasur ndonjë ide. E gjeta krejt rastësisht, ndërsa bëja kërkime mbi veprimtarinë diplomatike të Ismail Bej Vlorës për hir të 100-vjetorit.
Ku kërkuat për të gjetur dokumentin?
Më pas shkova në arkivin e Vjenës dhe mora tre austriakë, të cilët i pagova për të hulumtuar mbi 416 kartonë, ku secili përmbante mbi 500 dokumente etj. Mua më ra kartoni me numër 417, dhe nga mesi i dokumenteve gjeta njërin ku shkruhej: “Unabhängigkeitsdeklaration Albaniens” që e përkthyer në shqip do të thotë: “Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë”.
Veç këtij shkrimi gjermanisht, ishte një letër e shkruar në osmanishte dhe kishte pak rreshta. Në fakt unë kam filluar të mësoj edhe osmanishte, por dokumentin e skanova në CD dhe fillimisht e dërgova te dy studentë arabë. Më pas iu drejtova një profesori vjenez që njeh osmanishten. Edhe ai ma përktheu po ashtu sikurse arabët. Pas kësaj, kur erdha në Kosovë, iu drejtova Prof.Dr.Nehat Krasniqit që është osmanolog i shkëlqyer, përkthimi i të cilit ishte njësoj me dy përkthimet e para në Vjenë.
Si e përktheu profesor Krasniqi?
Prof.Krasniqi (osmanolog) pas një jave më solli tekstin e përkthyer, ku shkruan po ashtu sikurse në gjermanisht, se është Deklarata e Pavarësisë së bërë në Durrës, e datës 26/27 nëntor 1912. Unë kisha lexuar se Ismail Bej Vlora ka udhëtuar nga Durrësi për në Vlorë më datë 23 nëntor 1912, por në deklaratë del se ai është i nënshkruar 2 herë e pranë tij edhe djali i tij, Musa Qazimi. Gjeta edhe telegramin tjetër nga Vlora që i dërgohet Vjenës, ku Konsulli i Austro-Hungarisë në Vlorë, po ashtu thotë se “sot ishte te unë Ismail Kemal Bej Vlora, i cili më njoftoi për Deklaratën e Pavarësisë në Durrës dhe se ai me mbi 20 delegatë ka udhëtuar më datë 26 nëntor, natën, nëpër Fier për në Vlorë”. Pra, kjo është Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë e shpallur në Durrës. Po atë natë, sipas Konsullit të Austrisë, pas orës 12:00, dy pari shqiptare ia kanë dhënë menjëherë Konsullit për ta përcjellë për në Vjenë.
Ku ruhej ajo deri tani?
Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë në Durrës gjendet në Arkivin e Monarkisë së Austro-Hungarisë, që quhet së bashku me Arkivin e Shtetit: HHStA.Wien.P.A.Türkei, Liasse 45.Kartoni Nr.417/Fol 9/10.
A mund të na thoni se cila është përmbajtja e saj?
Unë nuk dua të them as më tepër as më pak pos përmbajtjes së vërtetë, që është mësuar nga përkthyesit osmanologë e në mënyrë të veçantë nga Prof. Dr. Nehat Krasniqi. Në osmanishte, përmbajtja e saj është kjo: (TRANSKRIPTIMI)
Avusturya ve Macaristan Devleti fahriyesinin Draç Konsulatuna
Ilân
Hiç bir devlete tâbi olmayarak simdi Istiklal edildi. Hukûki Serbiye-i müstekilemizi ayaklar altina alinmasi içün lütfen muhâfazamizi istidâ- ü istirhâm ediriz ol bâbde. Fi 13/14 tesrin-i sânî, sene 1328.
Draç ahâlisi vekili:
Draç müderrisi – Yusuf, ulemâdan – Hüsejn, ulemâdan – Ali, müderris – Yusuf, ulemâdan – (Muhamed bin Receb), muteberandan – Murteza, muteberandan – (?)
muteberandan – Ismail Kemal, muteberandan – Mahmud Sevki, muteberandan – (?), muteberandan – Mehmed, muteberandan – Musa Kazim, muteberandan – Ismail Kemal, muteberandan – Hüseyn Hakki, Katolik cemiyeti muhari – Filip Sereki, muteberandan – Abdulah, muteberandan – (?), muteberandan – Mehmed Akif, muteberandan – Hasan Bitik, muteberandan – Hüseyn Bala, muteberandan – Bahtiyar Dervi?
Ndërsa nga përkthimi në shqip lexojmë: “Konsullatës së Shtetit të ndershëm të Austro-Hungarisë në Durrës.
Shpallje
Duke mos iu nënshtruar asnjë shteti, tani u bë Pavarësia. Andaj në këtë cilësi ju lutemi me përgjërim që ta mbroni sovranitetin tonë që të mos nëpërkëmbet nga qeveria e Serbisë.
Më 26/27 nëntor të vitit 1912.
Përfaqësues të popullsisë së Durrësit (pasojnë nënshkrimet):
Myderrizi i Durrësit – Jusufi, nga ulema – Hysejn (Tartari), nga ulema – Aliu, myderriz – Jusufi, nga ulema (Muhamed Rexhepi), nga pushtetarët e çmuar – Myrteza (?), nga pushtetarët e çmuar – (?), nga pushtetarët e çmuar – Ismail Qemali, nga pushtetarët e çmuar – (Mahmud) Shefkiu, nga pushtetarët e çmuar – (?), nga pushtetarët e çmuar – Muhamedi, nga pushtetarët e çmuar – Musa Qazimi, nga pushtetarët e çmuar – Ismail Qemali, nga pushtetarët e çmuar – Hysejn Hakiu, Kryeplaku i komunitetit katolik – Filip Sereqi, nga pushtetarët e çmuar – Abdullahu, nga pushtetarët e çmuar – (?), nga pushtetarët e çmuar – Mehmed Akifi, nga pushtetarët e çmuar – Hasan (Bytyqi ose Bikiqi ?), nga pushtetarët e çmuar – Hysejn Balla, nga pushtetarët e çmuar – Bahtijar Dervishi.”
Cilët ishin delegatët që e kanë firmosur?
Deklarata është firmosur në Durrës dhe aty janë të nënshkruar 21 delegatë. I keni më sipër të gjithë emrat, disa janë të palexueshëm. Nëse i krahasojmë emrat e Lef Nosit në librin e tij që e kam në Vjenë, nuk përputhen me emrat nënshkrues të Deklaratës së gjetur. Lef Nosi nuk ka qenë në Durrës, me gjasë e ka shkruar sipas të dëgjuarit dhe mbi 20 vjet pas kësaj date e viti.
Kush e ka marrë nismën për ta firmosur atë dhe pse?
Për këtë nuk di asgjë. Unë jam hulumtues arkivor, jo analist e as politikan. Ja dokumenti, ja të dhënat! Jam shumë krenar që e kam zbuluar unë këtë pas 100 vjetësh, sikurse do isha krenar ta kishte zbuluar çdo shqiptar, – kjo nuk ka rëndësi, dhe po ashtu që është zbuluar në këtë vit jubilar, – dhe aq më tepër jam krenar që po ashtu babai i Pavarësisë, Ismail Bej Vlora, është aty dhe i njëjti është në Vlorë më 28. Pra rëndësi ka që është dokument arkivor, është i yni dhe që e kemi zbuluar ne shqiptarët, e jo të tjerët dhe sidomos që tani ne e kemi në duart tona.
Ku ndryshon ajo me Deklaratën e Pavarësisë së Vlorës?
Ndryshimi është se këtu quhet SHPALLJE. Unë nuk e kam parë asnjëherë Deklaratën e Pavarësisë së Vlorës. Nuk e di se a ka pasur apo nuk ka pasur, edhe nëse ka pasur, siç shkruhet aty ndryshon, sepse në atë që dimë ne thuhet se: Të gjithë delegatët, pasi dëgjuan fjalimin e Ismail Bej Vlorës… të gjithë venduan që Shqipëria të jetë e lirë dhe e mosvarme” kështu shkruan te libri Lef Nosi.
Pra pa paragjykime, aty nuk shkruhet SHPALLJE dhe aty nuk shkruhet që “shpallet” por “venduan”, d.m.th. “vendosën”. Tjetër dokument është edhe një telegram që ia dërgon Ismail Bej Vlora Fuqive të Europës. Ky telegram mban numrin Nr.7198.RefI e aty shkruhet se Asambleja Kombëtare e përbërë nga delegatët e të gjitha viseve shqiptare pa dallim feje etj. sot në Vlorë shpalli (nuk thuhet Pavarësinë por Qeverinë Provizore. Në vend të Pavarësisë janë 20 pika. Në fund të këtij telegrami shkruhet në gjermanisht si fusnotë: “Verstümmelt” që në shqip domethënë pjesë e gjymtuar, e shkëputur, e hequr nga autori i telegramit. Pse është kështu, unë nuk e di, e as që e paragjykoj. Ja si shkruhet decidivisht në Tel.Nr. 7198 të Ismail Bej Vlorës më datë 28 nëntor 1912:
“L’assamblée nationale composée des délégués de toutes les contrées albanaises sans distinction de religion réunis aujourdhui dans la ville de Valona vient de proclamer… Gouvernement proviso ire etj”. Pra, aty ku duhet të ishte ‘shpallje e Pavarësisë’ është vetëm ‘shpallje’, e pastaj janë 9 pika e pas tyre shkruan qeveria e përkohshme. Pra, mjaft interesante.
Si mund të bindet opinioni publik për vërtetësinë e saj?
Ky është dokument i saktë dhe kushdo që dëshiron ta shohë origjinalin, të shkojë në Arkivin e Vjenës në Ballhausplatz. Ai ndodhet në të njëjtën ndërtesë me qeverinë, vetëm se hyrja e Arkivit është në anën tjetër, afër Metros U3. E kërkon në këtë shifër: HHStA. Wien. P. A.Türkei, Liasse 45. Kartoni Nr. 417/Fol 9/10.
Pra, aty në këtë arkiv të shtetit mik, të atij shteti që e sponsorizoi Pavarësinë e 1912-ës, atij shteti që e mbështeti Ismail Bej Vlorën. Me Austrinë ne kemi lidhje tradicionale që nga Traktati i Karllovcit 1699, që në nenin 13, i jep të drejtën e kultprotektoratit Austrisë e më pas me Traktatin e Sistovës, Beogradit dhe deri më 1913-ën, apo edhe më 1918-ën, por edhe sot një shtet mik për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në këtë arkiv është ruajtur që 100 vjet dhe aty do qëndrojë, ndërsa 100 metra afër tij kemi edhe armët e Gjergj Kastriotit siç është helmeta dhe shpata me këllëfin e tij. Për fat, falë angazhimit të Ambasadorit Dr.Villi Minaroli, kryeministrit, ministrit të Punëve të Jashtme dhe qeverisë së Austrisë, këto do jenë në Tiranë për 100-vjetorin dhe do i shohin njerëzit në origjinal dhe nga afër.
Përse ekzistenca e këtij dokumenti mësohet vetëm pas 100 vitesh?
Tani është zbuluar dhe shqiptarët nuk janë fajtorë për këtë. Ju e dini se hulumtimi në arkiv është shumë i vështirë, ka shumë barriera ka shumë mundim e sakrificë. Unë as nuk jam më i mençur e as më i dijshëm, por jam munduar të hulumtoj dhe për fat tani në gusht krejt rastësisht e zbulova pa e ditur fare që është aty, sepse unë jam shkolluar në Vjenë, Niza dhe Passau, në Vjenë jam prej 18 vitesh. Nuk e dija se ekzistonte, se po ta dija do e zbuloja që në fillim.
Si ka mbërritur ai në Austri? E dini ju historinë e udhëtimit të dokumentit nga Durrësi në Vjenë?
Në Austri është thënë, në një telegram të Konsullit të Vjenës në Durrës, ku shkruhet: “Mbrëmë pak pas mesnatës dy pari shqiptare më dërguan një dokument në dorë. Është Shpallja e suksesshme e Pavarësisë së Shqipërisë”. Pra, mu për këtë, Konsulli i Austrisë e dërgon në Vjenë dhe aty arkivohet. Nga ana tjetër ata ia kanë dhënë Austrisë sepse Austria ishte sponsorizuese e Pavarësisë dhe po me vaporin e Austrisë, Ismail Bej Vlora ka ardhur nga Treshta për në Durrës.
A është përfolur ekzistenca e saj më parë? Nuk e kemi hasur as në kohën e Zogut as në atë të komunizmit, madje në Shqipëri asnjë historian nuk ka informacion për të…
Të themi të vërtetën unë kam dëgjuar aty-këtu se data e Shpalljes së Pavarësisë është 28, 26 apo 27. Por në Vjenë gjeta librin e Lef Nosit, i cili quhet “Dokumente Historike për t’i shërbye çështjes kombëtare” (përafërsisht kështu). Aty Lef Nosi shkruan për Deklaratën e Durrësit, por janë krejt emra të tjerë nga ata që janë të nënshkruar në Deklaratën e Durrësit. Dua të them se ne kemi një histori shumë të begatshme, shumë të ndritur dhe disi të pazbuluar nga ne shqiptarët deri më sot. Kemi pasur pengesa nga regjimet, si në Jugosllavi, ku shqiptarët nuk guxonin të mësonin historinë e vërtetë të tyre. Madje, në kohën e Rankoviqit, po të kishe një abetare dënoheshe. Shqiptarët dënoheshin njësoj, si për një libër, si për armëmbajtje pa leje. E si mund të mësohej e vërteta jonë nën regjimin okupues jugosllav?!
Nga ana tjetër, në shtetin amë, Shqipërinë e shtrenjtë, diktatura komuniste ka vrarë shumë figura kombëtare e intelektualë të shkolluar ose të ardhur nga jashtë, d.m.th nuk ka pasur qasje në arkiva të huaja. Aty-këtu, kemi pasur edhe Eqrem Çabejn, Ekrem Bej Vlorën, Selami Pulahën, Aleks Budën, por ja që kanë qenë shumë të pakët edhe nuk iu është mundësuar.
Një mik nga Vjena më tha: Profesor Zenelaj, një popull që nuk e shkruan historinë e tij vetë, ia shkruajnë armiqtë. Pra, neve na e kanë shkruar historinë shpesh armiqtë dhe na e kanë mësuar mbrapsht. Ose kemi pasur të dhëna të retushuara, ose të falsifikuara ose të pavërteta.

No comments:

Post a Comment

PREAMBULLA E GJENOCIDIT SERBIAN SOT

          Search within imag                        Shkruan historiani i njohur kosovar :                      Akademik Prof Dr Hakif Bajram...