(Nga Namik Selmani)
1.
Poetët folën për të
me qiellin, me zogjtë, me fletët, me kërcellin e barit.
Përralltarët
treguan bëmat për të me një fund kaherë të lumtur.
Veç ajo,
E Vërteta, shfaqet si zanë e paparë, fill i padjegur nga zjarri
Me mallkimin e mungesës
që bëhet ofshamë gjer te kafshata e vetme e bukës.
2.
Cicëronët s’u lodhën për të
Gërmuan mes relikeve e gishtërinjtë i gjakosën.
Udhëtarët e haneve
Nuk lanë portë të rëndë pa prekur me qoftë dhe syverbuar.
Thonjtë e rënë
I copëtuan gjer në gjak, me buzën e mavijosur.
E lanë pas vetes
Lotë, ëndrra, shkronja e thinjën e zbardhuar.
3.
Hapëm piramida
E u futëm për të si minj në palët e zverdhura të fletëve.
Pushkët e supeve
Mbetën pa barot e sylynjarët mbetën pa ujë.
Ajo, E VËRTETA,
Nuse-vejushë mbeti, Penelopë e përjetshme
E tufanet e vuvosën
E futën dhe më thellë në humnerë, në një pus të prushtë.
4.
Laookontë të rinj
Klithmuan, tek linin në mes gjarpërinjve, të tjerë testamente
Gijotinat
E qëlluan aq fort, sa u ndryshkën dhe tehet e sëpatave
E VËRTETA strukej
Fshihej gjysëmvdekur dhe e zhveshur nëpër qiej dhe dete.
Si një kuti xhevahirësh
Që asnjë nuk ia diti të saktë asnjëherë vlerën. e parave
5.
Nenet e kodeve shumëgjuhësh
U stërlexuan, kur pas krahëve kishte peshore drejtësie
Para togëzinjve
Dëshmitarët betohen dyfytyrshëm teksa i mbulon heshtja.
E Hamletët për TË VËRTETËN
U plakën e vdiqën mes pragjeve të etur për dritë kaltërsie
E ne mbetëm
ah, lypësa të vetvetes që asnjëherë nuk gjetëm për të Çelësa.