2012-11-25

MESAZHI I PREMIERIT SHQIPTAR NGA SHKUPI PËR BASHKIM KOMBËTAR

1.

Në Shkup sot do të mbahet ceremonia qendrore e festimit të 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar.

Në ceremoninë e organizuar nën patronatin e Këshillit mbarëkombëtarë dhe zëvendëskryeministrit të Maqedonisë, Musa Xhaferri, do të marrin pjesë kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Në këtë eveniment me moton “100 vjet pavarësi” do të marrin pjesë edhe liderët politik nga trojet shqiptare, ndërsa nga partitë shqiptare në Maqedoni do të jetë i pranishëm kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ndërsa akoma nuk është konfirmuar prania e liderëve të tjerë shqiptarë në Maqedoni.

Gjatë ditës janë paraparë disa aktivitete festive që organizohen në Shkup, duke nisur me vendosjen e kurorave të luleve pranë shtatores së Hasan Prishtinës në Shkup nga ana e kryeministrave Berisha dhe Thaçi dhe duke vijuar me aktivitete tjera. Në festimet e sotme janë paraparë aktivitete për flamurin kombëtar nga nxënësit e shkollave shqipe në Shkup. Në mbrëmje do të ceremonia festive në sallën “Boris Trajkovski”, ku do të jenë të pranishëm dy kryeministrat shqiptarë


2.

Shkupi është mbuluar nga flamujt kuq e zi dhe se mijëra shqiptarë nga të gjitha trevat etnike po festojnë 100 vjetorin e pavarësisë.

Nga sheshi “Skënderbeu” deri në lagje të ndryshme të Shkupit po valëviten flamuj kuq e zi, sirena makinash dhe kolona njerëzisht me flamujt kombëtar.

“Ne kemi ardhur këtu nga Struga dhe po përjetojmë atmosferën festive me këtë 100 vjetor. Shkupi është një nga kryeqendrat shqiptare dhe po festojmë bashkërisht këtë përvjetor”, theksoi Albina, studente nga Struga, me shoqërinë e saj.

Një numër i madh i qytetarëve janë edhe nga diaspora, të cilët kanë ardhur për të ndjerë nga afër atmosferën festive. “Jemi të gëzuar që kemi qëlluar këtu për këtë 100 vjetor dhe të festojmë të bashkuar 100 vjetorët e ardhshëm”, theksoi Bekimi, i ardhur nga Zvicra për këtë përvjetor, i cili thekson se ditëve të fundit është shtuar numri i mërgimtarëve që kanë mbërritur për të festuar në vendlindje.

Shkupi po mirëpret edhe dy kryeministrat shqiptarë Sali Berisha dhe Hashim Thaçi. Në disa akse rrugore janë bilbordet me mesazhet për mirëseardhjen e dy kryeministrave.

Nga Këshilli për organizimin e përvjetorit të 100-të kanë theksuar se gjithçka është gati dhe se festa po vijon në maksimum. “Kemi përgatitur gjithçka dhe besojmë se Shkupi dhe shqiptarët po përjetojnë atmosferën festive të kësaj feste kombëtare. Kuq e zi gjithkund dhe se kjo atmosferë nga Shkupi do të përcillet në Vlorë, Prishtinë e Tiranë”, theksuan për INA nga kabineti i zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Maqedonisë, Musa Xhaferri, i cili është një nga organizatorët për manifestimet në Shkup për këtë përvjetor.


3.



Mijëra shqiptarë nga trevat e ndryshme të Maqedonisë festuan sonte në Shkup 100 vjetorin e pavarësisë.

Në ceremoninë festive kanë marrë pjesë kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi nën shoqërimin e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti.

Në këtë ceremoni kanë munguar liderët e dy partive tjera shqiptare, Menduh Thaçi dhe Rufi Osmani, ndërsa ishin të pranishëm zëvendëskryeministrat e Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli dhe Hajredin Kuçi, lideri i LSI-së Ilir Meta, si dhe Rifat Jashari nga familja e Jasharajve nga Prekazi i Drenicës.

Në nisje të fjalës së tij, kryeministri i Kosovës përkujtoi të rënët në luftën e Çlirimit të Kosovës, si shenjë nderimi në këtë 100-vjetor, ndërsa e quajti Shkupin kryeqyteti i vilajetit të Kosovës. Për Thaçin, ky 100-vjetor i gjen shqiptarët me dy shtete në rajon, si askush tjetër.

“Sot duhet të kujtojmë vetëm ku ishim para 13 vitesh, Shqipëria në tranzicion, Kosova e pushtuar, shqiptarët në Maqedoni të diskriminuar rëndë, në Presheve edhe më rëndë, shqiptarët në Mal të Zi në përpjekje për të drejtat e tyre. Por, mrekullia ndodhi nga shpresa, besimi ynë, lindi UÇK që largoi njëherë e përgjithmonë Serbinë nga Kosova që sot e kemi të lirë, të pavarur dhe sovrane. Mrekullia e UÇK-së erdhi jo vetëm me vullnetin e shqiptarëve të Kosovës; pati mbështetje nga gjithë shqiptarët kudo që jetonin. Shqipëria përparoi edhe më shumë - sot e kemi në NATO. Shqiptarët si asnjë komb në rajon i kanë dy shtete Shqipërinë dhe Kosovën, por e ardhmja na tregon se ne duhet të jetojmë në një hapësirë unike si një komb i vetëm. Do jetojmë në një hapësirë të përbashkët e të integruar”, tha ai, transmeton "Express".

Duke iu drejtuar Ali Ahmetit, Thaci tha se Kosova do jetë gardiani i të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë, pasi edhe ata e kanë ndihmuar Kosovën për të qënë e lirë.

Kryeministri Sali Berisha tha se ndjehet i lumtur që shqiptarët po festojnë bashkërisht këtë shekull të pavarësisë së shtetit shqiptar.

“Shekulli që lamë mbrapa ishte shekulli i një kaluari, ata të cilët shpallën në Vlorë pavarësinë, shpallën pavarësinë e Shqipërisë jetike, dy të tretat e trojeve tona na u ndanë me padrejtësi. Sot lavdi zotit dhe armëve tona, ndjehuni të lirë, festojmë të bashkuar, të sigurt drejt së ardhmes sonë. Sot pavarësisht çfarë përjetuam, kemi motive për të qenë krenarë me njëri-tjetrin, me trojet tona me flamurin tonë, për të pasur besim tek e ardhmja”, deklaroi kryeministri Berisha, transmeton INA.

Për kryeministrin e Shqipërisë ky 100-vjetor na fton të realizojmë një ëndërr, atë të bashkimit kombëtar, siç tha ai, ndërsa u shpreh i lumtur që festimet e nisura në Shkup, do vijojnë në Prishtinë e më pas në Vlorë e Tiranë.

“Ne shqiptarët nuk u pajtuam kurrë me padrejtësitë, nuk pranojmë shtypjen e të tjerëve, ndaj dhe bëmë një rezistencë legjendare: UÇK-të do zhvillonin luftën e fundit çlirimtare në Evropë. Lavdi përjetë luftëtarëve dhe udhëheqësve politikë”, deklaroi Berisha.

Sipas tij, ky 100-vjetor na fton, na frymëzon të vazhdojmë të bëjmë realitet ëndrrën e atyre që u flijuan për liri dhe dinjitet kombëtar.

“Këtu nga Shkupi i bëj thirrje shqiptarëve, të punojnë çdo minutë, orë, muaj, vit për bashkimin e tyre. Iu bëj thirrje fëmijëve tanë, fqinjëve tanë, përpiquni të kuptoni drejt bashkimin e shqiptarëve, ta bëheni më të lirë, më të drejtë, se shqiptarët janë të gatshëm për bashkëpunim, shqiptarët e lirë janë forcë zhvillimi për veten dhe rajonin. Askush të mos druhet dhe askush të mos hidhërohet nga përpjekjet e shqiptarëve për bashkimin. Nën moton të bashkohemi me Evropën, të bashkohemi me njëri-tjetrin, ti përqendrojmë forcat tona”, tha Berisha.

Sipas kreut të qeverisë shqiptare, nacionalizmi shqiptar është nacionalizmi më qytetar i Evropës, pasi bazohet në respekt.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në fjalimin e tij theksoi se është i përkushtuar për të punuar bashkërisht për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, duke bashkëjetuar me maqedonasit dhe duke respektuar të gjitha komunitetet etnike.

Ai ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e 100 vjetorit, duke thirrur për unitet dhe bashkëveprim më të ngushtë.

Sipas tij, shqiptarët në Maqedoni jetojnë bashkërisht me maqedonasit dhe “ne respektojmë këta bashkëqytetar, ashtu siç i respektojmë edhe të gjitha komunitetet e tjera etnike në Maqedoni”.

“Ashtu edhe ne mund të presim që të jemi të respektuar. Ashtu ndërtohet stabiliteti në Ballkan, ashtu mund të ndërtojmë paqen dhe bashkërisht të shkojmë në BE dhe NATO. Po punojmë për të tejkaluar armiqësitë tona historike. Nëse kanë mundur të tejkalojnë këto francezët dhe gjermanët, mundet ti tejkalojmë edhe ne në Ballkan”, ka theksuar Ahmeti.

Floripress

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...