KUSH VDES MË KËMBË
Akademik Prof. Alfred Uçi
Polemika/ Akademiku A. Uçi, në 100-vjetorin e helmimit nga grekët të P. N. Luarasit
Tani që disa qendra televizive kanë rifilluar të shfaqin filmat e shumtë artistik shqiptarë, që u realizuan në kohën e monizmit, shikuesit nuk mund të mos i gjykojnë dhe vlerësojnë përsëri me pëlqim ose mospëlqim. Nuk janë të paktë ata filma, që, për shkaqet e mirënjohura nga të gjithë, kanë qenë të mbingarkuar me politizime e ideologjizime vulgare dhe për këtë arsye nuk pëlqehen me të drejtë nga shikuesit e sotëm; por ka edhe mjaft filma që pëlqehen jo vetëm për mjeshtërinë artistike të autorëve, regjisorëve, aktorëve, skenaristëve e mjeshtrave të tjerë, që kanë ndihmuar në realizimin e tyre, por edhe për përmbajtjen e tyre, për synimin ideor estetik, që vazhdon të jetë tërheqës, interesant, edhe sot, ngaqë ruajnë fuqinë e tyre ekspresive dhe bartin kuptime estetike të çmuara e të reja, që ngërthehen dhe përftohen në kontekstin e jetës bashkëkohore. Autorët, por edhe shikuesit e mprehtë, gëzohen kur shikojnë vlera të tilla filmike.
Një film fatlum, që ka mbijetuar, duke përballur rrjedhën e ndryshimeve, të kthesave dhe të zigzageve të dekadës së fundit (kur është fituar të paktën liria e shprehjes) është dhe filmi “Kush vdes më Këmbë” i regjisorit Vladimir Prifti. Ndonjë shikues a “specialist” mund të shpejtojë ta kundërshtojë këtë vlerësim, duke i gjetur burimin e tij në “subjektivizmin” familjar, ngaqë e di përkatësinë tonë të gjinisë. Nuk e mohoj se në shfaqjen e fundit në televizion të këtij filmi, jo vetëm unë më plak njeri, por edhe fëmijët, nipër e mbesat i ndoqën kuadrot filmike njërin pas tjetrit të emocionuar, duke u bashkëpërjetuar me aktorët, që luajnë shkëlqyeshëm dhe duke ndjekur me ankth fundin e ngjarjeve dramatike. Ata njohën “Gjyshin Petro”, “Gjyshe Linën”, “Nënë Shegën”, “Dajllarët”. Edhe Dhimitër P.Luarasi, i biri i Petro Ninit, që ishte kthyer nga mërgimi i zgjatur në SHBA, pati rastin ta shikojë filmin në shfaqjen premierë; u përlot, por edhe u gëzua dhe na tha: “Na e ngjallën të kaluarën e largët”, “m’i bënë të dashura edhe pësimet edhe mësimet e shqipes dhe të jetës të Atit”. Ai ndenji dhe i priti të gjithë krijuesit e pranishëm në shfaqje dhe i ftoi për darkë, duke ndarë me ta gëzimin e përbashkët nga pritja entuziaste e publikut. Me keqardhje, unë shtova: “Të kishte qenë gjallë, aty të shihte filmin e Atit të tij, edhe Dajë Skënderi”. Por po të zhvishemi nga “subjektivizmi familjar”, do të na duhej të kuptonim e ta çmonim me objektivitet këtë film të V. Priftit.
Pse ka mbijetuar ky film? Dihet se disa nga autorët tanë, për të dalë përtej hapësirës mjaft të ngushtë të krijimit të veprave, që i kushtoheshin bashkëkohësisë, e ndjenin se në filmat historikë, madje, të së kaluarës të largët, mund të krijonin më lirshëm, mund të shprehnin ca të vërteta mbi jetën, herë drejtpërdrejt e herë të tjera, tërthorazi, nga ato që nuk lejoheshin brenda tematikës aktuale. Këtë e ka ndierë edhe V.Prifti, jo vetëm me filmin “Kush vdes në këmbë”, por edhe në filmin tjetër historik të tij “Udha e shkronjave”, gjithashtu, i suksesshëm.
Por s’do të thotë se çdo film historik automatikisht dhe me doemos mund ta ketë të sigurt suksesin. Ka pasur dhe filma historikë të dobët, krejt të shurdhër ndaj bashkëkohësisë; ka pasur edhe filma “kuazihistorik”, sajesa imagjinare false e pa vërtetësi estetike, kurse filmi “Kush vdes më këmbë” është një film i mirëfilltë historik, sepse boshti i tij është nxjerrë në përgjithësi nga biografia e vërtetë e P.N.Luarasit, e i pasuruar me vlera plotësuese nga autorit. Vetë ky film qè fatlum, sepse jeta e P. N. Luarasit është pjesë e historisë të madhërishme të Abetares shqip, që u shkrua me gjak, histori që s’e ndeshim në popuj të tjerë. Jeta e tij ka qenë e mbingarkuar me ngjarje të jashtëzakonshme, me ndeshje dramatike midis idealeve iluministe kombëtare të heroit dhe gjithë sorrave të zeza kriminale, mbeturinave të jetës obskurantiste. Ai shquhej në jetë për vendosmërinë e guximin e rrallë deri në vetëmohim, si të martirëve të krishtërimit, se shkonte sypatrembur drejt vdekjes. Vetëm një hero i kategorisë së Prometheut, me karakter të fuqishëm dhe të shumanshëm i heroit real e ka ndihmuar regjisorin që t’i shmanget idealizimit e skematizmit të idesë së heroizmit; në këtë film heroi është sa njeri i thjeshtë, aq dhe i madhërishëm, sa serioz, aq edhe i dashur e fjalëmbël, sa heroik,aq edhe tragjik, që kalon edhe nëpër situata të rëndomta jetësore, madje, edhe komike, duke përqeshur kundërshtarët e idealeve të tij; pra, aktori Petro (Gulielm Radoja) ka skalitur një figurë mbresëlënëse të fuqishme, komplekse e konkrete, të gjallë, të besueshme në çdo sekuencë të filmit.
Po kujtoj dy momente ngjarjesh reale, të përfshira në film. 1)Kur Dhespoti me egërsinë fanatike mesjetare e pat mallkuar rëndë Mësuesin e pafajshëm të shqipes: “Qoftë i mallkuar prej perëndisë se u mëson fëmijëve gjuhën shqipe, e cila nuk është e qenë. Ai është çkishëruar me gjithë fëmijët e tij.”, ky klerik i tipit mesjetar e quan të nevojshme të mbledhë gjithë fshatarët e Luarasit për ta përsëritur mallkimin në sytë e tyre, duke i kërcënuar edhe gjithë ata që dëgjojnë e ruajnë miqësi me të aforisurin, që i trembi me këtë mallkim: “Qoftë i aforisur e pastë nëmën e të 318 etërve të Kishës, të ketë kromën e Jezuit, të mbetet i patretur dhe kotruf pas vdekjes, dhe të mirë të mos shohë, as përparim!”. Por Petrua, duke qenë i pranishëm, u heq mërzinë e frikën fshatarëve dhe i bën të qeshin me përgjigjen ironike, që i drejtoi Dhespotit, duke e pyetur: “Po përse, shenjt Dhespot, nuk u treguat më i mëshirshëm sa që të na mallkonit edhe opingat tona që të mos na grisen, edhe rrobat tona që të mos na çirren për gjithë jetën, se jemi njerëz të varfër? Sikur të bënit edhe këtë, do t’ju ishim mirënjohës për gjithë jetën tonë të patretur”. Dhe fshatarët e vazhduan miqësinë e tyre me mësuesin Petro se e njihnin si burrë të urtë e të drejtë, që përpiqej t’u hapte sytë fëmijëve të shkollës, duke u mësuar abecenë e gjuhës amëtare, që i begatonte me dituri dhe i ndihmonte të përvetësonin mësimet morale të Ungjillit.
2) Ngjarja tjetër tërheqëse e paraqitur në film është momenti i varrimit të Petros të helmuar. Përveç turmës së pafund të miqve, shokëve dhe bashkëfshatarëve në ceremoninë e varrimit kish ardhur edhe një skuadër xhandarësh, që kërkonte ta digjte kufomën e të ndjerit, duke derdhur teneqe me gëlqere, që përdoreshin kur vdisnin të sëmurë nga kolera. Aty qëndronte edhe Dake Mali, një fshatar kaçak, që dikur e kishte kërcënuar se do ta vriste Petron në emër të një belurçine që u shërbente pushtuesve osmanë e dhespotëve grekë; ai me kohë hoqi dorë nga ky kërcënim ngaqë e kuptoi se Petrua ishte njeri i mirë dhe i dhimbsur, që e deshte dhe e nderonte gjithë populli, prandaj kur u bënë xhandarët gati të hidhnin gëlqeren mbi arkivolin e Petros, Dake Mali u doli përpara e i pengoi, duke u thënë: “Para se të derdhnin gëlqeren mbi trupin e tij, duhet ta derdhni mbi trupin tim, me të cilin mbuloi varrin e Petros të shenjtë”. Si këto dy episode që i përmendëm, filmi kishte edhe të tjerë të bukur, tërheqës, të cilët bashkonin vërtetësinë jetësore me fuqinë shprehëse ekspresive të gjithë veprës. Dhe është e habitshme se si qè e mundur, që njëri nga personat zyrtarë, që ishte i ngarkuar të jepte viston në premierën e filmit, i shkoi në mendje të sugjerojë që Doktori, helmuesi i Petros, të paraqitej jo me kombësi greke, siç ka qenë e vërteta historike, por “çifut”. Ky zyrtar i lartë nuk ishte aq i përgatitur në estetikë sa të dallonte filmin artistik nga “allishverishet” që bënte Ministria jonë vërtet e Jashtme, prandaj zyrtari ishte i preokupuar se mos cenoheshin marrëdhëniet diplomatike midis Greqisë dhe Shqipërisë! Kishte frikë se mos rrezikoheshin marrëdhëniet midis dy vendeve ballkanike nga “i mallkuari” film mbi figurën historike të Petro Nini Luarasit të mallkuar “pa thonjëza” nga tre dhespotët e pamëshirshëm, që nuk ecnin në udhë të Krishtit, por të Satanait dhe që e vranë atdhetarin, i cili mbillte farë të krishtere miqësie midis popujve të Ballkanit.
Po ç‘do të kishte thënë atdhetari grek N. Kazanxaqi, edhe ky i mallkuar nga Sinodi bizantin i Greqisë, sikur të kishte dëgjuar historinë e mallkimit e të helmimit të P. N. Luarasit, që aq fort i shëmbëllen rrëfimit të mrekullueshëm të romanit të Kazanxaqit “Krishti kryqëzohet përsëri”, roman që shqiptarët e lexojnë në gjuhën shqipe, në atë gjuhë për të cilën u bë fli P.N.Luarasi? Sigurisht, nuk do të kishte dhënë urdhër të ndalohej filmi i mrekullueshëm “Kush vdes më këmbë”, do të përulej me nderim para figurës së Krishtit tonë, që ca priftërinj e dhespotë si Grigori i tij, që e stigmatizon shkrimtari grek, kryqëzuan përsëri Krishtin, një njëkombas të tyre, Manolisin, ngaqë luftonte për liri, drejtësi, vllazërim, ashtu siç pati luftuar edhe Petro Nini Luarasi. Dhe në s’beson njeri në këtë paralelizëm që bëmë, rekomandojmë të shikojnë filmin “Kush vdes në këmbë”, të lexojnë librin “Mallkimi i shkronjave shqipe” të P.N.Luarasit dhe romanin e Niko Kazanxaqit dhe do të na jepnin të drejtë. Veç dyshoj se në TVSH tonë publike duhet të ketë mbetur ca nga “frika” që kish dikur zyrtari i lartë, që merrej me censurë në Kinostudio, sepse në ditën e 7 marsit të këtij viti ky institucion nuk e dinte jubileun e 100 vjetorit të helmimit të Petro Nini Luarasit. Do të presim 17 gushtin: A do ta lejojnë të shfaqet ky film?!
“Petro Nini Luarasi- Mendimtari Martir i Rilindjes Kombëtare 1865-1911” është libri jetëshkrimor i Autorit Alfred Uçi. Ky libër është realizuar në kuadër të javës festive për nderë të 100 vjetorit të Pavarësie së Shqipërisë të organizuar nën patronazhin e Komunës së Prishtinës, transmeton KTV.
Autori i librit i cili ishte edhe ish- ministër i Kulturës së Shqipërisë së viteve ’90-ta, Alfred Uçit, ka promovuar këtë libër të tijin në 100 vjetorin e Pavarësie së Shqipërisë, njëherit edhe në 100-vjetorin e vdekjes së atdhetarit e martirit të shquar të shkollës kombëtare shqipe, Petro Nini Luarasit, që është dhe gjyshi i tij nga nëna. Duke e ngritur lartë figurën e Petro NIni Luarasi, autori ka përmendur shumë fakte historike për, siç e ka quajtur ai, “babanë” e shkollës Shqipe. Sipas Uçit, Petro Nini Luarasi ka qenë organizator i shumë nismave patriotike bashkë me shumë figura të tjera kombëtare siç është edhe Fan Noli, në realizimin e shtetit shqiptar.
Autori i librit i cili ishte edhe ish- ministër i Kulturës së Shqipërisë së viteve ’90-ta, Alfred Uçit, ka promovuar këtë libër të tijin në 100 vjetorin e Pavarësie së Shqipërisë, njëherit edhe në 100-vjetorin e vdekjes së atdhetarit e martirit të shquar të shkollës kombëtare shqipe, Petro Nini Luarasit, që është dhe gjyshi i tij nga nëna. Duke e ngritur lartë figurën e Petro NIni Luarasi, autori ka përmendur shumë fakte historike për, siç e ka quajtur ai, “babanë” e shkollës Shqipe. Sipas Uçit, Petro Nini Luarasi ka qenë organizator i shumë nismave patriotike bashkë me shumë figura të tjera kombëtare siç është edhe Fan Noli, në realizimin e shtetit shqiptar.
Autori i këtij libri, me rastin e 100 vjetorit të vdekjes së gjyshit të tij, Petro Nini Luarasit, promovoi librin jetëshkrimor kushtuar atij, në një aktivitet përkujtimor që u zhvillua sot në sallën e Shtëpisë së Ushtrisë me praninë e studiuesve dhe akademikëve të tjerë.
“Kam nderin e veçantë të përshëndes botimin e këtij libri, kushtuar njërës prej ikonave më të shquara të arsimit kombëtar", u shpreh zv/ministri i Arsimit, Halit Shamata, duke e cilësuar aktivitetin përkujtimor, si "një pararendës edhe për fillimin e veprimtarive në kuadër të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë dhe jetësimit të shtetit shqiptar".
Sipas Shamatës, duke promovuar librin jetëshkrimor të Petro Nini Luarasit, "i bëjmë homazh njërit prej pionierëve të shkollës dhe lëvizjes kombëtare, jo vetëm në trojet shqiptare, siç e ka vlerësuar njëri prej miqve të tij, Fan S. Noli, por edhe në Amerikë, ku Petro Nini Luarasi punoi për katër vite, duke qënë një mërgimtar politik".
Studiuesit e pranishëm, përmes fjalëve të mbajtura në këtë aktivitet përkujtimor, nderuan veprën e Petro Nini Luarasit, njërit prej themeluesve të mendimtarisë shqiptare si dhe njërit prej martirëve të përhapjes së shkronjave shqipe, librit dhe mësimit shqip.
Duke qënë veprimtar i shquar në dobi të çështjes kombëtare, aktivist dhe polemist në emër të saj, Petro Nini Luarasi, është lëvrues i vjershërimit shqip dhe autor i disa shkrimeve me karakter politik, filozofik, publicistik dhe pedgogjik.
Në veprën e tij më të rëndësishme me karakter politiko-patriotik "Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqiptarit", botuar në Manastir më 1911, ai bëhet mbrojtës i të drejtës natyrore të gjuhës dhe identitetit kombëtar të popullit të tij.
Emrin e Petro Nini Luarasit e mbajnë një sërë institucionesh arsimore dhe kulturore në Shqipëri dhe Kosovë, por edhe më tej.
Në librin e prof. Uçit, krahas simbolit të dëshmorit të shkollës shqipe, lexuesi gjen Petro Nini Luarasin si modelin e gjallë të një pune të paepur që lidhet me ngritjen e shkollave me programe mësimore, me punën e qëmtuesit, pastronjësit të gjuhës shqipe.
Mes fakteve dhe të dhënave të reja, Prof. Alfred Uçin sjell qëndrimet e panjohura deri më sot të mendimtarëve të viteve ’30-të, të cilët reaguan ashpër ndaj një gjesti të mbretit Zog. Në festimet e 25-vjetorit të Pavarësisë Ahmet Zogu nuk e kishte përfshirë emrin e Petro Ninit në listën e veteranëve të nderuar, që dekreti mbretëror i quajti "të shkallës së parë". Mendimet e Zavalanit, Branko Merxhanit, Faik Konicës dhe Fan Nolit, krijojnë një portret të ndritur të këtij mendimtari. Libri përfshin edhe një varg shkrimesh nga Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, S.Pollo, Z. Xholi, A.Varfi, Siri Shapllo, etj.
Libri jetëshkrimor i Prof. A. Uçit, i cili e ka titullin "Petro Nini Luarasi, mendimtari martir i Rilindjes Kombëtare, 1865-1911" është botuar nga Shtëpia Botuese e Librit Universitar, me kryetare të Këshillit Botues Liri Çoçolin dhe me perkujdesjen grafike të Enkelejda Mishës. Ndërsa botimi i tij është mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Shqipërisë. Publikimi i këtij libri përbën një ngjarje të veçantë për historikun e arsimit shqiptar dhe të njohjes së figurave të tij të ndritura.