2012-11-29

Përgjimi i telefonave, veç me vendim të gjykatës

Misioni Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) konfirmoi se përgjimet telefonike të Kryeministrit Hashim Thaçi dhe zyrtareve tjerë të lartë të PDK-së, nuk janë të montuara.

Misioni i EULEX-it tha për Gazetën Jeta në Kosovë se këto biseda telefonike të publikuara në internet, kanë të bëjnë me një proces gjyqësor që ende është duke vazhduar.

Por Zyra për Media e EULEX-it në përgjigjen zyrtare për Gazetën Jeta në Kosovë nuk tregon se kush është personi, personat apo çështja në të cilën prokuroria e këtij misioni është duke hetuar.

"Rrjedhja e materialit konfidencial është një çështje serioze dhe një shkelje serioze e besimit që lidhet me procedurat e një rasti gjyqësor që është në vazhdim”, tha EULEX-i.

Pas dhjetë orësh, të enjten ata mundën të japin përgjigje në lidhje me këto përgjime të publikuara në internet.

“Siç kërkohet proceduralisht, materiali në lidhje me këto procedime ishte dorëzuar nga Prokuroria e EULEX-it tek ekipi mbrojtjes dhe në gjykatë”.

Në këtë mënyrë, EULEX-i konfirmon se këto përgjime nuk janë të montuara, por ato janë bërë nga ana e prokurorisë së tyre.

Zyra për media e EULEX-it tha se “materiali pastaj është shfaqur në sferën publike”.

“Nga ana e saj, Prokuroria e EULEX-it ka vepruar në mënyrë legale dhe korrekte, si dhe në bazë të ligjit”.

EULEX-i tha se “është për të ardhur keq që disa palë e kanë lëshuar në mënyrë të paligjshme këtë material për t’u parë nga publiku”.

Qeveria e Kosovës i ka quajtur të enjten përgjimet “të fabrikuara”.


Ruzhdi Jashari

Mbikëqyrësi kryesor shtetëror për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Kosovë, Ruzhdi Jashari, nuk mund të thotë se në Kosovë nuk ka shkelje të privatësisë dhe keqpërdorim të të dhënave personale. “Ende mungon vetëdijesimi i qytetarëve të Kosovës për ekzistimin e Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale. Për të gjithë ato kompani, si shtetërore, po ashtu edhe ato private, që bëjnë shkelje të privatësisë së qytetarit, do të merren masa konform ligjit”, thotë Jashari, sipas të cilit askush nuk guxon të përgjojë bisedat telefonike të askujt pa vendimin e gjykatës.
Kosova infrastrukturën ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale e ka të rregulluar që nga viti i kaluar, kurse , sipas Ruzhdi Jasharit, mbikëqyrës shtetëror për Mbrojtjen e të Dhënave në Kosovë, ka akoma nevojë që qytetarët të informohen se ekziston Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe të kenë njohuri për të drejtat që posedojnë në mënyrë që të drejtat e tyre të mos shkelen gjatë përpunimit të të dhënave personale.
“Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në rast se ka informacion se një qytetari i shkelen të dhënat personale, menjëherë mund të veprojë, dhe në rastin e tillë në përputhje me ligjin, merr masa. Masat janë duke filluar prej aspekteve këshilluese deri te masat tjera të ndëshkimit, që kapin edhe shifra të ndëshkimeve detyruese të gjobave me të holla”, tha Jashari në një intervistë për REL.
Sipas tij, gjoba më e vogël është diku 400 euro dhe më e larta rreth 4000 euro për kontrolluesin që ka shkelur Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.
“Agjencia ka fuqinë ligjore, gjegjësisht autoritetin ligjor të bëjë konfiskimin e dosjeve, pastaj konfiskimin e materialeve, konfiskimin e serverëve dhe pajisjeve elektronike, me të cilat përpunohen të dhënat personale nëpër kontrollues të ndryshëm”.
Ai thotë se zhvillimi teknologjik shumë i hovshëm ka rrezikuar në masë të madhe të dhënat personale të individit dhe privatësisë. “Prandaj, kërkesa akoma është në zgjerim, kryesisht te çështja e mbulesës me legjislacion edhe tash së fundi kemi rastin kur po bisedohet edhe po punohet në modernizimin e legjislacionit të Bashkimit Evropian për mbrojtjen e të dhënave personale”.
Ndërsa lidhur me përgjimin e telefonave mobilë, një dukuri, për të cilën kanë ngritur shqetësime shumë qytetarë në Kosovë, Jashari thotë se aspekti i përgjimeve është një çështje e veçantë, që rregullohet me Ligjin mbi përgjimet dhe natyra e punës në Agjencinë Shtetërore është mbrojta e të dhënave personale.
“Duke ditur se zëri, intimiteti, biseda dhe krejt këto për njeriun lidhen si aspekte të pronësisë personale të individit, në një aspekt akcesohen dhe prek edhe natyrën e çështjeve të të dhënave personale të agjencisë. Në rast se kemi ankesa të tilla, ne ato i procedojmë dhe mbikëqyrësit që merren me këtë çështje kanë për detyrë që në vazhdën e kësaj kërkese, të nxjerrin rekomandime, gjegjësisht vendime në bazë të ligjit që kemi fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
Ai tha se kanë kryer disa veprime të operuesve të telefonisë mobile në Kosovë dhe kanë nxjerrë diku 12 vendime.
“Aspekti përgjues është i ndaluar me ligj dhe askush askënd nuk ka të drejtë ta përgjojë. Çështjet përgjuese janë çështje që faktikisht mund të bëhen - ka përjashtime, mirëpo ato nuk mund të bëhen pa një vendim të Gjykatës Hetuese në raste të caktuar kur vjen deri te rrezikimi i pronës, deri tek aspektet e kriminalitetit, krimeve, çështjet e veprave penale që rrezikojnë stabilitetin, rrezikojnë aspektin e përgjithshëm të shoqërisë dhe të shtetit.
Në këto raste Gjykata Hetuese merr vendim që të përgjohen aspekte të tilla për ndaljen e kësaj dukurie. Kjo është ajo forma që, thjesht, është e lejuar me ligj, kurse gjitha format tjera, në rast se ka përgjime, janë të ndaluara rreptësishtë”, tha Jashari.

Eris Durmishi

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...