Në fillim të epokës sonë të parët tanë përbënin një popullsi më se 20 milionëshe dhe janë përmendur që në hartat e para të botës, duke filluar nga Harta e Homerit, e shekullit 13-12 para erës sonë, hartën e Anaksimadrit, viti 565 p.e.s, atë të Herodotit, të vitit 465.p.e.s, e të tjera me radhë, është thënë në ekspozitën hartografike të hapur tash e tri ditë me radhë në Kuvendin Komunal të Deçanit, për nderë të 100 vjetorit të shtetit shqiptar, të autorit Faton Mehmetaj nga Pozhari i Deçanit. Ky projekt është titulluar “Trojet shqiptare në harta që nga lashtësia deri më sot”, që në vete mbledh rreth 500 harta të ndryshme të vjetra rreth 3 mijë vjet. Sipas recensentit të kësaj ekspozite, Muhamet Mala, harta e shpreh hapësirën, ndërsa historia kohën dhe hapësirën në mes të këtyre të dyjave e kuptojmë të gjithë. “Është një ekspozitë e mirë dhe e begatë me material hartash, ku autori përmes këtij koleksioni i ndërlidhë kohërat dhe hapësira që nga Ilirikumi antik, nga Istria e deri në Gjirin e Ambrakisë në hapësira mesjetare arbërore deri në Prevezë, në hapësirën e cunguar etnike moderne shqiptare”, ka thënë Mala. Sipas tij, ky projekt me këtë koleksion hartash ka një rëndësi shumëdimensionale. Së pari këto harta janë dëshmi e fortë për t’i treguar botës qytetërimin tonë të lashtë, shtrirjen gjeografike dhe autoktoninë, së dyti, këto harta pasqyrojnë një histori të shkruar gjatë mijëra vjetëve, kurse pike e tretë e rëndësishme është edhe fakti se ky projekt mund dhe duhet t’i shërbejë edhe diplomacisë sonë të re për të fituar mbështetjen e botës.
Faton Mehmetaj mundësinë e hapjes së kësaj ekspozite në kuadër të kësaj feste të 100 vjetorit të shtetit shqiptar e ka quajtur një kënaqësi të veçantë. “Edhe kjo ekspozitë është një aktivitet që korrespondon me këto aktivitete mbarëkombëtare dhe me rrugëtimin mijëra vjeçar të popullit shqiptar nëpër shtigjet e historisë deri në ditët tona”, ka thënë Mehmetaj, i cili ka shprehur bindjen se, nëse ato trajtohen në prizmin e një projekti mbarëkombëtar, do ta tronditin botën shkencore të të gjitha niveleve. Mehmetaj ka shtuar se ky koleksion hartash dëshmon me fakte dhe të dhëna historinë tonë nëpër mijëravjeçarë, bazuar në dokumente autentike të kohës. “Sipas tyre, në fillim të epokës sonë të parët tanë përbënin një popullsi më se 20 milionëshe dhe janë përmendur që në hartat e para të botës, duke filluar nga Harta e Homerit, e shekullit 13-12 para erës sonë, hartën e Anaksimadrit viti 565 p.e.s, atë të Herodotit të vitit 465.p.e.s, e të tjera me radhë”, ka thënë ai.
Hapjen e kësaj ekspozite e ka përshëndetur edhe kryetari i Deçanit, Rasim Selmanaj, i cili e ka quajtur atë si një punë shumë të rëndësishme dhe me shumë vlerë për të dëshmuar para botës të kaluarën tonë të lavdishme, dhe territoret e copëtuara padrejtësisht gjatë historisë.