Njerëzit t’i kujtojnë njerëzit
Libër Kujtimi i Kosovës është një përmendore e viktimave të krimeve të luftës, njerëzve që kanë rënë gjatë luftimeve dhe atyre të cilët në mënyrë të dhunshme janë zhdukur gjatë vitit 1998 në Kosovë.
Kjo përmendore është e gjallë por e pashkatërrueshme. Thirrja që t’i dilet përballë, të lexohet çdo emër, që të dihet kush janë këta njerëz, si kanë rënë dhe që njerëzit t’i kujtojnë njerëzit. Me kalimin e kohës Libër Kujtimi i Kosovës do të bëhet dëshmitari më i besueshëm i të kaluarës jo të largët.
Për herë të parë në histori të Ballkanit, numrat janë zëvendësuar me emra të cilët nuk lejojnë hapësirë për manipulime, minimizim apo ekzagjerim.
Fondi për të drejtën humanitare (FDH) është marrë me dokumentimin e represionit policor ndaj shqiptarëve, duke hulumtuar torturën, burgimin e paligjshëm, thirrjen masovike të shqiptarëve në biseda informative dhe gjykimet politike. Nga shkurti i vitit 1998, FDH fillon të hulumtojë vrasjet dhe zhdukjet e dhunshme (krimet e luftës) në Kosovë.
I pyetur nëse ka statistika për rastet e dhunës seksuale gjatë luftës, Bekim Blakaj (në foto lartë), drejtues i FDH në Kosovë theksoi se nuk mund të sigurohen statistika të tilla pasi në ndryshim nga vrsjet, askush nuk pranon të flasë për këto abuzime. Me numrin e femrave të abuzuara gjatë atyre viteve abuzohet vazhdimisht por kjo është e vështirë të vërtetohet.
Gjithashtu Blakaj shtoi se ky libër ka patur shumë pak kontestime nga familjarët dhe të njohurit e viktimave dhe se puna e tyre vazhdon për të përmisuar të dhënat dhe për të sjellë një libër të dytë.
Më poshtë dy shembuj për mënyrën e dokumentimit në këtë libër:
Arsen (Daut) Mazrekaj
(28.12.1979, shqiptar nga Drenoci/Drenovac, komuna e Deçanit/Dečani, i pamartuar, pjesëtar i UÇKsë)
Nga mesi i muajit qershor të vitit 1998, Arseni me vëllain Avniun dhe kushëririn Mentorin, së bashku me një grup pjesëtarësh të UÇKsë, shkuan në Shqipëri për tu furnizuar me armatime. Gjatë kthimit, më 6.07.1998, përderisa e kalonin kufirin me Kosovën, kufitarët serb hapën zjarr ndaj tyre dhe e qëlluan Arsenin në këmbën e djathtë. Plumbi ia kishte dëmtuar një enë gjaku duke rezultuar me gjakderdhje të madhe. I vëllai me pjesëtarë të tjerë të UÇKsë e kanë bartur Arsenin në spitalin e Bajram Currit [Shqipëri], ku menjëherë iu nënshtrua intervenimit kirurgjikal. Por, mjekët nuk kanë mundur të shpëtojnë Arsenin. E kanë varrosur më 7.07.1998 në varrezat e Bajram Currit. Në datën 22.08.1999, familjarët i kanë rivarrosur mbetjet e tij mortore në varrezat në Drenoc/Drenovac.
Burimet: deklarata D.M, FDH40584; J. Osmani, Krimet.., I, 141.
Rexhep (Rexhep) Bislimi
(13.06.1966, shqiptar nga Ferizaji /Uroševac, student, tre fëmijë)Rexhepi ishte aktivist për të drejtat e njeriut. Punonte në degën e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Ferizaj/Uroševac. Në datën 6.07.1998, policia e kishte arrestuar atë në një rrugë, në Ferizaj/Uroševac. Të nesërmen, policët e sollën Rexhepin në shtëpi. Fytyrën e kishte të mavijosur dhe me gjak. E detyruan për të gropuar në kopsht, meqë policia dyshonte se ka fshehur armë. Nuk kishin gjetur asgjë, por megjithatë sërish e morën me vete. Tri ditë më vonë, familjarët mësuan se Rexhepi gjendej në burgun e Gjilanit/Gnjilane, por nuk u lejuan për ta vizituar. Në datën 19.07.1998, familjarët mësuan se policia e kishte bartur Rexhepin në spitalin e Prishtinës/Priština, ku i ishte nënshtruar një intervenimi kirurgjikal. Ishte në gjendje kome për dy ditë me radhë, ndërsa ndërroi jetë më 21.07.1998. Në rezultatin e autopsisë shkruante se ka vdekur si pasojë e goditjeve në kokë dhe trup. Ai u varros më 23.07.1998 në varrezat e Ferizajt/Uroševac. Pas lufte, Rexhepin e kanë shpallur dëshmor lufte. Në datën 12.09.1999, mbetjet e tij mortore janë rivarrosur në Varrezat e Dëshmorëve të Luftës në Ferizaj/Uroševac.
Burimet: HRW, Shkeljet.., 70, FDH31132; J. Martinsen, Regjistri.., FDH26092; SHFDUÇK, Feniksët...3, 5758; KMDLNJ, Regjistri i civilëve.., FDH13491; N. Krasniqi, Kohë.., 273; FHP, Haški tribunal, Suđenje Slobodanu Miloševiću, XX, 7; Albanian detainee, Tortured in Serb Police Hands, Dies in Hospital, pasqyra e lajmeve, KIC, 22.07.1998, FDH 29373; Albanian Detainee Dies from Serb Police Torture, pasqyra e lajmeve, KIC, 19.08.1998, FDH29773.
STATISTIKA
Për më shumë informacion vizitoni http://www.liberkujtimiikosoves.org/