Kuvendi i Kosovës, me një mbledhje solemne i dëshiroi mirëseardhjen Ramush Haradinajt, i liruar dje nga Tribunali Ndërkombëtar për krime Lufte në ish- Jugosllavi.
Kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, duke i dëshiruar mirëseardhjen ish-kryeministrit e ish-komandantit të UÇK-së, tha se me shembullin e Haradinajt u konfirmua lufta e drejtë dhe e pastër e UÇK-së. Kryetari Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi shprehu bindjen se i pafajshëm do të shpallet edhe Fatmir Limaj me shokë, të arrestuar kohë me parë në Prishtinë.
Ramush Haadinaj falënderoi deputetë dhe qeveritarët për respektin dhe shtoi se ndihet i mirë pas pafajësisë së shpallur dje nga Gjykata e Hagës. Ai falënderoi të gjithë ata që kanë bashkëndjerë vuajtjet e tij dhe të shokëve të tij në Hagë. Pastaj paraqiti pikëpamjet për ekonominë e politikën në vend dhe sfidat që e presin si aktor të politikës në ditët në vijim.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme, përveç caktimit të datës dhe të rendit të ditës për mbledhjen e ardhshme të legjislativit, po shqyrton edhe kërkesën e Grupit parlamentar të AAK-së për mbajtjen një seance të veçantë solemne me të cilën do të përshëndetej lirimi i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj nga Tribunali i Hagës.
Burime të brendshme i kanë thënë Koha. net se kjo mbledhje do të mbahet sot në orën 14.00.
Duke i shprehur z. Haradinaj urimet më te përzemërta për lirimin e tij e të bashkëluftëtarëve, kryetari Krasniqi e konsideroi vendimin e Gjykatës së Hagës fitore të drejtësisë dhe konfirmim të luftës së drejtë e të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryetari i AAK-së, Haradinaj, duke e falënderuar kryeparlamentarin Krasniqi për pritjen dhe organizimin e seancës së sotme solemne, tha se ndihet i nderuar që do t’i drejtohet me një fjalë Kuvendit të Kosovës.
Ai u interesua për zhvillimet në Kuvend dhe ecurinë e punës së tij.
Kryeparlamentari Krasniqi e njoftoi kreun e AAK-së me punën dhe të arriturat e legjislativit të vendit, konform funksioneve kushtetuese të tij.
“Jemi përpjekur që shtëpinë e demokracisë t’ua japim të gjithëve, sepse të gjithë kanë hise në të”, u shpreh kryetari i Kuvendit.