2012-11-26

Paraburgosja e njeriut të dytë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Fatmir Limajt, ka lehtësuar dukshëm mbajtjen e zgjedhjeve në partinë e kryeministrit Hashim Thaçi, për faktin se një zë ndryshe është shuar dhe krahu i ndryshimeve, duket se ka humbur ekuilibrin.




Zgjedhjet në PDK, që pritet të kompletohen me Kongresin e partisë në janar të 2014, nuk ka shenja se do të rezultojnë me lëkundje të udhëheqjes së saj aktuale, sidomos tash pa praninë e Limajt, thonë analistët politikë.

Madje, sipas tyre, Hashim Thaçi, i cili udhëheq partinë për gati 13 vjet, janarin do ta presë i qetë dhe sipas të gjitha llogarive, pasi që “matja e muskujve” ndërmjet tij dhe Limajt, do të jetë e pamundur, në kohën kur grupi më i fortë dhe më rivali i kësaj partie është neutralizuar nëpërmjet presioneve dhe shantazheve, të cilat ditë më parë u përshkallëzuan me paraburgimin e Limajt, njeriut të dytë më të fuqishëm të kësaj force politike, shkruan “Zëri”.

Njohësit e rrethanave politike theksojnë se Kuvendi Zgjedhor i PDK-së, i paraparë të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm, do të mundësojë lehtësisht zgjedhjen e Thaçit në krye të PDK-së pa e pasur rivalin e tij më serioz Limajn, të cilit Gjykata Supreme ia ka shqiptuar 30 ditë paraburgim për rastin “Kleçka”.

Analisti Avni Zogiani thotë se PDK do të vazhdojë të jetë një parti e kontrolluar nga Hashim Thaçi, sidomos tani kur grupi më i fortë dhe më rivali i kësaj partie është neutralizuar nëpërmjet presioneve, të cilat janë përshkallëzuar pikërisht në prag të zgjedhjeve të PDK-së, ndaj njeriut të dytë të kësaj partie, (Fatmir Limajt) që rezultuan edhe burgosjen e tij.

Edhe njohësi tjetër i rrethanave politike, Nexhmedin Spahiu, vlerëson se paraburgimi i Limajt, domosdoshmërish do të ndikojë në procesin e brendshëm zgjedhor të PDK-së.

“Nuk është njësoj që procesi zgjedhor të zhvillohet pa nënkryetarin e saj, njeriun më të zëshëm të PDK-së, dhe sidomos kur kihet parasysh qëndrimi i tij kritik brenda lëvizjeve në parti. Megjithatë, është vështirë të shihen zhvillimet e ardhshme zgjedhore në këtë parti, e cila është në pushtet, por ajo që dihet është se mosprania e Limajt do të ndikojë në procesin e zgjedhjeve në PDK”, ka thënë ai.

Sipas tij, vështirë do ta ketë edhe sekretari i partisë, Jakup Krasniqi, i cili s’do ta ketë përkrah bashkëpartiakun dhe bashkëmendimtarin e tij.

Mirëpo, anëtari i kryesisë së PDK-së, që ndryshe njihet si zëri kundërshtues i Thaçit, Xhevat Bislimi, nuk mendon se procesi zgjedhor në partinë e tij do të përshkohet me probleme, ndonëse ka shfaqur mendimin se drejtuesit e shtetit, që njëherësh janë edhe udhëheqës të partisë duhet të mendojnë seriozisht për veprimet e tyre pas paraburgosje së Limajt.

“Nuk e di se si Hashim Thaçi do të jetë kryeministër, e Jakup Krasniqi kryetar i Kuvendit, e në anën tjetër, Fatmir Limaj të jetë në burg. Ata duhet të mendojnë se çfarë duhet bërë, sikurse duhet të mendojë edhe Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit dhe secili deputetet dhe anëtar i kryesisë së PDK-së . Iu takon të gjithëve të deklarohen rreth kësaj drejtësie antishqiptare të tipit të Salustro, apo janë kundër kësaj drejtësie, sepse Limaj është nënkryetar i partisë, deputet i Kuvendit dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës . Them se paraburgimi i tij, jo vetëm që e ka dëmtuar rëndë PDK-në, por edhe sistemin politik, juridik në tërësi dhe është një akt kundër pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Bislimi.

Sidoqoftë, Kuvendi i ardhshëm Zgjedhor i PDK-së, pritet të rezultojë me rizgjedhjen e Hashim Thaçit në krye të partisë pa rival serioz, sikurse pritet që struktura aktuale do të ketë rol dominues në kuvendin e ri.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...