Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka bërë homazhe te varri i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova dhe përmendorja e dëshmorit Zahir Pajaziti. Me këtë rast Haradinaj nuk ka dashur të flas për mundësinë e një koalicioni qeverisës, por nuk e ka mohuar bashkëpunimin e tij për një qeverisje kualitative.
Ish-kryeministri i Kosvës Ramush Haradinaj ka thënë sot se ka filluar punën me nderime duke bërë homazhe tek njerëzit historik të vendit, prandaj në ditët në vazhdim do të flas për çështje politike. Megjithëkëtë, duke mos dashur të flas për ndonjë koalicion të mundshëm, ai shprehu gatishmëri për punë të përbashkët për një qeverisje kualitative:
“Unë do të punojë me çdo njeri të Kosovës që të sjellë kualitet te ri në qeverisje, kualitet të ri në zhvillim të vendit, kuptohet se këtë mund ta bëjmë nëse gjithë ne i kushtohemi një kualiteti më të mirë në vendin tonë. Shteti i Kosovës është në sfidë si shtet i ri dhe si demokraci, pra ne nuk rrezikohemi më si Kosovë a do të jemi shtet, por kualiteti i shtetit, i demokracisë i zhvillimeve të brendshme është në sfidë, meqënese jemi të ri, andaj do të punojmë së bashku”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj tha se ka zgjedhur të fillojë ditën me nderime para varrit të Presidentit Ibrahim Rugova, pasi presidenti Rugova ka luajtur rol të madh në krijimin e shtetit të Kosovës:
” E falenderoj Presidentin Rugova për mundin dhe punën e mirë që e ka bërë për shtetin e Kosovës, do të jem gjithnjë falenderues, ashtu si populli i Kosovës dhe shqiptarët që janë mirënjohës për rolin e tij historik për shtetin e Kosovës”, ka Haradinaj.
Kryetari i AAK-së me bashkëpunëtor bëri homazhe edhe pranë shtatores se komandantit të UÇK-së, Zahir Pajaziti, në Prishtinë duke thënë se ai nuk do të ndalet së nderuari vlerat e lirisë kudo që janë, sepse sipas tij kësisoji nderohet edhe rruga për liri.