Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi tha sot se Ministria ka vënë gjithçka në dispozicion të hetuesve të EULEX-it për të zbardhur rastin e pasaportave.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka folur në një konferencë për shtyp rreth dyshimeve që zyrtarë të lartë të kësaj ministrie janë involvuar në rastin e pasaportave, për të cilin rast tashmë ka një të akuzuar. Rexhepi tha se është shprehur i gatshëm të bashkëpunoj me EULEX-in, për ndriçimin e rastit.
“’Unë i kam hap dyert si zbatues të ligjit ne së pari duhet të pastrojmë oborrin tonë. Në atë drejtim ne edhe po veprojmë kemi kërkuar nga EULEX-i , të hetojmë çdo individ që dyshohet, të kenë në dispozicion krejt dokumentacionin çka kërkojnë dhe pres me të drejtë që sa më shpejt të zbardhet ky rast dhe kush do qoftë që është i involvuar ta merr dënimin e merituar”,tha ministri Rexhepi.
Ministri, Rexhepi tha se kishte tërhequr vërejtjen te të punësuarit në ministri që çdo njëri të përmbush në mënyrë korrekte detyrën e tij, megjithatë disa gjëra nuk kanë shkuar si duhet tha ai.
“Disa gjëra gradualisht po zënë vend megjithatë këto janë çështje të hetimeve. Në momentin kur ka fitua kompania edhe një herë e ceku që kam thënë e kanë fitua në bazë të ofertës më të mirë dhe mos të tentojnë dikë me korruptua për arsye se do të jeni viktimë. Pra ja kam tërheqë vërejtjen megjithatë disa gjëra kanë dalë”, tha Rexhepi.
Rexhepi tha se shkarkimi i këshilltarit të tij nuk lidhet me rastin e pasaportave, ndërsa ka falënderuar Policinë e Kosovës në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndryshe, në konferencë u bë e ditur se Policia e Kosovës gjatë një aksioni në Pejë, konfiskoi 35 kg substancë narkotike të llojit marihuanë dhe arrestoi dy persona, ndërkaq për krime kibernetike po ashtu janë arrestuar dy persona në Prishtinë.