Nga Namik Selmani
Lokali ishte në të dalë të qytetit. I bukur. I madhërishëm. Me një emër që kujtonte vendlindjen e të zotit të lokalit . Ishte një fshat në bregdetin shqiptar, i cili po rizgjohej me emër e me traditë. Duke u bërë edhe një vend ku takoheshin shpesh edhe bashkëfshatarët që këndonin nga një këngë për vendlindjen apo bëheshin nostalgjikë për të. Të gjitha mjediset ishin me të gjitha komoditetet e nevojshme për të qenë një lokal ku kishe kaq shumë zili njerëzore dhe dëshirë të futeshe. Të pije një kafe. Të drekoje me miq të rinj e të vjetër. Lokal për kokën e lokalit, si thotë populli.
Në pjesën ballore të tij, në atë pjesë ku është qendra, Hyseni kishte menduar që të bënte një gjë të veçantë. Kishte vënë disa këpucë të grisura. Një fotografi ku disa fëmijë me këmbë të zbathura kishin vënë në duar një top prej lecke e dukej sikur sapo do të fillonin një lojë të re mes varfërisë së tyre kaq tragjike. Mbi kokat e tyre, një qiell i venitur që ishte paksa i mundur nga kaltërsia e syve të fëmijëve që ëndërronin aq shumë në atë fëmijëri të varfër. Pranë tyre kishte vënë disa rroba të leckosura që e kishte të vështirë t’i dalloje nëse ishin pantallona apo xhaketë e përdorur në vite.
Një befasi e madhe për çdo klient që kalonte pragun e tij. Në të, pasi porosisnin që para disa orësh apo edhe ditësh, vinin shpesh për të drekuar njerëz tërë pozitë nga kryeqyteti, të cilët ndalonin në hyrje makinat luksoze. Paratë e shumta nuk numëroheshin thjesht me mollëzat e gishtërinjve, por me grushtat njerëzorë. Natyrisht duke menduar edhe për një bakshish të majmë që mbetej në duart e kamarierëve dhe një buzëqeshje që iu dhurohej pronarëve të lokalit. Rreth tyre në cepat e tjerë kishte luks. Një luks i madh. Në kolltukë, në anekse intime për çifte e për familjarë. Kishte muzikë të llojllojshme. Kur nisën të hidhnin themelet, shumë orendi u porositën në Itali ku kishte punuar për disa vite djali i Hysenit, Martini. Disa kamarjere tërë shije shërbimi dhe me një kostum karakteristik për lokalin iu shërbenin tërë mirësjellje qoftë klientëve shqiptarë, qoftë edhe të huajve, për të cilët gjuha e huaj nuk mungonte asnjëherë në komunikim. Urime. Dolli. Biseda biznesi e dashurie…Për sportin e seksin. Politikë e art. Tavolinat i ngjanin një kuvendi të vogël njerëzor mes sa e sa temash.
Brenda kësaj harmonie shërbimi, nëse do ta quanim kështu, një debat i heshtur e i dukshëm zhvillohej mes Hysenit dhe djalit të tij Martinit. Dy breza që kishin një llogore mosmarrëveshjeje. Martini e shprehte këtë me një mosaprovim të heshtur deri sa një ditë ia thotë drejtpërdrejt babait të tij:
-Baba, ç’i do tërë këto lecka në ballë të lokalit? Jo të gjithë mund ta marrin për mirë këtë eskpozitë që ti ke vendosur këtu. Mua më duket se ky nuk është nderi ynë, por turpi ynë. Kjo të pengon që të ecësh përpara.
Hyseni në fillim, kur djali ia shprehu shqetësimin e tij, nuk donte që ta kundërshtonte. Nuk donte. Natyrisht nuk kishte asnjë inat me Martinin, gjakun e gjakut të tij. Por ai ishte i ri. Kishte punuar shumë për lokalin, por s’kishte njohur varfërinë. S’kishte jetuar fëmijërinë pa lodra, pa veshje të mira e të ngrohta, pa bukë. Ai, si baba, lumturohej se djali e kishte kuptuar se në jetë duhet të ecësh e të jetosh me djersë të ndershme. Por kjo nuk mjaftonte deri në fund. Më në fund e ndjeu detyrimin që t’ia thoshte. Mbase për të mos ia përsëritur më ndonjëherë.
-Jo, bir, jo. Të gjithë, unë dhe ti, njerëzit e tjerë të familjes, miqtë që na kanë ndihmuar në mënyra të ndryshme, për të marrë mbi supe adminstrimin e këtij lokali që është djersa jonë e përbashkët, kur futemi në të, mendojmë për fitimin. Për të nesërmen. Për para e pushime në Shqipëri e në botë. Për të hequr edhe ndonjë gjë mënjanë për të mirë e për hall. E nesërmja, more bir, nuk duhet kuptuar pa këpucët e grisura të babait e të xhaxhait tënd. Këto nuk janë si qypat e vjetër apo kazanët e kusitë që disa lokale i vënë për të tërhequr vemendjen e klinetëve. Jo, në to është jeta ime, jeta jote e panisur. Pa këto rroba të leckosura që janë reliket e fëmijërisë sime e të shokëve të mi e që sot nuk e i gjen as në koshin e plehrave, nuk mund të ngjitesh lart. Në pasuri e në lavdi. Vërtet duken si rrënjë të hidhura, por kjo është e vërteta. Më shumë se fjalët që mund të të them unë ty e fëmijëve të tu që do ta gëzojnë, kjo mund të jetë një porosi që jo gjithmonë thuhet me fjalë. Më dëgjon?...
…Martini po i shihte kësaj radhe me një sy tjetër reliket e babait. Dallga e mençurisë që i derdhej në brigjet e shpirtit të tij, të asaj përditshmërie plot punë e djersë, po e mbushte me një mendim të ri. Babai, mbase më tepër se në çdo ditë të jetës së tij, kishte plotësisht të drejtë. Në rrëfimin e tij ishte një brez vitesh që nuk duheshin harruar. Ato relike duhet të qëndronin aty jo vetëm për këtë familje punëtore, por edhe për ndonjë vizitor të pasur që mund t’i kishte hipur qibra e tahmaja për të ndërtuar jetën mbi të gjitha misteret e fshehta të ligësisë. Aty duhet të qëndronin dhe dikush prej tyre, kur ta pyesnin, duhet të bëhej cicëron i mençur.