2012-12-01

Aspekte të analizës së përgjimeve të telefonave të zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe politikë të Kosovës




Shkruan: Rexhep KASTRATI

Përgjimet telefonike, paraqesin një formë klasike të nxjerrjes së sekreteve, por edhe të cenimit të privatësisë së njerëzve. Si të tilla, në shtetet demokratike, përgjimet telefonike jo që janë të ndaluara, por janë të rregulluara me ligj, dhe kryesisht i nënshtrohen një vendimi gjyqësor. Në këtë kuptim, edhe përgjimi telefonave të personaliteteve publike e politike, nuk është se duhet të jetë i ndaluar, por edhe ky duhet t’i nënshtrohet procedurave ligjore të përgjimit. EULEX, i cili është mision i përbashkët i BE-së dhe OKB-së, për shkak se është lejuar nga KS i OKB-së, pas përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare, në Kosovë funksionon në bazë të një marrëveshjeje me institucionet e Kosovës, i cili duhet t’i ndihmojë këto institucione për forcimin e rendit dhe të ligjit në Kosovë. Në këtë kuptim, duhet thënë se përgjimi i konfirmuar nga EULEX i disa telefonatave të kryera nga personalitete të jetës politike dhe institucionale të Kosovës, duhet të sqarohet se është bërë në përputhje me ligjin apo jo. Kjo është çështja e parë që duhet të sqarohet dhe të kihet parasysh, pasi që varësisht nga përgjigjja, mund të nxirren edhe përfundime të caktuara për pozitën në të cilën ndodhen institucionet e Kosovës dhe qytetarët e saj. Është kështu për faktin se nëse përgjimet në fjalë janë në përputhje me ligjin, atëherë duhet thënë se në institucione kemi njerëz që janë nën hetim nga EULEX, përfshi edhe kryeministrin e Kosovës, një ministre të qeverisë së Kosovës, kryetarin e grupit kuvendor të një partie politike, kryetarin e një komune dhe ish-drejtuesin e një shërbimi sekret kriminal që ka përgjegjësi për eliminimin e shumë personaliteteve politike dhe publike. Me fjalë të tjera, del se Kosova udhëhiqet nga institucione që janë nën hetim të EULEX. Mirëpo, sipas gjasash këto përgjime telefonike janë në kundërshtim me ligjin, pasi që, së paku, publikisht nuk dihet që të jetë ngritur ndonjë akuzë, sidomos ndaj kryeministrit, dhe nuk dihet në është kërkuar leje nga gjykata apo edhe nga Kuvendi i Kosovës. Në të dy rastet, qytetarët e Kosovës, jo që duhet ta ndiejnë veten të kërcënuar, por të shqetësuar seriozisht për atë që po ndodh me Kosovën, sidomos në kontekst të negociatave me Beogradin. Dhe shqetësimi i qytetarëve lidhur me këto përgjime duhet të ndërlidhet me faktin se ato po bëhen nga një mision i mekanizmave ndërkombëtarë që janë palë ndërmjetëse në negociatat Prishtinë – Beograd, dhe në këtë kontekst do të duhej të konsideroheshin si shantazh ndaj institucioneve të Kosovës. Këtë e bën më të besueshëm fakti se publikimi i këtyre përgjimeve, duket se është bërë edhe me dijen e vetë EULEX-it, pra është bërë me qëllim të caktuar, i cili mund të jetë edhe qëllim për komprometimin e drejtuesve të institucioneve të Kosovës, por edhe si shantazh për ballafaqimin e të përgjuarve me publikun e gjerë. Dhe shantazhi mund të ketë kuptimin: “Nëse nuk bindeni, do vazhdojmë publikimin e të tjerave telefonata të përgjuara!”. Gjithnjë në kontekst të negociatave ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, këto shantazhe mund të kuptohen me çështje që kanë të bëjnë edhe me veriun, por edhe me çështje të tjera të hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një aspekt tjetër i analizës së dukurisë së përgjimeve telefonike, që nuk ka të bëjë me çështje parimore, të ligjshmërisë dhe të rregullsisë procedurale, ka të bëjë me nivelin e kulturës së komunikimit të atyre që janë përgjuar në këto telefonata të publikuara. Në këtë kontekst, duhet patur parasysh faktin se kemi të bëjmë me kryeministrin e Kosovës, ministren e Integrimit, kryetarin e grupit kuvendor të një partie politike, me kryetarin e një komune, si dhe me ish-drejtuesin e SHIK-ut, pra kemi të bëjmë zyrtarë të lartë shtetërorë dhe në përgjithësi me drejtues institucionesh shtetërore dhe parashtetërore, të cilët, qoftë edhe në biseda private, e lë më në ato që kanë të bëjnë me angazhime, veprime dhe organizime politiko-institucionale të Kosovës, do të duhej të kishin një kulturë komunikimi, i cili së paku, do të duhej të ishte në nivelin e një kulture mesatare të komunikimit dhe të kodeve ligjërimore bisedimore. Kur i dëgjon me vëmendje telefonatat e përgjuara, njeriu smeritet, stepet dhe shqetësohet se si zyrtarë të lartë shtetërorë, në kodifikimin e tyre ligjërimor fusin shprehje që nuk janë të denja as për kode ligjërimore bisedimore, e lë më të kodeve ligjërimore standarde dhe politike. Shprehjet e tilla, zhargoni i përdorur si dhe idiomat shprehura, më shumë i përngjajnë një kodi ligjërimor rrugaçëror, i përdorur nga rrugaçë, njerëz arrogantë, agresivë dhe kriminelë të skutave të errëta të nëntokës. Secili që i ka dëgjuar këto biseda telefonike, e ka pasur të qartë, se ky nivel i kulturës së komunikimit është irritues dhe që duhet të mbahet larg veshëve të fëmijëve që mund të mësohen keq, që të ulin edhe ata nivelin e tyre të komunikimit, me arsyetimin se shprehje të tilla përdor kryeministri i Kosovës.Dhe shqetësimi i qytetarëve duhet të jetë, në radhë të parë njerëzor, dhe të ketë parasysh që nëpërmjet faqeve të ndryshme në internet, këto biseda mund t’i dëgjojnë edhe fëmijët, të cilët janë bërë shumë të zhdërvjelltë në lundimin në internet. Në këtë pikë, është pra çështja e mesazheve rrugaçërore dhe kriminale që përcjellin këto biseda, dhe ndikimin në nivelin edukativ të fëmijëve dhe të adoleshentëve, i cili ka për model të keq pikërisht nivelin e komunikimit që përfaqësojnë këto biseda të zyrtarëve të lartë shtetërorë të Kosovës. Një aspekt tjetër, që ndërlidhet me këtë, pra me nivelin e ulët të kulturës së komunikimit, ka të bëjë me faktin, se duke qenë zyrtarë të lartë shtetërorë, këta njerëz nxisin shqetësimin për nivelin e përfaqësimit dhe paraqitjes së vetëdijes komunikuese, institucionale dhe shtetërore të shqiptarëve. Dhe shqetësimi ka të bëjë me faktin se nëse këta zyrtarë të lartë shtetërorë dhe politikë kanë këtë nivel të ulët të komunikimit, atëherë si dhe sa mund të shpresojnë qytetarët për një përfaqësim dinjitoz të vetëdijes së tyre të komunikimit, të shtetformimit, shtetdrejtimit dhe të një përfaqësimi institucional dinjitoz. Natyrisht se shqiptarët nuk mund ta ndiejnë veten mirë nëse drejtohen nga njerëz që në komunikimin ndërmjet tyre përdorin një zhargon kaq të ulët, shprehin idioma kaq të pacipa dhe kaq perverse. Dhe shqetësimi është se Kosova po udhëhiqet nga rrugaçëria politike, nga perversiteti institucional, e nga praktika kriminale.

Në vazhdën e kësaj analize, është edhe një aspekt tjetër e që ka të bëjë me vetëdijen shtetërore dhe institucionale të këtyre zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe politikë, e cila është një vetëdije tepër e ulët, e që shpërfaq një trajtim tepër rrugaçëror të institucioneve shtetërore. Kur i dëgjon me vëmendje këto biseda, njeriu kupton shumë lehtë se për këta drejtues shtetërorë dhe politikë, institucionet e shtetit janë si skema piramidale, në të cilët kushdo mund të realizojë çka të dojë; që përdoren për të kryer thjesht procedura formale në mënyrën rrugaçërore dhe kriminale. Raporti ndërinstitucional, siç është ai ndërmjet kryeministrit, ministrisë dhe kryetarit të Kuvendit, është një çështje që i ngjan më tepër raportit ndërmjet grupeve të ndryshme mafioze dhe kriminale, sesa si raporte ndërmjet institucioneve më të larta shtetërore. Dhe në këto raporte ndërthuren edhe çështje shumë të rëndësishme për fatet e Kosovës, siç janë edhe negociatat me Beogradin. Nga këto biseda, kuptohet më qartë edhe nga qytetarët më të painteresuar se përse negociatat me Beogradin kanë filluar pa një platformë negociatore dhe duke u injoruar tërësisht institucioni i Kuvendit të Kosovës. Me fjalë të tjera, nga këto biseda të gjithë e kuptojnë se fati i negociatave është në duart e një njeriu: krymeinistrit të Kosovës, i cili sikurse institucionet shtetërore, ashtu edhe të ardhmen e Kosovës dhe të shqiptarëve i konsideron si çështje të hesapeve të tij personale, apo edhe të mekanizmave të ndryshëm të cilëve u përket. Në këtë kuptim, qytetarët duhet të jenë seriozisht të shqetësuar edhe për nivelin e përfaqësimit të interesave të tyre në këto negociata, duke shprehur një dyshim të ligjshëm për përfundimin e këtyre negociatave në dëm të theksuar për Kosovën.

Një aspekt tjetër i analizës mund të përfshijë edhe aspektin kontekstual me rastin “Kleçka”. Siç është bërë e njohur, hakerë të ndryshëm kanë kërcënuar EULEX-in se do të publikojnë mesazhe ndërmjet tij dhe zyrtarëve serbë në Beograd lidhur me rastin “Kleçka” dhe të tjerë. Në këtë kontekst, ndoshta duhet folur për një luftë virtuale ndërmjet palëve të caktuara që shantazhojnë njëra-tjetrën. Po qe se është kështu, atëherë mbetet të shihet se si do të vazhdojë kjo luftë e mundshme, dhe çfarë mesazhesh do të lexojmë, apo e tëra do të përfundojë me një marrëveshje të fshehtë që asnjëra palë të mos publikojë mesazhe të tilla komprometuese, kurse gjykimi i Fatmir Limajt të jetë vetëm formal dhe që do të përfundojë në të mirë të Limajt. Sido që të jetë, edhe ky aspekt, ngre dilema të mënyrës së funksionimit të sistemit politik, shtetëror dhe të drejtësisë në Kosovë, si dhe të raporteve ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it.

Në këtë kuptim, për t’u lidhur kështu edhe me pjesën e parë të kësaj analize, a bëhet fjalë për një luftë të të gjithëve kundër të gjithëve, pra për një luftë të EULEX-it kundër institucioneve shtetërore të Kosovës dhe të këtyre kundër EULEX-it; për një luftë të institucioneve të ndryshme të Kosovës kundër njëra-tjetrës? Nëse po, atëherë qytetarët e Kosovës, më shumë se për fatin personal, duhet të mendojnë për atë se çfarë po e pret Kosovën në këtë fundviti, kur dimri mund të jetë më i acartë se i vitit të kaluar, çfarë mund të ndodhë në negociatat Prishtinë – Beograd dhe a mos po përgatitet terreni për një luftë lokale në veri, që do të përmbyllte kështu në mënyrë shumë të keqe gjithë angazhimin e vazhdueshëm të linjës së këtyre që janë përgjuar për realizimin edhe të interesit të fundit serb në Kosovë: autonomizimi i veriut si fazë kah bashkimi i saj me Serbinë, apo edhe ndarjen përfundimtare të Kosovës si hap kah ndryshimi i kufijve në rajon në të mirë të sllavoortodoksëve në rajon...

Ndërrimi i motmoteve, ripërtëritje e dashurisë vëllazërore

                   Kërko brenda në imazh                 Nga :  FLORI BRUQI  Për të festuar Viti i Ri 2025 , ja disa urime që mund të ndani ...